E marte, 16.04.2024, 04:26 PM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Sytë e virgjëreshës

E shtune, 26.10.2019, 12:04 PM


SYTË E VIRGJËRESHËS

Tregim nga Kristaq Turtulli

-Adrian, të kërkon mjeshtër Vrami,- dëgjoj të më thërrisnin nga poshtë.

I nervozuar rrotullohem në dërrasat e skelës. Dalloj fytyrën e rrumbullakët si meshë e murgut të vogël Oshma.

-Hë, çdo? - i shfryj.

Murgu kafshon karotën me dhembët e mprehtë dhe më bën me shenjë të zbres. Shtrij këmbët dhe kundroj figurën papërfunduar të Shën Mërinë. Më intrigojnë sytë e Nënës, dua ta realizoj me ngjyra pikante, ndryshe nga pikturat murale bizantine. Vizatoj e fshi, skela kërcet me zhurmë dhe kubeja më duket sikur më shtyp. Natën në gjumë mu përvijua ngjyra e kaltër me koloritin e qiellit, pak ton të gjelbër, shkëndijim rrezatues, miklues. S’mu prit të fekste mëngjesi, por frymëzimin vjen e ma shkëput murgu rrumbullak Oshma.

Mjeshtri Vrami më punësoi para tre vjetësh me kontratë pesë vjeçare dhe pagë të kënaqshme, në pikturimin e Katedrales së Shën Mërisë.

Ngrihem ndenjur dhe fshi duart. Murgu Oshma si brumbull i vogël humb pas derës. Është tejet i zellshëm, siç janë murgjit e rinj, ngatërrohet nëpër këmbë, fut hundët kudo, sa detyrohem ta zboj.

Kthina e mjeshtrit Vrami gjendet në krahun veriperëndimor të katit të parë të katedrales. Të shkosh deri aty. duhet të kalosh nëpër një monopat të ngushtë ngarkuar me materiale të ndryshme. Prej nxitimit gati sa u përplasa me kryepeshkopin hijerëndë, lëkurëbardhë Johan dhe shpurën e tij. Hapa udhë kokulur. Kryepeshkopi Johan më pa me bisht të syrit, më përshëndeti ftohtë me kokë dhe bëri tutje. Klerikët e lartë duhet të kenë ardhur të ndjekin nga afër punimet e katedrales.

Qëndrova një hop pa lëvizur derisa humbën përtej monopatit. Trokita në derën portative me kompensatë dhe sa dëgjova:

-Hyrë.

Shtyva derën dhe hyra brenda. Kthina e mjeshtrit Vrami gjendet në rrëmuje të madhe, cigarja e qullur e shuar i varet në buzë. Kapela e grirë e lyrosur i ka shkuar shtrembër, ndërsa cullufja e thinjur, ngjyrosur me bojë të gjelbër. Pa ngritur kokën më bëri me dorë të afrohem dhe vazhdoi të lëvizë me zhurmë, ti kthejë mbarë e prapë skicat e mëdha të katedrales. Është specialist me përvojë në ngritjen, zbukurimin e katedraleve por është me huqe, i grindur. Vizita e kryepeshkopit Johan ja cingërisi nervat. Vramin gjithnjë e acarojnë kontrollet e imponuara, por në sy të tyre nuk e jep veten. Kur dërgata ikën dhe lë pas hijen e rëndë, mjeshtri fillon shan dhe shfryn.

-Hë, i përfundove sytë e virgjëreshës?- më pyeti Vrami pas togut me letra.

-Pothuajse, - flas ultas.

Mjeshtër Vrami s’ më ktheu përgjigje. Humbi sërish mes vizatimeve e skicave të katedrales. Më la në këmbë. Prish, kruan kokën me inat dhe heq vija të reja. Katedralja po ndërtohet trekatëshe e lartë me kollonata, piktura murale dhe kapitele të gdhendura. Minutat ikin dhe unë qëndroj si vuv në këmbë. Kollitem prej padurimit, ai ngre kokën i bezdisur, gati për sherr. I ra ballit me pëllëmbë.

-Këtu qenke?! Të harrova ,- thotë dhe fshin me mëngën e xhaketës buzët e lagështa.

Ngre supet pa ditur ç’ ti them.

- Më shkoi dita për dreq, me intervista të gjej punëtorë të kualifikuar, me eksperiencë... Hëm... Së fundi dhe, inspektimi i Kryepeshkopit me shpurën shushunjë të priftërinjve. Uh, po më shpërthen koka! Nuk të thirra për këtë. Murgu Oshma më tha se është e një kandidat nga vendi yt. Të thirra ta përkthesh, dale prit... emrin e ka..,- mjeshtri kërkoi me nervozizëm mes shkresave të shumta, ngriti disa fletë formati të shkruar me shkrim të imët: -Ja, tek është. Majkëll e ka emrin, Majkëll Susta, e njeh?

Nga mjegullina e largët e viteve mu kujtua Maliq Susta dhe përnjëherësh mu krijua një shije të athët në gojë. Mbase ndonjë kushëri i largët... Me sa më kujtohet Maliqi qe djalë i vetëm. Mjeshtri s’ më la të tirrja gjatë, thirri murgun Oshma dhe i tha të lajmëronte pritësin të vinte brenda. Mbas disa minutash në zyrën e mjeshtri u shfaq trupi i gjatë, kockor, me nofulla katrore dhe veshë llapushë i Maliq Sustës. U shtang. U zverdh, qëndroi i mbërthyer pas derës, përshëndeti me kokë dhe murmuriti mbytur.

-Më falni...

Të dy u mpimë nga takimi i papritur në zyrën e mjeshtrit Vrami, mijëra kilometra larg atdheut.

-Në rezyme keni shënuar plot gjëra- iu drejtua mjeshtri Maliqit. Përktheva. Maliqi hapi gojën të fliste. Vrami ngriti dorën të heshte, e pyeti:

- Keni punuar në ndërtimin e kishave dhe katedraleve?

-Po, në pikturimin e afreskeve murale të kishave të reja që u ndërtuan në vendin tim- u përgjigj me zë të pasigurt Maliqi.

Mjeshtri flaku bishtin e cigares së qullur dhe, duardridhur nxori një gjysmë cigare e lagu me pështymë në majë dhe e ndezi.

-Ne besojmë në përvojën dhe eksperiencën tonë. E keni në rezyme adresën dhe numrin e telefonit?

-Po.

-Okay, do ta shqyrtojmë dhe do t’u njoftojmë,- foli mjeshtri zë mbytur dhe i bëri me kokë Maliqit të dilte nga zyra.

Hipa në skelë. Vështrova sytë e papërfunduara të Virgjëreshës, kishin nevojë për disa penelat të lehta të merrnin shkëndijimin dhe reflekset që dëshiroja. Përzjeva ngjyrat pa e pasur plotësisht mendjen aty. Maliq Susta! U shkund prej mjegullës së dendur të viteve dhe mu shfaq papandehur në cep të botës, majë skelës, ku punoj në ngritjen dhe zbukurimin e një katedrale... Punoj me vrull, sytë e Virgjëreshës marrin gjallëri por sepse më vështrojnë me dyshim dhe trishtim...

‘ ... Ishte dy e gjysmë pas mesit të natës kur Nëna më shoqëroi te stacioni i autobusëve. Sheshi ishte i shkretë dhe mbështjellë me cipën e hollë të dëborës. Autobusët e udhëtimeve të gjata qenë parkuar anës trotuareve më ngjanin si breshka të mbledhura, të mërdhirë. Në cipën e hollë të dëborës që mbulonte asfaltin dalloheshin vetëm gjurmët tona. Nëna donte të më shoqëronte në kryeqytet por s’na mjaftonin të hollat të shkonin së bashku.

Nëna mbërtheu kopsën e parë të fustanit të zi. Ngriti jakën e xhaketës, dhe më mbështolli mua me shallin e leshtë. Kundërshtova. Mbulova shpatullat e nënës me të. Ka ditë që nëna nuk ndjehej mirë, e shpon si me thikë shpatulla e majtë, e mundon kolla e thatë. Në javë më parë bëri mot të ngrohtë. Prilli e gënjeu nënën si pemët. Të përzërë dimrin dhe prurë mbarësi, lau jorganët, çarçafët, kuvertat e pambukta në çezmën me ujë të ftohtë të Kondës. Doktori i lagjes e këshilloi të merrte antibiotikë.

Bënte ftohtë dhe binte dëborë e imët si e situr në sitë. U shtymë drejt kthinës së vogël në të djathtë të stacionit të autobusëve, ku era ndjehej më pak dhe dëbora shkiste rrëshqanthi. Hukatëm duart të ngroheshin dhe mbështetëm supet tek njëri tjetri. Pritja në të ftohtë është më e lodhshme se ecja. Shyqyr që shalli prej leshi i nënës ish i madh dhe i trashë.

-Biro, të zgjoi nëna herët. Kështu është kur s’ ke orë,- murmuriti.

Fërkova mjekrën pas thekëve të shallit të nënës, s’fola. U zgjova në çast kur nëna më beri zë të ngrihesha dhe të vishesha. A mund të flija kur isha përpara konkursit, shpresës në realizimin e ëndrrës së madhe?

‘Bëhu piktor i mirë biri im, nuk të mungon talenti.’ më tha babai para se të vdiste. Dola i pari në konkursin e pikturës që u zhvillua në qytetin e lindjes. Tani më duhej të konkurroja në konkursin e madh në kryeqytet të fitoja të drejtën e shkollimit për pikturë në liceun artistik.

Shoferi i autobusit të linjës për në kryeqytet erdhi me vonesë dhe nisi të bërtiste:

-Kush është për në kryeqytet të luajë këmbët.

Udhëtarët e përgjumur hynë me ngutje në autobusin e ftohtë akull dhe fërkonin duart e këmbët të ngroheshin. Përqafova nënën dhe hyra në autobus. Makina u nis, nëna mbeti pas e mbështjellë me mugëtirë dhe dëborë të imët si miell.

Më rrihte zemra prej emocionit. Një copë herë qëndrova në shkallinën e parë të godinës tre katesh të liceut artistik, qetësova dhe rregullova frymëmarrjen. Vendosa dorën në stomak, ndjeva një prerje të lehtë. Përgjatë udhëtimit volla dy herë. Stomakun e ndjeja të trazuar prej kthesave të forta, ngjitjeve - zbritjeve, në rrugët e përdredhura në faqet e maleve dhe prej karburantit të rëndë të makinës. Ishte rrugëtimi i parë në kryeqytet, por s’ ish koha për hutim, qullosje dhe plogështi.

Në sekretarinë shkollës më priti një grua e re me flokë korb të zeza, me vetulla si shtizë, të mbërthyera mbi hundë dhe vështrim vëngër. Banaku ish më i lartë se shtati im. U ngrita në majat e gishtërinjve, i thashë emrin. Sekretarja ktheu fletët me zhurmë, kërkoi emrin e tim në listën e pjesëmarrësve në konkurs dhe pa ngritur kokën tha:

-Salla e konkursit është në katin e dytë nga e majta, lëviz këmbët, je me vonesë.

Doja t’i thosha se vij nga larg dhe, makina pati dy ndalesa të paparashikuara, por ajo më ktheu shpinën. U shkunda, dola me të shpejtë nga sekretaria dhe ngjita shkallët prej granili me vrap. Në krye të shkallëve qëndrova, u përpoqa të rregulloja frymëmarrjen dhe eca drejt derës së sallës së konkursit.

Gjëja e parë dhe e papritura që më ra në sy ishte, Maliq Susta, i cili qëndronte i krekosur në karrige, me kavaletën përpara dhe lëvizte si rosak kokën katrore me veshët llapushë. ‘Ç’do Maliq Susta këtu!’ gati sa s’fola me zë. Ai u kthye ballas nga unë dhe u zgërdhi. Maliqi doli më i dobëti, i fundit, në konkursin lokal, në vend të krijonte hije me laps e nxiu vizatimin me leckë, e bëri skëterrë. Kryetari i jurisë më uroi me dashamirësi. Emri im ishte në krye të listës së konkurruesve dhe fitova të drejtën të konkurroj në kryeqytet të hyj në liceun artistik.

U ula në stolin bosh që ndodhej krah Maliqit dhe, i përhumbur vështrova modelin, një plak të shukët, ballë rrudhur, hundën si shkabë, mjekrën çekiç dhe me pellgore të vogla poshtë syve. E kisha në gjysmë profili. Më tërhoqi qysh në fillim portreti interesant i plakut të imët. Për një moment mu bë sikur çapitesha në rrudhat e thella si monopate të modelit.

- Nuk gjetën model prej allçie por sollën këtë plak të shpifur,- mërmëriti zë grindur Maliqi dhe kafshoi lapsin me dhëmbë.

- Mua më pëlqen,- i thashë. Maliqi më pa me inat. Qysh në fillim më bëri për vete portreti i plakut flokëbardhë me kapelë të zbardhëllyer, vështrim të lodhur, hutuar, ardhur rastësisht në këtë sallë të madhe konkurrimi pas një udhëtimi të gjatë. Rrëza e qafës së modelit qëndronte e mbledhur e rrudhosur. Syri i shkëndijonte dhe mjekra çekiç i dridhej lehtë. Punoja i përqendruar dhe nuk vija re pjesëtarët e jurisë që vinin vërdallë të shikonin vizatimet tona. Vizatoja, fshija, vizatoja përsëri, pa ngritur kokën të vështroja përreth. Në sallën e konkurrimit ishin vetëm dy veta, unë dhe modeli, që më dukej sikur në sytë e tij fshihej një brengë e madhe. Dikush më vuri butë dorën mbi shpinë. U drodha, ngrita kokën me vrull. Fare pranë meje pashë një plak me trup të hollë të gjatë. Ai më buzëqeshi ëmbël.

-Si quhesh more bir?-më pyeti.

-Adrian Belushi.

-Mirë, vazhdo, je në karakter,- më tha dhe shkoi më tej.

Maliqi u ndeh nga ana ime dhe më pëshpëriti.

- E njeh plakun që të foli?

- Jo.

- Është Abdurrahim Shpuza, piktori më i mirë.- Ia bëri Maliqi gjithë zili.

Ngrita supet, ç’ ti thosha. Vazhdova të punoja. Më dukej sikur plaku model ngjante diçka me gjyshin që vdiq para një viti, disa muaj pasi doli nga burgu. Pothuajse e njëjta hundë, i njëjti vështrim i përhumbur me pellgoren e lotit poshtë syrit të rrudhosur, me të pathënën e madhe në shpirt. Gjyshi ishte njeri i dashur, i pëlqente të shkonte në pyll dhe të qëndronte aty symbyllur. Koha ikte me nxitim dhe nuk dëgjova kur thanë të ndërprisnin punë se koha e caktuar përfundoi.

-Mos harroni, shënoni emrin dhe mbiemrin në fund të punës tuaj. Nesër në mëngjes do merrni rezultatet e konkurrimit,- foli njëri nga drejtuesit e komisionit.

Shënova emrin, mbiemrin dhe adresën. Gjyshi i pikturuar ish aty përpara meje dhe më dukej sikur më përshëndeste. Maliqi duke u grindur u ngrit në këmbë. Fshiu duart e nxira pas pantallonave dhe shtyu stolin me zhurmë. Vështrova nga puna e tij, kishte bërë plakun karikaturë, një llahtarë.

Atë natë fjeta te kushëriri i nënës. Ishin ngushtë, më vunë të flija në aneks në një shtrat të vogël portativ. Gjatë natës portreti i modelit më ngatërrohej me fytyrën e dashur të gjyshit.

U ngrita herët, lava fytyrën te pusi dhe dola me vrap jashtë. Koha ish e vrenjtur. Frynte erë e lagësht. Shtëpia përdhese e kushëririt të nënës gjendej në anën kundërt të qytetit. Kalova urën metalike të lumit të Lanës dhe eca mes përmes bulevardit të gjerë. Ngjita me vrap shkallët e liceut artistik dhe pyeta sekretaren nursëze:

-Ku është afishuar lista e fituesve të konkursit?

-Në stendën e murit përballë,- më foli ajo ftohtë.

Dola me të shpejtë në korridor dhe sakaq u gjenda përpara stendës. Zemra më rrihte me vrull dhe sytë mu veshën me avull. Fshiva sytë me shpinën e dorës dhe përqendrova vëmendjen. Kërkova me padurim emrin tim. Lista mu duk e gjatë, me germa të përdredhura. Trupi po më mpihej dhe ballin ma mbuluan djersët. Në rreshtin e tretë ish shënuar emri i Maliq Sustës. Emri im nuk dukej gjëkund. S’ u besoja syve, lexova sërish. Mbase ish lojë e nxituar e syve. Emri im nuk figuronte në listën e fituesve. Germat shkisnin nëpër fletë dhe binin përdhe. Lotët nisën të më rridhnin, u mbështeta në mur. Këmbët s’ më mbanin, shpina më shkau dhe u lëshova si thes në pllakat e ftohta të korridorit. Mbështeta kokën më krahë dhe nuk e di sa qëndrova ashtu. Fshiva sytë me inat u ngrita në këmbë dhe nisa të zbrisja shkallët ngadalë. U mëshoja hapave ngaqë më dukej sikur ecja mbi shkallina akulli me rrezik shkarje e rrëzimi.

Befas pashë që po ngjiste shkallët piktori plak Abdurahim Shpuza. Ndaloi në mes të shkallëve, fytyra i qeshi, më foli që larg.

-Hë bir, të uroj?-dhe priti të afrohesha.

Ula kokën ngadalë dhe lotët rrodhën prej syve të mi. Fytyra e plakut u zverdh:

-Nuk është e mundur, i lexove emrat me kujdes?- pyeti dhe vështroi përreth i menduar.

Mu mblodh një lëmsh në gjoks dhe nuk mund të flisja. Piktori plak Abdurahim Shpuza më mori për dore dhe ngjitëm shkallët së bashku. U drejtuam nga stenda ku ishin afishuar emrat e fituesve. Vuri syzet, lexoi njëherë, dy herë, tre herë. Mblodhi buzët me inat, luajti kryet. Më porositi të prisja dhe hyri me nxitim në zyrën e drejtorit të shkollës. Pas pak doli nga zyra e drejtorit kokëvarur, të menduar dhe u drejtua nga unë me hapa të ngadalta. Më vuri dorën në shpatull dhe u përpoq të vinte buzët në gaz.

-Mos u mërzit bir, je i ri, i talentuar. Jam i sigurt, do fitosh një ditë,- më tha.

Doja ti thosha: tjetër gjë është të fitosh një konkurs dhe tjetër të japin të drejtën të ndjekësh shkollën, sepse e kam një kleçkë dhe kjo është biografia. Ai mi bleu mendimet, më shpupurishi flokët dhe iku me të shpejtë.

Kur dola sytë më zunë Maliq Sustën, i kapardisur në ndenjësen e parë në makinën e të atit, Mërtisa Sustës, drejtorit të bankës së qytetit tonë. Maliqi zgjati kokën nga dritarja e makinës u zgërdhi dhe më nxori gjuhën...

-Adrian, burri i gjatë me emrin Majkëll, pret jashtë, në errësirë, në shi,- më shkundi zëri i hollë i murgut rrumbullak Oshma.

U shtriqa, arrëza e qafës më kërciti. Shpinën e ndjeja të ftohtë, nuk e di sa qëndrova ashtu i përhumbur, në dërrasat e skelës. Ndjehesha i lodhur, punoja jashtë orarit. Me përtesë brodha shikimin përreth. Murgu Oshma i ndezi të gjitha dritat e abazhurët dhe katedralja rrëzëllente. U përqendrova në sytë pothuajse të përfunduara të Virgjëreshës Shën Mëri. Sytë i realizova me ngjyrat, koloritin dhe ekspresivitetin e duhur, por më dukej sikur në vështrimin e saj endej një tis i lehtë dyshimi dhe mendimi, si të më thoshte: I çliruar është ai që fal. Më shkaktoi një pështjellim të turbullt, por a mundem?!...

Maj 2011- Maj 2019



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora