E enjte, 28.03.2024, 03:58 PM (GMT)

Kulturë

Cikël poetik nga Kosta Nushi

E diele, 27.10.2019, 12:04 PM


Kosta Nushi, u lind në Velahovë të Sarandës më 5 prill 1962. Poet dhe muzikant me studime në Akademinë e Arteve të Tiranës, si dhe me studime të mëtejshme kompozimi në Athinë.

Ka botuar poezi, kritika, artikuj dhe intervista në gazeta e revista të Shqipërisë, Greqisë, Bullgarisë e Rusisë.Është pedagog në një shkollë të mesme muzike në Athinë.

Është promovuar e dekoruar në Athinë, në Vidin e Pleven të Bullgarisë, si dhe në Stamboll në fushën e krijimtarisë letrare, por dhe në atë muzikore.Ka botuar 3 vëllime poetike në greqisht, si dhe 1 vëlliim të përkthyer që qarkullon në Bullgari. Ka përkthyer në greqisht disa poetë shiptarë, midis të cilëve edhe  poetin e Klubit të Krijuesve Jonianë, Bardhyl Maliqi me “Perandorinë e zogjve”.

Poezi të ndryshme të Kostës janë botuar në antologji të ndryshme ballkanike dhe europiane.

NE DO TË VIJMË SI PRANVERA

Si erdhën këto ditë të përçudnuara

Me amokun e stërgjatur si shtrati i Prokrustit,

Me qetësinë e ditëve që rivalizojnë netët.

Dhe ngjan toka kaq e ndjerë,

Sa të vjen keq të shkelësh mbi barin e thatë.

Kanë ikur të gjithë nëpër vende të tjera

Dhe të vjen çudi pse s’ikën edhe vargmalet,

Brezat me lisa, shtëpitë dhe bustet.

Përse s‘kanë ikur edhe ata për pak kohë,

Si ne që bëjmë sikur kemi ikur

E kthehemi herë pas here, sikur lozim kukafshehti

Sa edhe ky lumi ikën jashtë shtetit,

Ose bën sikur ikën se në fakt

Është akoma këtu, sikur s’ka ikur asnjë herë.

Ashtu edhe era vjen përpak e fryn

Shtiret sikur ikën,

sepse do të vijë përsëri te na sjelli

lajme të pakuptueshme nga e përtejmja.

Ne ikëm kur me në  fund, na e dhanë çdo gjë

Si gushti që i ka të gjitha ikëm ne

E do të vijmë përsëri si pranvera,

Si pranvera jetësore,

e etur për dashuri!

TË PARËT TANË

“Gjaku i arvanitasve së toku me gjakun helen

U derdhën dhe skuqën dhenë.

Kur u bashkuan në të vdekur vallë,

Si s’do bashkohen në të gjallë?!”

(këngë tradicionale greke)

Të parët tanë ishin të prët që u ngulën

Në luginat pantatonike të Emos.

Të parët tanë,

Të mençurit e të patremburit

U shtrinë bregdetit polifonik

Njëjtësuar me ison e pafund të gjithësisë,

Në vendet më të bukura të botës,

Ata stërgjyshërit tanë legjendarë,

Ne i ndjejmë nëpër deje,

Në zanafillë që nga Zeusi

E që nga Prometeu,

Gjaku i të parëve na thërret,

Që nga Skënderbeu shpirtvigan,

E gjer te Rriga Ferreu!

Kur ne ndonjëherë “vritemi e theremi”,

Stërgjyshërit tanë trishtohen pa masë.

Ndonjë ditë do të dalin nga varret

Si Konstandini në legjendë

Do të na mbledhin tok e do na shajnë

Me termin e lashtë “Idiotë!”Mblidhni mentë!

Gjithnjë ua kemi thënë:

-Kujdes Atdhenë!”

NDËRSA SODIT

Ndërsa sodit gjithë yjet e mesnatës

Mendon se jemi totalisht mikroskopikë,

Të vegjël. Të parëndësishëm mes rutinës

Në ciklin jetësor, por sa një pikë.

Ty medito për yjet e panumërt e gjigandë,

Që ndrisin, por nuk shikojnë dot si ti.

Lëvizin, por në humbëtirë s’kanë duar fare

Dhe s’dinë ata të shkretët fjalën “Dashuri”!

AFËRDITA NË BREGDET

Qetësi në plazhet e Himarës,

Derisa të lëshojë stuhitë Eoli,

Poseidoni ngriti dallgët si i marri

Dhe përmes dallgësh Afërdita doli.

E pashë se si u drodh e lebetitur

Me gjinjtë që i stërhidheshin si fruta.

E zhveshi Poseidoni-vagabond i detit

Dhe Perëndesha, flakë nga dielli e turpi!

Doli te bregi. Por e marrtë e mira

Ç’farë lloj hyjneshe, ç’Afërditë do t’ishte

Po s’kishte naze e peripecira,

Pa qenë të paktën gjysmë lakuriqe?!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora