Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Në kërkim të justifikimeve

| E hene, 28.10.2019, 08:55 PM |


Në kërkim të justifikimeve

Nga Ndue Ukaj

Asnjë popull nuk është mjaftueshëm i emancipuar dhe i kulturuar sa të mos ketë nevojë që t’i shërojë disa vese të këqija. As ne shqiptarët nuk jemi imun në këtë aspekt. Ne kemi shumë vese të liga - plagë kombëtare - dhe ato, siç kanë vërejtur shumë mendjendritur shqiptarë ndër vite, janë pasojë e trashëgimisë dhe mentalitetit - e disa - pjellë e pushtimeve të liga që kanë lënë gjurmë të këqija në karakterin e tonë.

Dëgjojmë dhe lexojmë për ditë tek thuhet se shqiptarët janë më mirë se para një shekulli dhe më mirë se para dy dekadave. Dhe kjo është një e vërtetë, por ekziston edhe vërteta tjetër se, fotografia shqiptare është shumë e zymtë dhe se shqiptarët vazhdojnë të gulçojnë dhe të ulërijnë, kundër tjerëve e kundër njëri-tjetrit, duke u vërtitur në një atmosferë të pakëndshme kombëtare, ku ka kriza dhe ku ngecjet janë të shumta.

Për mua, një nga veset e këqija të mentalitetit shqiptar mbetet “kultura” e mbrapshtë e justifikimeve dhe shfajësimeve përballë çdo dështimi. Siç më thotë një mik i imi, për çdo dështim, shqiptari e ka një justifikim. Ky mentalitet s’na ka lejuar asnjëherë që të pranojmë fajet dhe përgjegjësitë për dështimet tona, e të cilat në jetën tonë nuk janë të pakta. Ndërkaq, ky ves i keq, në fushën e politikës, ku gabimet nuk mund të përmirësohen lehtë, dhe shpeshherë shkaktojnë probleme fatale, ka lënë pasoja të rënda për breznitë e ardhshme.

Me vesin e keq të justifikimeve, janë marrë mendje të ndritura shqiptare, si Tajar Zavalani. Për shembull, ai kështu shkruante te teksti “Populli dhe intelektualët”, të botuar më 1934:

“Kurrkujt si pëlqen të pranojë se u gabua. Sa ma i pazoti dhe më kapadai të jetë njeriu, aq më tepër e urren autokritikën. Kur një njeriu të frymëzuar me egoizëm të cekët puna nuk i del ashtu siç e priste, fajin e ka moti, kriza, dreqi, i buri, ipsiloni, bota e tërë, po kurrë jo ai vetë....Përgjithësisht autokritika është privilegj i njerëzve të zgjuar me kulturë dhe që i dalin gjithmonë për zot punës që marrin përsipër”.

Gati një shekull më vonë, kësaj analize nuk mund t’i heqësh asnjë presje, prandaj përgjegjësia etike dhe autokritika te ne ende nuk ekzistojnë, e gjykimi i mbrehtë i Zavalanit tingëllon krejt aktual.

Pra, shqiptarët e sotëm, nuk janë mjaftueshëm të emancipuar, e as nuk janë distancuar nga të ligat e trashëguara dhe të identifikuara prej kohësh. As nga vesi i lig i justifikimeve, i cili ka mbetë i njëjtë si para një shekulli. E kjo që po them, më së shumti dhe më së lehti vërehet në punët e shtetit dhe të koncepteve për të, ndaj ne vërtitemi në mjegullnajën e madhe të paqartësive, shpeshherë pa e ditur ku jemi dhe kah duam të shkojmë. Ne grindemi për çdo gjë - e ndonjëherë për asgjë - aq sa duket se mosmarrëveshjet i kemi bërë shujtë ditore. Por udhëheqësit tanë “dritëmëdhenj, mendjendritur e të lavdishëm”, nuk pranojnë asnjëherë të thonë: po, kemi gabuar dhe kemi dështuar diku.

Në të kaluarën, kemi vuajtë shumë për shkak të gabimeve dhe rreshtimeve të gabuara historike. Jemi tkurrë dhe kemi vuajtë nën robëri e ideologji të rrepta dhe kemi mbetur prapa vendeve të përparuara të kontinentit në të gjitha aspektet. Por, shqiptarët e sotëm nuk janë të robëruar e as nuk janë të shtypur nga ndonjë ideologji e rreptë, por ata nuk është se janë të lumtur me frytet e lirisë dhe të qytetërimit. Ata janë të shqetësuar dhe ankohen shumë. Ata nuk besojnë në qeveritë e tyre dhe në institucionet që i kanë ndërtuar me mund. Ata nuk besojnë as në kapacitet kombëtare për t’u lartësuar si krejt kombet perëndimore dhe për të ecë krah për krah me ta. Si pasojë e këtyre paqartësive, atyre duket se u janë vyshkur idealet për një të ardhme më progresive, ndaj edhe braktisin përditë vendin e tyre. Sepse e ndjejnë se ndodhen në ujëra të trazuara të politikës, në të cilat mund edhe të fundosen.

Duke e parë këtë gjendje amullt, secili njeri racional e di se nga këto ujëra të trazuara nuk mund të dilet pa një anije shpëtimtare, dhe ajo nuk krijohet vetvetiu, e as duke u justifikuar e shfajësuar për gjithçka si kalamaj të llastuar.

E te ne - ata që flasin për politikë dhe ata që kanë përgjegjësi për të bërë politikë progresive - fokusin kryesor s’e kanë te gjetja alternativa më të mira shoqërore në funksion të Res Publica-s, por te gjetja e justifikimeve më të mira për t’i fshehur dështimet. E- duke u justifikuar dhe shfajësuar për çdo gjë, kundërshtarët politikë janë shndërruar në armiq, kurse aleatët perëndimorë, janë përdorur për t’i qëruar hesapet e brendshme.

Për të parë si gjykojnë shqiptarët pas një dështimi të madh, shembull të freskët e kemi dështimin e Shqipërisë për t’i hapur negociatat për anëtarësim në Unionin Europian.

Me këtë akt, me të drejtë plot shqiptarë u acaruan, por politika shqiptare e katandisur në batak, nuk kishte asnjë kreditë moral të turfullonte. E as media që është bërë zgjatim i politikës së egër e të pavlerë.

Ndërkaq, po të merrte përgjegjësi për këtë dështim, Kryeministri i Shqipërisë kishte mundësinë ideale që të ngjizte një shkollë të re të përgjegjësisë politike të munguar, me të cilin akt mund të ndikonte në krejt hapësirat shqiptare. Por ai s’e bëri një gjë të tillë dhe ky është dështim i madh, në vazhdën dështimeve të shumta, dhe si i tillë do të lë vragë në historinë kombëtare.

Vërtet, ky dështim i madh, duhej të shërbente për këndellje kombëtare dhe ndërgjegjësim, por ndodhi e kundërta. Leksioni i udhëheqësit të Qeverisë shqiptare ishte i lig. Sepse, ai refuzoi ta pranojë një fakt që nuk mund të mbulohet, për aq sa mund të mbulohet dielli me shoshë. Refuzoi të pranojë dështimin e madh dhe ky refuzim është i dëmshëm për shëndetin kombëtar sa edhe mos hapja e negociatave me BE-në.

Dështimi nuk ka emër tjetër, përveç dështim, dhe kështu gjykohet nga politika dhe historia. Dhe për çdo dështim, faji asnjëherë nuk është i askujt apo i dikujt tjetër, siç na pëlqen të themi ne, por i atyre që kanë përgjegjësi udhëheqëse.

Sa herë ka dështime, udhëheqësit e përgjegjshëm, që janë të vërtetë dhe që e duan të vërtetën, bëhen të sinqertë me popullin e tyre dhe nuk fshehën prapa mashtrimeve dhe justifikimeve, ashtu siç nuk u fsheh këto ditë Kryeministri i Maqedonisë Veriore.

Kurse udhëheqësit tanë - babëzia politike s’i lë ta shohin realitetin në sy dhe t' i trajtojnë fenomenet e brendshme dhe të jashtme ashtu siç vërtet janë dhe jo siç ata duan të jenë, ndaj edhe nuk pranojnë asnjëherë të flasin për dështime.

Në të vërtetë, as në historinë shqiptare nuk është e lehtë të gjesh ndonjë figurë të rëndësishme dhe me peshë institucionale që të ketë marrë përgjegjësi për dështime eventuale. Dhe më keq, është vështirë të gjesh një figurë që mund të ketë kërkuar falje për gabime dhe huqe gjatë punës së tij.

Kurse në botën e përparuar, rrëfime të tilla ka sa duash.

Duke u justifikuar për gjithçka dhe duke gjetur aty këtu armiq për t’i justifikuar dështimet, te ne është kultivuar kultura e papërgjegjësisë dhe është dëmtuar etika e përgjegjësisë, etikë kjo që qëndron në themelet e qytetërimit të lirisë perëndimore.

Për këtë arsye, shprehja proverbiale se ”të gabosh është njerëzore, por të jetosh në gabime është djallëzore” për ne nuk vlen.

Mentalitetin e justifikimit dhe të shfajësimit, në shumë tekste e ka kritikuar edhe Faik Konica i rreptë që qesëndisej me këtë ves, duke thënë se “shqiptarët kur i lë treni, kurrë nuk thonë se: "u vonuam!" - por - "na iku!"

Një shekull pas, shqiptarët nuk kanë arritur ta shërojnë këtë ves të keq, prandaj, mendimet e Zavalanit, Konicës e të brezit të tyre tingëllojnë krejt aktuale.

Duke u justifikuar dhe duke u shfajësuar për dështimet tona, ne s’mund të vetëdijesohemi për të metat tona e as të mësojmë nga gabimet tona, ashtu siç bëjnë popujt e mençur dhe siç mëson historia.