E enjte, 28.03.2024, 07:28 PM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Erërat zëvendësojnë puhitë

E hene, 04.11.2019, 08:53 PM


Erërat zëvendësojnë puhitë

Nga Blerim Rrecaj

E kaltërta dhe e hirta e qiellit po shtyhen brrylazi, paqësisht, siç po duket. Një librashitës rruge heq librat nga vetura dhe i vë mbi barkun, kokë-çatinë e shpinën e saj, dhe të nesërmen nuk e di se ku do të jetë. Erërat zëvendësuan puhitë si lojtaret në arenat sportive. Për t'u hedhur në sulm rrufeshëm. Në një dru të zveshur kanë mbetur sall tri gjethe të zverdhura pranë e varg njëra-tjetrës në degën e poshtme të shtrirë vertikalisht që duken si rroba të vëna në tel për t'u terur. I lëmë duke u përkundur, tundur e shkundur. Më diku një gjethe është shndrruar në flutur dhe në lartësinë e dy-tri kateve të ndërtesave vazhdon fluturimin horizontal njëzet a tridhjetë metra nëpër këtë vijë ajrore, zbret në përrockën me dhe, e që ndajnë shiritët rrugorë, shtrihet duke vënë duart nën kokën flokëbakërt, ngritet pip në këmbë si balerinë, por e lëmë duke u hamendur se çfarë do të bëj, të shtrihet, të ecë në këmbë, a do u jap flatrave për të bërë dhe ndonjë shëtitje tjetër fluturimi duke bërë lëvizje të larmishme akrobatike. E si melodi hapësire vazhdojnë cërrcërritjet e shtyllave të metalta, me 'vuu-vutë' e flamujve të ndryshëm, të ndonjë kombëtari, të ndonjë shtetërori, s'mungon as okb-tari, eu-ropiani, shba-iani, e as këta të firmave të ndryshme biznesore, që duket se e shohin vëngër, me drojë e zili shoqi-shojin. Dy fëmijëve që kanë dalur nga dera e dajëve, ku kanë ardhur për fundjavë, e po luajnë me top, u bashkohet dhe një bashkëmoshatar në rrethhapësirën e betontë që për të zbritur a dalur prej saj nga rruga automobilistike duhet të kalohen tri-katër-pesë shkallë. Ndërkohë vjeshta si drejtoreshë ku me ndihmën e erës e ku pa pasur nevojë për të, vijon të shkëpusë kontratat me gjethet e kacavarura nëpër degë drunjësh. E variantet e shumëllojshme të itinerareve të tyre duken shumëku. Një gjeth rri me kokën ngritur mbi një mur të gjallë gjelbërosh vështron se a po ka lëvizje miqsh a armiqsh, një tjetër është kapur për xhamin e përparmë të një veture dhe duket se mezi pret të niset për udhëtim, i varur si peshqir për festë. Një tjetër, kushedi mund të bije mbi ndonjë filxhan makiatoje për të qëndruar si kapak bunari. E kush ka nge të shoh e të numëroj e rinumëroj gjithë këtë lojë poetike gjethesh, ndonëse ndonjëherë këto mund të na duken si monedha ari, argjendi e bakri me të cilat do të mund të paguajmë drekat, kafetë, çajrat e pijet, aty ku zëmë vend si klientë. Dhe filloi shiu. Fillimisht i lehtë. Pastaj pak më kërcënues, e pas një armëpushimi të shkurtër sulmon sërish pa ndonjë paralajmërim vetëtime a bubullime. Shenjat e gjurmët e shiut zënë vend rrethepërqark siç ulen pleqnarët krye oxhaku. Një çadër telprishur, qëndron e braktisur si strehë për ndonjë insekt, e rri aty ku është hedh pa farë keqardhjeje e mëshire. Gjethet lagen, pikojnë, lotojnë të heshtura. Dy qe flenë ëmbël nën çadrën e kësaj pishe gjelbëroshe, gjethedendur që hëpërhë me sukses kryen detyrën si çati e mirëizoluar. Derisa ne vrapojmë për në punë a drejt strehëzave mendja mund të na vejë edhe te kërmijtë e kërpudhat. Ja dhe kjo biçikletë e lidhur për kësaj shtylle metalike ngjyrëbronzi që ka katër streha toprrumbullake të bardha të fenerëve që ende rrijnë fjetur. Dikush s'e hap çadrën, atë është duke e përdor si shkop magjik, a si shkop Gjeçovi, i mjafton kapela që ka në kokë, dhe duket që po e vazhdon ngadalshëm ecjen ëmbëlake nën këtë shi të sotëm që mbyll sytë dhe e zë gjumi. Muzgu vije si çarçaf i larë, me ca re udhëtare të purpurta që shtegtojnë, për t'u dukur pak më vonë një karvan resh të bardha që shkojnë në të njëjtin drejtim. Dhe del dhe hëna. Tash dhe re të reja si petulla të sapohedhura në tiganin me vaj dhe yje të shëndritshëm si xixëllonja duken kur mbulohen përkohësisht prej resh, i gëzohen kësaj nate që shkëlqen trup-e-shpirt larë...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora