Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tahir Bezhani: Rrobat e skamnorit

| E diele, 03.11.2019, 11:39 AM |


Tahir Bezhani; dy poezi

RROBAT E SKAMNORIT

Rrugëve ecte i vetmuar

Sytë e skuqur nga gjelbësim lotësh

Fytyra thatake i buzëqeshte  dhunshëm

Veshur me rroba të falura  nga bamirës

Nata e frikësonte në shtratin e vetmisë

Gjumi e zinte pas dridhjeve të gjata

Të nesërmen barku i zbrazur  cijatke

Hynte shtëpizave në kohë mëngjesi si e dreke

Ulej në sofër  ani se nuk i njihte

Ditët ia rëndonin jetën  mizorisht

Një dalje nga errësira mendoi se e gjeti

Një pasanik i pashpirt e strehoi brenda

Ia bleu rrobat e reja,një tjetër dukej skamnori

Sapo filluan qukat t’i mbushen

E ngarkoi me punë të rënda...

Ashti  shtalb,pesha e lodhi

Qante nga mjerimi,ku të shkoj mendonte

Askënd të zemrës nuk e kishte afër

Pashpirtësia e pasanikut  donte punë

“T’i kam blerë rrobat e reja

Tri ushqime në ditë i ke

Mbyll gojën e puno i thoshte

Dita i dukej një vit e nata  shekull

Mendimet e bluanin për një rrugë tjetër

Një mbrëmje iu afrua zotërisë duke u dridhur:

“M’i jep rrobat e mia të grisura,të vjetra

Ja të rejat ku i ke!”

Një rrugë e fat tjetër do kërkoj...

Boten e mori në sy,kudo punoi

Një jetë të re ndërtoi

Pas do kohe  ktheu në vendlindje

Kërkoi pasanikun për ta “falënderuar”

Nuk jeton i thanë

Ka pësuar infarkt,ka vdekur

Askënd nuk ka lënë

Ndjesë pastë!

Dy fjalë desha për t’ia thënë,

Tha ish skamnori dhe iku....

Gjakovë,15tetor,2019

SI E HUMBA RRUGËN....

Nuk di se si më ngjau

Të humb rrugën vrap pas malli

Në një qytet 100 km  larg

Atje ku isha shume herë më parë

Më lidhte nata në përqafime

Deri në vesën e bardhë....

Tani nuk di pse humba rrugën

Nuk njoha banesën e saj

Numrin e kisha harruar

Në fletët e kujtimeve ngatërruar

Tani,çdo gjë më përngjante në atë,

Ajo nuk ishte!.....

Sillesha vërdallë zjarrishtës rinore

Dridhesha i tëri  nga malli, kisha flakë

Nuk pajtohesha me mosqenien e saj

Pa puthjen e lamtumirës nuk pranoj ndarje

Duke u sjellë rrugëve arriti muzgu

Në dritat e neonit shkëlqenin fytyra bukurie

Vinte drejt nga unë siluetë e saj

Sytë u çmenden,zemra po dridhej

Ajo,si dikur mu hodh në përqafime

Aritmia shpejtoi trokitjet provokuese

Një zë u dridh në gjoksin tim

“Unë nuk jam ajo,amanet e kam

Të përqafoj e të puthë fort

Ajo nuk ekziston!.....”

Sa idhshëm më doli gjumi

Në shtratin e gacave......