E merkure, 24.04.2024, 06:15 AM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Ukaj: Rivlerësimi i historisë së letërsisë shqipe

E diele, 05.10.2008, 04:56 PM


Ndue Ukaj
Rivlerësimi i historisë së letërsisë shqipe

Vetë fakti se ndjehet nevoja e rivlerësimit të historisë së letërsisë shqipe, tregon qartë se ajo është lexuar keq, apo në trajtat tjera, është lexuar sipas një diktati politikë, i cili ka rezultuar me lexime të gjithfarshme, përpos letrare

Nga Ndue Ukaj

Nisma për të rishkruar historinë e literaturës shqipe, edhe pse e vonuar, është puna më e mirë e cila mund t'i bëhet kulturës së shkrimit shqip. Kjo për faktin e mirënjohur se letërsia shqipe asnjëherë nuk është studiuar në tërësinë e saj, është parakonceptuar sipas interesave që i kanë karakterizuar kontekst e caktuara shoqërore e ideologjike. Kjo ka ndikuar në masë të madhe që ajo të fragmentohet. Si rezultat i kësaj, letërsia shqipe është keqinterpretuar e paragjykuar, por, përveç këtyre edhe është cunguar e gjymtuar (terma këto të studiuesit Anton Nikë Berisha). Prandaj, rivlerësimi, jo i pjesshëm, por i tërësishëm i historisë së letërsisë shqipe mbetet një domosdoshmëri, për të vënë kuptime adekuate, cilësore dhe të vlefshme në një mjedis letrar me kontradikta të shumta, ngase për dekada kemi trashëguar një apori studimesh të gjithfarshme, të bëra më së paku sipas principeve dhe cilësisë letrare. Më tutje, rivlerësimi i trashëgimisë letrare shqipe, është në përputhshmëri me rolin e kritikës letrare, e cila, ashtu siç vlerëson dijetari i letërsisë Ian Meclean ka si intencë: "roli i interpretimit është të korrigjojë ose të arsyetojë një lexim". Referenca e lartshënuar na fut në një qerthull subjektiv, në procesin e leximit, që gjithsesi konceptohet se një nga proceset me komplekse të letërsisë. Megjithatë, qëllimi i këtij shkrimi nuk është të analizoj procesin e leximit, por produktin e tij, interpretimin dhe vlerësimin. Pra, interpretimi duhet të korrigjoj ose arsyetoj një lexim, sikundër edhe të korrigjoj gabimet e trashëguara, të cilat janë të shumta, sikundër na planin e dukurive estetike-letrare, po ashtu në aspektet historike e biografike të letërsisë.

Vetë fakti se ndjehet nevoja e rivlerësimit të historisë së letërsisë shqipe, tregon qartë se ajo është lexuar keq, apo në trajtat tjera, është lexuar sipas një diktati politikë, i cili ka rezultuar me lexime të gjithfarshme, përpos letrare. Ky dimension e ka gjymtuar dhe dezintegruar letërsinë shqipe, duke e cunguar, keqinterpretuar dhe paragjykuar. Prandaj, ky lexim i ri, në kontekste tjera letrare e shoqërore, kur ideografia e kritikut (Ezra Paund) nuk është e orkestruar nga ideologjitë, sigurisht duhet të vë kuptime të reja brenda një mjedisi letrar e kulturor, me përplot kundërshti. Një apori letrare e krijuar për dekada të tëra, duhet të qartësohet dhe ky qartësim duhet të bëhet nëpërmjet rivlerësimit të tërësishëm të korpusit të letërsisë shqipe që do të rezultonte me integrimin e tërësishëm të historisë së letërsisë shqipe dhe jo vetëm të asaj që e njohim si periudhë e soc-realizmit. 

Në komunitetin e literaturës shqipe, tanimë një kohë të gjatë po vazhdon të debatohet për rishkrimin e historisë së letërsisë. Në princip, duket se ekziston një pajtueshmëri e gjerë, përkundër ca reagimeve periferike dhe të pa efektshme, se historia e letërsisë duhet rivlerësuar, dhe këndej pari rishkruar e ridimensionuar. Kjo për faktin se historia e letërsisë shqipe për dekada të tëra, është karakterizuar për "shpërpjesëtime sasiore, por edhe çhierarkizime cilësore"- shkruan dijetari Aurel Plasari në tekstin brilant "Gjergj Fishta dhe historia e letërsisë". Si rezultat i kësaj, studimet letrare shqiptare kanë përjetuar një çintegrim të plotë. Letërsia e traditës është kundruar sipas principeve të ideologëve letrar, ndërkaq ajo bashkëkohore është zhvilluar në masë të madhe nën diktat. 

Letërsisë shqipe i ka munguar intekromunikmi  letrar dhe debati i mirëfilltë për dukuri e fenomene letrare. Madje dijetari i letërisë Sabri Hamiti mendon se "kurë nuk ka pasur një komunikim letrar në arealin shqiptar. Arsyet mund të jenë, në varshmëri nga kohët: herë gjeografike, herë kulturore, herë ideologjike e madje politike". Prandaj nga qenia e letërsisë (Zherar Zhenet), për pesë dekada janë përjashtuar autorët themelor të saj, Fishta, Konica, Harapi, Kuliqi, Haxhiademi, Kuteli, Camaj, etj. Ndërkaq kjo periudhë ka patur konsekuenca tejet negative edhe për produksionin fiksional të krijuar gjatë këtyre viteve. Shumë autorë që ka prodhuar soc-realizmi sot, jo që nuk lexohen, por gjykohen si prishës të shijes estetike, ndërkaq autorë të shtypur kanë filluar të ngriten në hierarkinë e vlerave letrare. 

 Si formulim rishkrimi tingëllon si koncept me konotacione të ngarkuara semantike. Ndërkaq, unë do të preferoj ne këtë kontekst të përdoren termat: rileximi dhe së këndejmi rivlerësimi i literaturës shqipe, ngaqë korrespondojnë thellë me domosdoshmërinë e ndreqjes së gabimeve të shumta që e kanë karakterizuar për dekada literaturën shqipe. 

Nëse e analizojmë literaturën shqipe në diakroni, shohim se kundërshtitë brenda letërsisë shqipe kanë si fillesë përplasjet e mëdha që e kanë shoqëruar nacionin tonë nëpër shekuj. Në këtë kontekst, trashëgimia jonë letrare ka mbetur e pastudiuar në mënyrë integrale, apo në raste tjera ajo është selektuar. Kjo ka ndodh sidomos me korpusin e letërsisë së vjetër shqipe dhe autorët themelor, Buzukun, Budin, Bogdanin e Jaribobën, veprat e së cilëve janë konceptuar si tekste me vlera filologjike dhe këndej pari është përjashtuar dimensioni i tyre estetik e letrare. Këta autorë që përfaqësojnë themeluesit e kulturës tekstuale shqiptare (Anton Berishaj) për pesë dekada të sistemit soc-realist në art e letërsi janë lexuar jashta metodave letrare. Në njëfarë mënyre, ky korpus letrar (Buzuku, Budi, Bogdani, Variboba, dhe ndonjë tjetër) u bë për kritikën shqipe "Thembra e Akilit", me të cilën në mënyrë të veçantë u shërbye soc-realizimi në art dhe letërsi, për ta zhvlerësuar këtë korpus letrar, i cili paraqet shtresimin bazik për gjithë letërsinë e mëvonshme shqipe me autorët e mëdhenj (Mjeda, Kuteli, Koliqi, Fishta, Poradeci, Camaj, Pashku etj. Por problemi me selektimin nuk ndalet këtu. Një çështje tjetër e debatueshme brenda kulturës letrare shqipe mbetet letërsia shqipe e shkruar në gjuhë tjera. Akoma në traditën e shkrimit letrar shqiptar nuk është e definuar qartë se çfarë është letërsia shqiptare e çfarë është letërsia shkruar në gjuhën shqipe. Një detyrë e rishkruesve të historisë së letërsisë është të bëjë këtë dallim të domosdoshëm.


Një nder aspektet e para problematike në vlerësimin e letërsisë shqipe, i cili s' është prekur ne mënyre sistematike, mbetet çështja e letërsie se trashëgimisë iliro-shqiptare, e shkruar ne gjuhen latine (apo gjuhe tjera te shkrimit), pjese e se cilës është edhe një pjese e konsiderueshme e letërsisë perëndimore. Kjo është letërsia parakombëtare. Ne ketë kontekst, mendoj se janë bere "padrejtësi", ngase prelatët e kishës së hershme katolike, qe shkruan ne gjuhen latine (Nikete Dardani, Shën Jeronimi, etj.) janë "përjashtuar" nga historia e letërsisë shqipe pa ndonjë shpjegim, edhe pse konteksti i përgjithshëm gjuhësor dhe kulturor, ne te cilin jetuan dhe krijuan ata i përkiste latinitetit. Mos inkorpurimi i këtyre autorëve në historinë e letërsisë shqipe sjell paradoksin tjetër, ngaqë ne kemi një trashëgimi të pasur në historinë e letërsisë nga gjuha latine, sidomos velen të  përmendën autorët e humanizmit (Gjon Gazuli, Marin Becikemi, Mikel Maruli, Marin Barleti, etj), të cilët autorë faktikisht janë pjesë e historisë letrare shqiptare. Nëse e shohim këtë dukuri në vazhdimësi, kemi autorët Sami e Naim Frasherit, që një pjesë të krijimtarisë e shkruan ne gjuhet orientale, ndërsa veprat e tyre janë pranuar dhe integruar ne historinë e letrare shqiptare, edhe pse tanimë kishim një kontekst të ndryshëm dhe gjuhet kombëtare ishin ne kultivim e sipër dhe lidhjet e këtyre autorëve me gjuhet orientale s'ishin domosdoshmëri e shkrimit letrar. Pra veprat e tyre janë të inkuadruar në historinë e letërsisë shqipe dhe ky përbën një aspekt të selektimit. Atëherë, si të interpretohet korpusi letrar parakombëtar dhe autorët Niketë Dardani, Shën Jeronimi, etj, mbetet një çështje e rëndësishme që duhet shpjeguar.

Rivlerësimi i letërsisë shqipe duhet të shtresoj elementet bazike të kulturës letrare shqipe që nga datimet më te hershme, deri tek aktualiteti. Në këtë hallkë, kjo histori duhet ri/integroj autorët e përjashtuar me diktat politikë, duke vënë hierarkinë cilësore, sikundër duhet inkorporoj letërsinë shqipe të krijuar jashta kufijve të Shqipërisë, letërsi kjo që përbën rëndësi sikundër në planin cilësor, njashtu në atë sasior. Në këtë linjë, një çështje mjaft e rëndësishme dhe komplekse mbetet studimi dhe vlerësimi i drejt i autorëve shqiptar që jetojnë dhe krijojnë në diasporën e gjerë shqiptare, e cila letërsi sot ka shumë autorë me nam, pa të cilët letërsia shqipe do ishte shumë më e cunguar. 

Historia e letërsisë dhe kritika letrare

Një histori i letërsisë mund të shkruhet drejt vetëm atëherë kur asaj i paraprinë një kritikë letrare sistematike. Pa këtë ndërlidhshmëri, s'mund të ketë rezultate të qëndrueshme dhe të pranuara gjithandej. Në këtë kontekst ajo që mendoj se duhet të shtrohet si temë diskutimi ne sensin e debatit për rivlerësimin e letërsisë shqipe, ne literaturën shqipe, mbetet pyetja nëse kritika letrare është liruar nga dogmatizmi? Dhe pastaj, sa ajo i ndihmon letërsisë dhe historisë së letërsisë? Dijetari i letërsisë Northep Fraji shkruan se: "artet janë memece, ndërkaq kritika mund të flasë". Nëse pajtohemi me këtë tezë, që gjithsesi ka mbështetje të gjerë ne studimet letrare, atëherë mund të themi se problemet e letërsisë shqipe janë të ndërlikuara dhe kanë një shtrirje të gjerë, që prek relacione të komplikuar mes shkrimtarëve dhe studiuesve të letërsisë. 

Segmente të rëndësishme të mendimit për letërsinë, apo më mirë të themi kritika letrare shqipe ende nuk ka arritur t'i riparoj gabimet e trashëguara dhe kjo përbën një pengesë në rrugën e emancipimit të saj dhe zhveshjes nga dogmatizmi. De facto kritika letrare shqipe, ende nuk e luan funksionin e saj për të vlerësuar, karakterizuar, seleksionuar, ndërmjetësuar, por kurdoherë mban rolin e apologjetit apo mohuesit. Kjo për mendimin tim përbën një aspekt të dogmatizmit që pengon rivlerësimin e letërsisë shqipe dhe në këtë sens rishkrimin e historisë së letërsisë shqipe. Ndërsa në aspektin tjetër ky fakt pengon letërsinë shqipe të vlerësohet si dukuri estetike.

Mendimi letrar shqiptar dhe kritika letrare përgjatë shumë dekadave ka përjetuar dhe përjeton krizë identitetit, që ka konsekuenca të fuqishme në konsolidimin e kritikës letrare, por edhe letërsisë shqipe përgjithësisht. Ka segmente të caktuara të kritikës letrare, të cilat, jo që nuk janë shkëputur përfundimisht nga dogmatizmi e kritika ideologjike, por tentojnë me çdo çmim të krijojnë brezin pasardhës të kësaj ideologjie letrare. Për fat të keq, në këtë regjistër hyjnë të ashtuquajtur emra të mëdhenj e autorë me famë, sikur në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë. Megjithatë, konsideroj se kritika dogmatike përfundimisht është në zvetënim e sipër. Tanimë ka një tendencë për hapje të kritikës letrare dhe emra të rinj në Tiranë e Prishtinë kanë qasje inovative dhe tejet të avancuara letrare. Por, kriza e defamiljarizmit (nocion i formalistëve rus) nga dogmatizmi, për  mendimin tim ka krijuar një paradokse tjetër, që është po aq i rrezikshëm, ngase ekziston një tendencë çoroditëse e interpretimit të letërsisë shqipe, përmes fenomenit të glorifikimeve dhe përbuzjeve ekstreme, që gjithashtu ka një segment dogmatizmi në vete. 

Vlerësoj se dy dekadat e fundit në letërsinë shqipe gjithsesi kanë shënjuar ndryshime dhe formësime pozitive, në kuptimin e hapjes së studimeve letrare, përvetësimit të metodave dhe shkollave të shumëfishta letrare. Në fakt, sot nuk ndjehet ndonjë uniformitet në studimet letrare, ndërkaq ka një shumësi e shkollash dhe vlerësimesh letrare, duke u bazuar tek teoritë klasike e bashkëkohore. Dhe kjo është një shenjë e shpresëdhënëse që gjithsesi do të ndihmoj në shkrimin cilësor të historisë së letërsisë shqipe.

Dy dekadat e fundit ka pasur një shtim cilësor të studimeve të rëndësishme letrare për autorë dhe dukuri të caktuara letrare. Në këtë periudhë kemi një sfond të pasur dhe cilësor studimeve letrare, që janë fokusuar tek letërsia e vjetër shqipe, tek letërsia e arbëreshëve të Italisë, tek autorët e shumtë të ekskomunikuar, (Fishta, Koliqi, Harapi, Haxhiademi, Santori, Kuteli, Zorba, Pipa, Camaj), apo tek autorët tjerë të rëndësishëm: Reshpja, Podrimja, Pashku, Pllumbi, etj. Këto studime sigurisht se mund të ndihmojnë shumë në një shkrim cilësor të historisë së letërsisë shqipe,  nëse ajo do të shkruhet me qëllime të shëndosha, për të vënë kuptime cilësore në një mjedisi letrar të çoroditur. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora