E enjte, 18.04.2024, 11:25 PM (GMT+1)

Kulturë

Zymer Mehani: Poezi e mallit për atdhe

E diele, 27.10.2019, 11:12 AM


POEZIA E POETES BUKURIE BINJAKU- POEZI E MALLIT PËR ATDHE

Shkruan Zymer Mehani

Rruga poetike e autores Bukurie Binjaku po shënon një kontinuitet si në planin sasior, ashtu edhe në planin cilësor. Ajo tashmë ka formuar individualitetin e vet poetik, të cilën lexuesi ynë e njeh nëpërmjet veprave: “ Drejt teje… “ (Tiranë, 2017), me të cilin hodhi hapat e parë drejt shtegtimit në shtigjet e poezisë sonë shqipe, “Rreze të zjarrta” (Prishtinë, 2018) dhe me vëllimin “Mall mërgimtari për atdhe”, (Prishtinë, 2018). Tani para lexuesve, kjo autore po vjen me përmbledhjen poetike “Në portë të qiellit trokita”, që është libri i katërt, i botuar në Prishtinë, më 2019.

Edhe me stilistikën poetike, por edhe me rrethin tematiko-motivor, poezia e autores Bukurie Binjaku është duke shënjuar një nivel të përgjithshëm, me ngritjet dhe vlerat e saj.

Në vëllimin poetik “Në portë të qiellit trokita” përfshihen poezi motivesh të ndryshme, por edhe të përafërta, me tema dhe ide të ndryshme.

Përmbledhjen e parë të poezive “Drejt teje...” Bukurie Binjaku e botoi, më 2017, në Tiranë dhe që prej atëherë, ajo është aktive me vargjet e veta nëpër portale dhe gazeta, që botohen anekënd viseve shqiptare.

Po ta kundrojmë tërësinë e mjeteve të shprehjes stilistiko-gjuhësore dhe figurative të poezive të poetes Binjaku, do të na bie lehtësisht në sy zhvillimi gradual i saj, e këtë fakt do të na e vërtetojë krahasimi, nëse e bëjmë nga përmbledhja e parë e deri te kjo e fundit, që tani po del në dritë.

Bukurie Binjaku në poezitë e vëllimit poetik “Në portë të qiellit trokita” i këndon njeriut të thjeshtë, andrallave dhe peripecive të tij jetësore, krajatave e mundimeve, shpesh duke u lënduar, por ndonjëherë edhe duke u entuziasmuar me ngecjet dhe përparimet që ka bërë ai në raport me të kaluarën; ajo vuan dhe dëshiron për njeriun e vogël, duke e shikuar me optimizëm të ardhmen e tij. Ky njeri mund të jetë prindi (babai, nëna), vëllai, motra, vajza, bashkëshorti etj. etj. Prandaj, si e tillë, poezia e poetes Bunjaku nuk rri indiferente ndaj mënyrave dhe formave të ndryshme të jetës, të moralit, që është gjithnjë e më tepër në krizë të thellë, të lirisë, që shpeshherë është e kufizuar, si dhe të ndjeshmërisë, që është duke e sjellur qytetërimi edhe në shoqërinë tonë shqiptare.

Është e vërtetë se në disa poezi të poetes Bukurie Binjaku hetohen edhe forma të ndryshme të distancimit etik ndaj mënyrave të ndryshme të jetës, duke hasur në disa vargje edhe tone kritike karshi njeriut të vogël, që mashtrohet nga lakmia dhe nga ëndjet e ndryshme, duke e vënë kështu në krizë, së pari vetë familjen e tij, pastaj edhe rrethin shoqëror, ku jeton e vepron. Por, këto trajta dhe tone distancuese janë të pakta, po t’i krahasojmë me notat moralizuese dhe me entuziazmin lirik, që e përcaktojnë fare mirë mikrostrukturën gjuhësore poetike të poetes Bunjaku.

Mund të themi se në përmbledhjen poetike “Në portë të qiellit trokita” autorja Bukurie Binjaku paraqitet si një zë i kohës, që ka një detyrë krejt të veçantë, e kjo është përsosmëria morale, si në aspektin individual, ashtu dhe në aspektin shoqëror, duke i vënë në pah bukuritë e jetës, siç janë besa dhe virtytet e tjera, karakteristike për shqiptarët përgjithësisht. Pikëpamja e tillë është shprehja e konceptit të poetes si zë dhe ndërgjegje e kohës dhe e aktualitetit, në të cilin po jetojmë.

Nga pikëpamja strukturore poezia e poetes Bunjaku është e thjeshtë (strofat janë katërvargëshe). Model i poezive në këtë vëllim, mund të themi se është vargu këshillues, që vërehet qysh në titujt e poezive.

Ja disa shembuj:

-Në fund i drejti triumfon përherë;

-Ndonjëherë vetmia ka vlerë;

-Mirësia-e vetmja pasuri;

-Me dashuri gjithçka lartësohet;

-Me mirësi në shpirt, jeton dy botë, etj.

Po shihet qartë, se në trajtë këshillash poetja shpreh idetë e veta për botën dhe dukuritë e ndryshme, që e karakterizojnë njeriun, për të kaluarën dhe të sotmen, ngase i duket se në këtë mënyrë poezinë e pasuron me nëntekst dhe e bën polifonike, duke dashur që vargjet ta bëjnë të hapur karshi lexuesve me shije dhe me formim të ndryshëm estetik.

Vjershat e këtij tipi kryesisht janë të ndërtuara mbi bazën e kategorive të dallimit dhe të ngjashmërisë. Prandaj metaforat dhe krahasimet janë mjetet artistike, me të cilat realizohet ky lloj vjershërimi nga poetja Bukurie Binjaku.

Dhe krejt në fund, duhet cekur se veçori kryesore dhe mjaft prodhimtare e poezisë së poetes Bukurie Binjaku është hapja e saj më e madhe ndaj bashkëkohësisë dhe ndaj problemeve kryesore, që zienjë aktualisht edhe në shoqërinë tonë.

Biografia e autores

Bukurie Binjaku është lindur dhe rritur në një fshat malor, që quhet Gjinar, i cili ka qenë dhe është pikë turistike. Rrjedh nga një familje e fisnike që jetonte me bukën e saj. Ka pasur dy prindër të shkëlqyer, punëtorë, bujarë e të ndershëm. Në vendlindje mbaroi shkollën tetëvjeçare dhe të mesmen bujqësore.

Në lëndët gjuhë e letërsi ka qenë e shkëlqyeshme, sikur edhe në të tjerat, por zemra për gjuhën dhe letërsinë shqipe i rrihte më shumë. Për shkaqe ekonomike nuk mundi t’i vazhdonte studimet!

Në moshën 18-vjeçare, bashkë me familjen u shpërngul në një fshat në periferi të qytetit të Elbasanit, që quhet Hajdaran. Në moshën 24 vjeçe u martua, ku sot ka tri vajza. Në vitin 1997 mori rrugën e mërgimit, në Greqi, për një mbijetesë nga varfëria e asaj kohe. Sot jeton në qytetin Katerinë të Greqisë.

Krijimtarinë dhe këngën e ka pasur pasion që nga vegjëlia, por për shkak të kushteve të vështira ekonomike, qindra poezi i mbylli në sirtar.

Deri mës sot, poetja Bukurie Binjaku ka botuar vëllimet petike: “Drejt teje...”, Tiranë, 2017 , “Rreze të zjarrta”, Prishtinë, 2018, “Mall mërgimtari për atdhe”, Prishtinë, 2018.

Përmbledhja “Në portë të qiellit trokita” është libiri i katërt me radhë i autores Bukurie Binjaku.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora