E premte, 29.03.2024, 01:11 PM (GMT)

Speciale » Basha

Sabile Basha: Një dokument ''Top Sekret'' për reagimet ndërkombëtare të demonstratave në Kosovë më 1981

E diele, 10.11.2019, 02:48 PM


NJË DOKUMENT “TOP SEKRET”, PËR REAGIMET NDËRKOMBËTARE TË DEMONSTRATAVE NË KOSOVË 1981

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Duke shfletuar, hulumtuar dhe studiuar dokumentet e periudhës më të re të Kosovës, me theks të veçantë demonstratat e vitit 1981, në shumë kuti të arkivit hasa materiale të cilat flitnin për informimin që bënte KQ i LKJ-së lidhur me demonstratat. Më tërhoqi vëmendjen një informatë që në fillim të saj shkruante “Top sekret”, andaj kureshtja prej hulumtuesi ishte edhe më e madhe.

Demonstratat studentore 1981

Duhet shtuar se, Demonstratat e 11 marsit të vitit 1981 e të tjerat në vijim, nuk ishin rastësi në historikun tonë. Ato ishin një vazhdim i luftës së shqiptarëve që ishin nën okupimin jugosllav dhe që me vite e vite kishin luftua për liri dhe të drejta kombëtare e politike. Megjithatë, demonstratat e atij viti,  duke i krahasuar me demonstratat e vitit 1968, ishin një dëshmi e qartë për rritjen e shkallës së pjekurisë e të vetëdijes politike të shqiptarëve. Është një fakt i pamohueshëm se demonstratat fillimisht (11 mars) u kërkua ndryshimi dhe përmirësimi i situatës ekonomike, si dhe zgjerimi i të drejtave  dhe lirive politike. Lufta për ndryshimin e gjendjes ekonomike e politike të popullit shqiptar u sintetizua në kërkesën “Kosova-Republikë” që synonte të ndryshonte pozitën kushtetuese të Kosovës dhe të mbarë popullsisë shqiptare në Jugosllavi në kuadër të federatës.

Programi i Demonstratave 1981

Ndërsa sa i përket Programit të Demonstratave të 1981, dihej se, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878), në botën shqiptare ekzistonte një program kombëtar i ruajtjes së tërësisë së atdheut, dhe i bashkimit kombëtar, mbi bazën e të cilit ishin hartuar gjithë programet e Lëvizjes Kombëtare në vijim, kërkesa këto, që vazhduan të prezantohen edhe në programet e lëvizjes ilegale, në vitet e mëvonshme, por edhe të Demonstratave të vitit të madh.

Duhet thënë se Programi i demonstratave, ishin vetë kërkesat që u paraqitën në to e që nuk dallonin nga ato të demonstratave të 1968, dhe nga programet e shumta të organizatave ilegale që vepronin në Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare në ish-Jugosllavi.

Kushtetuta e vitit 1974 nuk ishte dëshirë e pushtetarëve por ishte rezultat dhe sukses i Lëvizje  kombëtare që përjetoi nivelin më të lartë organizativ me 1968 dhe ngritjes së nivelit politik (kjo ngritje duhet të merret si ngritje në kuadër të procesit  e jo si rritje e aspiratës), sepse, deri në këtë kohë, shqiptarët në kërkesat e tyre politike  ishin shprehur vetëm për bashkim kombëtarë e jo për ndonjë ngritje të statusit  në Shtetin e Jugosllavisë.

Të gjitha programet e organizatave ilegale shqiptare kishin karakter kombëtar

Duhet theksuar se, edhe brenda organizatave politike të kohës kishte dallime rreth artikulimit programor, se cila ishte platforma më e mundshme dhe më e përshtatshme që duhej të përdorej për rrethanat e kohës, për të ardhur deri te një strategji e përbashkët e veprimit.

Programet, platformat dhe synimet e tyre ishin thjesht të karakterit kombëtar dhe qëllimi suprem i të gjitha atyre ishte mëvetësia e Kosovës dhe bashkimi me Shqipërinë. Dallimet konsistonin në atë se si duhej t’i qaseshin zgjidhjes së çështjes kombëtare, ngase veprimtaret e ilegales asnjëherë në qëndrimet e tyre nuk ishin statike, por varësisht prej rrethanave kombëtare e ndërkombëtare, krijonin edhe qëndrimet e tyre. Këtë të dhënë më së miri e dëshmon evoluimi i qëndrimeve rreth zgjidhjes së statusit të Kosovës në situata të caktuara, që do i paraqes, të përmbledhura në tre opsione si:

1.  Bashkimi i të gjitha tokave shqiptare me Shqipërinë;

2. Bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një republikë brenda Jugosllavisë dhe nën   

3. Republika e Kosovës.

Kërkesa për Republikë, për kohën ishte më e përshtatshmja ngase prapa kësaj qëndronte kërkesa për bashkim kombëtar.

           Demonstratat e 11 marsit të vitit 1981 nuk kishin vetëm kërkesa të karakterit social por edhe politik. Por, duhej të vinte dita e 26 marsit, që gjithçka të bëhej saktësisht e ditur se çfarë donin dhe çfarë kërkonin shqiptarët në Kosovë.

Me 26 mars, u shpalos haptas programi i demonstratave me krye kërkesën për Kosovën-Republikë, dhe për të drejtat politike të shqiptarëve në Kosovë. Këto kërkesa, që u afishuan edhe në ngjarjet e 1 e 2 prillit e më vonë, do të ishin programi, boshti dhe themeli vertebror  i Demonstratave të vitit 1981. Demonstratat e vitit 1981 do të konsiderohen se ishin demonstratat më të mëdha në Gadishullin Ballkanik dhe në Evropën Lindore pas Luftës së Dytë Botërore.

Prej parullave që u shpalosen në këto demonstrata, veçojmë: “Vdekje armikut - Liri popullit”, “Kosova-Republikë”, “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, “Trepça punon, Beogradi ndërton” e të tjera si këto, ku shihet dukurish se kërkesat e demonstruesve ishin politike, kombëtare e social-ekonomike, të cilat burimin e kishin dhe, në mënyrë eksplicite paraqitnin programin e tyre politik  të cilat siç u pa i dëshmoi dhe i rezistuan kohës. Kërkesa më e rëndësishme, në të vërtet kërkesa historike e këtyre demonstratave  ishte kërkesa që shqiptarëve t’u njihet e drejta e popullit shtet krijues, e drejta që shqiptarët në Kosovë dhe në trevat e tjera me shumicë shqiptare të kenë republikën e tyre, siç i kishin popujt e tjerë në Jugosllavi.

Gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë, 2 prill 1981

Më 2 prill 1981, Beogradi kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë dhe ndaloi qarkullimin  e mbi dy vetave së bashku në vende publike. Ndërpreu mësimin në shkollat fillore, në ato të mesme dhe në universitet. Mbylli konviktet e

studentëve dhe të nxënësve në Prishtinë. Masa të njëjta u ndërmorën edhe në komunat e tjera të Kosovës. Megjithëkëtë, po atë ditë, në Prishtinë tërë ditën kishin vazhduar demonstratat masive të shqiptarëve. Po atë ditë, demonstratat u organizuan edhe në Podujevë, në Gjilan, në Vushtrri dhe në Mitrovicë. Më 30 prill vazhduan në Ferizaj, në Viti, përsëri vazhduan në Vushtrri dhe në Mitrovicë.  Më 30 prill u organizuan demonstrata edhe në Deçan e në Istog. Me demonstrata u vazhdua përsëri në Prishtinë edhe me 18 maj 1981.

Mbyllet mësimi në Universitet dhe shkolla të Kosovës

Pas kësaj, organet e pushtetit dhjetë ditë para afatit urdhëruan përfundimin e ligjëratave në Universitetin e Prishtinës. U ndërpre qarkullimi i postës dhe të gjitha lidhjet telefonike. Patrullat e policisë dhe ato ushtarake kontrollonin të gjithë kalimtarët dhe automjetet në komunikacion. Kështu, Kosovën e izoluan nga pjesët e tjera të ish-Jugosllavisë, duke bërë përpjekje që ta shkëpusnin edhe nga bota.

Edhe pse opinioni ndërkombëtar këto demonstrata i kishte cilësua paqësore, edhe pse këto demonstrata kishin karakter demokratik e kombëtar, në Kosovë nga çdo republikë jugosllave vërshuan njësi të shumta policësh dhe ushtarakësh. Kundër demonstruesve  duarthatë u përdorën: bomba me gaz lotsjellës, shkopinjtë gome e kërbaçë, gazra helmuese kimike, armë zjarri, tanke, helikopter, autoblinda, aeroplan luftarakë, bile-bile edhe të tipit MIG-21”. Në Demonstrata pati të vrarë e të plagosur, të arrestuar e të arratisur jashtë atdheut. Gati një brez i tërë në forma  të ndryshme  gjenocidi u flijua në altarin e shenjët të atdheut.

Statistikat e të dënuarve ishin jo të sakta

Statistikat e të dënuarve në Kosovë asnjëherë nuk ishin të sakta. Ajo ndërronte nga momenti në  moment, dënoheshin studentët që ishin pjesëmarrës të demonstratave, dënoheshin profesorët e tyre, ngase kishin përkrahur kërkesën “Kosova-Republikë”. Këtë më së miri e dëshmon rasti i profesorit Ukshin Hotit,   për fatin e të cilit nuk dihet edhe sot. Dënoheshin qytetarët e zakonshëm pse u kishin dhënë ndihmë studentëve dhe pse i kishin strehuar ata. Dënoheshin nënat, pse mbronin bijtë dhe bijat e veta dhe, në fund , dënoheshin edhe fëmijët. Dënoheshin edhe ushtarët shqiptar kudo që ndodheshin.

Nuk kurseheshin as mërgimtarët

Në vazhdën e dënimeve dhe të përndjekjeve nuk u kursyen as fshatrat e viseve më të thella të Kosovës, e as fshatarët e pafajshëm, siç ishte rasti i vëllezërve Tahir e Nebih Meha nga Prekazi i Drenicës. Shqiptarët për këto ngjarje ndiqeshin edhe jashtë kufirit. Rasti më makabër ishte likuidimi i atdhetarëve: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Enver Hadri e shumë të tjerëve. Vrasjet dhe mizoritë ndaj shqiptarëve nuk kishin të ndalur. Ato vazhduan deri në vitet e fundit të shekullit XX. Më 11 janar 1984, po ashtu, vriten dy të rinj atdhetar: Rexhep Mala e Nuhi Berisha. E këta nuk ishin të vetmit.

Duhet thënë edhe këtë se Demonstratat e vitit 81 nuk e avancuan statusin e Krahinës së Kosovës në kuadër të ish federatës Jugosllave, por çështjen kombëtare e avancuan shumë e dukshëm. Këto ngjarje bënë një rrotullim kopernikan në vetëdijen e popullit shqiptarë të Kosovës dhe të botës demokratike. Me këto ngjarje u bë një revolucion në kokat e shqiptarëve, ata njëherë e përgjithmonë u shkëputen nga ndikimet për integrimin e tyre në Jugosllavi. Demonstratat e vitit 1981 nga shumë studiues u quajtën edhe Revolucion kombëtarë, sepse objektivi kryesor ishte liria kombëtare nga zgjedha skllavëruese .

Jehona e demonstratave në arenën ndërkombëtare

Demonstratat shqiptare të vitit 1981 patën jehonë dhe rrezatim të madh politik ndërkombëtar. Parulla e asaj pranvere të vitit ‘81  “Republikë, kushtetutë –ja me hatër ja me luftë”, paralajmëroi se për një qëllim të tillë, nëse paraqitet nevoja, edhe do të luftohet. Ishte kjo dëshmi e një sinjalizimi qysh atëherë  pararendës të një bërthame të kësaj force, që me emrin UÇK, (Ushtria Çlirimtare e Kosovës), do të  shfaqet në momentin më të duhur historik, për të mbrojtur popullin, po ashtu edhe tokatë e robëruara shqiptare, që ishte përpjekje dhe dëshirë brezash të gjakosur shekuj me radhë.

DOKUMENTI “TOP SEKRET” PËR INFORMIMIN NDËRKOMBËTAR TË DEMONSTRATAVE 1981

Sipas dokumentit të KQ i LKJ-së, sektori për informim dhe propagandë, Grupi për propagandë ndërkombëtare, me numër 2407/II nr. Top sekret, nr. 18/22, Beograd, 12.04. 1981. Është interesant se gjatë tërë dokumentit Komitetit Qendror i LKJ-së, demonstratat studentore të vitit 1981, askund dhe në asnjë vend nuk i quan me këtë emër por i quan ngjarje të Kosovës, e arsyeja dihet. Pushteti jugosllav në çdo mënyrë donte që të minimizoj demonstratat duke mos i quajtur me emrin e vërtet por duke i ç’vleftësuar dhe duke i  deformuar opinionin e gjerë se në Kosovë po ndodhin “disa ngjarje” por assesi demonstrata të një karakteri masovik të popullit shqiptar gjithandej ku jetonin ata. E vërteta ishte krejt ndryshe, bota e qytetëruar demonstratat i kishte quajtur demonstratat paqësore  por pushteti kishte ndërmarr masa të dhunshme ndaj demonstruesve paqësor. Bile është ironike kur  grupi për propagandë ndërkombëtare, informatën e dhënë e quan “Informat analitike”, e në vazhdim do të shohim se sa është analitike informata e lëshuar nga grupi.

Informatë analitike

Për reagimet ndërkombëtare të ngjarjeve në Kosovë

Grupi për informim informatën e lëshuar e fillon me këtë “Ngjarjet në Kosovë , në botë janë trajtuar si prova shumë  serioze për stabilitetin në Jugosllavi në “periudhën postitiste”.Ky vlerësim ka ardhur deri tek një përshtatje taktike të paraqitjes propagandistike  të njërit dhe bllokut tjetër.

Ndarja e trendëve propaganduese

Grupi i informimit me një mjeshtri tekanjoze propagandën në shtetet perëndimore e ndanë në këtë mënyrë: “Në propagandën perëndimore me këtë rast çart ndahen dy trende propaganduese: Njëra e cila vazhdon me politikën deklarative zyrtare  të marrëdhënieve miqësore ndaj Jugosllavisë dhe tjetra që është e kundërta e saj. Në propagandën perëndimore, të cilat edhe më herët kanë ardhur deri te ndarja e roleve  në paraqitjen ndaj Jugosllavisë (sidomos pas ngjarjeve në Poloni), ngjarjet në Kosovë edhe më tepër kanë theksuar këtë diferencim.

Në perëndim është karakteristike, se duke i përcjell interesat e blloqeve, kanë dashur të provokojnë në lindje konfrontime propaganduese rreth Jugosllavisë (e cila ishte mjaft e shprehur gjatë kohës së sëmundjes së kryetarit Tito), por lindja këtë radhë në këtë nuk kishte reagua.

Nevoja për të marr masa energjike nga ana e jonë për hir të normalizimit të gjendjes në Kosovë nuk vihej në dyshim. Megjithatë në disa rrethe të caktuara të botës janë munduar që ngjarjet në Kosovë ti shfrytëzonin për diskreditimin e Jugosllavisë në pozicionin ndërkombëtar.

Reagimet e vendeve të pa inkuadruara për ngjarjet në Kosovë ishin skajshmërisht të kufizuara dhe informatat ishin shumë të kujdesshme.

Gazetat kineze kishin reaguar pozitivisht duke i bazuar informacionet e tyre, në burimet tona.

Në kuadër të blloqeve globale, qasja propaganduese e disa vendeve komshi ngjarjet në Kosovë i trajtonin në raport me interesat e tyre (të brendshme- politike dhe të sigurisë). Në këtë kuptim paraqitja propaganduese e vendeve fqinje kishte pësuar pak a shumë ndryshime.

Propaganda shqiptare pa dyshim kishte zbuluar qëllimet kryesore strategjike të politikës shqiptare:  nga sulmet e mëhershme ideologjike  kishte kaluar në përzierje të hapur të punëve të brendshme të Jugosllavisë dhe kishte shprehur hapur pretendimet e përhershme territoriale për shumë pjesë të vendit tonë.

Analizat që bënin shtetet perëndimore për Demonstratat e vitit 1981, sipas Beogradit

Në dokumentin “Top sekret”, në vazhdim thuhej se: “Në analizat e komentet e perëndimorëve ngjarjet në Kosovë, sipas rregullave ishin vu në kontekst të situatës së përgjithshme në Jugosllavi, në Ballkan e më gjerë. U përsëritën, lidhur me këtë spekulimet e vjetra për ardhmërinë e Jugosllavisë “pas Titos”  dhe në shumë implikime  të ngjarjeve në Kosovë në marrëdhëniet e blloqeve  në regjionin ballkanik. Duke e lidhur situatën politike  me atë ekonomike në vendin tonë, gazetat perëndimore i shikonin ngjarjet në Kosovë dhe kishin ndërmarr masa në Krahinë si test vetanak të fuqisë dhe stabiliteti në Jugosllavi. Një pjesë e propagandës perëndimore spekulonte  për unitetin dhe efikasitetin e udhëheqjes kolektive duke e vu në pyetje  aftësinë ton që në suazat e sistemit ekzistues të kalohen vështirësitë. Në disa qarqe ishte vlerësuar sa që ngjarjet në Kosovë seriozisht e kishin trandur  stabilitetin në Jugosllavi, dhe kishin thënë se gjëja se “vetëm armata jugosllave e kishte tejkalua këtë  “test”, ndërsa Lidhja e Komunistëve, sistemi i Mbrojtjes Popullore dhe Policia e Jugosllavisë kishin dështuar . Merrni me mend si vlerësohet intervenimi i policisë jugosllave në Kosovë si “i dështuar”, kur dihej se me qindra shqiptar u vran mu nga kjo polici, e mija të tjerë u arrestuan.

Qëndrimet e perëndimorëve për qasjen në demonstratat e vitit 1981, sipas KQ të LKJ-së

Në qasjen e ngjarjeve në Kosovë propaganda perëndimore nuk hiqte dorë nga drejtimi kryesor strategjik, ( për “tërheqje”Jugosllavin vetes duke i ofruar zgjidhjen e vet, jo vetëm për situatën në Kosovë, por edhe për probleme të tjera), por në këtë drejtim vëreheshin dy qëndrime të ndryshme.

Qëndrimi amerikan dhe britanik sipas grupit për informim

Kështu që propagandën amerikane e britanike e karakterizonte  qëndrimi politik zyrtar i proklamuar ndaj Jugosllavisë, duke e theksuar se Jugosllavia ka forca  që këtë problem ta zgjidhë. Sipas toneve të  shkruara  shtypi amerikan mund të thuhet  se gazetarëve të tyre iu ishte tërhequr vërejtja që në informatat e tyre propaganduese të jenë korrekt dhe të mos e irritojnë anën jugosllave. Kjo shihet  edhe në marrëdhëniet e ashpra  të pushtetit amerikan ndaj terroristëve ustashë në SHBA dhe publicitetit  në shtyp dhe të grupit terrorist të dënuar, në Newyork.  Njëkohësisht,  vërehet edhe kjo  se në kuptimin pozitiv kishte ndryshuar edhe mënyra e raportimit për dënimin e nacionalistëve kroat në Zagreb: me këtë rast nuk ngritët çështja e “të drejtave të njeriut”.

Shtypi Britanik, edhe pse kishte informim korrekt për Kosovën( spekulime të njohura paraqiten në mënyrë sporadike dhe me tone të buta), angazhohet që Jugosllavisë të mos i rëndohet gjendja e tanishme  politike e ekonomike, me krijimin e problemeve  në raport me EEZ (kritikohej vetoja e Irlandës dhe Francës në shtimin e madh të bartjes së mishit nga Jugosllavia në vendet e EEZ).

Një paraqitje e tillë propaganduese nga shtypi amerikan dhe anglez përputhej me interesat e  proklamuara zyrtare të këtyre vendeve  që Jugosllavia  të mbetet e këtillë siç ishte dhe se, kufijtë në Ballkan mos të ndryshohen. Brenga e tyre dukej në paragjykimet se ngjarjet në Kosovë munden me marrë dimension ndërkombëtar dhe Bashkimi Sovjetik këtë mund të shfrytëzojë. Lidhur me këtë, në numër të madh të gazetave perëndimore theksohej se  në kohët e fundit po rritet këmbimi i mallrave  në mes Bashkimit Sovjetik dhe SFRJ-së dhe varësia ekonomike  e Jugosllavisë mund të ketë reperkusione serioze në politikën e saj të pavarur.

“Interneshënell Herild Trubjun” thekson se “Bashkimi Sovjetik qëndron prapa ngjarjeve në Kosovë”

Në “rrezikun sovjetik” sidomos tërheqë vërejtjen shtypi i të djathtës greke, e cila pas hyrjes së Greqisë në NATO, u bë eksponent i fuqishëm “natoist”  i pasqyrimeve në rajonin e Ballkanit. Kështu që pas  manovrave  të paktit NATO në Greqi (në fillim të marsit para se të fillonin demonstratat në Kosovë), kishte lajmëruar (një skenar të mundshëm) për fillimin e Luftës së III Botërore. Sipas këtij skenari, shpërthimi i kësaj pakënaqësie në Kosovë do të sjelli deri tek konflikti në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Sovjetët do i shkonin në ndihmë Tiranës, Bullgaria do e okuponte Maqedoninë, ndërsa jugosllavët do të thërrasin në ndihmë perëndimin. Karakteristike është se “Interneshënell Herild Trubjun”  (Sulcberger) mu në Athinë “ka ardhur deri të të dhënat” se “Bashkimi Sovjetik qëndron prapa ngjarjeve në Kosovë”.

Përkrah Greqisë, edhe shtypi i shumë vendeve të perëndimit shkruan se Shqipëria  ka pretendime territoriale dhe kjo paraqet rrezik real për paqen në Ballkan dhe më gjerë. Në këtë kontekst një pjesë e shtypit perëndimor gjen shpjegim përse Kosova nuk mundet me qenë republikë, duke theksuar se kjo qon drejtpërdrejt deri tek bashkimi i Kosovës me Shqipërinë që më vonë kishte me pasur pasoja të paimagjinueshme në raport me forcat në këtë rajon.

Shtypi suedezë për demonstratat

Është interesante që gazetat suedeze, të cilat më herët u lëshonin në shkrime tendencioze ndaj Jugosllavisë, në mënyrë “korrekte” thuhej në informatë se informonin për ngjarjet në Kosovës. “Kjo është se para së gjithash që tek qytetarët tanë në Suedi të jenë në mënyrë objektive të informuar për situatën  ashtu çfarë ishte në të vërtet në Kosovë, dhe në mënyrë të vendosur ti kundërvihen demonstratave antijugosllave të emigracionit shqiptar e ustash”.

Në Austri, Belgjik e Zvicër por edhe në Itali, sipas dokumentit informoheshin në mënyrë “jo korrekte”

Në shtypin e Austrisë, Belgjikës, Zvicrës (në gjuhën gjermane), në Itali (gazeta e djathta), vinin në shprehje tendenca e jo korrektësisë, bile kishte edhe shkrime keqdashëse për ngjarjet në Kosovë dhe situatën politike në Jugosllavi. Një pjesë e shtypit belg sidomos gjatë muajit prill i kishte kushtua publicitet qëndrimit antijugosllav ndaj shqiptarëve në emigracion, ndërsa në Zvicër gjatë muajit maj vinte në shprehje  marrëdhënia tolerante ndaj aksionet që bënte emigracioni shqiptar ndaj Jugosllavisë. Fitohet përshtypja se gjatë kësaj periudhe kishte ardhur deri tek një koordinim i aktivitetit antijugosllav në këto vende.

Ngjarjet në Kosovë u shfrytëzuan në shtypin e këtyre shteteve  si shkak për ripërtëritjen e spekulimeve  për shkatërrimin e domosdoshëm të Jugosllavisë pas vdekjes së Titos.  Lidhur me këtë ishte insistuar hapur në tezën e jo efikasitetit të sistemit socialist vetëqeverisës dhe udhëheqjes kolektive, të cilat sipas vlerësimeve  të këtij shtypi, nuk mundet të zgjidhen problemet e ndërlikuara ekonomike dhe marrëdhëniet ndërnacionale tepër të acaruara.  Sulmohej Lidhja Komuniste për shkak të “ngufatjes së lirisë”, “ ndjenja nacionale” dhe për shkak të thellimit të “ndarjeve në mes të ideologjisë zyrtare dhe zhvillimit të shoqërisë në RSFJ”. Kjo pjesë e shtypit,  theksohej se kërkesat e nacionalistëve shqiptarë në Kosovë ishin të arsyeshme , si dhe është i arsyeshëm edhe përkrahja  që e jep shteti shqiptarë-Shqipëria. Në pjesën tjetër të shtypit të Gjermanisë Perëndimore, të Austrisë, të Zvicrës u pranuan qëndrimet e Shqipërisë (duke bërë thirrje në dokumente historike nga 1943,44 dhe 45) se shqiptarët në Kosovë “janë mashtruar” dhe “iu kanë bashkuar” Serbisë. Sipas tyre dhënia e statusit të Republikës- Kosovës, është e vetmja alternativë. Në shtypin austriak dhe në bazë të interesit vetanak lidhur me pakicat u lançua teza se është krejt  e natyrshme interesimi i Shqipërisë për “pakicat “ e veta në Kosovë, sikurse Jugosllavia që “jashtëzakonisht shumë merakoset” për “pakicat” e veta në Austri.

Lidhur me spekulimin e shpalljes Kosova- Republikë, spekulohej se në udhëheqjen jugosllave ekzistojnë dy rryma , njëra e cila angazhohej për në “dorë të fortë” e tjetra angazhohej për gjetjen e  një zgjidhjeje tjetër politike. Sipas vlerësimit të shtypit perëndimor, momentalisht mbretëron politika e “dorës së fortë”.

Ngjarjet në Kosovë këto mjete të informimit (sidomos ajo gjermano- perëndimore), e shfrytëzuan dhe e vërtetonin se në Jugosllavi nuk është e zgjidhur çështja nacionale. Në këtë kontekst përmendet edhe  “çështja maqedone dhe ajo kroate”, si dhe asimilimi i hungarezëve  në Vojvodinë. Thuhej se qytetarëve bullgar në Jugosllavi nuk iu lejohet që të shprehin haptas përkatësin nacionale (citohen tezat e Cole Dragojqeva se kombi maqedon nuk ekziston). Gjykimet e nacionalistëve kroat në Zagreb u shfrytëzuan për ilustrim të tezave  se edhe nacionalitetet tjera në Jugosllavi nuk guxojnë që të shprehin ndjenjat nacionale. Si fajtori kryesor për “këtë gjendje të këtillë”, akuzohet “shovinizmi serbomadh” dhe “imponimi i ideve jugosllave”kombeve e kombësive të tjera.

Trajtimi i demonstratave nga Partitë Komuniste në shtetet perëndimore

Ngjarjet në Kosovë dhe situata politiko-ekonomike në Jugosllavi në përgjithësi, disa gazeta perëndimore e lidhnin me pakënaqësitë në Poloni dhe nxirrnin përfundime se në përgjithësi socializmi është në krizë.

Propaganda perëndimore i zinte për të madhe Jugosllavisë për mungesën e informacioneve  për Kosovën, e sidomos për ndalimin e vizitave gazetarëve të huaj për Kosovë, dhe pastaj iu imputua  se Jugosllavia   në këtë drejtim nuk i plotëson obligimet ndaj deklaratës së Helsinkit.

Shtypi  perëndimor i partive komuniste kishte qasje diferencuese ndaj  ngjarjeve në Kosovë. Në mënyrë korrekte dhe objektive shkruanin e ndaheshin gazetat e Partisë Komuniste Italiane (“Unita”, dhe “Rinashita”) dhe ato greke  (“Avgi”). Në të kundërtën e tyre, gazetat norvegjeze dhe suedeze të parive marksiste-leniniste si dhe ato italiane ultra të majta, revista “Manifesti” shkruan për sulmet e Shqipërisë ndaj Jugosllavisë.

Simptomatike  është edhe gazeta e Partisë Komuniste Greke  për të huajt  (“Rizopastis”) i përcillte  opinionit sulmet shqiptare ndaj Jugosllavisë. Lidhur me të “Avgi” polemizonte me “Rizospastisom” për qëndrim të njëanshëm dhe jo objektiv paraqitjen e ngjarjeve në Kosovë.

Fletushka e Partisë Komuniste belge  “Drapo ruzh” në kohën e kampanjës antijugosllave dhe në shtypin tjetër  belg (e cila gjerësisht  jepte deklaratat dhe qëndrimet e emigracionit shqiptar) në mënyrë korrekte raportonte për ngjarjet. Gazeta e Partisë Komuniste  franceze “Ymanite” për ngjarjet në Kosovë, informonte kryesisht nga lajmet që jepte AFP dhe TANJUG, duke mos i prezantuar komentimet e veta. Nuk janë regjistruar shkrimet e organit të Partisë Komuniste spanjolle “Mundo brero” gjithashtu edhe  të fletushkës prosovjetike të Partisë Komuniste të Austrisë “Folkshtime”.

Karakteristikat e shtypit perëndimor sipas dokumentit

Karakteristikat fillestare që dominuan në propagandën perëndimore ishin: vetëpërmbajtja, selektiviteti, paraqitja faktografike në bazë të burimeve jugosllave, mungesa e komentimeve të tyre etj. Nga ky trend  dallojnë: Hungaria (informonte në mënyrë shteruese  për anët negative  të situatës politike në Jugosllavi), Polonia (pas Hungarisë publicitet të gjerë i jepte anëve negative të vendit tonë) dhe Rumania ( nuk kishte dhënë asnjë informatë për ngjarjet në Kosovë).

Në paraqitje të tillë propagandistike- taktike të lagerit, veçanërisht në ndarjen e roleve , sigurisht se kishin ndikua ngjarjet në Poloni dhe frika se ata në formën më të rëndë mos të reflektojnë  në kushtet e brendshme politike të disa vendeve në llager.

Kjo sidomos vinte në shprehje në propagandën hungareze e cila u mundonte që tek opinioni i brendshëm të ngadalësojë bërjen e sistemit socialist vetëqeverisës dhe mënyrën e zgjidhjes së problemit nacional në Jugosllavi.

Për shtetet tjera  të llagerit, me pak dallime nga Polonia, karakteristike ishin këto motive në konceptin e propagandës ndaj Jugosllavisë. Llageri nuk donte që të irritonte Jugosllavinë, dhe në asnjë mënyrë që të bënte lidhje me ngjarjet në Kosovë.

U bënë tentime që të fitohet përshtypja  “për miqësi të sinqertë” të bashkësisë socialiste ndaj Jugosllavisë; u eliminuan theksimet e dukurive negative në vendin tonë se në atë mënyrë “do të dëmtohet Jugosllavia dhe socializmi në përgjithësi”;

Duke pasur parasysh Hungarinë dhe Poloninë, roli i Shqipërisë në ngjarjet e Kosovës nuk u apostrofua se llageri, duke mbajtur “qëndrim neutral”, donte të linte hapësirë për ndonjë afri eventuale të Shqipërisë me llagerin.

Në bisedat interne tek evroperendimoret, biseduesit kishin theksuar arsyetimin tek “qëndrimi i fortë dhe i vendosur ndaj kontrarevolucionit. Interesante është se  gazetaret evroperendimorë, në Jugosllavi nuk treguan asnjë interes  dhe as nuk komentuan ngjarjet në Kosovë. Karakteristike është se nuk treguan asnjë interes për organizimin e ndonjë vizite të gazetarëve në Kosovës dhe në çdo mënyrë u mundonin që këtë temë ta lënë në planin e dytë.

Shtypi  i Bashkimit Sovjetik  për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë

Shtypi Sovjetik  për ngjarjet në Kosovë  vazhdonte me trendin e përmbajtur dhe informimit faktografik i kushtonte vëmendje. Shtypi Sovjetik kishte publikuar vetëm gjashtë informata lidhur me ngjarjet në Kosovë të cilat i kishin publikuar të gjitha gazetat qendrore të Rusisë.

Informatat për demonstratat në Kosovë, kryesisht bazoheshin në deklaratat e udhëheqësve të lartë  shtetëror e partiak jugosllav dhe në shkrimet e gazetave jugosllave. Ndërsa të vetmet tone polemizuese ishin paraqitur në kritikën e “Pravdës” drejtuar shkrimit të Tesliqit në “Borbë” (në të cilën barazoheshin dy blloqet” dhe indirekt vinte në lidhje ngjarjet e Kosovës).

Shtypi Sovjetik gjithashtu informonte opinionin e gjerë rusë se aktiviteti kontrarrevolucionar është i  organizuar nga ana e  agjenturave të huaja. Megjithatë, në asnjë tekst nuk thuhej se është e përzier Shqipëria;  përmendet vetëm  se Jugosllavia i ka dërgua notë protestuese Shqipërisë me rastin e sulmit në Ambasadën jugosllave në Tiranë. Indikativë është se Radio-Moska  në gjuhën shqipe  ka publikuar tekstin të cilën vërtetohet se njëherë edhe Shqipëria e ka forcua pavarësinë nacionale me ndihmën e Bashkimit Sovjetik. Karakteristike është se Bashkimi Sovjetik në asnjë moment nuk e akuzon perëndimin për ndërhyrje eventuale në ngjarjet e Kosovës, dhe as se në Perëndim janë toleruar demonstratat antijugosllave, çka do të thotë se  ishte në pajtueshmëri me eskalimin e propagandës Ruse.

Komentimi i demonstratave në Kosovë nga shtypi hungarez

Ngjarjeve në Kosovë iu dha publicitet i madh në mjetet e informimit  në Hungari (që sipas Beogradit ishte edhe më i madhi në vendet e lindjes). Informimi i shtypit hungarez, edhe pse në shikim të parë dukej objektiv thuhej në dokument, në të vërtetë ishte tendencioz. Ishin nxjerr citate të gjata nga deklarimet e politikanëve jugosllav, ishin harrua shumë të dhëna të rëndësishme nga informatat r Tanjugg-ut, dhe në bazë të kësaj u krijonte një fotografi jo e mirë dhe jo reale për vështirësitë që ballafaqohej Jugosllavia ( një mënyrë e tillë e informimit për ngjarjet në Kosovë u përputhte  me “serinë e zezë , të shkruara për dukuri negative  në zhvillimin tonë), mbyllej citati.

Karakteristike është se në analizën e shkaqeve  dhe të organizimeve  të pakënaqësisë në Kosovë shtypi hungarez theksonte se shkaktar është “Organizata Komuniste Marksiste –Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi”. Gjithashtu në shumë informata  Republikën e Shqipërisë e lidhnin në mënyrë direkt me ngjarjet në Krahinë. Shtypi hungarez informonte edhe për demonstratat antijugosllave  në Zvicër dhe në Suedi duke theksuar aksionet e punëtorëve jugosllavë që pengonin armiqtë në provokime (e këto shkrime nuk ishin korrekte me sipas dokumentit, shënim Sabile K. Basha).

Shtypi shqiptar për demonstratat studentore të vitit 1981

Për marrëdhëniet jugosllave-shqiptare gjithashtu është shkruar në mënyrë intensive nga Grupi për informim pran KQ të LKJ-së. Parimisht paraqiteshin qëndrimet jugosllave, por ndodhte kur paraqiteshin dhe përcilleshin edhe burimet shqiptare. Gjithashtu ka pasur shkrime  lidhur me sulmet në ambasadën jugosllave në Tiranë (Informata të Tanjugut).

Shtypi hungarez komenton demonstratat

Është interesant se në këtë periudhë të gjitha gazetat hungareze dhanë informatën e gazetës Suboticase   “Kepesh ujshag” për nevojën e avancimit të pozitës së hungarezëve në Jugosllavi.

Shtypi polak

Shtypi polak  me shtypin hungarez janë të parat në Evropën Lindore që shënuan  demonstratat në Prishtinë. Karakteristike është se  të vetmet gazetat polake  dhanë komente dhe bënë  tekste analitike, edhe pse ato bazoheshin në burimet jugosllave. Shkrimet kryesisht ishin korrekte, por një numër i vogël i komenteve theksin e venin te dimensioni ekonomik i ngjarjeve.

Shtypi polak theksonte se organizatori kryesor i demonstratave  ishte një organizatë (armiqësor) ilegale” shkruan në dokument. Në disa shkrime thuhej se është e përzier edhe Shqipëria  në ngjarjet në Kosovë. Karakteristike është se shtypi polak në një numër të vogël ka shfrytëzuar shkrimet nga agjencitë e huaja të lajmeve , por me përmbajtje korrekte.

Në reagimet interne të gazetarëve në Varshavë ka pasur aluzione  në të cilat tregohet se në Jugosllavi po ndodhë diçka e ngjashme  me ngjarjet në Poloni.

Shtypi bullgar për demonstratat

Opinioni Bullgar  është  informua shumë thatë për ngjarjet në Kosovë. Përzierja e faktorit ndërkombëtar nuk përmendet, por nuk përmendet as sulmet e shtypit shqiptarë. Karakteristike është se  për tërë  kohën sa zgjatën demonstratat në Kosovë, propaganda bullgare është përmbajtur nga sulmet antijugosllave  lidhur me “çështjen maqedonase” dhe është ruajtur që mos ti thuhej se në këtë moment po bënë presion të sinkronizuar në Jugosllavi. Megjithatë, edhe më tej përvetësoheshin heronjtë nacional maqedonas dhe rishqyrtohej historia e popullit maqedonas me rastin e festave shtetërore.

Indikativë është informata e bisedës  së përbashkët Zhivkov-Karamanlis në të cilën vije në shprehje “merakosja” e dy vendeve  për situatën në Ballkan lidhur me ngjarjet në Kosovë.

Në bisedat joformale ishte nënvizua  se shtypi bullgar, radio e tv, me qëllim nuk kanë dhënë gjendjen faktike për Kosovën. Me këtë kanë dashur të tregojnë që qëndrimi i tyre ishte nga dëshira e mirë.

Shtypi Çekosllovak për Kosovën

Shtypi Çekosllovak në një  numër të vogël informatash  informonte opinionin e vet për ngjarjet në  Kosovë. Karakteristike e shtypit çekë ishte se si i lente  anash deklaratat e udhëheqësve jugosllav të cilat lidhen me të dhënat se janë të përziera “fuqitë informbyroiste e dogmatike” në ngjarjet në Kosovë, ndërsa apostrofoheshin pjesë nga veprimtaria e  “rretheve profashiste dhe armiqësore  në perëndim” shkruante në dokument. Megjithatë, në buletinin interno të ÇTK ishin të dhëna versione  të gjera  në të cilat nuk mungonin këto pjesë. Të vetmet janë, që shtypi Çekosllovak i cili kishte publikuar  kritiken e gazetës moskovite “Pravda” drejtuar shkrimit të Tesliqit në “Borba” por pa komente të veta.

Në shtypin Çek, RP të Shqipërisë nuk e sjellin fare në lidhet me ngjarjet në Kosovë, megjithëse ishte dhënë informata për sulmin në ambasadën jugosllave në Tiranë.

Indikativë është oferta e Radio-Bratisllaves , radios të Novi-Sadit për dërgimin e një numri udhëheqësish, për t’i ndihmuar    emisionet në gjuhën sllovake.

Shtypi i Gjermanisë Lindore për demonstratat e vitit 1981

Mjetet e informimit të RDGJ, i dhanë shumë pakë rëndësi ngjarjeve në Kosovë. Gjatë tërë kohës kishin publikuar vetëm dy lajme: Dy paraqitje të shkurtra të Stane Dollancit në konferencën për shtyp me gazetar të huaj dhe  informatën nga Plenumi i KQ të LKJ-së. Karakteristike është se këto lajme i ka botuar javorja  “Horizont”, i cili ishte shumë pak i lexuar tek popullata. Në biseda interne,  gjermanet e këtij shteti jepnin këto arsyetime për këtë lloj publiciteti në shtypin e tyre: Gjermania Demokratike nuk donë të përzihet në punët e Jugosllavisë në raport me shtetet tjera, këtë nuk e kemi bërë as në kohët më të vështira kur ishin polemikat në mes Jugosllavisë dhe Bullgarisë” ishte arsyetimi i tyre.

Shtypi i Rumanisë për demonstratat e shqiptarëve

Shtypi Rumun gjatë tërë kohës sa zgjatën demonstratat  në asnjë mënyrë nuk kishin regjistruar ndonjë lajm për ngjarjet në Kosovë thuhej në informatën e KQ të LKJ-së. Një qëndrim i tillë i Rumanisë mund të shpjegohet nga arsyet e brendshme të shtetit rumun dhe arsyeja tjetër ishin shkaqet  e pakënaqësisë të pakicës hungareze në Rumani.

Anëtarët e Partisë Komuniste u informonin për ngjarjet në Kosovë nëpër mes buletineve interno, por vetëm deri tek niveli i sekretarëve të rretheve.

Informimi i opinionit të gjerë në Vendet e Painkuadruara

Vendet e Painkuadruara  kanë dhënë një publicitet të kufizuar ngjarjeve në Kosovë. Në disa vende informimi është bërë nëpër mes të informatave të shkurta të marra nga agjencitë e perëndimit, por kryesisht me përmbajtje korrekte, por në disa edhe nuk ka pasur asnjë informatë për ngjarjet në Kosovë.

. Kjo paraqitje dhe ky raport ndaj ngjarjeve në Kosovë të sjell në përfundime se shumë vende të painkuadruara nuk e kishin krejt të qartë se çfarë qëllimesh kishte irridenta shqiptare, dhe nuk donin që me shkrimet e tyre të lëndonin Jugosllavin. Është interesant se nën 2. Asnjëherë nuk erdhi deri tek ndarja në mes të Shqipërisë dhe Jugosllavisë, megjithëse në disa shtete të painkuadruara publicitet kishin pasur edhe qëndrimet e shtetit shqiptarë.

Informimi i shtetit indian për ngjarjet në Kosovë

Në disa vende të painkuadruara  sikurse që ishte India, në kohët e fundit shumë pak shkruhej për Jugosllavinë. Duke informuar për ngjarjet në Kosovë, shtypi indian  raportonte shumë shkurt dhe ato informata të marra kryesisht nga agjencitë e huaja perëndimore duke vu në spikamë disa të dhëna, por duke mos treguar pse kishte ardhur deri tek demonstratat. Mënyra jo objektive e raportimit për këto ngjarje të Kosovës dhe për situatën e përgjithshme politike në Jugosllavi kishte shkrua gazeta “Hindu” e cila thoshte  se trazirat në Kosovë janë “ protesta të studentëve për nivelin e ultë të standardit jetësor të një pjese të popullatës dhe kundër jetës luksoze të funksionarëve partiak”.

Edhe Kuba komentonte demonstratat studentore të shqiptarëve në Kosovë

Ngjarjet në Kosovë morën dukshëm , por edhe njëanshëm publicitet, dhe duke u bazuar në shkrimet e publikuara  në mjetet e informimit në Kubë, ashtu që në bazë të shkrimeve nuk mund të diheshin shkaktarët pse kishte ardhur deri tek trazirat. Gazeta partiake  “Granma” kryesisht sillte të dhënat jugosllave për situatën tepër serioze, numrin e të lënduarve etj. Por edhe informatat e agjencisë së lajmeve shqiptare ATA. “Granma” nuk raportonte se situata në Kosovë ka fillua të qetësohej dhe as për gjykimin e Jugosllavisë për elementin kontrarevolucionar. Qëndrimi tendencioz  ndaj Jugosllavisë duket edhe në të dhënat e pasakta që jepte shkruante dokumenti i KQ të LKJ-së, se ata citonin parcialisht të dhënat që jepnin burimet jugosllave dhe shkaqet pse kishin ndodhur trazirat dhe kryesisht arsyetimi ishte se ishin shkaqet ekonomike që kishte ardhur deri te këto (“Bohemija”). Në mjetet e informimit askund nuk përmendej se ishte e përzier Shqipëria në ngjarjet e Kosovës. Megjithatë në bisedat interne, kubanët theksonin se është normale që Shqipëria ka qenë e detyruar që të përzihej, se nuk ka mundur të injoroj “situatën në të cilën jetojnë një milion shqiptar në Jugosllavi”.

Edhe Egjipti shkruante për pakënaqësitë e shqiptarëve në Jugosllavi

Shtypi egjiptas nuk kishte informuar gjerësisht për ngjarjet në Kosovë, por në informatat e publikuara  kishte qëndrim jo objektiv ndaj Jugosllavisë. Gazetat “Al ahram” dhe “Al musavar” shkruanin se këto  ngjarje “janë shenjë e keqe për shkatërrimin e sistemit jugosllav” dhe se “Jugosllavia ende jeton nën frikën për humbjen e liderit të saj Tito”. Por komentin më armiqësor për ngjarjet në Kosovë e kishte publikua “Video press servil” i Kajrosë duke shfrytëzuar të dhënat e ambasadës shqiptare.

Përfaqësitë diplomatike shqiptare në mënyrë ofensive  vepronin në vendet e painkuadruara  duke bërë distribuimin e materialit propagandues, megjithëse nuk kishin hasur në përkrahje zyrtare. Në këtë drejtim Shqipëria nuk kishte arritur që të bëjë ndonjë shpërthim propagandistik se në vendet e të painkuadruarve mendohej se  ngjarjet në Kosovë do e sjellin në pyetje integritetin jugosllavë, por në masën më të madhe të këtyre vendeve  mbretëron disponimi se Jugosllavia duhet  të mbetet vend stabil i Vendeve të Painkuadruara.

Mjetet e informimit kinez mbanin një qëndrim balancues lidhur me ngjarjet në Kosovë

Mjetet e informimit kinez  vetëm pakë por në mënyrë korrekte informonin opinionin për ngjarjet në Kosovë. Në fillim gazeta kineze  iu shmangeshin që të sjellin në lidhje RP të Shqipërisë në lidhje me këto ngjarje si dhe të shkruajnë për ashpërsinë e marrëdhënieve jugosllave- shqiptare. Por mbas vemjes së eksplozivit  në ambasadën jugosllave në Tiranë, shtypi kinez gjithnjë e ma shumë zbulonte rolin e Shqipërisë në këto ngjarje.  Qëndrimet jugosllave i paraqiste në këtë mënyrë e cila i  luftonte aktivitetet propagandues të Shqipërisë.

Jugosllavia jep karakteristikat e strategjisë propaganduese të Shqipërisë:

Eskalimi i propagandës shqiptare antijugosllave  lidhur me ngjarjet në Kosovë  zbuloi në mënyrë eksplicite strategjinë e qëllimeve  të Shqipërisë ndaj Jugosllavisë. Karakteristikat  elementare të propagandës shqiptare ndaj Jugosllavisë ishin (vazhdimisht sipas dokumentit) :

1. Përgatitjen e vazhdueshme për një kohë të gjatë dhe të përpunuara mirë për paraqitjen propaganduese dhe shfrytëzimin e shtrembërimit të të dhënave historike;

2. Porosit propagandistike ishin të formuluara aq mirë që të arrinin efekte shumë të madh tek populli shqiptarë në Kosovë, gjë që tregon aftësinë e propagandës shqiptare që maksimalisht të adaptohej në shfrytëzuesin e informatës;

3. Sulmet propagandistike në fillim të ngjarjeve në Kosovë u lançuan herë pas here, që më vonë të kalojnë në një fushat në të cilën do të përfshihen të gjitha temat që lidheshin me Jugosllavinë dhe me marrëdhëniet jugosllave-shqiptare.

4. Shqipëria ka zhvilluar një aktivitet të gjerë në aspektin ndërkombëtar me qëllim të ndërkombëtarizimit të problemit dhe diskreditimit të Jugosllavisë;

5. Veprimtaria propaganduese në Shqipëri në mënyrë sinkronizuese vepronte  bashkë me zhvillimin e veprimtarisë kontrarrevolucionare në KSA të Kosovës.

6. Qëllimi i Shqipërisë ishte që ti ofrohet përkrahje e plotë irredentizmit dhe kontrarevolucionit shqiptarë në Kosovë dhe të tentohej destabilizimi i shtetit jugosllav vetëm për të realizua  pretenzionet territoriale ndaj SFRJ dhe “bashkimit të gjithë shqiptarëve”.

Për tu realizua kjo strategji e qëllimeve të Shqipërisë në propagandën e vet u angazhua që:

-të nxis nacionalizmin e irredentizmin shqiptarë në Kosovë, të nxis trazira dhe të akuzonte “udhëheqjen serbe” për “shovinizëm dhe gjakderdhje” dhe gjithashtu dëshironte të nxiste  përçarjen në mes kombeve e kombësive në vend;

-të diskreditojë sistemin vetëqeverisës socialist dhe politikën e të painkuadruerve të Jugosllavisë, të tregonte për situatën ekonomike të vendit si shumë të vështirë dhe se zgjidhja e problemeve nacionale ta gjykonte plotësisht si të gabuar;

-të krijoj përshtypje  për “politikën e rrejshme të fqinjësisë së mirë që udhëheq Jugosllavia”, në të vërtet ajo vet ka udhëhequr politik dyfëtyrshe ndaj Jugosllavisë, duke trumbetuar se ajo angazhohej për marrëdhënie të mira fqinjësore, por vazhdimisht dhe në mënyrë konstante është përzier në punët e brendshme të vendit tonë dhe ka nxitur aktivitete armiqësore;.

Perfiditeti i politikës dhe i propagandës shqiptare pasqyrohet në të, se Shqipëria  është angazhuar që para opinionit botëror  të krijoj përshtypje  se nuk përzihet në punët e brendshme  të Jugosllavisë, dhe se fajin për keqësimin e marrëdhënieve jugosllave-shqiptare fajin e kishte Jugosllavia. Në vijën e diskreditimit të Jugosllavisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, Shqipëria tentonte që të “ndërkombëtarizonte “problemin e Kosovës”. Për këtë në Tiranë u lançua teza për “tendencën e shovinizmit serbomadh dhe hegjemonistët sovjetik” që të akuzohej Jugosllavia si faktor destabilizimi në Ballkan.

Edhe pse Shqipëria ishte e izoluar , propaganda shqiptare kishte arritur që të depërtonte në botë. Qëllimet e saja që të diskreditonte Jugosllavin në mes të shteteve të painguadruara nuk patën rezultate të dukshme, por arriti që të ketë efekte pozitive në perëndim, kështu që në disa rrethe nuk e dinin se pse Kosova nuk mund të bëhej Republikë. Për të arritur këtë qëllim Shqipëria  kishte nxitur demonstrata antijugosllave  të emigracionit shqiptar. Shqipëria nuk u gjykua edhe pse kishte nxitur  veprimtari terroriste  kundër Jugosllavisë dhe qytetarëve të saj në botën e jashtme.

Edhe pse ditëve të fundit duket qartë se po bije intensiteti i propagandës shqiptare (kështu mendonin jugosllavët), Shqipëria reagon për çdo ditë, me më pakë argumente por edhe me argumente kontradiktore, thuhej në informatën analitike, dhe duhet pritur që ajo mund të vazhdoi fushatën antijugosllave, vazhdonte më tej dokumenti . Për këtë është e domosdoshme , porositnin pushtetarët jugosllav, që në mënyrë të përgatitur mirë, të organizuar e të matur të reagojnë kudo që është e mundur. Për këtë qëllim  formuan dy grupe punuese pran KQ të LKJ dhe Qeverisë Federale të Jugosllavisë për të orientuar dhe programuar veprimtarin informative-propagandistike ndaj Shqipërisë dhe të tjerëve.

Dokumenti ishte “Top sekret” dhe iu dorëzua: Anëtarëve  të Kryesisë të KQ të LKJ-së; Anëtarëve të Kryesisë të RSFJ-së; Sekretarëve ekzekutiv të KQ të LKJ-së; Sekretarëve ekzekutiv të Komiteteve Krahinore dhe Arkivit të KQ të LKJ-së



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora