E enjte, 14.11.2019, 04:39 AM (GMT)

Kulturë

Ilir Çumani: Fjalori i Gjuhës Shqipe dhe mësuesi pasionant Minella

E premte, 01.11.2019, 09:02 PM


FJALORI I GJUHËS SHQIPE DHE MËSUESI PASIONANT MINELLA....!

NGA ILIR ÇUMANI

Ka qenë një gjetje e mençur publikimi si instalacion i Fjalorit të Gjuhës Shqipe në një mjedis të dukshëm në qendër të Tiranës. “Fjalori i gjuhës shqipe” është fjalori më i madh shqip-shqip i botuar deri më sot. Ky fjalor është hartuar duke u mbështetur te “Fjalori…” i 1980 - ës, i ripunuar dhe i përditësuar. Përmban rreth 35.000 fjalë, 7.000 njësi frazeologjike dhe mbi 100.000 kuptime, pra, leksiku aktiv i shqipes së sotme dhe një pjesë e rëndësishme e leksikut pasiv. Më kujtohet, në vitin 1980 sapo kishte dalë në qarkullim ky Fjalor i gjuhës shqipe me një kapak të kuq, një botim voluminoz i Akademisë së Shkencave. Në një orë mësimi me ne, ish nxënësit e shkollës 8 - vjeçare “Adem Sheme” në Sarandë, atë libër voluminoz e kishte blerë e marrë me vete mësuesi i gjuhës dhe i letërsisë Minella Gjiçali. Gjatë zhvillimit të orës së mësimit, ai nisi me pasion të na tregojë se ç'farë përfaqësonte ky botim i veçantë për kulturën shqiptare, për historinë dhe shkencën tonë albanologjike. Foli me shumë pasion duke na shpjeguar rëndësinë e atij botimi, peshën që ka gjuha jonë përkrahë të gjitha gjuhëve të tjera të botës. Pastaj iu drejtua me një shkumës në dorë dërrasës së zezë, dhe në mënyrë figurative nisi të vizatojë një pemë. Në fillim, vizatoi një trung të madh, më pas, degët e saj që formonin kurorën e atij trungu të cilat gjatë shpjegimit i krahasonte ato degë me gjuhët e ndryshme që fliten kudo nëpër botë. Sigurisht, mësuesi pasionant Minella, fliste me shumë respekt për kulturën dhe trashëgiminë e atyre gjuhëve indo - evropiane dhe me gjerë. Mbaj mend gjithashtu, me kureshtjen e një fëmije naiv, e pyeta se përse në çdo degë të asaj peme të vizatuar në dërrasën e zezë ai kishte shkruar në mënyrë simbolike një gjuhë të çdo shteti, porse, në asnjërën prej tyre nuk ndodhej emri gjuhës shqipe, ai heshti pak dhe i ngazëllyer tha: “.... atë e lashë tua tregoj në fund, ngase gjuha jonë të dashur fëmijë, nuk i përket asnjërës prej këtyre degëve nga këto që ju po shikoni, sepse ajo ndodhet në pjesën kryesore të pemës, është te ky trungu i trashë gjuha jonë e bukur shqipe, nga i cili janë ushqyer dhe kanë dalë si filiza edhe këto degëzime, ja, këto gjuhë që ndodhen në këto degë që ju i shikoni...(!) E kuptoni pra, sa e vjetër është gjuha jonë....!? Pastaj, i intuziazmuar ai ngulmoi: “...po, po, gjuha jonë është ky trungu kryesor i kësaj peme, pa të cilën këto degë që ju shikoni këtu, nuk do të mund të ekzistonin. Këto degë, i'a marrin të keqen këtij trungu, - përfundoi me një ndjenjë krenarie ligjëratën e tij mësues Minella. Ja, kështu e mbylli shpjegimin e tij profesori i nderuar pasionant i Gjuhës Shqipe që, për hir të së vërtetës, edhe pas disa vitesh, ende nuk e kuptoja siç duhej thelbin e atij shpjegimi mjaft domethënës që kishte në vetvete ju vetëm një mesazh të madh, por edhe një filozofi të një të vërtete që ne shqiptarët na bënë të ndjehemi krenar për gjuhën tonë të bukur dhe të lashtë shqipe.....

Mirënjohje profesor Minella!



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT