E marte, 10.12.2019, 04:05 PM (GMT)

Speciale » Basha

Sabile Basha: Një dokument i rëndësishëm për likuidimin e Mulla Idriz Gjilanit

E shtune, 02.11.2019, 06:25 PM


NJË DOKUMENT I RËNDËSISHËM PËR LIKUIDIMIN E MULLA IDRIZ –GJILANIT

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Muaj më parë, gjatë muajit të manifestimit “Flaka e Janarit”, 2019, në Gjilan, në organizimin Lidhjes së Historianëve, dega në Gjilan dhe nën patronatin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, zotëri Lutfi Hazirit u organizua një tryezë shkencore për jetën dhe veprën e Mulla Idrizit- Gjilanit, me rastin e 70 vjetorit të likuidimit të tij.

Në këtë tryezë referova temën “Nënë Hatixheja- grua trime e Mulla Idrizit”, dhe thënë të drejtën kumtesa pati një jehon të të pranishmit dhe u komentua gjatë në komunitetin e pjesëmarrësve. Por, ajo që më brengosi më së shumti gjatë referimeve, në asnjë kumtesë nuk u përmend ndonjë datë e saktë e likuidimit të Mulla Idrizit. Të gjithë ne mbështeteshim në të dhënat që kishte lënë prof. dr. Muhamet Pirraku e ndonjë tjetër. Thënë të drejtën kam hulumtuar shumë për patriotin e devotshëm të Anamoravës, por nuk kam hasur në ndonjë të dhënë, veç datave të diskutueshme, siç ishin 26 nëntori, 29 nëntori apo ndonjë datë tjetër. Dilema kishte vazhdimisht dhe hulumtuesit e shumtë e thoshin hapur.

Por, në tryezën shkencore, në fjalët përshëndetëse u paraqit edhe djali i Mulla Idrizit, z. Isa Hajrullahu, dhe në mes tjerash ai përmendi datën e likuidimit të babait të tij apo respektivisht të Mulla Idriz- Gjilanit, 2 dhjetorin e vitit 1949. Nuk dija a e hetoi dikush tjetër, por mua më alarmoi kjo datë ngase, askush deri më tani nuk e kishte përmendur këtë datë.

Pas përfundimit të tubimit, me familjaret e Mulla Idrizit bëmë shumë fotografi dhe në bisedë e sipër e pyeta se çfarë ishte kjo datë e re  e likuidimit të atdhetarit. Biseduam gjatë me zotëri Isan dhe ai me plotë dashamirësi më ofroi një dokument që deri në atë moment nuk e kisha parë. Gjatë dorëzimit të dokumentit, ai pati të vetmen kërkesë që të shkruaja diçka për të. I premtova se edhe kështu mu për këtë po e merrja për ta publikuar.

Paraprakisht para se të shkruaja për dokumentin e ndjej për obligim  të themi disa fjalë për figurën e ndritshme të hoxhës-atdhetar Mulla Idriz Gjilanit. Mulla Idriz-Gjilani, veprimtarinë e bujshme atdhetare, e kishte filluar që nga fëmijëria dhe e kishte vazhduar deri në fund të jetës së vet. Çka është e vërteta atdhetari jetoi shkurt, por në këtë hark kohor veproi bujshëm e me guxim duke e tmerruar armikun shekullor. Dhe, lirshëm mund të thuhet se mu kjo ndikoi që të tërhiqte vëmendjen e pushtetarëve e spiunëve, ndaj ndjekjet e vazhdueshme të okupuesit u bënë një me të, derisa edhe e zbuluan dhe arrestuan. Pushtetarët e ndienin dhe e nuhasnin rrezikun nga veprimtaria e Mulla Idrizit. E ajo frikë nga ai ishte e madhe... shumë e madhe... Kosova pas riokupimit më 1945,  ishte fuçi baroti, së cilës i mungonte vetëm një fije shkrepëse për ta ndezur Ballkanin. Prandaj, ishte krejt e natyrshme që ata, shtuan represaliet e dhunën ndaj shqiptarëve, vetëm e vetëm për ta zbuluar se ku fshihej patrioti -Mulla Idrizi.

Nga shumë dokumente te konsultuara, më ka rastisur të shihja se për organet e pushtetit ishte shumë e rëndësishme të arrestonin dhe të dënonin ata që kishin ndikim në masa dhe gëzonin respektin e tyre. Veç kësaj, atdhetari i madh Mulla Idrizi, me punën e vet dhe ndikimin e pakontestueshëm në masa, kaherë kishte tërhequr vëmendjen, se ora e fundit po trokiste për lirinë e Kosovës.

Duke shkruar, hulumtuar dhe analizuar jetën e veprën e Mulla Idrizit, vizioni i tij, në të shumtën e rasteve, na del jashtë kornizave të kohës, dhe në mënyrë ciklike vjen dhe na i kujton ngjarjet e shumta nga një kohë jo shumë e largët, kur kujtimet janë të freskëta dhe në momente lufta e madh i tij të bëhet më e rëndësishëm se çdo gjë tjetër në jetët tona.

E pikërisht, për këtë luftë që zhvilloi, ai u detyrua të qëndronte pesë vite në sarkofagun me madhësi 80X397X220 cm. pa u takuar me askënd dhe pa e ditur as familjarët e ngushtë të tij.  Pa dashur të imponohet se fati i këtij atdhetari duket sikur vjen thellë nga kohët, por me një ndryshim të vockël, se jeta e tij ishte trinom me guximin, lirinë dhe vuajtjen.

Dhe, nevoja e një ri-studimi të jetës së tij, siç është edhe ky dokument, i cili për një kohë të gjatë ka qenë i pa zbuluar, të imponohet të mendosh se sa frikë ka pasur pushteti nga ai. Pushtetarët bënin gjithçka vetëm e vetëm që të falsifikonin vdekjen e tij prej trimi. Andaj edhe shpiknin lloj-lloj marifetesh pa u ndalur  e menduar se të gjitha ato që thoshin ata binin në kundërshti me vet jetën dhe veprën e Mulla Idrizit.

Në vazhdim do e prezantoi dokumentin e plotë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të RFPJ,  për rrethin e Gjilanit, ashtu siç e ka lëshua Arkivi Regjional i Gjilanit. Dokumenti është i lëshuar me 3 dhjetor të vitit 1949 dhe mban numrin 887, Gjilan.

“Propozimi për ndërprerjen e hetimit penal, në burgun hetues (respektivisht i burgosur), kundër Mulla Idriz Hajrullahut- hoxhë nga Gjilani”.

Në dokument nuk shkruan fare se kur është arrestuar dhe kur ka përfunduar burgu. Në vazhdim thuhej se është hapur hetuesia penale  me burgim hetues (është caktuar burgimi) me vendimin e Prokurorit Publik të Rrethit të Gjilanit,  me vendim të lëshuar me 26 Nëntori 1949, çka dëshmohet se Mulla Idrizi është arrestua me 26 nëntor, dhe dokumenti mbanë po këtë datë (26 nëntor), me nr. 18/49, me dyshimin se ka kryer vepër penale, sipas nenit 3, pika 3 dhe 8, të Ligjit penal të RFPJ. Pasi se gjatë hetuesisë, respektivisht me ditën e 2 Dhjetorit 1949, ka bërë “vetëvrasje” (sipas UDB-es), andaj ata propozojnë që të ndërpritet burgu hetues dhe hetuesia  e mëtejshme.

“Pasi se gjatë hetuesisë nuk është vërtetua se ka kryer vepër penale ( të përmendën arsyet të parapara me nenin 112 të Ligjit penal) andaj propozojmë që të ndërpritet hetuesia penale dhe të hiqet burgimi i hetuesisë (respektivisht burgimi)”. Por, e thashë edhe më lartë, se Mulla Idrizi nuk ka pranua asgjë nga akuzat që i kanë bërë udbashët, nuk ka bashkëpunua me ta dhe nuk ka tregua emra personash që kanë bashkëpunua me të, andaj të gjitha pyetjet e tyre kanë ngelur pa përgjigje. Dhe kjo i ka egërsuar tej mase.

Sipas dokumentit thuhej se për këtë ndërprerje të hetuesisë, u dashka të shtojnë edhe shtojcën  nga  të dhënat e hetuesisë.

Krejt këtë material e kishte nënshkrua organi i autorizuar, Dragi Popoviqi. Në vazhdim po e japim PROCESVERBALIN të punuar me 2 dhjetor 1949, në zyrat e autorizuara të UDB-es në Gjilan

Në hulumtimet e bëra nga ana e organit hetues- togerit Dragutin Papoviqi, i autorizuar i UDB-es në Gjilan, në ditën 2 dhjetor 1949, në vendin e ngjarjes ku është tentuar për të bërë vetëvrasje nga ana e Mulla Idriz Hajrullahut nga Gjilani.

Më tej në dokument thuhej se: “Pasi është kryer hulumtimi në vendin e ngjarjes, është vërtetua se: Në ditën e 2 dhjetorit 1949 në ora 2 e 50 minuta ka ardhur tek unë në banesë oficeri kujdestar i autorizuar Gjorgje Budimiri dhe më ka lajmëruar se i burgosuri- ish i arratisuri Mulla Idriz Hajrullahu nga Gjilani, i cili ndodhej në qeli, ka tentuar të bëjë vetëvrasje në mënyrën që ka ndezur rrobat e trupit  dhe në atë mënyrë ka tentuar që të nxitë vdekjen. Pas kësaj, mbi të janë marrë masat menjëherë për lidhjen e plagëve nga ana e infermierëve të spitalit të këtushëm-Memta H. I cili ka thënë se nuk ka rrezik për jetë.

Dhe vazhdon më teje Dragi Papoviqi: “Pastaj kam ardhur në vendin e ngjarjes, dhe në rend të parë kam bërë shikimin e situatës, me të cilën kam konstatua se plaga është e rëndë. E kam pyetur,  se për çfarë ka tentuar diçka të tillë, më është përgjigjur se: ”Kam pasur punë me djallin”. Në dhomën ku ka qëndrua , kishin mbetur pjesë të rrobave të djegura. Në pyetjen time  se si është djegur, më është përgjigjur se e kishte bë me anën e një qibriti që e kishte tek vetja për hire të duhanit që pinte, se thoshte ai, se tjetër mundësi nuk kisha dhe se vetëm ne këtë mënyrë kam mundur ta bëja. Pastaj kam fillua ta marri në pyetje policin kujdestar i cili i pari kishte ndie erën e djegies- Elez Bislimi, i cili deklaroi sa vijon: “ Në ditën e 2 dhjetorit, rrethe orës 2 e 30 (mbas mesnate), e kam ndier se si dikush po ngulfatet dhe britmën në qelin në të cilën ndodhej i burgosuni Mulla Idrizi, menjëherë e kam thirrur oficerin kujdestar Gjorgje Budimirin dhe bashkërisht e kemi hapur derën e qelisë, kemi pare se si brenda kishte shumë tym, ndërsa ai rënkonte, e shihnim flakën në trupin e tij dhe menjëherë e kemi nxjerr jashtë në korridor, i kemi hedhë ujë dhe zjarri është shuar, e pamë se kishte lëndime  në trup dhe menjëherë ju kemi thirr juve. Pas një kohe të shkurtër ka ardhur infermieri, i dha ndihmën e pare dhe e lidhi me fasha. Po ashtu gjatë kohës së tentimit për vetëvrasje, para se të ndodhte kjo, i burgosuri Idriz i ka lidhë kyçet e këmbëve që gjatë rrotullimit këmbët të mos luhaten, gjithashtu vrimën në derë e kishte mbyllur me lecka që tymi mos të dali në korridor. Jorganin të cilin e kishte në dhomë e kishte largua në një qoshe të saj ndërsa ai ishte kallë në qoshen tjetër të saj” përfundon citati.

Gjatë ditës në përgjithësi ka qenë në gjendje të keqe ndërsa në orën 13 e 30 minuta  ka dhënë shpirt.

Pas dy orëve mjeku Aleksandar Gjekiq, në pranin e prokurorit të rrethit Tahir Ibrani dhe organit autoritar kanë konstatuar se ka pasua vdekja.

Hetuesin e bëri- togeri

Dragutin Papoviq (është nënshkrimi i tij)”, përfundon dokumenti.

Të bëjmë një analizë të thjesht se si hetuesi apo, udbashi i njohur i Anamoravës, Dragi Papoviqi bie në kundërshtim me të dhënat e veta.

Mulla Idrizi ishte në qeli dhe mirë dihej se sa mundet me qenë e madhe qelia- ajo ishte thjesht një birucë ku qëndronin të burgosurit, dhe nuk besoi se ka pasur aso privilegje Mulla Idrizi, sa të vihen në dispozicionin e tij jorganët e çarçafët e bardhë, kur dihej se të burgosurit kanë vdekur edhe nga i ftohti në qelit e burgut. Shumë prej tyre janë sëmur nga tifoja e morrit, dhe shpesh gjymtyrët e trupit iu kanë hëngër minjtë (pacovat);

Pastaj, nuk besoi se një kalibër i tillë i të burgosurit siç ishte Mulla Idrizi, do e linin pa roje tek dera, kur dihej se pushtetarët nga ai tmerroheshin. Po ky, ishte që mbi pesë vite nuk kishin mundur ta zbulonin vendin e tij të strehimit dhe po ashtu e dinin se sa e adhuronte populli dhe nuk ishte larg mendjeje që të organizoheshin popullata dhe të sulmonte burgun ku ndodhej hoxha;

Të mendojmë vetëm një çik, athua vërtet, hoxha do iu kishte përgjigjur pyetjes së hetuesit, se ai “kishte pasur punë me djallin”, dhe çfarë donte të thoshte me këtë hetuesi. Në një mënyrë donte ta deklasonte hoxhën si fetar dhe tjetrën donte të paraqiste atë, se ai ishte penduar për veprimtarin që kishte zhvilluar. Por, populli asnjëherë nuk e kollofiti aq lehtë të dhënën e falsifikuar të hetuesve në burgun e Gjilanit;

Hetuesi thotë se Mulla Idrizi u vet kallë me qibritin e vet që e përdorte për të pirë duhan, ndërsa e vërteta është krejt tjetër, nga se familjaret të cilët e strehuan hoxhën në Gjyrishec, dëshmojnë se hoxha kurrë, ama bash kurrë, nuk e kishte tymosur duhanin. Andaj edhe kjo ishte gënjeshtra e radhës;

Ajo që është, edhe më e rëndësishmja, është se me fenë islame rreptësishtë është e ndaluar që njeriu duhet të bëjë vetëvrasje, ngase thuhej se “zoti të falë jetën dhe vetëm zoti mund të ta marrë atë”. Çfarë gënjeshtre të kulluar shkruajnë udbashët për vet-kallje të atdhetarit Mulla Idriz -Gjilanit;

Pra, duke e lexuar dokumentin, pa dashur të kap frika, athua vallë sa e sa falsifikime janë bërë në dokumentet ndaj shqiptarëve të cilat përdorën pa ditë se prapaskenat e tyre ishin skandaloze e të tmerrshme.

Dhe krejt në fund,  dokumenti i zbuluar, megjithatë, është një lajm i mirë, që na ofron një të dhënë  të rëndësishme historiografike për kohën e arrestimit dhe gjithashtu edhe për likuidimin e tij, ngase ekziston një e dhënë sado e falsifikuar të jetë, por besoi se dita e arrestimit dhe e djegies së Mulla Idrizit duhet të jenë të sakta, ngase këto data nuk kanë pasur ndonjë peshë për udbashët. Ndërsa për mua si historiane dhe që jam ballafaqua goxha shumë me dokumente “top sekret”, nuk besoi dhe se jam shumë e bindur në falsifikimin e të dhënave për “vetë djegien” e Mulla Idrizit, ngase monstruoziteti dhe falsifikimi i udbashve ka qenë dhe vazhdon të jetë specialitet i tyre. Megjithatë, besoi, se sido që të jetë, ky dokument do të ketë rendësin e vet për opinionin e gjerë dhe në veçanti nga komuniteti i historianëve, ngase jeta e vepra e Mulla Idrizit do të jetë më e plotënume dhe është e lidhur ngushtë me ndriçimin e historisë së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe të popullit të saj në Kosovë e më gjerë.

Lavdi Mulla Idriz Gjilanit.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT