E shtune, 20.04.2024, 04:06 AM (GMT+1)

Editorial

Përtej grilave të derteve tona

E enjte, 17.05.2007, 09:59 PM


Nga Albert Vataj

Albert Vataj
Sa herë që është për t’u marrë ndonjë dokument në ndonjë nga zyrat e ndryshme të shtetit për qytetarët, fillon praktika e "parapërgatitjes shpirtërore" disa ditë përpara. Një frymëmarrje e thellë dhe drejt e në radhët vrasëse ose në përballimet mbresëlënëse me nëpunësit përkatës.
Roje që sundojnë krenarë dhe të pathyeshëm mbi çelësat e dyerve. Nëpunës që, megjithëse të shohin për herë të parë në jetë, të drejtohen me të njëjtin respekt me të cilin i drejtohesh ndonjë personi që të ka përndjekur gjithë ditët e jetës tënde. Dyer që të përplasen në fytyrë e debate të lëna përgjysmë, me njerëz që megjithëse e kanë për detyrë, nuk të dëgjojnë, sepse u ka ardhur orari i kafes dhe nuk kanë kohë të merren me ty. Sherre pafund nëpër radha dhe shtyrje e sharje pa limit. E sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, gabime e mangësi, për të mos folur për gabime ortografike, nëpër dokumentet e përfituar me kaq shumë mund.
Duket sikur në ngjyra paksa letrare, egzagjerohet ndonjëherë realiteti, por në shumicën e rasteve kjo është tabloja e eksperiencave të tilla. Disa prej institucioneve shqiptare e kanë përmirësuar ndjeshëm këtë realitet, por kjo është akoma një dukuri tej mase e përhapur, dhe jo vetëm në rang shtetëror. Që nga zyrat e gjendjeve civile të shpërndara nëpër pallate të rrënuara, e deri tek dyqanet luksoze në qendër të qyteteve, fenomeni është thuajse i njëjtë.
Shoh me dhembje sa herë që kthehem në Shqipëri, që pjesën më të madhe të kohës këtu ta merr lufta për egzistencë. Lufton për gjëra, që përtej kufijve janë stabilizuar para shumë e shumë vjetësh, lufton për drita, lufton për ujë, lufton kundër çmimeve që rriten pa kriter, duke ulur çdo ditë standardin tonë të jetesës. Nga të mos stresohesh nga e gjithë kjo, për më tepër kur sapo vë këmbën në Shqipëri, gjen një punonjës të rendit që të bërtet sikur t’ia kishe bërë borxh për vite me radhë, kur hyn në një dyqan dhe shitësja të rri më e ngrysur se kurrë, kur të duhet të durosh prepotencën e një nëpunësi që fshihet pas një tavoline pune e që të trajton si një hiç vetëm për faktin se ka në dorë edhe gjënë më të vogël. Nëse i kemi vënë vetes qëllimin t’i shtojmë njëri-tjetrit stresin e përditshëm, ia dalim mbanë plotësisht dhe me sukses.
Nuk do ta harroj dot asnjëherë pamjen e dhimbshme të një të moshuari, të cilit i dridheshin duart duke kërkuar në dosjet që kishte marrë me vete, ndërkohë që nëpunësja e paaftë i kërkonte me urgjencën më të madhe, dokumente që s’ishin parashikuar fare në listën e afishuar. Nëpunëse e paaftë, po, sepse duhet të shkonte dikush që ndodhej rastësisht në radhë e që studionte ligj për t’i shpjeguar se dokumente të caktuara kishin të njëjtën vlerë, por mbi të gjitha, e paaftë për të qenë e sjellshme e për të dëgjuar deri në fund fjalët e një të moshuari, që nuk po arrinte të shpjegohej nën tonin e saj irritues.
"Eh, kapitalizmi…"- do psherëtinte dikush në moshë të thyer. Ky lloj fenomeni nuk është kapitalizmi që kam hasur unë në Perëndim, është pjesë e një kapitalizmi të shpërfytyruar, pjesë e një standardi gjysmak në të cilin kemi vendosur të hedhim rrënjë, pa ngritur kokën për të kërkuar më shumë. Pjesë e një zinxhiri mangësish që tërheqim ditë pas dite, duke u munduar t’ia hedhim njëri-tjetrit e duke luftuar për t’i fshehur më tepër se sa për t’i eliminuar.
Ne shqiptaret s’para dallohemi për njerëz që trajtohen mirë. Nuk na trajtojnë mirë të huajt, s’na trajton mirë politika, s’na trajtojnë mirë ambasadat, s’na trajtojnë mirë ata që na drejtojnë, e kështu me radhën përkatëse. Kemi mësuar nga eksperienca, që s’ia vlen të presësh asgjë nga asnjeri, sepse vetëm shpatullat e tua të nxjerrin në dritë. Shqiptarët janë një popull, që atëherë kur kanë dashur, ia kanë bërë vendit vetes, kanë ngjallur respekt dhe kanë vepruar me autoritet, sepse jemi popull që e ka merituar një gjë të tillë. Jo të gjithë fenomenet luftohen me të njëjtën mënyrë, ndaj jam e sigurt se për sa folëm, do të ishte një fillim i mirë, nëse vetë ne, në rangjet e thjeshta të popullit, të trajonim njëri-tjetrin me respektin që një person, qoftë edhe vetëm për faktin që është njeri, meriton. Jam e bindur që kjo ndodh herë pas here me solidarizimin e njerëzve të thjeshtë, por nëse do të realizohej një përhapje në masë e këtij fenomeni, nëse gjithsecili nga ne do të trajtonte me respektin dhe edukatën e duhur disa nga njerëzit që i ndodhen pranë, efekti përçues do të arrinte përmasa të pashmangshme. Nuk është utopike, aspak utopike, sepse nuk duhet të ngremë shkolla të tëra edukimi, duhet vetëm të rivemë në jetë bonsensin që si popull nuk na mungon, asgjë tjetër. E nëse duket utopike, asnjë problem: audaces fortuna iuvat.
Nga dokumentet, tek respekti, një lidhje pak e çuditshme, por që dëshmon edhe një herë që ndryshimi vjen nga gjërat e vogla. Nga të gjitha anët që çalon Shqipëria, disa nga ato që kemi në dorë mund edhe t’i zgjidhim vetë, ndaj pa pritur me kokën poshtë që respektin të na e falin, mund ta fitojme duke ia dhënë së pari njëri-tjetrit, duke zbatuar parimin themelor të asaj shprehjes së famshme që thotë: "Bëju të tjerëve atë që do të doje të të bënin ty". Do të hidheshin kështu, themele të shëndetshme për një revolucion të mirëfilltë vlerash.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora