E enjte, 14.11.2019, 04:43 AM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Toka e premtuar

E merkure, 06.11.2019, 09:55 PM


Toka e premtuar

Nga Gani Mehmetaj

Stuhia e bëri rrëmujë qiellin. Dridhjet epileptike të fluturakes shkaktuan frikë të pakontrolluar ndër udhëtarët. Dikush tha se rrufeja e goditi motorin e parë. Klithmat përpiqej t’i qetësonte stjuardesa nëpërmjet altoparlantit. Ajo i luste të gjithë të mos ngriheshin në këmbë, të mos mësynin nga kabina e pilotit dhe të mos vepronin krye në vete. Trazimi i udhëtarëve ishte po aq shqetësues, sa stuhia qiellore. Një mësymje në grup dhe aeroplani do të përmbysej.

"Erdhi fundi i botës, pendohuni o mëkatarë!", lutej a kërcënohej dikush me zë më të lartë se sa të tjerët. Një dorë e fuqishme ia mbylli gojën me forcë. Zëri profetik nuk u dëgjua më, por britmat nuk pushonin.

Ai rrinte i shushatur, i shkëputur nga klithmat. Mendimet i fluturonin përtej dritares së ngushtë të fluturakes. Peizazhi i reve të shprishura, u zëvendësua me vendin e shkretuar nga lufta, me shtëpi të djegura, ku kishin mbetur kufoma të shpërbëra. Kolona të gjata të të leckosurve me traktorë, njerëz në këmbë apo në vig gjarpëronin tutje.

Si në rrëfimet biblike, tha me zë të ulët ai. Edhe vetja iu duk sikur të kishte dalë nga Bibla. Ishte i mpirë, i dëshpëruar, i thyer shpirtërisht. Nuk e kapte fillin, ngjarjet i rrëshqisnin nga mendja. Brodhi nëpër gjysmën e kontinentit, e mbështesnin të gjithë, por ai ndiente akullim në zemër. Një zë i pëshpëriste në vesh me këmbëngulje: Po u vonove edhe më, gjërat do të marrin mbrapshtë, në vend se të shkonin për mbarë. Pamjet nga televizionet e huaja e trishtonin kur shihte grupe a individë të leckosur se si futeshin nëpër shtëpi si të përhënët dhe dilnin të ngarkuar me rraqe.

E këta, kë plaçkitin?! Veten?! Nuk u besonte syve. Janë shtetasit e mi paqësorë, durimtarë, të vuajtur e të heshtur? Janë ata që pulës “ish” nuk i thoshin? E mbërtheu pikëllimi i paskajshëm, si atëherë kur ia sillnin raportet për shtetasit e vrarë e të plagosur, për katundet e djegura e të rrafshuara me tokë nga artileria e armikut, apo kur ia tregonin numrin e të shpërngulurve, që fryhej e fryhej derisa qytetet shndërroheshin në vendbanime fantazmash.

Ashtu i përhumbur i erdhi zëri kumbues:

“E përdhosët tokën e premtuar...! E bëtë ashtu sikurse nuk duhej ta bënit...! E vodhët vendin tuaj si të ishte tokë e armikut, ndërsa armiku iku..."

"Fali, o Zot, se nuk dinë ç'bëjnë, nuk janë vetja!" përpiqej ta zbuste ai zemëratën nga qielli.

"Përdhosja e vendit është më e keqe se përdhosja e faltores!" bubulloi zëri. "Janë bukëpërmbysët e mosmirënjohës, janë shpirt skllavi, që vetëm frikën e ndëshkimit e njohin", ia gjuante fjalët e rënda si predha artilerie.

"Zot, mos më ngarko me detyrë kaq të rëndë, nuk mundem, nuk kam forcë të ngre shpatën e drejtësisë mbi ta, më dhimbsen, janë të mishit e të gjakut tim, kanë vuajtur shumë, kemi vuajtur së bashku, nëpër rrathët e ferrit kaluam".

"Nuk mësuat asgjë. Harruat të vrarët para së t'u thahej dheu mbi varret e tyre, latë në mëshirën e fatit fatkëqijtë që pësuan nga lufta, babëzia ua ka errësuar mendjen. Po nuk i ndëshkove ti, do t'i ndëshkojë dikush tjetër. Po nuk u dole me shpatë përpara, që t'ua ndalësh turrin, ata nuk do të ndalen. Nuk munden pa idhuj. Kanë nisur t'u falen djajve. "

" Janë të hutuar e të çoroditur. Shumë të këqija u ranë mbi kokë, nuk i përballuan më vonë as të mirat që u erdhën si shiu i verës. Nuk e kanë veten në dorë".

"Ata duhet ndëshkuar që të këndellen".

"Mos me vë para sprovash të mëdha. Nuk mund të bëhem kamxhiku i Zotit, nuk jam i atij brumi".

"Dikush do ta bëjë. Kamxhikun duhej ta fshikullojë. Ata që po vijnë pas teje janë ndryshe. Për mëshirë e përdëllim nuk dinë. Do të zhvatin e do të rrëmbejnë si peshqit mishngrënës të Amazonës që vetëm kockën ua lënë viktimave. Dhe njerëzit do t'u shkojnë prapa".

"Mbase duhej t'ua edukoja trupin para se t'ua edukoja trurin, por pata mëshirë për fatkeqësinë e tyre, pushtuesi ishte i egër".

"Kot që i kurseve. Ata harruan mëmë e tatë, harruan të kaluarën, e errësuan të ardhmen. Po nuk i ndëshkove ti, ndëshkimi im do të jetë më i rëndë se sa ndëshkimi ndaj popullit të Moisiut në Luginën e harruar. Tokën e premtuar do ta shfrytëzoni, por nuk do ta ndieni tuajën".

"Zot, mos na ndëshko aq rëndë, nuk e përballon populli im një ndëshkim të ri".

"Ju çliruan, por nuk do të jeni të lirë”.

"Fëmijët nuk kanë faje për prindërit".

"Prindërit do t'i mësojnë keq pasardhësit e tyre. Së bardhës do t'i thonë të zezë, kurse së zezës të bardhë. Do të flisni në gjuhën tuaj pa ju penguar askush, por s’do të merreni vesh në asgjë në mes vete, nuk do t'ju kuptojnë as të tjerët edhe kur ua flisni rrjedhshëm gjuhën e tyre. Do të vajtoni robërinë, madje do ta quani koha e artë”.

"Kjo është çoroditje kalimtare!"

"Çoroditja ka nisur më herët, por nuk e ke vërejtur. Disa bastardë qysh tash kanë nisur ta kërkojnë pushtuesin e moçëm. Çlirimtarët i quajnë robërues e robëruesit çlirimtarë. Po bëheni racë e përçudnuar e mosmirënjohëse".

"Mëshirë për popullin tim të hutuar", arriti të nxirrte nga buzët e shkrumbuara, përderisa e ndiente se po e braktiste prania e Zotit. Ai ishte përkulur dhe lutej në heshtje. Rrëmuja në aeroplan vazhdonte, por atij nuk i bënte përshtypje, ishte thelluar në botën e tij.

"Zot, bëje ëndërr!” pëshpëriste në qetësi.

Por në vesh ende i kumbonin fjalët profetike: "Tokën e premtuar do ta keni, por nuk do ta gëzoni. Dikur iknit nga armiku, sot do të ikni nga tuajt, të mbërthyer nga dëshpërimi që nuk e keni pasur kurrë më parë.

E pikëllonte shpërfytyrimi i shtetasve, por s'dinte si t'i dilte ndesh shëmtisë. Dikur merrej vesh mirë me ta, por tash ishte ndryshe, grupet e pafre nuk njihnin Zot as ligj, askush s'kishte guxim t'u dilte përpara. I druante ndëshkimit të Zotit, por nuk dinte si t'ia zbuste zemërimin.

Ashtu i përhumbur shihte me sy gjysmë të mbyllur përtej dritares në kaltërinë verbuese të qiellit. Nisi të kotej. Zhurmimi gjumëndjellës i motorëve të fluturakes e qetësonte, por zbrazësia në shpirt i thellohej.

Vetëm kur u dëgjua kërcitja e thekshme e rrotave të aeroplanit në pistën e aeroportit, u këndell. Hapi sytë i hutuar si të vinte nga bota e përtejme. Aeroplani përpëlitej i pasigurt në pistën anësore, hepohej herë majtas, herë djathtas. Udhëtarët e shqetësuar jepnin e merrnin, disa makina me sirena të portokallta i shkonin fluturakes prapa, ai shihte turbullt përreth, por nuk i dëgjonte çfarë flisnin.

Dridhja e aeroplanit dhe ngasja e gjatë nëpër pistë, iu duk e pafundme. Pse e mënjanonin fluturaken nga qarkullimi, sikur po e fusnin në karantinë? Nuk e kuptonte as pse njerëzit kishin hapur sytë të tmerruar...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT