E enjte, 14.11.2019, 04:43 AM (GMT)

Kulturë

Nexhat Halimi: Silueta e vetmisë së gurit

E shtune, 02.11.2019, 04:15 PM


Nexhat Halimi

Silueta e vetmisë së gurit

(Fragment)

II

Ora ikte tetë e mëngjesit, ndërsa mendja më ikte gjithnjë te Stan Tërgu. Në të njëjtën kohë prisja dhe lajmërimin e ardhjes së Faikut. Ai ndoshta do të ketë ardhur, - më iku mendimi me vetëtimë mendjes nga vishesha me kujdes, të mos bëja ndonjë zhurmë. Gruaja e fëmijët në dhomën tjetër ende flinin. Dola para derës së oborrit. Faiku tashmë më priste aty. Ecëm, pa humbur kohë. Gjatë tërë rrugës për Stan Tërg na e vështirësonte udhëtimin një tis i dendur mjegulle. Ende pa arritur në Grykë të Tunelit të Parë, nisi të fijonte  borë. Në platformë para xeherores e ndalëm automobilin e morëm për në zhveshtoren  e minatorëve. Duhej veshur rrobat e minatorëve: e vumë nga një helmetë në kokë, me dritë mbi strehën e secilës, më pastaj provuam pantallonat, jelekët, qyrqet.

-Vishuni mirë. Në thellësi mund të ngrini nga të ftohtit ose të djersiteni nga vapa. Lëvizin rrymat dhe ndërron moti, - foli me një buzëqeshje të derdhur fytyrës xehetari që na shoqëronte. –E kemi vizituar më parë Stan Tërgun.

-Unë, - fola, duke e shikuar Faikun. – Kam qenë në secilin horizont. Kam shumëçka të njohur...

-Ah, - qeshi prapë ai.

-Vetëm me gjasë gjatë vizitash tuaja në nëntokë nuk keni hasur asnjëherë në diçka mahnitëse,-  tha ai.

-E ajo është...

-Nuk është e tepërt të na e përkujtoni, - tha Faiku.

-A keni hasur në lulet e kristalit, të cilat shfaqen nga rrëzimi i shkëmbit të xehes... Paraqiten ngjashëm me ndonjë fushë gjithë me peme e lule kristali.

-Lule të kristalit?

-Kristale me forma e ngjyra të ndryshme, të cilat t`i marrin sytë, kaq të bukura dhe të papara ndonjë herë...

-Jo, s`i kemi parë!

-A keni kamerë, - pyeti xehetari.

-Jo, pse?

-Të mund t`i fotografoni fundja!

-Jo. Kemi vetëm një laps e notes dhe një fotoaparat fotografik.

-Kristalet nuk lejohet të nxirren jashtë pa leje të veçantë.

-Mund t`i fotografojmë?

-Atë gjë, po.

-Mjafton dhe kjo. Qëllim yni kryesor është shkrimi, biseda me xehetar dhe ta kapim atmosferën në të cilën derdhin djersë...

-S`është e vetmja herë që zbresim në galeritë e arta, - tha Isani.

- Epo mirë, pra.Tash, ngjitemi në mensë. Duhet të hani kafjall para zbritjes në xeherore.

Ngjitëm shkallët të menduar para hyrjes në sallën e madhe të ngrënies. Ushqeheshin ata që me ne do të zbritnin në nëntokë. Ngelëm pak çaste të hutuar.

-Duhet të shërbeheni vetë. E merrni ushqimin dhe tabakun me gjërat e mbetura e ktheni aty, tek e morët. Është rregull ky, për secilin. Natyrisht dhe për ty, gazetar.

-Do të presim pak, do të na bashkohet dhe një gazetar tjetër.

-Cili, -shprehu habi Faiku. S`qe mësuar të krijoja ndonjë reportazh në bashkë- autorësi me ndonjë gazetar tjetër. Ia vërej Faikut të gjitha shqetësimet, flatrat e gëzimit apo habitë që i shprehë. Kaq kohë kemi harruar  në udhët e ikura me të për të hulumtuar, zbuluar e shkruar ndonjë reportazh...

-Cili është ai, - e përsëriti.

-Çerkin Ibishi, - i psherëtiva dhe ndërsa e tërhoqa karrigen të ulem e vërejta te dritaret e mëdha kokën gjysmë tullace të njeriut që e prisnim. Ai tashmë qe bërë gati, veshur me rroba të xehetarëve,na priste të hamë bukë e të zbresim në thellësi, t`i regjistrojmë sado pak frymëmarrjet, çastet e punës dhe kokrrat e djersëve në ballin e secilit punëtor që punon në minierë. Atë djersë, ato bula djerse, Maksi do t`i shkruante ndryshe, ta zëmë “ato djersë ngjanin nga rrëshqisnin fytyrës në kokrra të mëdha fasuleje”. Çerkin më shikoi në sy, më pastaj do të mendohet pak para psherëtimës, të cilën do ta shkëpuste.   Më tha të vogël të ketë bërë gati dhe ndonjë fshehtësi për secilin xehetar; për secilin minator shpues,  për gërmuesit, armatorët, vagonistët, apo për minatorin e shfrytëzimit të tuneleve, në cilëndo galeri të zbresim... E dëgjoja Çeron dhe më rritej bashkë me fjalët në ato rroba minatori, më zgjerohej hapësira e nëntokës me dritësimin e xehes së plumbit, të zinkut, të argjendit, të arit, të bismutit... e, në të njëjtën kohë më shfaqej një vashë  me gërsheta të ndritshme para një tufe me dele, duke lozur me një guri, i cili lëshonte xixa të verdha e të kuqërremta. E vëren këtë vashë një udhëtar nga kalon udhës së mëhallës së Trepçës, e i mahnitur i afrohet. Ia shikon herë gërshetat e flokut të ndritur e herë tjetër gurin me të cilin lozte para tufës me dele.

-A mund ta shikoj gurin me të cilin lozë, vashë e bukur, - i flet udhëtari.

-Po, pse jo? – ia jep gurin dhe i shikon delet nga kullosin.

-Merre, - e zgjat dorën udhëtari t`ia kthejë gurin e i thotë, i buzëqeshur.- Qenka guri i mirë, - ndërsa mori të largohej, me sytë nga vasha me gur në dorë.

-Të pëlqeu guri, apo jo?

-Shumë!

-Mbaje, mbaje. Ka kaq gurë të tillë këtu, - ia kthen jep prapë gurin vasha dhe ik mes delesh.

Ditën tjetër, ndërsa vasha prapë i ruante delet, ia behu udhëtari me tre njerëz të hajthëm e me kazmë në dorë. Vasha e shikonte me habi.

-Ku the, - i foli vashës, ku e gjete gurin që ma fale?

-Ka mjaft gurë të tillë këtë, - foli ajo e ata me vrull ia nisën të mihën. E hapën një sipërfaqe të tokës disa hapa të madhe, afër një metër të thellë, e papritur, mes degësh të një lisi të Mazhiqit depërtoi dielli dhe ra në hapësirën e hapur. Shpërtheu dritë ngjyrë flake nga toka dhe ata e përqafuan njëri tjetrin, të çmendur nga mahnitja.

-Çfarë ka, pse ajo flakë, - foli vasha e hutuar.

-Ti dhe unë jemi të pasur, - tha udhëtari. – Nën këmbët tua dhe këmbët e mia ka xehe ari. Ai guri që ma fale mua ka plot grimca ari.

-Ih, - rrudhi krahët vasha. – Këtë gjë e ka të qartë secili këtu. Veç ai gur qoftë me grimca ari apo pa to nuk mund të hahet as të pihet! A kupton, - e përsëriti ajo e ngarendi mes delesh, të cilat kullosnin bar me shije në kodrën e Mazhiqit.

-Ai gur, me grimca ari, hahet dhe pihet, vashë e bukur, - i tha udhëtari, pa arritur të mposht habitjen që ndiente nga vallëzonte mbi copën e hapur të tokët, mbi të cilën derdhej dritë e shkëlqyer! - më binte kokës me jehonë zëri i vashës nga i ruante delet dhe luante me gurin, i cili ndriste nga grimca ari, të tregonte çfarë ka nën këmbët e lidhura për tokën gurore.

*

Pak çaste para nisjes për nëntokë, minatori Shaban Voca, i cili hante kafjall me ne në mensë, e derdhi një shikim te secili me radhë e psherëtiu i buzëqeshur, më pastaj ndoq malet rreth me një vëmendje të veçantë e u kollit.

-Çfarë ka, - foli Faiku.

-E keni zgjedhur ditën më të mirë të  zbrisni në zgafelle, - tha ai.

-Pse?

-Do të ballafaqoheni sy më sy me ata, të cilët i tejkalojnë normat e punës ditore e mujore shumëfish. Veçmas me shtatë më të dëshmuarit. Vetëm gjatë tre muajsh të fundit ata xehetarë të palodhshëm mihën kaq xehe sa qe tërë prodhimi i një horizonti të “Trepçës”...

-Në ç` katallanë ngjajnë ata, - qeshi Faiku.

-Do t`i shikoni vetë, - qeshi dhe Voca, më pastaj tregoi se dhe ai vetë është mes atyre të shtatëve. Prapë qeshi, tevona fshiu gojën me shami e të hareshëm mësymë shkallët e mensës, të zbrisnim në platformë ku qenë tubuar xehetarët e ndërresës së parë, të cilët ende definoheshin vetëm nga siluetat e tyre nën tufa terri të mëngjesit dimëror.

Dizgë të dritës përvidhen nga degët rreth e derdhen mbi helmetat, përzihen me llambat mbi kapele të ndonjërit nga minatorët. Vërehen në atë dizgë dhe gemat e sythat çuditshëm të shfaqur kaq herët.

-Në mes të dimrit sytha?

-Po, ngjet kjo jo rrallë, - ndërhyn fotoreporteri

-Sa herë pranvera fillon herët, paralajmëron verë të bujshme.

-Vetëm tash dëgjoj diçka të këtillë!

-Epo njeriu mëson gjatë tërë jetës, - qeshet Çerkini

Akrepat e orës lëvizin, shënojnë çastet e rëndomta, të përditshme, për secilin nga minatorët. Dëgjohen në heshtjen e thellë tik-take të përhershme,të zemrës dhe të orës. Lidhin dhe ndajnë ende pjesët e errëta me pjesët e para të mëngjesit, të cilat veç i prek bukuria e  hershme dhe e ndritshme. Në platformë para gojës së xeherores, është derdhur dhe një mëshikëz e një mjegulle,  e cila - gati veç e dëgjon, sesi shqyhet  nga prekjet ngjyrë vjollce, ende të zbehta, të kuqërremes  së agut dimërorë. Dritat këputen rreth e bien me pamje të  mrekullueshme.

Hyrja në gojën e përbindëshit

-Ceremoni në vete, - e shikoja Çeron.

-Mungon vetëm akti i flijimit për t`u koordinuar e tëra në këtë mëngjes sipas legjendës së vjetër.

-Flijimi është me dizgje të ngjyrosura, me ceremoni.

-Bëhet ceremoni para hyrjes në gojën e përbindëshit. Gjithmonë.

- Ja me ritëm rrotullohen dritat e derdhura nga qielli e nga brendësia  e tokës vijnë valë të pahetueshme për secilin, të cilat paralajmërojnë ndërrim të thellë .

-Njëmend, po... – ndërhyri Faiku veç sa për të treguar pjesëmarrjen në fjalët që i thurnim natyrisht si naivë që ishim për këtë punë të bërë nga ata që i përjetojnë gjatë të përditshmes...

- Ja, shikoji lojërat e dritës me ngjyrat e vetes, me ritmet e shpirtit..

-Me ngjyrat e vetes, the! – fola me shpoti e qesha.

-Lere tash.

-Natyrisht.

-Shikoji fshikëzat e agut sesi shkrihen në të gjitha copëzat, ngado, në fytyrat me llamba mbi kokë,sesi bien në flegra gurësh, në degë lisash, në maja kodrash rreth e – këtu, para nesh, në buqeta teli të gjatë, në shinat e hekurudhës dhe në paralelet nga ikin deri te fyti i xeherores... – radhiti pak më me kujdes  fjalinë e vet Çera e më pastaj njëjtë me përpikëri i jepej metrikës në poezinë që krijohej papritur. Aty për aty.

-Vetë fytyrat e minatorëve janë poezia.

-Një pikturë e gjallë... të shkrirë në djersën e rrjedhur vadë.

-Poezia e pamja e zjarrit të jetë vetë amshimi.

-Ke të drejtë!

-S`ke si ndryshe ta shikosh këtë gjë, - më shikoi ai me dyshim mos prapë bëja shaka.

-Minatorët kanë zbritur para dritës këtu nga larg. I kanë lënë ende në gjumë familjet, t` ia këpusin zemrën nëntokës e ta nxjerrin në sipërfaqe!Ta nisin në damarë të gjatë Kosovës në përpunim. Në shkritore. Në elektrolizën e plumbit, në procese të mëtejme... –E ik shikimin në fytyrat e secilit, pastaj më tutje e zbres ndër gurë, në lisat e maja kodrash të Shalës, mbi të cilën ke përshtypjen mbështetet tërë sipërfaqja e qiellit. E shikoj këtë copëz të qiellit të shkruar me ndonjë flluskë të borës, e cila tashmë veç binte pak-pak. Në të njëjtën kohë, më ik për një çast mendja te Kulla e Isë Boletinit, mbetur e vetmuar në një cep malesh të shpirtit të tij e timit, të gjithë popullit shqiptar, e vetë i mbetur dhe i vrarë afër Podgoricës. Ende t`i mbesin eshtrat atje e këtu e presim kot.

-Ku të vajti mendja, - më shikon Çera.

-Askund!

-Secili i ka fshehtësitë e veta. Sekretet, në të cilat nuk dua të hy as unë.

Unë vetëm buzëqesha, duke pritur tashmë me xehetarët para gojës së madhe të xeherores, e cila herë-herë në dritëhijen e lidhjes dhe ndarjes së tyre nga toka e zbritjen në thellësi të tokës, ngjet në një bishë , të cilën ende nuk e ka njohur historia. Veç ngjet e tillë, zbret nga përrallat e vjen nëpër mjegullën e dendur, të derdhur përmbi lugina e male, të çel gojën këtu e të na kollofitë, kaq të vegjël dhe të pa fajshëm. Të ngel nga ne-njerëzit, milingona, hiri dhe lulja e kristalit,  të cilat në ngjyra të ndryshme rriten brenda sasisë së pafund të xehes. Lëvizi pak duar e mpira nga të ftohtët.  Rreth dëgjoj urimin e atyre që i kam afër, Me Fat! Përshëndeten. Ndërrojnë hapat e ecin të zbresin nëpër fytin e gjatë, deri atje ku mihin, deri ku degëzohen galeritë, punishtet, vend shpimet dhe rrëzimet e xehes nga muret vertikale, thellë,  ku vetëm për pesëmbëdhjetë metra ende nuk barazohet niveli i shpimit të tyre me nivelin e detit. Disa herë e përsëris këtë apostrofim, i cili më zgjon diçka të pashpjegueshme, veç dhe të vërtetë.

Tashmë marr frymë pak i shqetësuar. I bërë hije në ashensor, mes minatorësh nga të gjitha fshatrat e Kosovës. I shikoja ata në fytyrës dhe përpiqem në bazë të relievit të kokës t`ia qëlloj prej nga vjen secili. Natyrisht kam të drejt të bëj diçka të tillë, ndërsa pres të zbres në nëntokë me të gjithë. Këtë ma ndërpret zëri i qartë e i fuqishëm, i cili më tingëlloi tepër befas.

-Daut, u bë!

-Me Fat!

Sirena ra e gishti i xehetarit Daut shtypi sustën e ashensorit,të tërin të konstruktuar nga metali dhe nga rrjetat. Konstrukti i tillë  shfaqej i ftohtë, i zhveshur e  me pamje pak të frikësuar. Ai  u tund me zhurmë në lëshim, më pastaj pak do të ndalet para ikjes nga zemra e nëntokës. Qe përplot minatorë në rrugën e nëntokës, të thellësisë së ngrohtë  e të  ftohtë, vende-vende. Iknim ngul teposhtë e aty-këtu përjetonim ngjyra të plumbta, e herë – herë, vërenim dhe vetëtima ngjyrash që të zgjonin frikë dhe mahnitje në të njëjtën kohë. Ndonjëherë shkrihej dhe ndonjë shtrirje e ngjyrës së artë.

-Me Fat!

Shikohemi me minatorët, sy më sy.

Flatra të ndritshme shkrihen nëpër fytyrat e tyre, në të cilat lë gjurmë drita e varur në helmeta. Secili e ka mirë të njohur këtë rrugë. Kush e di sa herë, kush e di sa vjet secili zbret në thellësi dhe natyrisht me kohë çdo njëri e ka humbur frikën. Ajo tashmë nuk paraqet asgjë të jashtëzakonshme në këtë zbritje. Fytyrat u ndrisin nga llambat e ndezura mbi kokë. Flatrat e herë hershme e shprehin kënaqësinë e përditshme. E shprehin dashurinë, të cilën e ka në vetvete secili për nëntokën. Bukë e kanë secilën zbritje në thellësi. Ajër e kanë. Ujë e kanë. Dashuri e kanë, të përhershme.

Ditën e re të punës e nisin me zotime.

Para fillimit të turnit minatorët,  organizatorët e punës e ekspertët, pa dallim, tubohen më parë në zyrën me mure të gurta. E skicojnë deri në detaje secilën punë që do ta kryejnë për orët e ardhshme që i presin. Merren vesh, pa humbur shumë kohë, shkurtër, në cilët resorë do të shpojnë,sesi  do të ballafaqohen me shkëmbin e xehes dhe sesi  t`ia bëjnë të ecën më mirë prodhimi, gjithnjë duke e paraparë çka duhet bërë me tutje, meqë ende disa dobësi janë të pranishme.

Ashensori i afrohet horizontit të radhës. Pak para ndaljes në një nga punishtet mbretëron një heshtje, ndërsa ne po përkujtonim ende fjalët e inxhinierit Emin Salihu, që i shkëpuste me dashuri të posaçme, vetëm për ta thyer qetësinë e për vjedhur. E bëri muhabetin shtëllungë të gjatë liri. E rrahu dhe e krehu për t’u tjerrë në rrjedhë të fjalës së vet inxhinieri.

-Asgjë nuk preket pa u matur e çmatur nga disa herë. Pa e paraparë dhe shënuar sigurinë në radhë të parë, më pastaj pa skicuar punishtet, ku çfarë do të mihin, çfarë do të shpojnë. Në këtë mënyrë, e përjetojn minatori secilin sukses tepër afër zemrës. Ndriçimin e xehes së re, rrëzimin e shkëmbit të ri, murin e ri, shfaqjen e kristaleve të shfaqura me kaq mrekulli për herë të para në sytë e secilit.

-Është madhështore pamja me kristale,diçka që përjetohet rrallë, një herë në jetë mund të them pa e tepruar. Brenda zemrës së tokës lule të kristalta!

-Ka shkruar dhe gazeta e parë shqipe në botë për ne... – flet Fetah Tahiri.

-Cila qenka kjo gazetë, - thotë fotoreporteri.

-E vetmja gazetë shqipe e përditshme në botë, “Rilindja”! Ajo shkruante, në faqe të parë, “Në bazë të raportimit    udhëheqësve të  ndërrimeve të xeherores “Trepça” të Stan  Tërgut, në mesin e  shumë xehetarëve,  shtatë janë ata që çdo herë tejkaluan normat e punës ditore: Fetah Tahiri e Ramadan Myftari, të cilët qe tri decenie gjenden në Horizontin e Tetë, pastaj Ismet Islami, Ahmet Mazhiqi, Shaban Voca, Feriz Hoti dhe Blagoje Stepanoviq, - e tha përsëri lëvdatën e vet, Shaban Voca, e me mburrje nuk ndalej të fliste. -  Vetëm në tre muajt e kaluar këta shtatë punëtorë të palodhshëm mihën aq xehe sa ishte e tërë prodhimtaria e një viti në gjithë Horizontin e Tetë të xeherores... “

-Ti, Voca, e ke këtë për të lavdëruar veten...- tha inxhinierit Emin Salihu, duke shikuar Vocën me bisht të syrit e duke buzëqeshur.

-O, jo. Nuk e kam unë për vete!- foli Voca.

-Ti e bën muhabetin fjollë... – qeshi një tjetër.

-Cilët janë këta njerëz, trima të horizonteve të plumbta? Të njëjtësuar me xehen e spërkatur me grimca të arit, – me zë plot jeh mërmëriti  Çera dhe me përqendrim vështroi peizazhin para vetes, murin përballë, i cili me rrëzimin e xehes tashmë ngjante në një kopsht të largët e me lule të ndryshme, me pemë të gjethuara, me gjysmë drurë e drurë të ndritshëm, mbi të cilët ndriste hëna e verdheme. –Cilët janë këta trima, - e përsëriti.

-Do të bëjmë fjalë me ta, për djersën, për verat e vjeshtat- afër, ashtu si i përjetojnë ata,me shpirt, - ndërhyra unë.

-E meritojnë, - tha inxhinieri.

-Patjetër...

-Gjithsesi, - e përforcoi fotoreporteri,ndërsa i kapte herë rrëshqitas e herë tjetër me një pamje më të gjatë, më të shtrirë apo dhe ndoshta  pjesë-pjesë copëzat e  punishtet nga shfaqeshin nga ashensori në zbritje.     – Gjithsesi, - e përsëriti prapë, pa e kuptuar çfarë thoshte, me sy të pikasur në

shkëmbin e xehes nga ndrite anash, me fije të kaltra, të kuqe, të verdha...

- Ti, je kaq i mahnitur, - ndërhyri një xehetar, duke i fshirë djersët me shami nga balli. – E tëra është diçka që i ngjan një shtëllunge të gjatë, të tërhequr e të përdredhur... -Me kaq xixa që shfaqen dhe shkëputen nga xehja e rrëzuar, e cila, ja, me të zbritur,  pa vonuar ngarkohet e derdhet në oxhaqe për të udhëtuar lart në sipërfaqet të tokës, në proceset e ardhshme të përpunimit.

– Tash e sa kohë jemi të mobilizuar të gjithë, çka e dëshmojnë dhe rezultatet  e mira që po i arrijmë në saje të angazhimeve të pashoq të xehetarëve , ekspertëve e të secilit,- e bëri muhabetin prapë shtëllungë të gjatë liri në rrjedhë të fjalës së vet inxhinieri. – Në këtë mënyrë rrjedh çdo gjë kështu këtu, veç ka vend forca për suksese dhe më të mëdha. Për këtë  bisedonim dhe në mbledhjen e fundit. Për këtë flasim dhe tash, shkurt e me shifra: gjatë pjesës së parë të dhjetorit e  deri më tash, gjatë ditëve në rrjedhë plani u realizua rreth 102 për qind,  ndërsa nëpër disa sektorë  eci dhe  deri në 107 për qind. Për të gjitha, por, më shumë le të flasin punëtorët.

Ata secili suksesin e kanë afër dhe i tyre është.

Ashensori ndalet në horizontin e nëntë. Secilit i ndrisin sytë. Me secilin do ta thithim të njëjtin ajër, do të ndiejmë aromë të njëjtë të nëntokës, të xehes, do të kollitemi e do të mahnitemi para pamjeve të rralla, të cilat deri në ato çaste nuk do t`i ketë parë ndokush më herët.

-Dalim, - flet inxhinieri  i ri Emin Dauti, i cili do të na shoqërojë gjatë gjithë kohës nëpër nëntokë , nga galeria në galeri, në mes   të gjitha frymëmarrjeve  të punës dhe të djersës. Kthejmë për një çik kohë edhe në zyrën e kryepunëtorit, Sejdi Kaçanolli. Ai na shikon e nuk e ndërpret fjalën, rrjedhën e mendimit lumë. Me hov u flet  xehetarëve për sigurinë  ku do të punojnë. Sa  do të kenë  aty horizontalisht shpime,  sa vertikalisht...

Vetëm tash e ndërpret fjalën e përshëndetet me ne. Patjetër qe e nevojshme, të mësojnë dhe për kotën 129. Kjo kotë gjithsesi duhet  siguruar më mirë e pastaj të niset puna. Shkëmbi rri varur, ai nuk është asnjëherë, si i tillë, mik.

Minatorët shpërndahen nëpër vendet e punës.

Me fat!

Ecim. Kalojmë në kotën 130.

Tashmë çdo gjë është  në vlug të punës. Arrijmë në kotën 130, ku që në kafshatën e parë të xehes është prishur autoloderi.

-Këtu gjithmonë paraqitën vështirësi, por ne i mundim.

Tre punëtorë janë tubuar rreth autoloderit. Është prishur ai.

-Çka ka, - u flet inxhinieri.

-Po, janë vjetruar bukur shumë makinat. Ja, kjo tash e ndali për një çast punën këtu.

-Në kafshatën e parë heshti. I mbeti diçka në fyt.

-Do ta gjejmë çfarë i dhemb?

-Duhet ta rregullojmë sa më parë. Me këtë fjalë afrohen edhe punëtorë e minatorë nga punishtet e afërta. Të ndihmojnë. Të aftësohet makina e të rrjedhin punët e parapara. Puna s`duhet e as mund të presë.

Shpejt e shpejt çmontohen pjesët e autoloderit.  Axhustatori Faik Kurti saldon hekurin e thyer. Ik gjysmë ore, ndërsa Isa Brahimi përsëri gjendet mbi makinën e zgjuar me tërbim para grumbullit të madh të xehes së rrëzuar. Nëpër oxhak derdhen tonelata të reja xehesh në rrugë kah mbi toka. E këtu në punishten tjetër, në jug, ka edhe më shumë zhurmë. Minatorët të zhveshur deri në brez e të  larë nga djersët me pistoleta shpojnë shpatullat e larta të shkëmbinjve të xehes.

-Ja,  deri tash kam shpuar mbi tridhjetë metra shkëmb të xehes, aq sa e kam normën për tetë orë. Deri në fund të ndërrimit mund ta dyfishoj,- thotë minatori Skënder Hasani.

-S`ka punë që s`lodh, lëre më kjo, por këtu është buka, jo vetëm e imja. Vetë i pesti jetoj nga kjo punë dhe mirë. Këtu aq sa punon edhe fiton. Puna  është normuar dhe unë e kam të qartë sa do të fitoj në fund  të çdo dite.

Një duhmë e ngrohtë përfton nëpër horizonte. Djersët shkruajnë fytyrat dhe trupin e secilit minator. Dëgjohen bisedat e tyre me zë. Siluetat e tyre zbulohen herë këtu e herë tjetër atje, nën shkëlqime dritash të llambave mbi helmeta. Kjo ngjan në xixëllima në ditë të verës në hapësirat e pafund të fushave me grurë në fshat,ndërsa lart fluturojnë flutura e zogj, ndërsa presim të dalë hëna e ndriçojë kaq bukur, siç bëjnë dritat artificiale thellë, në horizontin  e gjerë e përplot errësirë dhe plumb, argjend,  ar e zink. Copëzat e arit në copëza xehesh të papërpunuara xixëllojnë dhe krijojnë qiell të pafund me përlot yje.

-Ja ylli im, - shikoj lart dhe qesh me Çeron.

-E ai, atje, është imi, - ndërhyn ai.

Ecim. Në punishten tjetër arrijmë, duke ndjekur rrjedhën e  ujit  të kthjelltë të vadës, ndërsa gjarpëron mes përmes korridorit të ndritur nga shkëlqimi i argjendit i ndonjë grimce të arrit. Aty, veç sa është rrënuar një copëz e madhe e shkëmbit dhe në ballë shfaqet një pjesë e bukur, një peizazh i një tërësie më të madhe ende e fshehur, me përplot shkëlqim ngjyrash të kuqe, të kaltra, të bardha, të zeza. E zeza ndritë nën copëza ari. I gjithë ky peizazh me kristale, ngjan në një ylber shtatë dizgjesh, në të cilat vetëtijnë ngjyra të mrekullueshme dhe forma të përkryera.

-Është një fushë, një jalli buzë uji, - flet Çero.

-Plot tulipanë...- i thotë Faiku.

-Jo, plot asfodela, - e them unë e vërtet më del para sysh të mësuar tashmë me copa xehesh fusha e pafund me atë lule të parajsës, të përjetshme.

-Asnjëherë nuk e keni përjetuar këtë gjë, - ndalet dhe e shikon me veçanti një minator.

-Kurrë më parë, - e shikoj.

-Ja pse e dua këtë punë , - thotë Ahmet Mazhiqi. –Punë e vështirë është, veç të ofron përjetime të rralla, të pa jetuara më parë. Asgjë në tokë nuk hapet diçka kaq e papërshkruar siç ngjet këtu. Një shkrim i menduar gjatë e gjaku rrjedh nëpër të

-E dua këtë punë. E punoj me përkushtim e dashuri. Jetoj nga kjo. E kaq herë sa lidhen përkushtimi me dashurinë lind gjithherë fryti. Ja, pse unë ia dal të fitoj mjaft e të kujdesem për familjen, - ndërhyn xehetari Ismet Islami, ndërsa kollitet pak dhe i fshin djersët me shami. E shtrëngon pistoletën me të cilën shpon shkëmbin e xehes. Rrjedh prej vrimës së shpuar një lëng apo ujë. Kjo e tregon afërsisht arritjen e fundit të shpimit, ku do ta vënë minën ngjyrë verdhë, e cila pasi do të ndizet dhe xehetarët do të kenë ikur në strehimore, do të shpërthejë eksplodimi dhe do të bien tonelata të reja të xehes.

-S`është keq të jesh minator ndërsa të jepet haku i djersës, - flet Fetah Tahiri.

-E, këtu, djersët derdhen shumë. Krijojnë lumë. I keni vërejtur vijat e ujit në rrjedhë korridoreve nëpër galeri, janë dhe djersët e pikura nga shpirti e trupi i secilit xehetar.

- E tha dhe Fetahu, është vështirë këtu, veç jo për ata që e duan punën, - ndërhyn Adbyl Latifi. – E puna është dhe amaneti ynë i parë  për secilin këtu. Ai që nuk e ndien me shpirt atë gjë që e punon nuk do t`i qëndrojë ashpërsisë që shpërfaq nëntoka. Nuk do t`i përballojë shkëmbit të xehes. Të jetë sado punë me rrezik prapë tejkalohen me vullnet. As kushtet e punës nuk janë të papërfillshme. Po i përmirësojmë nga dita në ditë. Ta kenë më të lehtë punëtorët orarin e punës. Të prodhojnë më shumë. E sa më i mirë të jetë prodhimi fiton më shumë secili.

Është thënë kështu dhe në tubimet mes nesh. Nuk kemi ardhur kaq thellë në nëntokë, të punojmë punë të vështirë e me rrezik të përhershëm, po nuk e deshëm atë punë. Të gjitha i kapërcejmë me vullnet, me dëshirë, natyrisht të paguhemi dhe mirë, pa hile, për çdo gjë që e bëjmë. Kam hetuar të ankohet ndonjëri kokë më kokë për këtë e atë gjë. Thuaje çfarë të mundon, çfarë e pengon rrjedhën tënde të punë e të jetës. Shpeshherë e themi dhe  nuk e themi rrjedhën që pengon, rrjedhën që bëhet e përditshme për të ecur gjërat mbarë. Pse ta fshehim e të flasim prapa shpinës, për njëri tjetrin, ndërsa të gjithë këtu të njëjtin fat e kemi dhe natyrisht kemi dhe probleme. Ato tejkalohen për secilin po t`ua prekim rrënjën, po t`ua prekim dhembjen. Pengesat në punë, sa herë shfaqen i zgjidhim duke ua gjetur ilaçin, i realizojmë këtu, në vendet e punës, secili , synimet e secilit. Me ndihmën e njëri tjetrit. Puna në nëntokë nuk është individuale, varet nga shoku, nga i treti e me radhë,  – e stërgjatë,  e bën shtëllungë të gjatë liri në rrjedhë bisedën e vet Abdyl Latifi, minator nga Bozhlani. Ai i lidh dhe problemet vetjake, të cilat nuk janë të vogla. Tregon sesi dhe sot,  siç i ndodh për çdo ditë, ka bërë kaq orë rrugë për të arritur në vendin e punës,  për të zbritur në këto horizonte plot begati. Është zgjuar para orës katër dhe ka udhëtuar një orë e gjysmë këmbë nga Bozhlani. Anëtarët e familjes i ka lënë në gjumë dhe ngjet në kthim, t`i gjejë me mbrëmjen e vonë prapë në gjumë. Kjo sidomos po të jetë në ndërrimin e dytë apo dhe të tretë.  Vetëm për këtë gjë ankohet: i duhet të udhëtojë kaq larg nga fshati deri këtu. – Ndoshta i gjendet ilaçi dhembjes sime. Punën nuk e ndërroj, e dua dhe e punoj me dashuri...

Në thellësi  të nëntokës nuk janë vetëm minatorët.

Në këtë hapësirë, kaq shkëlqyese, ka dhe disa muratorë. Ata me përkushtim të veçuar matin e çmasin, shikojnë nga tavani prej metali i ngritur vjet e vjet më herët. Të tre punëtorët,  Rrahim Aliu,Miroslav Filipoviq e Musli  Pllana, murojnë diçka që për minatorët është pak e çuditshme. Murojnë një oxhak, i cili pëllëmbë më pëllëmbë,  gjithnjë,  i afrohet qiellit prej shkëmbi.

–Do t`i ngrehim tre oxhaqe, - thotë muratori Rrahim Aliu.-Përmes oxhaqeve do të ecën puna më lehtë. Xehja,nga fundi i galerisë do të përcillet për në sipërfaqe të tokës, të bartet më pastaj në procese të ripunimit. Me përfundimin e oxhaqeve, punishtja do të lirohet për eksploatimin e mëtejmë të xehes.

-Po, - qeshet Musli Pllana. -Sapo oxhaqet të ngrihen deri atje, te tavani,në këtë punishte do të vijnë përsëri minatorët e minat do të rrëzojnë përsëri atë qiell plot shkëlqim xehesh.

Minatorët presin me padurim, të përgatitet kjo punishte për punë e nxjerrje të mineralit. Ata e ndiejnë xehen e mirë e të shumtë. Rrallë herë ngjet të gabojnë. Sillen rreth e presin. Këtu ka shumë xehe dhe është e mirë. Atëherë prodhimi do të jetë edhe më i madh, - flet Hakif Trepça, zëvendës i mbikëqyrësit në punishte.

Mes duhmës së ngrohtë  të punës e të zhurmës, erërave të vakta e të ftohta të nëntokës zbresim e ngjitemi shkallëve,  ecim korridoreve  të errëta. Llambat e minatorëve e çajnë errësirën dhe i zbulojnë nën drita duart e tyre  të forta. Nuk ikin shumë çaste e dëgjohen shpërthime. Pistoletat e minat çajnë e rrëzojnë copëza shkëmbinjsh të xehes.

-O Xhemajl, hajde, hajde! Udha është çelë, - thërret një zë.

-Ju, ikni nga rruga. Largoni pak nga binarët...menjëherë, - dëgjohet një zë tjetër, shumë më i lartë.

Ata nëntoka i mësoi të flasin ashtu. T`i bëjnë zë tjetrit të jenë të kujdesshëm, të mos ndodh ndonjë e keqe e paparaparë.

Lokomotivisti Xhemajl me kompozicionin e  vagonëve të mbushur përplot përfton shpejt para nesh... do t`iu afrohet oxhakëve, të derdhet xehja aty, për t`u bartur pandërprerë jashtë, në sipërfaqe të tokës.  Procesi i punës është në vlug. Ashensori ka arritur për të nxjerr minatorët e ndërrimit të parë. Minatorët e ndërrimit të dytë tashmë nisin punën ku e lanë ata, të cilët tashmë ikin. Përsëri ashensori është përplot me minator.

Ngjitemi me disa nga ata, të cilët i rrumbullakuan tetë orë punë. Hyjnë në ashensor bashkë me ekipin e  gazetës “Rilindja”, nesër apo një ditë më vonë t`i lexojnë lexuesit në të gjitha paralelet e meridianet e Kosovës e më larg, deri atje ku shpërndahet shkrimi për ta, për djersën e tyre, për përjetimet e tyre, për ëndrrat e tyre, të cilat gërshetohen nga thellësia e tokës deri në thellësinë e qiellit, tek fluturat bëhen yje, e shqerrat vrapojnë pakufisë së qiellit të etshëm për lojë e blegërima të vetëtimshme.

Tashmë shkëlqimin e kristaleve të nëntokës e shohim nën diell. Vagonetat , si zogj, varg e varg rrëshqasin nëpër teleferik kah Zveçani, ku është shkritorja.

Presim raportin për punën e ditës.

-Do ta shtypni në gazetë, - qesh një minator.

-Po... ko gjë e afirmon punën që e bëjmë këtu. Dëgjojnë për të në shumë mjedise, - ndërhyn një tjetër.

Afrohet me një ecje me takt inxhinieri i buzëqeshur.

-Për sot ishte planifikuar realizimi prej 2.600 tonelatash xehe ,  plani u tejkalua për 530 tonelata.

-Kjo dhe vetë puna, foli për mobilizimin e secilit minator. Folën  vetë punëtorët, konkretisht,  me djersë.

-Kjo ditë do të përsëritet, - premtojnë minatorët e - djersët kokrra groshe, siç do të thoshte redaktori im Maksi, u rrëshqasin nëpër lëkurën e qëndisur me pluhur të artë!

-Me Fat!

Ekipi i “Rilindjes” brenda pak orësh bëri përpjekje të jetë sa më tepër i padukshëm, veç kjo nuk qe asnjëherë e mundshme. Provonim t`i shfaqnim pamjet, trupat dhe mendimin e lidhur ngushtë me atë trup, t`i shfaqnim dhembjet e zërat, të lidhur poashtu, më pastaj imazhet, pa ia dalë jo rrallë për të qenë pjesë e dashurisë, e pikëllimin dhe e rrjedhës së kohës jashtë atmosferës e në të njëjtën kohë duke e pikturuar botën, me të gjitha veprimet e gjymtyrët. Do të provojmë prapë atë që s`arritëm në pjesën e deritashme ta realizojmë, ta bëjmë të prekshme ditën tjetër.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT