Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Urë e Bajramhasanëve

| E diele, 10.11.2019, 11:00 AM |


P o e z i

Sejdi BERISHA:

URË E BAJRAMHASANËVE*

(Ose, kur gështenjat piqeshin në Voksh)

1.

Kaherë më kujtohet ura

Kur rrugën filluan

Me kubëza ta shtrojnë

Rrugën që lidhte fshatra e qytete

Interesant

Ishte hallkë historie e rrugës

E ruante edhe Bistricën e Lloçanit

2.

Kur binte shi

Më humbnin lopët

Se nën urë strehohesha

Për të mos u lagur

3.

Nganjëherë

Nën urë e ndizja zjarrin

Për ta pjekur ndonjë shtalb

Që e merrja në ara të huaja

4.

Nganjëherë

Nuk rrihej nën urë

Nga duhma e nevojës

Që rrugëtarët e rastit

Shlironin barkun e tyre

5.

Nganjëherë tjetër

Kur binte shi rrebesh

Valët e Bistricës

Bilur e bënin shtratin nën urën

5.

Kjo ndodhte në pranverë

Edhe në vjeshtë

Kur gështenjat piqeshin në Voksh

Edhe kur gjethet në kurorat e pemëve

Loznin vallen e lamtumirës

7.

Nganjëherë

Nën Urën e Bajramhasanëve

Stina e dimrit dhe veriu

Të bënin koçan

Edhe gurin e ngrinin

8.

Sot

Prapë qëndron e rron

Urë e Bajramhasanëve

Që i bashkon rrugët

Edhe fshatra e qytete

Urë që ka shkruar e shkruan histori

9.

Tash

Ndoshta pakkush emrin ia di

Nën te ka vetëm zall

Kujtime, rrëfime, mall e mërzi

Që duken si lumë i dergjur

Nga një pikë ujë duke e përcjellë

Nëpër atë shtrat të vetin gurinë

10.

Por

Prapë Urë e Bajramhasanëve

Qëndron aty ku me decenie

Lidhi e forcoi tokën e trojet

Nuk e trembën as plumbat

As çizme e armikut

As erërat e tërbuara nëpër kohëra

11.

Edhe tash

Urë e Bajramhasanëve është histori

Përbri ka dhe një lapidarë dëshmorësh

Si mburrje e dëshmi

12.

Te ura e nën urë

Nga pak duhet gërmuar

Për ta freskuar e respektuar kujtesën

Madhështinë e saj për ta ndritur

Edhe për ta përjetësuar

13.

Sepse

Nën Urën e Bajramhasanëve

Sa uji ka kaluar që ka bartur gjithçka

Ka parë e përjetuar tmerr e llahtari

Edhe dhembje e tradhti

14.

Ai ujë i Bistricës

Që nga Lloçani e edhe më lartë

Përspjetke pastër edhe deri këtu

Kalonte urën vazhdonte rrugën

Se deri ku tamam askush se di

15.

Urën e Bajramhasanëve

Ta përkëdhelnim

Të mos e harrojmë

Se ajo mund të shfletojë

Shumë e shumë faqe historie

Kurrë më parë të lexuara

16.

Nën këtë urë

Nganjëherë tash e shumë herë

Shumë të rinj

Dashuri të çuditshme kanë quar

Që përveç urës askush s’e di

17.

Shumë herë

Uji i turbullt e zemëronte urën

Por themelet kurrë dhe askush

Nuk mund t’ia lëkundte

18.

Nën Urën e Bajramhasanëve

Në stinën  e vjeshtës

Ndonjëherë

Uji sillte nga ndonjë kokërr mollë

Gështenja edhe lajthi

Që ishin të lezetshme

Sa që për ta përshkruar nuk e di...

(©S. B.)

*Urë e Bajramhasanëve, është një urë që ndodhet në rrugën Deçan-Gjakovë, në mes të fshatit Carrabreg dhe Prejlep, që u ka përballuar stuhive dhe periudhave historike mbi një shekull.