E marte, 19.03.2024, 11:34 AM (GMT)

Kulturë

Eshref Ymeri: Një vepër-homazh për një komandant

E shtune, 26.10.2019, 07:41 AM


NJË VEPËR-HOMAZH PËR NJË KOMANDANT DHE UDHËHEQËS TË SHQUAR TË LUFTËS ANTIFASHISTE

Rreth veprave të Enver Memishaj - Lepenica “Hysni Lepenica, vendi që zë në historinë e popullit shqiptar” Vëll i II  dhe “Hysni Lepenica, dokumente dhe bibliografi” Vëll. i III , Tiranë 2019

Lexuesi do t’i  gjejë librat në libraritë e Tiranës dhe të Vlorës dhe në bibliotekat e këtyre qyteteve. Shqiptarët jashtë kufijëve të atdheut mund t’i porositin librat në këtë adresë: ofrimi i shërbimeve nëpërmjet faqes online: Shtepia e Librit.com.

Email: admin@shtepiaelibrit.com   Cel:  Gjergji 0662050438 / Elvisi – 0686052510

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri
Anëtar i Akademisë Shqiptaro - Amerikane

Për përgatitjen e kësaj vepre, autorit të palodhur, hulumtuesit këmbëngulës dhe intelektualit me vetëdije të lartë kombëtare Enver Memishaj-Lepenica, i është dashur të përballojë një punë kolosale për plazmimin me objektivitet shkencor të veprimtarisë atdhetare të Hysni Lepenicës me
daltën e skulptorit, me penelin e piktorit dhe me artin e fjalës së magjishme artistike të poetit dhe të shkrimtarit të talentuar.

Kjo vepër që po vihet në dorën e lexuesve, është një nderim i madh që i bëhet Hysni Lepenicës, njërës prej figurave më të shquara të kombit shqiptar, i cili, si meteor, shkëlqeu gjatë Luftës Antifashiste, në mbrojtje të dinjitetit kombëtar. Hysni Lepenica, i shpallur nga Presidenti i Republikës “Nderi i Kombit”, ka hyrë në historinë kombëtare si një personalitet me vlera të jashtëzakonshme atdhetarizmi. Prandaj përgatitja e një vepre të tillë mund të realizohej vetëm nga një intelektual me formim nacionalist shembullor. Autori i këtij libri rrjedh nga një familje e njohur vlonjate. Ai ka lindur në vitin 1944, në fshatin Lepenicë, buzë lumit Shushica të krahinës së Mesaplikut. Pikërisht në këtë familje autori i librit u brumos me idetë e nacionalizmit shqiptar dhe u edukua me një vetëdije të lartë kombëtare. Të parët e fisit të tij, si Ahmet Lepenica, Hysni Lepenica, Fejzo Lepenica, Numan Lepenica, Refat Lepenica e bënë të njohur këtë fis në mbarë Shqipërinë.
Zagoll Shenaj, Qani Shenaj dhe Arap Shenaj, dajot e tij këta në fshatin Gjorm, i pati pushkatuar Partia Komuniste. Tërë familja iu nënshtrua persekutimit dhe shpronësimit nga ana e regjimit komunist. Kushërinj të babait të tij, madje edhe femra, si Afërdita Lepenica, e diplomuar për mjeksësi në itali, u dënuan me burg. Babai i tij u burgos në vitin 1957. E shpronësuar dhe e
varfëruar nga regjimi komunist, familja e tij, në vitin 1952, u zhvendos në Vlorë. Këtu ai jetoi deri në vitin 1997, kur u zhvendos më banim në Tiranë.
Në vitin 1962 mbaroi arsimin e mesëm në gjimnazin “Ali Demi” me rezultate shumë të mira, por, për “shkaqe biografie”, nuk u dha e drejta e studimit për në universitet dhe e mobilizuan ushtar në një repart pune, ku shërbeu dy vjet. Pas lirimit nga ushtria, u punësua në Uzinën e Sodës. Duke punuar me tre turne, kreu dy shkolla të mesme: teknologjiken dhe tekniken, secilën nga dy vjet, sepse ishin me bazë gjimnazi. Vetëm në vitin 1972 e lejuan të vazhdonte studimet e larta në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, pa shkëputje nga puna. Pas përfundimit të fakultetit në vitin 1977, me notën mesatare 9, nuk e lejuan të punonte si ekonomist. Vetëm  në vitin 1980 e lejuan të punësohej si ekonomist në Ndërmarrjen e Naftës në Gorisht. Në vitin 1982 kreu studimet pasuniversitare në Universitetin e Tiranës. Njihet si njëri nga themeluesit e Partisë Demokratike në Vlorë dhe është ndodhur në vijën e parë të luftës dhe të përpjekjeve për përmbysjen e diktaturës komuniste. Në vitin 1992 iu dha titulli oficer në Degën e Punëve të Brendshme në Vlorë, me gradën kapiten i I dhe me detyrë zv
/kryetar. Në vitin 1995 u emërua Kryetar i Shërbimit Informativ Kombëtar, dega Vlorë, me gradën n/kolonel. Në vitin 1997, kur nisën protestat antiqeveritare,
komitetet komuniste në Vlorë e dënuan me vdekje, çka e detyroi të arratisej familjarisht fshatrave të Vlorës, si ilegal. Pas rikthimit në pushtet të Partisë Demokratike në vitin 2005, u emërua shef i kabinetit të Ministrit të Kulturës dhe në vitin 2007 iu ngarkua detyra e këshilltarit të Ministrit të Brendshëm. Këtu punoi deri në vitin 2010, kur dolli në pension. Është autor i mjaft artikujve publicistikë, në të cilët ka denoncuar krimin, dhunën dhe terrorin komunist të viteve 1945-1990 dhe krimin e bandave komuniste të viteve 1997-1998. Është autor i 20 librave (disa edhe me bashkautorë) nga fusha e historisë, ndër të cilët vlen të përmenden ato me titull
“Antologjia e plagëve nën terrorin komunist” (Tiranë 2004) dhe “Parti Komuniste apo Parti Terroriste”
(Tiranë 2013). Për punën e tij të palodhur si aktivist shoqëror, si nëpunës i lartë i shtetit dhe si studiues i historisë, është vlerësuar me titujt“Mirënjohje” (nga Bashkia e Selenicës, Vlorë), “Personalitet i shquar i Qarkut të Vlorës” (nga Këshilli i Qarkut të Vlorës), “Mjeshtër i Madh” (nga Presidenti i Republikës), “Misionar i Paqes” (nga Misioni Ndërkombëtar Paqe dhe Prosperitet), “Mirënjohje” (nga Universiteti Ndërkombëtar i Strugës, Maqedoni).
                                                               *     *      *
Për përgatitjen e kësaj vepre, autorit të palodhur, hulumtuesit këmbëngulës dhe intelektualit me vetëdije të lartë kombëtare Enver Memishaj-Lepenica, i është dashur të përballojë një punë kolosale për plazmimin me objektivitet shkencor të veprimtarisë atdhetare të Hysni Lepenicës me daltën e skulptorit, me penelin e piktorit dhe me artin e fjalës së magjishme artistike të poetit dhe të shkrimtarit të talentuar.
Duke e kundruar në faqet e këtij libri personalitetin në rritje të Hysni Lepenicës nga një largësi kohore prej 75 vjetësh, lexuesi vjen në përfundimin e vetvetishëm se autori i ka dhënë edhe më shumë madhështi figurës së këtij heroi të madh të nacionalizmit shqiptar. Një kundrim i tillë
nga ana e autorit i rrugës së jetës që ka përshkuar heroi Hysni Lepenica, më solli ndër mend një aforizëm fort të goditur të leksikografit francez
Pjer Buast (Pierre-Claude-Victor Boiste - 1725-1824), autor i Fjalorit universal të frëngjishtes (Dictionnaire universel de la langue française”. Ai ka thënë: “Heronjtë, ashtu si puna e veprave të artit, duken edhe më të mëdhenj përmes hapësirës së shekujve”.
Me durimin e një hulumtuesi shembullor, autori, ashtu si bleta nektarin, ka qëmtuar me një kujdes të jashtëzakonshmëm të dhëna historike, mbështetur në dokumente të kohës, fakte të padiskutueshme dhe dëshmitë bashkëkohësve të Hysni Lepenicës, duke nxjerrë në pah profilin e tij intelektual me një formim të shkëlqyer nacionalist.
Autori e ka ndjekur me shumë përkushtim aktivitetin e Hysni Lepenicës, si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në Luftën e Vlorës, në funksionet e tij në xhandarmërinë e shtetit gjatë viteve të para pas përfundimit të asaj lufte, periudhën e emigracionit pas largimit të Fan Nolit në dhjetor të vitit 1924 dhe ardhjes në pushtet të Ahmet Zogut, kthimin në atdhe pas amnistisë që shpalli ky i fundit në vitin 1926 dhe pjesëmarrjen në organizatën e fshehtë të vlorës, e cila kishte si pikësynim rëzimin e mbretërisë dhe vendosjen e republikës. Nuk dihet me saktësi se cili ishte qëllimi i vërtetë i asaj organizate. Me siguri që organizata e fshehtë e Vlorës nuk kishte shpëtuar pa rekrutimin nga radhët e saj të disa informatorëve në shërbim të agjenturës jugosllave, rekrutim ky, i realizuar nga ana konsullatës jugosllave në Vlorë, si qendër e nacionalizmit shqiptar. Beogradi, sipas të gjitha gjasave, ishte në mëri me Ahmet Zogun, i cili, pas ardhjes në pushtet, e shkeli marrëveshjen e nënshkruar me kryeministrin Pashiç dhe politikën e orientoi nga Italia fashiste.
Por periudhën më rrezëllitëse në jetën e Hysni Lepenicës, autori e ka ravijëzuar me mjaft hollësi në periudhën pas pushtimit të vendit tonë nga Italia fashiste. Dihet mirë që shovinizmi serbomadh e kishte nën një vëzhgim të rreptë veprimtarinë e grupeve komuniste në vendin tonë në fundin e viteve ’30 dhe sidomos pas pushtimit fashist. Njihej mirë ekzistenca e disa grupeve komuniste që para 07 prillit të vitit 1939. Por, çuditërisht, askush nga radhët e grupeve komuniste nuk u bë i gjallë për t’iu kundërvënë pushtimit fashist ditën e 07 prillit. Ata që iu kundërvunë atë ditë vinin nga radhët e nacionalistëve shqiptarë, si Mujo Ulqinaku, që ra heroikisht në përballjen me fashistët italianë atë ditë kobëzezë për vendin tonë.
Autori i librit ka bërë kërkime me kujdesin e një hulumtuesi objektiv për të pasqyruar sa më vërtetësisht  aktivitetin e Hysni Lepenicës gjatë viteve të pushtimit fashist, duke e parë atë në optikën e Organizatës së Ballit Kombëtar. Dihet që kjo organizatë u krijua menjëherë pas pushtimit
fashist. Autori, me këtë rast, citon nacionalistin e njohur Hasan Dosti:
“Organizata e Ballit Kombëtar u themelua si organizatë e mshehtë në muajin prill 1939, vetëm pak ditë pas okupacionit të 7 prillit 1939. Anëtarët e parë kanë qenë: Mid’hat Frashëri, Fuat Dibra, Nuredin Vlora, Hasan Dosti dhe Faik Quku”. Ndërkohë, anëtarët e grupeve komuniste nuk lëvizën fare për themelimin e një formacioni politik fill pas pushtimit fashist. Ata u përmendën vetëm në vjeshtën e vitit 1941, pasi kishin kaluar disa muaj që nga koha kur atdheu i komunizmit, Bashkimi Sovjetik, u sulmua
nga trupat hitleriane më 22 qershor të vitit 1941, dhe, me emisarin e shovinizmit serbomadh në krye të qoshes, Miladin Popoviçin, themeluan Partinë Komuniste.
Enver Memishaj-Lepenica e ka pasqyruar me hollësi ecurinë e ngjarjeve brenda radhëve të organizatës së Ballit Kombëtar, në të cilën qenë kristalizuar dy rryma të kundërta. Hysni Lepenica, si një nacionalist me vullnet të patundur, i përkiste grupit të të rinjve brenda Ballit Kombëtar, grup ky që ishte për zhvillimin e një lufte pa kompromis kundër pushtimit fashist dhe, duke parë rrezikun e përhapjes së ideve komuniste, ishte pozicionuar kundër qëndrimit pasiv të disa figurave kryesore të këtij formacioni politik, i cili ndiqte politikën e pritshmërisë.
Politikës së pritshmërisë i përmbahej vetë Kryetari i Ballit Kombëtar, Mid’hat Frashëri, i cili njihej për pacifizmin e tij. Me siguri që kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që, siç e nënvizon autori i librit, çetat e para të Ballit Kombëtar u krijuan me vonesë, në vjeshtën e vitit 1942. Përjashtim bën Çeta e Myslim Pezës, e cila u krijua në qershor të vitit 1940 dhe Çeta “Shqiponja”, bërthamën e parë të së cilës Hysni Lepenica e pati krijuar në  fillim të vititi 1942. Gjithsesi, në këtë libër, për meritë të padiskutueshme të autorit të tij, gjen pasqyrimin e vet e vërteta historike, të cilën historiografia komuniste e ka pasë mohuar gjatë një periudhe gjysmëshekullore: çetat e Ballit Kombëtar dhe çetat partizane që krijoi Partia Komuniste, asokohe, deri në Konferencën e Mukjes, patën zhvilluar aksione të përbashkëta luftarake kundër pushtuesve italianë, gjatë të cilave pati dëshmorë nga të dyja palët. Këto aksione të përbashkëta, pa diskutim, patën frymëzimin e Konferencës së Pezës që u mblodh më 16 shtator të vitit 1942 dhe që në të morën pjesë përfaqësues të njohur nga radhët e Ballit Kombëtar dhe të Partisë Komuniste.
Ndër aksionet e shumta, të përbashkëta, më të rëndësishme në historinë e luftës antifashiste, autori përmend Luftën e Selenicës dhe Luftën e Gjormit.
Duke parë luftën në zhvillim e sipër të çetave të Ballit Kombëtar dhe rritjen e autoritetit të tij në radhët e popullit shqiptar, autori sjell një fakt historik, të cilin historiografia komuniste nuk e ka nxjerrë në pah asnjëherë: Partia Komuniste doli me propozimin për zhvillimin e bisedimeve me Ballin Kombëtar. Vendimin për një propozim të tillë ajo e mori në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm Nacional Çlirimtar të datës 09 korrik 1943. Këtu autori vë në duke një të vërtetë të pamohueshme, të cilën historiografia komuniste e ka anashkaluar qëllimisht: Partia Komuniste e njihte Ballin Kombëtar si forcë luftuese antifashiste.
Konferencës së Mukjes i paraprinë bisedime paraprake që zhvilluan përfaqësuesit e njohur të të dyja formacioneve politike, të Ballit Kombëtar dhe të Partisë Komuniste. Hysni Lepenica pati luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në zhvillimin e atyre bisedimeve paraprake me përfaqësues të Partisë Komuniste, gjer edhe me Enver Hoxhën. Në ato bisedime qe prekur edhe problemi i Shqipërisë etnike dhe sidomos  Çështja e Kosovës dhe Çështja e Çamërisë.
Këtu autori nxjerr në shesh edhe përplasjen e Hysni Lepenicës, si një përfaqësues i shquar i nacionalizmit shqiptar, me emisarin shovinist jugosllav Dushan Mugosha, “dadon e përkujdesur” për Partinë Komuniste dhe veçanërisht për argatin e Beogradit Enver Hoxha, pikërisht për
Çështjen e Kosovës. Dushan Mugosha ngulte këmbë që Çështja e Kosovës të lihej në dorë të Nacionalçlirimtares jugosllave. Por i menjëherëshëm qe reagimi i nacionalistit Hysni Lepenica ndaj shovinistit Dushan Mugosha, reagim, të cilin autori e citon në faqet e këtij libri:

“Zoti Dushan Mugosha!
Po ta lëmë ne, me anën e një dokumenti, Kosovën në duar të Nacional- çlirimtares jugosllave, zotëria jote mund ta përdorë fare mirë nesër atë dokument në parlamentin jugosllav dhe gjetkë. Ne për marrëveshje ju drejtohemi komunistëve shqiptarë e jo të huajve të padëshiruar dhe të dyshimtë”
.
Në Konferencën e Mukjes shkëlqeu figura e Hysni Lepenicës. Autori i këtij libri duhet falënderuar për nxjerrjen në pah me vërtetësi të autoritetit të Hysni Lepenicës që u shpalos në atë Konferencë. Kjo për arsye se Hysni Lepenica e njihte mirë brumosjen ideologjike të Partisë Komuniste me
“pilulat” e shovinizmit jugosllav, me të cilat ajo qe mëkuar dhe vazhdonte të mëkohej nga emisarët e tij Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha.
Prandaj ai e mori i pari fjalën në atë konferencë, për çka autori shkruan: 
“Që në fjalën e parë ai kërkoi bashkimin e shqiptarëve nën një komandë të vetme, si dhe krijimin e një komiteti të përbashkët që do të udhëhiqte luftën. Më tutje kërkoi që nga ky kuvend shqiptarët të dalin me kërkesën legjitime për t’u bashkuar me Kosovën dhe me Çamërinë”.
Me mjaft interes janë kujtimet e oficerit të karrierës Njazi Çarçani, që autori citon në këtë libër, meqenëse ai ka pasë qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i asaj kohe: “Nuk mund të harroj momentin e hapjes së mbledhjes së Mukjes, ku Hysniu, duke marrë shkas nga entuziazmi i pjesëmarrjes së gjerë të patriotëve dhe intelektualëve, kërkoi leje nga drejtuesi i mbledhjes Thoma Orollogai, si delegate
i Ballit Kombëtar, ku u shpreh: “Ne delegatët e Ballit Kombëtar kemi ardhur këtu për të gjetur rrugët dhe për të arritur një bashkim me Frontin Nacionalçlirimtar në luftë kundër okupatorit.
Po pyes se ç’na ndan ne? A mos vallë përveç qëllimit të përbashkët na pengojnë emrat që mbajmë? A nuk kuptohet që Front Nacionalçlirimtar, i përkthyer në shqip, do të thotë Balli Kombëtar? Atëherë kur kjo është kështu, ç’na ngelet për të rënë dakord që të bashkohemi në këtë luftë? Në qoftë se në krye të Frontit Nacionalçlirimtar qëndron Partia Komuniste, atëherë hajdeni të trajtojmë rrugën më të drejtë që duhet gjetur për të realizuar këtë bashkim”.
Në vendimet që u morën në Konferencën e Mukjes, autori, me shumë të drejtë, e vë theksin në dy prej tyre, si më të rëndësishmet për fatet e kombit shqiptar:
1. Krijimi i Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë.
2. Luftë për një Shqipëri indipendente dhe për zbatimin e parimit të njohur universalisht e të garantuar nga Karta e atlantikut të vetëvendosjes së popujve për një shqipëri Etnike.

Por shumë shpejt, Partia Komuniste e hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes. Po si ndodhi konkretisht që Marrëveshjen e Mukjes Partia Komuniste e varrosi përfundimisht sapo drejtuesve të saj u ra në dorë teksti i asaj marrëveshjeje? Asokohe drejtuesit e partisë dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare ndodheshin në Vithkuq të Korçës. Të pranishëm ishin Enver Hoxha, Miladin Popoviçi, Sejfulla Maleshova, Nako Spiru, Mehmet Shehu, Dushan Mugosha, Xhelal Staravecka, Fiqrete Sanxhaktari, të cilët organizuan një mbledhje urgjente. Ja se ç’thuhet në një studim shkencor të një historiani të njohur: “Xhelal Staravecka, i pranishëm në momentin kur erdhi letra e Ymer
Dishnicës për Marrëveshjen e Mukjes, ka sjellë si dëshmi atmosferën që krijoi ky lajm:
“Gjendeshim me shokët e Komitetit Qëndror, në mes të të cilëve ishte edhe Miladini, kur arrin korrieri dhe solli proklamatën e Marrëveshjes së Mukjes. Hapëm proklamatën dhe e lexuam. Të gjithëve na u ndezën fytyrat nga gëzimi, për arsëye se u mbërrit bashkimi. Mandej gjysmë shqip e gjysmë serbisht (për arsye se unë nuk e di serbishten e Miladini nuk di shqip), disi i shpjegova çka
ishte shkruar në proklamatë. Fytyra e Miladinit menjëherë u ndryshua dhe tha: Ky bashkim (i Kosovës me Shqipërinë) nuk mund të pranohet. Ne gjithnjë e më tepër forcohemi dhe do të fillojmë me shpata e jo bashkime me qej (qenër). E mandej ajo Shqipëria Etnike! Nanën e saj!”.
Fytyrat tona menjëherë u errën dhe u deytyruam me thanë: “Po, po! Do ta shohin këta nacionalistë për disa ditë, derisa ne të organizohemi edhe ma mirë… dhe do iu themi: “Qe Shqipëria juaj Etnike! Sigurisht, shprehja jonë në fytyrë duhet të ndryshojë gjithmonë sipas shprehjes së fytyrës së Miladinit”
(Prof.dr. Muharrem Dezhgiu. “Shqipëria nën pushtimin italian (1939-1943”. Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Historisë Tiranë 2005, f. 316.)

Pra, me këtë qëndrim prej njerëzish pa dinjitet kombëtar, prej kameleonësh shembullorë, prej servilësh të kulluar të Beogradit dhe prej tradhtarësh të kombit shqiptar, drejtuesit e Partisë Komuniste dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, me kryeservilin dhe kryetradhtarin Enver Hoxha në ballë, vërtetohej në praktikë fakti i njohur historik se Partia Komuniste s’ishte gjë tjetër, veçse një rrip transmisioni i Partisë Komuniste të jugosllavisë, direktivat e së cilës, të përcjella në udhëheqjen komuniste shqiptare nga emisarët e saj Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, duhej të viheshin në jetë me rreptësinë më të madhe. Prandaj autori i librit sjell një të dhënë tepër domethënëse, me të cilin dëshmohet publikisht se Partia Komuniste ishte thjeshtë një shtojcë e Partisë Komuniste të jugosllavisë: “Ndërmjet dokumenteve të shumta për shkaqet e prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, bindshëm na vjen në ndihmë edhe komunisti serb Vladimir Dedijer, që, për mendimin tonë, është arsyeja kryesore e tradhtisë së Mukjes. Dedijer shkruan se në mesin e muajit gusht (1943 -E.Y.), Miladin Popoviçi, nga Shtabi i Përgjithshëm i  Nacionalçlirimtarëve, i raporton, veç të tjerave, Beogradit: “Kemi biseduar me shokët kryesorë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe studiuar çështjen dhe situatën dhe atëherë vendosëm që të nxjerrim një trakt, ku të shpreheshim që të mos njihej mënyra e organizimit të Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë dhe as funksionimi i tij, si instanca më e lartë në Luftën Nacionalçlirimtare”.
Me faktet e shumta që sjell autori i librit, del më së miri në pah tradhtia e rëndë që kreu Partia Komuniste kundër interesave jetike jo vetëm të Shqipërisë Londineze, por edhe të mbarë kombit shqiptar. Ky qëndrim tradhtar ndaj atdheut të vet, vërtetoi pa mëdyshjen më të vogël se Partia Komuniste, siç u përmend më lart, s’ishte gjë tjetër, veçse një agjenturë në shërbim të shovinizmit serbomadh.
Krejt materiali që autori shtjellon në këtë libër pas tradhtisë që iu bë Marrëveshjes së Mukjes dhe deri në fund të tij, është një pasqyrë e hollësishme e terrorit komunist që Partia Komuniste shpërtheu jo vetëm kundër Ballit Kombëtar, por edhe brenda radhëve të veta. Skenat e
vrasjeve të shumta terroriste që përshkruhen në libër, dëshojnë fare shkoqur se Partia Komuniste, si një Parti Terroriste, e etiketuar si e tillë nga Sejfulla Maleshova në Plenumin e Beratit, e degjeneroi në mënyrën më të shëmtuar kodin moral të fisnikërisë shqiptare: ajo jo vetëm vriste pas shpine, pa gjyq, me pabesi, i torturonte kundërshtarët politikë para se t’i pushkatonte, ata të llojit të vet i pushkatonte pas shpine dhe mandej i shpallte edhe dëshmorë, por e uli veten deri në atë shkallë kriminaliteti, saqë pushkatonte robërit italianë, duke i zhveshur paraprakisht lakuriq për t’u marrë rrobat. Shkallën më të lartë të pabesisë, Partia Komuniste e manifestoi me vrasjen e Hysni Lepenicës dhe të grupit të bashkëluftëtarëve të tij, në bashkëpunim me trupat italiane. Në thesarin e gjuhës shqipe haset një shprehje shumë kuptimplote, e cila nxjerr në pah fisnikërinë e kodit moral të shqiptarit në shekuj:
“Në bukë nuk vritet as hasmi”.
Por terroristët e kriminelit Enver Hoxha e patën shkelur rëndë këtë kod moral kaq fisnik të  shqiptarit dhe i lejuan vetes të zbrisnin në nivelin e kodit të egër moral grekosllav në krimet që janë kryer kundër kombit shqiptar. Autori përmend sulmin që patën ndërmarrë komunistët në fshatin Vranisht të Vlorës kundër një grupi prej 10 gjermanësh, të cilët qenë ulur nën një pemë dhe po hanin bukë, duke vrarë nëntë prej tyre.  Paskëtaj trupat gjermane morën hak dhe pasojat qenë shumë tragjike për banorët e fshatit Vranisht.
Në libër vihet në dukje se Balli Kombëtar ishte kundër organizimit të pritave apo sulmeve që organizonin komunistët kundër pushtuesve nazifashistë pranë qendrave të banuara, të cilat sillnin pasoja të rënda për popullin e thjeshtë, siç ishte rasti i Borovës apo i shumë zonave të tjera, të
cilat autori i përmend me hollësi.
Aktet e rënda kriminale, në kundërshtim të hapur me kodin moral të shqiptarit, kanë qenë tepër karakteristike për kodin moral të fqinjëve tanë grekosllavë, çka u dëshmua faqe botës me krimet e kryera në Çamëri në vitet 1944-1945 dhe në Kosovë në vitet 1998-1999. Balli Kombëtar ishte
kategorikisht kundër vrasjes së robërve italianë. Këto akte terroriste kanë qenë dhe janë krejtësisht të huaja për kodin moral të shqiptarit dhe për formimin e tij psikologjik. Të tilla akte barbare, me qëllim përçarjen e rëndë të popullit shqiptar, ia futi në gjak Partisë Komuniste shovinizmi
serbokriminal, njëri nga përfaqësuesit e tij në radhët e Partisë Komuniste, Dushan Mugosha, i cili merrte pjesë edhe vetë në masakrimin e nacionalistëve shqiptarë. ja një fakt tmerrues nga ato akte, i cili dëshmon fare qartë se deri në ç’shkallë vetëposhtërimi e kishte katandisur veten Partia Komuniste para një armiku të egër të kombit shqiptar.
“Trakti me nr. 4 që Xhelal Staravecka shpërndau menjëherë pas dezertimit të tij nga radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, sërish lidhet me torturat çnjerëzore dhe me vrasjet që kryheshin me urdhër të Dushan Mugoshës. Ndërsa rrëfen ngjarjen e 13 të ekzekutuarve në fshatin Fravesh, ai ndalet në torturat e tmerrshme që janë ushtruar mbi një djalë rreth të tridhjetave nga Devolli, ku në tortura kishte marrë pjesë vetë Dushan Mugosha me duart e tij. Staravecka tregon se e ka ndjekur të gjithë skenën e torturave, i ulur në një gur aty pranë, ndërsa partizanët e tjerë me drunj në duar e kanë goditur viktimën deri në frymën e fundit. Në fund, edhe pse viktima e kishte dhënë frymën e fundit, Mugosha kishte qëlluar me armë mbi trupin e pajetë. Pasi ka treguar fundin e tmerrshëm të djaloshit 30-vjeçar, Staravecka rrëfen se viktima e radhës u kishte shpëtuar torturave çnjerëzore vetëm se Mugosha ishte lodhur dhe ishte i uritur. E meqë do të shkonte për të ngrënë, për viktimën e
radhës kishte dhënë urdhër ta vrisnin pa e torturuar”
(Citohet sipas: Admirina Peçi. “Staravecka: Torturat çnjerëzore të Mugoshës mbi djalin nga Devolli”. Faqja e internetit “Shqiptarja.com”. 04 gusht 2015).
Dhe Xhelal Staravecka, si dëshmitar i drejtpërdrejtë i krimeve të  kriminelit Dushan Mugosha kundër djemve nacionalistë shqiptarë, krime këto, të kryera në praninë e disa partizanëve shqiptarë, në traktin e tij lëshon thirrjen:
“E ju, o partizanë, hiqeni frikën nga terrori i Dushanit, derzertoni nga radhët e shëmtuara të tija dhe ejani në gjirin e Shqipërisë e të shqiptarëve, të qajmë hallet tona që na kanë rënë. Mos ki frikë, o popull, zëri këta partizanë që kam shënuar këtu, në mos mundsh të zësh Dushanin, thirrmë dhe mua që të kuptosh të vërtetën nëse ka ndonjë gjë të tëpërt nga këto që kam thënë këtu” (Po aty)
Moria e vrasjeve të pabesa brenda llojit që kreu Partia Komuniste, të cilat Enver Memishaj-Lepenica i ka përshkruar me mjaft hollësi, si edhe masakrat e kryera kundër nacionalistëve të Ballit Kombëtar, dëshmojnë katërcipërisht se praktika e sundimit komunist me diktaturë të hekurt
në vendin tonë gjatë një periudhe gati gjysmëshekullore, e cila kishte në themel luftën e klasave, mjetin më tragjik për përçarjen e popullit shqiptar, u projektua që gjatë viteve të luftës. Një praktikë e tillë nuk u mjaftua vetëm me shartimin në ndërgjegjen e njerëzve të miteve ideologjike. Që në ditët e para të ekzistencës së shtetit komunist, në jetën e përditshme të njerëzve hyri në përdorim fjala e tmerrshme
“terror”. Terrori i pamëshirshëm kundër përfaqësuesve të nacionalizmit shqiptar dhe njerëzve të deklasuar në të gjitha fushat e jetës politike dhe ideologjike, kundër intelektualëve
të njohur, të diplomuar në vendet perëndimore, viktimë e të cilit mund të bëhej kushdoqoftë, solli si pasojë një frikë të gjithmbarshme, e cila duhej të përjashtonte mundësinë e një kundërvënieje të hapur ndaj regjimit komunist. Kësisoj, dhuna e motivuar politikisht u bë mjeti themelor për
vënien në jetë të utopisë komuniste. Përndjekjet politike gjatë tërë kohës së ekzistencës së sundimit komunist, shtrihen në një epokë të tërë në jetën e vendit tonë, një epokë kjo plot vuajtje dhe tmerre, kur regjimi gjakatar i kriminelit Enver Hoxha nuk kurseu as fëmijë të vegjël që vdiqen nga uria
nëpër kampe përqendrimi. Ky kriminel me damkë arriti deri aty, saqë në Shqipëri të krijojë kultin e paprekshmërisë personale, çka solli si pasojë që ai të ishte i vetmi njeri me imunitet, ndërkohë që gjithë të tjerër rreth vetes i vlerësonte si materiale inerte.
Ky libër i radhës i autorit nga fusha e historisë i shërben lexuesit, sidomos brezit të ri, si udhërrëfyes për zbulimin e të vërtetave tragjike rreth terrorit komunist kundër nacionalistëve shqiptarë gjatë viteve të luftës. Në të njëjtën kohë, ai shërben edhe si kujtesë për të mos harruar të kaluarën.
Filozofi gjerman
Karl Jaspers (Karl Theodor Jaspers - 1883-1969), psikolog dhe psikiatër, njëri nga themeluesit kryesorë të ekzistencializmit, në librin e vet me titull “Kuptimi dhe destinacioni i historisë”(Vom Ursprung und Ziel der Geschichte),të botuar në vitin 1949,ka shkruar:
“Nuk duhet lejuar që tmerret e së kaluarës të lihen në harresë. E kaluara duhet sjellë në kujtesë orë e çast. Ajo ka pasë ekzistuar, rezultoi e mundshme dhe kjo mundësi është e pranishme. Vetëm dija është në gjendje ta shmangë atë. Rreziku në këtë mes qëndron në mungesën e dëshirës për t’u pajisur me dije, në pikësynimin për të harruar dhe në mungesën e besimit se e gjitha kjo ka ndodhur
me të vërtetë”.
Nga përmbajtja e këtij libri del një përfundim i vetvetishëm:

Së pari, në radhët e Partisë Komuniste, që gjatë viteve të luftës, Enver Hoxha hodhi themelet e çmontimit të personalitetit të njeriut, të servilizmit të  tij para të huajve dhe të tradhtisë kombëtare, duke i ngritur në sistem. Dëshmia më e pastër është qëndrimi neveritës i atyre partizanëve shqiptarë para armikut Dushan Mugosha, i cili torturonte një të ri nacionalist në praninë e tyre, si edhe qëndrimi i shëmtuar, i turpshëm, i drejtuesve të Partisë Komuniste dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare para Miladin Popoviçit, i cili tekstin e Marrëveshjes së Mukjes e hodhi në koshin e plehrave dhe Shqipërinë e shante nga nëna. Prandaj edhe në rastin e Dushan Mugoshës, edhe në rastin e Miladinit, nuk u gjend asnjë burrë shqiptar që t’ua kthente potkonjtë nga dielli që të dyve dhe të hynte në histori si hero i kombit. Por e keqja erdhi më pas: çmontimin e personalitetit të njeriut, servilizmin para të huajve dhe tradhtinë kombëtare Enver Hoxha ua përcolli brezave pasardhës, të cilët i morën si trashëgimi prej tij në periudhën e ndërrimit të sistemit dhe po i praktikojnë në vazhdimësi në marrëdhëniet me sllavizmin dhe me shtetin grek, duke i konkretizuar me këtë të fundit me ngritje varrezash, memorialesh dhe përmendoresh në nderim të ushtarëve agresorë grekë, me vendosjen në krye të kishës ortodokse fanoliane të një kryepeshkopi grek dhe me nënshtrimin tërësor të vendit tonë para politikës greke.
Së dyti, argati i Beogradit Enver Hoxha e filloi që gjatë luftës shfarosjen e shtresës së nacionalistëve shqiptarë dhe e intensifikoi shumë më tepër gjatë tërë kohës së sundimit të tij të egër mbidyzetvjeçar. Ky krim solli si pasojë që Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, si asnjë organi tjetër ligjvënës në botë, t’i mungojë sot krahu nacionalist.
Autori Enver Memisha-Lepenica meriton përgëzimet më të mira  për këtë libër të vëllimshëm, i cili, për morinë e ngjarjeve tragjike që përshkruhen në të, mund të vlerësohet pa drojë si një enciklopedi e terrorit komunist dhe si një vepër e nivelit akademik.

------  F u n d  ----





(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora