E premte, 19.04.2024, 10:58 PM (GMT+1)

Kulturë

Nexhat Halimi: Ndërmjet dy stacionesh

E shtune, 26.10.2019, 05:00 PM


Nexhat Halimi

ndërmjet dy stacionesh

tufë tufë shpërthen flakë e vjetër e etjes

vjen ik afërsi e largësisë e ngel veç lot

lart hark poshtë hark ujë e gjak pikon vetes

dita e daljes rrjedh nga robëria im zot

trupi i hijes e mbulon parvazin me vetmi

gjeli i dylltë parakalon ëndrrës së vjetër

prania e së dielës përkthehet në gjuhë tjetër

e njeriu me zgjedhë përhitet ende në hi

nis udhëtimin në vete e kurrë nuk shihet

është vetëm iluzion i fluturimit në mua

oh ti shfaqesh me shtambë për ujë në krua

shelgu somnambul afrohet uji ngrihet

në moçalishte e rikapin thëllëzën me dorë

ka vdekur apo nuk ka vdekur zoti fedorë

ndërmjet dy stacionesh II

vapë dritarja e hapur me pamje në lumë

unë e joUnë e herë unë me unë nën ombrellë

shkelim prej fillimit të njëjtin ujë të thellë

në këmishë pëlhure e prej abaje në kostum

njëmend kaq të vetëm jetojmë e ikim fedorë

e bregu na pret në majë me gur të vjetër aty

pimë ujë te kroi e vetes ia bëjmë me dorë

suta nga e kërcen ylberin e flutura bëhet hi

vigma e fajkoit s` ndalet mbi malet me borë

dega e varur mbi varr vetmie gjethon për ty

ti rrugës vjen tre mijë vjet me të njëjtën orë

unë radhis zemrën me zog demin e tërbuar

natyrisht dhe etjen e hirit e kujtimin e zgjuar

e në dumnicë fëmijët luajnë me yje përsëri

ndërmjet dy stacionesh III

fluturimi apo iluzioni i fluturimit në shuplakë

ndërsa shkon e vjen pjesë e jetës  në hi me etjen

ti në kryqëzim udhësh asnjëherë s`e gjen veten

e në kodër nën drurin e vjetër shpërthen flakë

e paramendon tryezën nën  degë të gjatë mbi hi

dy qiri bri verës gjak harxhohen e ndrisin vetmie

ti ulur në lindje unë ulur në perëndim vetëm hije

e libri i hapur flet për ty e mua e një dashuri

kryqëzuar thatë shpirtit thellë të çarës së zotit

e çakorri shikon hutueshëm mbetur nën shpatë

e më ikin dy vija dy vragë dy rrjedha të lotit

bëj llapë veç pak para vdekjes për jaki të mujit

për pjesët e këputura të trungut mbetur në natë

e gjithësia rrjedh kaq me hov të ashpër  ujit

ndërmjet dy stacionesh IV

lulja qan bri qiririt të ndezur në tryezë të vjetër

e largësisë vjen e pik mes zemrës vigma e fajkoit

vetëtima e shpatës bie ëndrrës e pik gjak thoit

unë e çel librin biografik e fshihem hijes tjetër

demi i tërbuar byrytet te rrënjë e kaltër në erë

ujë pi i përgjakur e zemra me zog i ik në gjithësi

unë me hijen shëtis fushës me lule narcisë aty

flutura e artë bredh beharit të mollës nën ylber

vetëm ti ndihesh kaq pa udhë  e kaq larg fedorë

kot pse unë ngjtem në kodër e ta bëj me dorë

e shikoj orën e xhepit asgjë nuk ka lëvizur në kohë

e kaq vjet kanë ikur dhe prapë e njëjtë çdo gjë

as ka ndërruar zemra as ka ndërruar asnjë trohë

dashuria për ty dhe për dumnicën kot asgjë

ndërmjet dy stacionesh V

ja kërcimi i drenushës nën dritën e trëndafilit

njeriu me zgjedhë nga kthehet prapë në dumnicë

cica e majtë pandërprerë i kullon gjak në toplicë

e varret e rrafshuara vetmisë në gjeth të tërfilit

malet rreth nën borë e fushat të tëra nën ngricë

peizazhet me pamje akulli prekin varre të reja

ti ec e mendon a më e vjetër është pula apo veja

e shpërthen lufta e papërfunduar në galicë

ma jep dorën fehmi pik gjak i xhevës për liri

tashmë më shfaqet amshimi i përhershëm për ty

a vuan nënë e dashur pse nuk vuan më

e më ndjek ndër mall rrjedhës së jasharit çdo gjë

e më zgjon hëna për frëngji gurit të rugovës

e vij grykës së kobures për zjarr të isë kosovës



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora