E enjte, 28.03.2024, 05:00 PM (GMT)

Kulturë

Albert Zholi: Intervistë me shkrimtarin dhe studiuesin Nasho Jorgaqi

E hene, 06.10.2008, 03:14 PM


Nasho Jorgaqi
Nasho Jorgaqi: Përjetova emocione të fuqishme nga takimet me lexuesit, miqtë, shokët dhe nga letrat e shumta që mora
 
 “Dashuria e Mimozës”, më hapi rrugën e suksesit në letërsi

Intervistë me shkrimtarin dhe studiuesin Nasho Jorgaqi 

Nga Albert Zholi
 
Shkrimtar dhe studiues që gjithmonë ka qenë në gjurmim të botimeve të rejave letrare, historike. Një jetë të mbushur me ngjarje nga më  interesantet, për vetë faktin se, lëvizjet nëpër Shqipëri, e njohën me zhvillimet kryesore në vend, por edhe me njerëz të të gjitha kategorive, moshave, gjinive që u bënë për të personazhe të krijimtarisë nga më pikantet. Elegant, i qetë, studiues, i qeshur këto janë karakteristikat e tij, të cilat nuk i ka hequr nga qenia në të gjitha situatat që e ka përballur jeta. Për të nuk ka moshë, pasi lëviz me biçikletë si një i ri dhe punon me ritme që i kapërxejnë kufijtë e moshës. Në krijimtari serioziteti është tipari dallues. Në këtë biedë për Telegraf ai rrëfehet sinqerisht, por jo pa emocion. Sepse e tillë është jeta, puna dhe krijimtaria e tij. Një emocion gjysmëshekullor mes letrash dhe librash pa kufi. 
 
Në një bisedë me miqt e tu kam degjuar se Nasho Jorgaqi në fëmijëri ka shtegëtuar në gjithë Shqipërinë. Arsyeja ?

Fëminia ime, për shkak të detyrës së tim eti si jurist, është shtrirë thuajse në gjithë Shqipërinë. I lindur në Ballësh të Mallakastrës, fëmininë e kam kaluar në Delvinë, Përmet, Tropojë, Peqin dhe Fier. Në Tropojë u ula për herë të parë në bankat e shkollës dhe mbaj mend të kem pasur mësues dhe njëkohësisht drejtor shkolle patriotin kosovar nga Gjakova zotin Latif Jaka, të atin e intelektualit të njohur Ymer Jaka, nga i cili ruaj kujtime të këndshme. Shkollën fillore do ta kryeja në Fier, ku pata fatin të kem për mësues Llaqi Kolën dhe Qazim Shehun, që me shembëlltyrën dhe aftësitë e tyre pedagogjike luajtën rol në formimin tim të mbarë. Sa herë e kujtoj tani atë kohë që nuk kthehet më, përsëris me vete fjalët e shkrimtarit francez S. A. Ekzyperi, Ah, fëminia, parajsa ime e humbur!.

Të njëtën rrugë ndoqi dhe arsimimi  juaj?

Gjimnazin e ulët apo shkollën unike, siç quhej atëhere, e mbarova në Fier. Kalova një adoleshencë në mes ëndrrave dhe trazimeve të moshës, i etur për dije dhe i prirur nga lëndët humanitare. Isha nxënës mesatar dhe natyrë ëndërrimtare. Në këtë kohë ndjeva për herë të parë nevojën të shprehesha në letër. Nuk di ç’t’i quaj ato që nisa të shkruaja, por mësuesi i letërsisë Dedë Gajtani, do ta vinte re dhe do të më përkrahte. Më pas, do të vijoja shkollën e mesme në Shkodër, me që në qytetin tim ajo mungonte. Për katër vjet do të ndiqja gjimnazin “29 Nëntori” dhe mora mësime nga një staf pedagogjik i mrekullueshëm, i përbërë nga profesorë me emër si S. Vila, G. Jakova, K. Kamsi, S. Rrota, R. Neziri, L. Tirana, Arta dhe Luigj Franja, Q. Shehi, H. Beqja etj., ndaj të cilëve tërë jetën time kam ndjerë mirënjohje. Një shkollë e dytë do të bëhej për mua konvikti, ku mësova të jetoj në kolektiv, të njoh dhe të lidhem me shokë nga gjithë Shqipëria, disa nga të cilët u bënë më vonë figura në fusha të ndryshme të jetës e të kulturës shqiptare. Por mbi të gjitha në formimin tim rinor rol tepër të çmuar do të luante Shkodra, si një qytet me tradita, vatër e kulturës dhe djep i artit shqiptar, njerëzit e saj me kulturë qytetare, plot temperament e humor, atmosfera gazmore e mjedisit, pejsazhi piktoresk. Nga Shkodra mora kujtime të dashura që më shoqëruan tërë jetën, jo vetëm si vlera emocionale, por dhe si një përvojë e papërsëritshme.

Ç’ndodhi pas mbarimit të gjimnazit. Çfarë drejtim mori jeta e shkrimtarit dhe studiuesit Jorgaqi?

Kur mbarova gjimnazin, endrra dhe dëshira ime ishte të kryeja doemos studimet e larta. Me që kisha dalë me rezultate shumë të mira në mësime dhe kisha fituar një farë emri si letrar i ri, prisja që të më dilte e drejta e studimeve për jashtë shtetit në degën e letërsisë, mundësisht në Bashkimin Sovjetik. Por ndodhi gjëja me e paimagjinueshme për mua. Nuk m’u akordua e drejta as për në B. Sovjetik, as për në vendet e demokracisë popullore, bile as në Institutin Pedagogjik, por për ironi timen dhe të opinionit, më erdhi emërimi për mësues në rrethin e Tropojës. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, u thirra në degën ushtarake për të shkuar ushtar dhe atje më qethën dhe kokën. Hapu dhe të futem! Asnjëherë s’e kisha ndjerë veten buzë vdekjes se sa ato ditë vere të vitit 1951. Çfarë kishte ndodhur që jeta ime aq papritur e aq padrejtësisht të merrte këtë kthesë, që mua, prindërve dhe miqve të mij na dukej krejt jashtë mendsh? U vura në kërkim të së vërtetës dhe të së drejtës dhe kjo është një histori e tërë, e trishtuar dhe revoltuese që s’dua ta kujtoj. Por shkak i kësaj katrahure që kërcënonte të ardhmen time kish qenë një intrigë dashakeqe nga nëndrejtori dhe sekretari i partisë së gjimnazit, që kur i kërkova shpjegime e arsyetoi qëndrimin e tij me ca citate të Stalinit, sipas të cilave po ta lypte partia dhe jetën duhej t’ia jepja, jo më të mos shkoja mësues! (Ky farë komunisti, në vitet e demokracisë u bë një antikomunist i neveritshëm) Sigurisht, unë nuk iu binda përrallave të tij dhe vazhdova përpjekjet për të drejtën time. Nuk arrita të fitoja të drejtën për të studiuar jashtë shtetit, por më doli bursa për në Institutin e Lartë Pedagogjik 4 vjeçar, që u hap atë vit, bashkë me tre institute të tjerë. Kështu, më në fund u ula në bangat e shkollës së lartë dhe u bëra qytetar i Tiranës. Nuk jam penduar që kreva studimet në Shqipëri, përkundrazi, me formimin që mora këtu dola i fituar nga shumë pikëpamje. Sigurisht, studimet jashtë shtetit, do të kishin të mira të tjera të pazëvendësueshme, por duke studiuar në degën e gjuhë letërsisë shqipe, unë mora një përgatitje serioze albanologjike e përgjithësisht kombëtrae. Dhe kjo falë faktit që pata fatin të kem profesorë disa nga emrat e shkencës albanologjike shqiptare si A. Xhuvani, E. Çabej, Dh. Shuteriqi, A. Buda, M. Domi etj. Shokë të kursit do të kisha gjuhëtarët e ardhshëm A. Dodi e J. Gjinari, kritikun R. Brahimi, ndërsa shokë të Institutit I. Kadarenë, Dh. Qiriazin, A. Shëhun, R. Shvarcin e plot të tjerë. Instituti dhe mjedisi i tij, por dhe jeta letrare e shkencore e kryeqytetit të atyre viteve, ushqyen dhe nxitën interesat e mia për t’u marrë seriozisht me letërsi dhe studime në vitet e mëvonëshme.

E pra, në vitet e mëvonëshme, ju u bëtë qytetar i përhershëm i Tiranës?

Po, sepse sapo mbarova u emërova redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Puna ime atje do të ishte një shkollë tjetër po të kemi parasysh që redaksitë e saj përbënin së bashku një nga qendrat ku bëhej kulturë, lëvrohej gjuha, përgatiteshin dhe botoheshin libra letrarë origjinale dhe të përkthyera, apo dhe nga fusha të tjera të kulturës. Aty unë bashkëpunova me disa nga figurat e letërsisë sonë si S. Papakristo, L. Poradeci, S. Luarasi, M. Kuteli, S. Caci, V. Kokona etj., prej të cilëve mësova veçanërisht në lëmë të gjuhës. Them të gjuhës, se atje ishte krijuar një laborator i përpunimit e pasurimit të gjuhës shqipe, me kërkesa artistike e shkencore, zhvilloheshin dhe debate dhe kish seriozitet të madh. Për një kohë, unë do të drejtoja dhe redaksinë e letërsisë së huaj dhe kjo do ta vështirësonte detyrën time po të kemi parasysh nivelin e lartë të vartësve të mi. Por nuk mund të mos kujtoj se gjatë kësaj kohe, duke pasur në krye të Shtëpisë botuese Drago Siliqin, poet dhe kritik, njeri me formim të gjerë dhe kurajoz, miku im më i ngushtë i rinisë, do të bënim ca punë të mira. Në këtë periudhë do të përktheheshin disa nga kryeveprat e letërsisë botërore dhe do t’i hapej rruga letërsisë bashkëkohore. Por këtë detyrë, pas disa vjetësh, do të më duhej ta lija për t’iu kthyer për disa kohë gazetarisë letrare, si sekretar kolegjumi i gazetës “Drita” dhe më pas drejtor i botimeve në Ministrinë e Kulturës. Për tre vjet e ca do të qarkulloja si shumë nga kolegët e mi shkrimtarë, por unë pata fatin të shkoja në mes njerëzve të detit, në Flotën Luftarake Detare në Durrës, Vlorë, Pashaliman e Sazan. Ishin vite të paharruara e të frutshme për mua, me njohje e kujtime të mrekullueshme, me miqësinë detare që më dhanë oficerët e marinarët aq të dashur e të etur për dije e art. Gjithë këto vite me detyra të ndryshme, do ta pasuronin përvojën time, do të më maturonin dhe do të ushqenin e nxisnin intresat dhe prirjet e mia letrare dhe studimore. Me këtë formim, do të filloja punën si pedagog i letërsisë shqipe të Pavarësisë në Fakultetin e Histori-Filologjisë të U.T. Për afro njëzetepesë vjetë do të mbaja në auditoreët e tij leksione para disa breza studentësh nga të cilët dolën mësues të letërsisë, studiues, letrarë e gazetarë me të cilët unë, si një nga mësuesit e tyre, krenohem.

Dhe në këto vite ju bëtë emër si shkrimtar dhe si studiues. Mund të na thoni si e nisët dhe si ecët në këtë rrugë?

Përgjigje: Një rrugë e gjatë, plot zig zake, me batica e zbatica, me ëndrra dhe zhgjendra. Kur e kujtoj, bie në mendime dhe them se kam bërë diçka me vlerë ose më saktë jam përpjekur për të sjellë një kontribut. Kam botuar me dhjetra libra nga fusha e letërsisë dhe e studimeve. Kam krijuar një emër, siç kam krijuar dhe lexuesit e mi dhe kjo s’është pak. Por prapë jam i pakënaqur nga vetja, nga ajo që kam bërë. Më mundojnë pengjet, s’kam bërë më të mirën e mundshme. Kam qenë shumë i shpërndarë, me shumë kunguj nën sqetull, sa në letërsi, sa në studime. Bile dhë në këto dy fusha përsëri i shpërndarë, novela e romane, tregime e proza poetike, skenare dhe letërsi për fëmijë, biografi e monografi, studime dhe ese, udhëpërshkrime dhe përkthime, sikur të mos mjaftonin kohët e fundit dhe libra më hajku dhe aforizma! Mirë dhe keq, keq dhe mirë. Ndoshta do të kishte qenë më e arsyeshme t’i ngushtoja kufijtë dhe të përqëndrohesha në lëmenjë ku të lëvroja e të mbillja farën time më të mirë. Por me sa duket s’munda e s’mundem të bëj ndryshe.
            E nisa me vargje, si të gjithë fillimisht në letërsi, por shpejt e kuptova se sado shpirt poetik që kisha, nuk isha poet i mirëfilltë. E gjeta veten në prozë, shkrova tregime, me njerin prej tyre mora dhe një çmim kombëtar. Në vitet e studimeve të larta u dhash pas kritikës letrare, botova artikuj e recensione, për libra, probleme të letërsisë dhe thuajse e lashë krijimtarinë e mirëfilltë letrare. E arsyetoja këtë, që duhej të studioja dhe të formohesha me kulturë letrare-artistike, por kjo më dëmtoi jo pak dhe këtë e kuptova kur, pas studimeve, iu riktheva punës krijuese. Shkëputja më dëmtoi rëndë, mezi e mora veten, por me përpjekje sikur dola nga ajo përgjumje dhe iu vura punës për të shkruar një vepër në prozën e gjatë. Kështu lindi novela “Dashuria e Mimozës”, libri im i parë, që u mirëprit nga lexuesit, sidomos nga të rinjtë. Trajtoja temën e dahsurisë dhe kjo do
të ishte e para vepër kushtuar kryesisht kësaj teme në letërsinë e kohës, që ngjalli debate. Përjetova emocione të fuqishme nga takimet me lexuesit dhe nga letrat e shumta që mora. Kritika e vlerësoi, por dhe e kritikoi, sidomos për frymën vende vende sentimentale. Megjithatë, suksesi i “Dashurisë së Mimozës” ishte inkurajim i madh për mua, sepse në vitet që erdhën, sado që u mora me studime, nuk u shkëputa më nga letërsia. Vazhdova me novela të tjera si “Ëndrra dhe plagë”, “Posta e largët” dhe trgime. Prozën time të gjatë e kurorëzova me romanin dy vëllimesh “Mërgata e qyqeve”, një vepër politiko-psikologjike, me një temë delikate dhe komplekse, që zgjoi interes të gjerë dhe ç’është më e rëndësishme, i ribotuar pas përmbysjes së sistemit të mëparshëm, dëshmoi se falë vlerave të vërteta letrare, koha nuk kish arritur ta zhvleftësonte. Në kapërcyell të ndrrimit të sistemeve, unë iu ktheva përsëri prozës, po kësaj here asaj të shkurtër, sidomos prozave poetike, duke botuar disa libra rradhazi. Edhe pse hyra në moshën e tretë, ndjeva brenda vetes zgjimin e poezisë, si një thirrje e hershme, që më flinte përbrenda dhe kjo më nxiti e më frymëzoi të shkruaja vargje. U dhashë pas hajkut, tercinës japoneze, aq e lëvruar sot në letërsinë e përbotëshme. Brenda tri vargjeve të derdhësh gjendje shpirtërore, mendime, pejsazhe, momente. Nuk i besoja vetvetes, kisha shumë droje si t’isha adoleshent aq sa dorëshkrimin e librit të parë me hajku, përpara se të guxoja ta botoja, ia dhashë Dritero Agollit. I thashë: - Të lutem, do të më thuash të vërtetën si t’i lexosh se nuk kam kohë të turpërohem në moshën e nderuar që jam. Ai e lexoi dhe më tha fjalë të mira, të cilat i shprehu dhe publikisht në paarthënien që shkroi për librin.

Ndërkohë, ju jeni marrë nëpër vite me studime historiko-letrare dhe kritike. A nuk e ka penguar kjo punën tuaj krijuese?

Përgjigje:Jo, dhe po të shprehesha figurativisht ato kanë qenë si dy qe në një parmendë, me të cilat kam liruar gjatë tërë jetës sime. Dëshira për t’u marrë me kritikë letrare më lindi që kur isha nxënës dhe pastaj student. Shkrova artikuj për dramaturgjinë e H. Stërmillit, poezinë e M. Gurkuqit, A. Varfit etj., mbajta rubrikën e librave të rinj. Po nxitja kryesore që më bëri të merrem me punë studimore qenë leksionet që fillova të jepja në Fakultet si pedagog i jashtëm nga fundi i viteve 50-të. M’u desh të hulumtoja e të studioja seriozisht dhe kjo do të ushqente pasionin tim në këtë fushë. Një faktor tjetër qe puna në Shtëpinë Botuese, ku pjesë e saj qe angazhimi dhe detyra për të përgatitur paarthënie që shoqëronin veprat e letërsisë së huaj, por dhe ato të letërsisë sonë të traditës. Kjo e fundit do të bëhej pasioni im, dashuria dhe dobësia ime. Një pjesë të madhe të kohës do ta kaloja nëpër biblioteka dhe arkiva, ku i magjepsur nga gjithë sa zbuloja, gjeja lëndën për leksionet dhe studimet e mia historiko-letrare. Do të kaloja nëpër duar gjithë skedarët e librit shqip të Bibliotekës Kombëtare, po akoma më e rëndësishme do të qe shfletimi dhe njohja me shtypin shqiptar të traditës. Fusha kryesore e hulumtimeve dhe studimeve të mia do të bëhej letërsia dhe kultura shqiptare gjatë periudhës së Pavarësisë, për të cilat do të shkruaja artikuj dhe studime, që i kam botuar në shtypin letrar e shkencor si dhe në disa libra (“Silueta letrare”, “Poetika e dokumentit”, “Estetika e fjalës shqipe”, “Portrete dhe gjurmime”, etj.). Për më shumë se dy dekada në qendër të hulumtimeve dhe të studimeve të mia vura figurën poliedrike të Fan Nolit. U mora më botimin e veprës së tij, por mbi të gjitha më hartimin e një biografie shkencore letrare për të. Një punë kjo e gjatë dhe e vështirë, me probleme nga më të ndryshmet, që u konkretizua më veprën time të jetës “Jeta e Fan S. Nolit” në dy vëllime. Kreva kështu një detyrë që i kisha vënë vetes si studiues, po përmbusha dhe një nevojë shpirtërore që më mundonte prej vitesh.
            Dashurinë dhe venerimin tim për letërsinë, do ta tregoja dhe me studimin dhe botimin e trashëgimisë sonë letrare të veprave të F. Konicës, M. Kutelit, L. Skëndos, H. Stërmillit, G. Palit, etj. Një punë që më dha kënaqësi qe dhe hartimi i “Antologjisë së mendimit estetik shqiptar” (1504-1944).



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora