Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fahri Xharra: Sulltan Murati në dy varre. Pse shqiptarët i ruajnë të brendshmet e trupit të Sulltanit?

| E premte, 01.11.2019, 10:23 PM |


Sulltan Murati në dy varre. Pse shqiptarët i ruajnë të brendshmet e trupit të Sulltanit?

Shkruan Fahri Xharra

Derisa serbët e “krijojnë “ historinë e tyre në Mitin e Kosovës; ne jemi aq solidarë sa që deklarojmë haptas se  me turqit e kemi gjakun e përzier. “Ky vend flet  (Tyrbja e Sulltan Muratit f.xh. )për historinë tonë dhe ky vend flet se ne si dy popuj kemi familje të përziera dhe gjakun e përzier tash e 622 vjet dhe falë tij (Sulltan Muratit) ne sot jemi besimtarë myslimanë shumicë”.( Myftiu Tërnava2011).  S`iu vjen pak, së paku pak keq  që të mohojmë vetveten? Pse ore më bën  vëlla me turkun?  Ne nuk jemi turq!  Krahasoni fjalët e kryepeshkopit Irinej ,me këto të kryemyftiut të muslimanëve në Kosovë.

Larg jemi, larg jemi nga atdhedashuria. Ç ka mendojnë të tjerët për ne?

“Kur nisa të interesohesha për kulturën tuaj në momentin që u emërova Ambasador në Shqipëri, nisa të lexoj poezi shqiptare të përkthyera në anglisht. Një nga ato ishte poezia e zotit  Fatos Arapi e titulluar "Sulltan Murati dhe shqiptari". Me pak vargje ajo ishte kaq dramatike, e arrirë dhe tejet emocionuese dhe që shpreh shumë më shumë nga çfarë kam lexuar në vite, pra fisnikërinë e kërkesës për liri. Dhe nëse nuk e keni lexuar, shkoni dhe lexojeni. Kur betohesha si ambasador në Departamentin Amerikan të Shtetit përballë qindra njerëzve, duhet të mbaja një fjalim të cilin e mbyllja duke cituar poezinë e zotit Arapi. Edhe pse 99% e audiencës ishte amerikane, njerëzit në auditor po qanin, kaq prekëse është ajo poezi. ( Ish Ambasadori Withers)

Sulltan Murati është një figurë historike që mund t'ia gjesh vendin në kohë dhe në hapësirë, kurse shqiptarit nuk i vihet asnjë emër, shqiptari është i përjetshëm, shpirti i lirisë që ai po kërkonte është i përjetshëm. Ja pse është e rëndësishme kultura dhe nuk ka rëndësi se çfarë vështirësish duhet të përballohen për aq kohë sa ekziston ai shpirt për të kërkuar liri për një jetë më të mirë, për të qenë ai që je.- përfundon  Ambasadori Withers.

Dikur në qershorin e vitit të largët 1389 në fushën e gjerë të Kosovës u ballafaquan ushtria turke dhe ajo ballkanase .Aso kohe ishte një vasalitet ndaj Turqisë, por kur Car Llazari rebelohet së bashku me shqiptarët, boshnjakët, bullgarët dhe hungarezët; pos dhjetëra mijëra të vrarësh në të dy anët e humbi kokën edhe Car Llazari me të birin.  Dikur vonë serbët e shenjtëruan Carin dhe me shenjtërimin e tij, Kosova filloi të bëhet vend i manipulimeve historike dhe trashëguese. Më e freskëta është ajo e Millosheviqit kur karrierën e tij prej diktatori e filloi mu këtu.

Por ç`ndodhi në anën tjetër, në anën turke? Sulltan Muradi i u mbyt nga Milesh Kopili (Millosh Obiliqi, Milod Kobila). Sipas analizave historike dhe gjeo-luftarake më të reja vrasja ishte organizuar nga i biri Bajaziti I, mbasi që ky Bajazidi në të njëjtën kohë likuidoi edhe të vëllanë Jakubin.   Të nesërmen u kurorëzua si Sulltan Bajaziti I.

Trupi i pajetë i Sulltan Muratit I u dërgua me shpejtësi në Bursa të Turqisë, dhe u varros në Mauzoleun e madh të Sulltanëve . Për arsye të procesit të balsamimit iu hoqën nga trupi organet e brendshme dhe ato u groposën në fshatin e sotëm Mazgit.

Sulltan Bajaziti pasi që e siguroi fronin dhe u martua me të bijën e Car Llazarit Princeshën Olivera, një vit më vonë e rregulloi varrin e dytë të babait të tij. Sulltan Murati I pra i ka dy varre, një në Çekirge të Bursas, ku pushon trupi i tij i balsamosur dhe tjetrin vetëm  me të brendshmet e trupit të tij në Kosovë. Juridikisht varri është vendi ku prehet trupi apo hiri i një individi të vdekur. Nuk ka shënime as nga Egjiptianët, as nga Asyret, as nga Babilonasit, as nga Aztekët e as nga të tjerët që një i vdekur të ketë pasur dy varre, e më së paku ndonjë mbret .

Ka kaluar shumë kohë, 623 vjet dhe historia është shkruar ndryshe e ndryshe, por varri i Sulltanit dhe monumenti i Bezistanit të Car Llazarit palosin ditët, vitet, shekujt në fushën e Kosovës që frymëzojnë po me kaq ndryshime të mëdha aspiratat për Kosovën.

Derisa Serbët e quajnë Kosovën djepi i serbizimit, turqit po e marrin si simbol të ekzistimit turk në Evropë. Po, ne shqiptarët ku mbesim? (2012 )