E enjte, 28.03.2024, 12:57 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Për një Kryeprokurore shqiptaro-amerikane

E diele, 03.11.2019, 03:38 PM


PËR NJË KRYEPROKURORE SHQIPTARO-AMERIKANE

Nga Frank Shkreli

E kam fjalën për Bude (Buta) Biberaj.   Budja i përket familjes së mirënjohur patriotike dhe anti-komuniste shqiptaro-amerikane Biberaj nga Tropoja.   Budja është një prej 8 fëmijve të Hysen e Aishe Biberaj, një familje e ngushtë dhe e madhe, të cilës ajo i përket me 19-nipa e mbesa dhe me 16-stërnipa dhe stërmbesa, pasardhës të brezave të kaluar të familjes Biberaj.  Familja Biberaj me banim në qarqet administrative Fairfax dhe Loudon të shtetit Virxhinia, afër Washingtonit është e njohur tanimë për gjurmët pozitive dhe arritjet e shumta të anëtarëve të saj në fusha të ndryshme, jo vetëm në komunitetin shqiptaro-amerikan por edhe në jetën e përditshme amerikane, në përgjithësi, sidomos në fushën e biznesit, politikës, gazetarisë dhe tani edhe drejtësisë.   E rritur dhe e edukuar në një frymë familjare përgjegjësie për vetveten dhe për të ndihmuar të tjerët në nevojë, të shtypurit dhe të anashkaluarit e shoqërisë -- Budja ka zgjedhur profesionin e avokates dhe gjyqtares, pra drejtësinë të cilës Budja ia ka kushtuar gjithë jetën dhe veprimtarinë e saj, fushën në të cilën ajo shpreson dhe është e gatëshme të kontribojë edhe më shumë në vitet e ardhëshme, duke shpresuar në fitoren e saj javën që vjen.

Shumë e njohur si avokate dhe gjyqtare – me një përvojë prej më shumë se 25-vitesh -- në zonën e shtetit Virginia ku jeton, ajo ka vendosur që të kandidojë si anëtare e Partisë Demokrate Amerikane për Kryeprokurore e qarkut ose zonës administrative Loudon, në zgjedhjet që do të zhvillohen atje javën që vjen.   Bude Biberaj, për disa muaj tani, ka zhvilluar një fushatë mbresëlënse për këtë post, duke siguruar edhe mbështetjen e gazetës së famëshme të kryeqyteti amerikan, The Washington Post dhe përkrahjen e shumë personaliteteve të politikës dhe drejtësisë amerikane, përfshir edhe ish-Prokurorin e Përgjithëshëm të Shteteve të Bashkuara, në administratën e Presidentit Obama, Eric Holder.

Drejtësi, Barazi, Transparencë dhe Integritet – janë këto katër parimet kryesore në bazë të cilave Budja e ka kaluar jetën e saj private dhe profesionale , deri më tani dhe është e angazhuar që në bazë të këtyre parimeve të vazhdojë të jetoj dhe të veprojë edhe nëqoftse zgjidhet Kryeprokurore e Qarkut administrativ Loudon të shtetit Virxhinia.  Kandidatja për Kryeprokurore Bude Biberaj zotohet se në atë detyrë, ajo do të sigurojë që drejtësia të jetë e barabart për të gjithë banorët dhe për komunitetin Loudon në përgjithësi dhe se ajo si Kryeprokurore dhe zyra që ajo përfaqëson, nëqoftse zgjidhet në këtë detyrë,  do japë llogari para komunitetit për punën që bën.

Në portalin e fushatës së saj thuhet se Budja, gjithë karjerën e saj ka ndihmuar familjet, fëmijtë në nevojë, klientët me probleme të ndryshme, të cilët nevojitnin zgjidhje sensitive, bazuar në përvojë të gjatë në fushën e drejtësisë.  Duke pasur si objektiv përfundimtar zgjidhjen e problemeve bazë, dhe për të krijuar një sistem përkrahjeje për njerëzit në nevojë, me qëllim që incidentet ose krizat të mos përsëritën më.  Bude Biberaj është angazhuar gjatë fushatës për Kryeprokurore se Prokuroria që ajo do të kryesojë, me veprimet dhe vendimet e saja, do të pasqyrojë gjithmonë vlerat e komunitetit që do ta zgjedhë atë me votën e banorëve të atij qarku zgjedhor.

Si mik i ngushtë i familjes Biberaj për pothuaj gjysëm shekulli, unë e kam njohur Budën si një avokate që e merr shumë seriozisht detyrën dhe profesionin e saj, si një mjet për t’i shërbyer mbarë komunitetit me drejtësi dhe integritet, pa dallim.  Arsyeja e vendimit të saj për tu bërë avokate, ç’prej fillimit, ka patur vetëm një qëllim gjithmonë: “për të ndryshuar botën për më mirë”.

Bazuar në seriozitetin dhe disiplinën e saj për punën, duke u bazuar në karakterin e saj, në përvojën, dhe në sukseset e deritanishme të Budes, jam i bindur se ajo do ia arrijë, javën që vjen, kurorëzimit të gjitha përpjekjeve dhe të sukseseve të saja të deri tanishme, duke siguruar detyrën numër një dhe më të lartë të drejtësisë në qarkun administrativ Loudon, të shtetit Virxhinia.

Në editorialin e saj në mbështetje të kandidaturës së Bude Biberajt për Kryeprokurore të qarkut Loudon në shtetin Virxhinia, gazeta e famëshme amerikane, The Washington Post shkruan (duke cituar Robert Jackson një ish-Prokuror i Përgjithëshëm i Amerikës, 80-vjet më parë) se, “Prokurori/ja ka më shumë kontroll mbi jetën, lirinë dhe reputacionin e individit se çdo person tjetër në Amerikë.  Kompetencat e tija janë jashtzakonisht të mëdha”.  Gazeta Washington Post vazhdon editorialian e saj duke shkruar se “Bude Biberaj ka kryer punën e avokates në Loudon për më shumë se 25 vjet dhe ka shërbyer si zëvendës-gjyqtare në gjykatën e kësaj zone dhe si e tillë e njeh mirë krahinën Loudon”.   Këto fjalë, sipas gazetës së kryeqytetit amerikan, nënvijojnë rëndësinë e vendimeve që votuesit e Virxhinies së Veriut (të qarkut Loudon) do të marrin kur të zgjedhin javën që vjen kryeprokurorët në Virxhinia.   Uroj që një nga këta Kryeprokurorë që do të zgjidhen nga votuesit e shtetit Virxhinia, javën vjen, të jetë edhe Bude Biberaj!

Nuk ma merr mendja se në qarkun administrativ Loudon të shtetit Virxhinia të jetojnë shumë shqiptarë me të drejtë vote, që të bëj thirrje të dalin e të votojnë për Kryeprokurore Buda Biberajn, por sidoqoftë, kandidatura e saj është edhe një shenjë tjetër se komuniteti shqiptaro-amerikan – pas sukseseve të shumta, sidomos në fushën e bizneseve të vegjëla –ka filluar të pjeket edhe politikisht dhe juridikisht.  Ndonëse dalngadal, por me hapa të sigurt, kandidatura e Bude Biberaj tregon se, më në fund, komuniteti shqiptaro-amerikan i ka mundësitë dhe individët në fusha të ndryshme dhe si i tillë është i vendosur që të marrë pjesë në procesin politik  dhe juridik amerikan, ashtu siç kanë bërë në kaluarën komunitetet e tjera etnike, këtu në Shtetet e Bashkuara.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora