E marte, 19.03.2024, 06:55 AM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Lulzim Logu - Ethet e lutjes

E enjte, 24.10.2019, 08:35 PM


Edhe një libër me haik-u, “Ethet e lutjes”, i autorit Lulzim Logu

Analizë libri

Sejdi BERISHA:

PESHA E HAIK-ut, THESAR I FILOZOFISË SË MENDJES DHE VLERË E PATJETËRSUESHME LETRARE

(Lulzim Logu: “Ethet e lutjes”, haik-u, botoi: Akademski peçat, Shkup – 2019)

Poezia i ngjanë rrugës të cilën shumë gjëra e rëndojnë, e lëndojnë, e lumturojnë, e bëjnë shenjtëri, dhe pas vetes lënë atë zërin e përjetësisë, i cili, nganjëherë është si ylberi me ato ngjyrat e veta përrallore, por edhe shpesh janë si drita e rrufesë, e cila përfton dhe ikën e nuk e di saktë mbi kë shkrepi, apo ku e zbrazi tërë atë zjarr, e që menjëherë vjen shiu dhe shpejt e shpejt e shuan. Për të gjitha këto, në vargëzim, krijuesi është i kujdesshëm që ndijimin shpirtëror ta shtrojë duke e shndërruar vargun në dritë e llambë shprese, cila ndritë kudo. Andaj, këndimi poetik është vetë jeta, vetë historia që shtrohet e shpjegohet në mënyra e forma të ndryshme. Ai prekë atë thelbin e ndijimit shpirtëror, labirintin e jetës e bën aritmetikë, brenda të cilës zhvillohen veprime për ta gjetur derën dhe rrugën e së mirës. Të gjitha këto, ku më shumë e ku më pak, i hasim në krijimtarinë e Lulzim Logut, i cili deri me tash, lexuesit dhe opinionit të gjerë ia ka dhuruar shumë vepra të zhanreve të ndryshme.

Krijimtaria e tij, nuk është vetëm sa për ta kënaqur vetveten. Ai vargun e vetë e bën themel jete, duke pasqyruar dhe duke i vënë në spikamë të gjitha veçoritë nëpër periudhat kohore e historike, të cilat, krejt e natyrshme, herë i ngjajnë kopshtit me lule, e shpesh edhe dhembjeve e mallit që përlajnë njeriun apo që edhe njeriu të gjitha këto ia shkakton vetvetes por edhe më gjerë. Kësaj radhe, Lulzim Logu, opinionit i prezantohet me poezitë trevargëshe-haik-un, në librin, “Ethet e lutjes”.

Fuqia e vargut i cili shndërrohet në lumturi dhe në dritë shprese...

Nëse i referohemi titullit me ngarkesën e njerëzores dhe të mendimit filozofik, atëherë, para nesh kemi një gamë formulash dhe të larushive të jetës, të cilat, domosdoshëm duhet analizuar kujdesshëm, dhe gjithsesi edhe më përgjegjshëm, në mënyrë që vargjeve t’ua shprushim metaforën por edhe peshën e mesazhit. Dikush do të thoshte se është lehtë të shkruash poezi me tri vargje(haik-un), por nuk qëndron një mendim i tillë. Nëse haik-u do të konsiderohej i tillë, atëherë vargut, poezisë por edhe mendimit të thellë filozofik të jetës, e gjithsesi edhe autorit, përgjithmonë do t’i hynim në hak. Kjo ngase, për t’u përballur me haik-un, do të thotë të hymë brendapërbrenda të gjitha rrjedhave dhe poreve të jetës, gjithnjë, duke e konsideruar mendjen, ndërgjegjen dhe mesazhin, që tek kjo formë e vargëzimit të gjitha këto elemente janë shumë delikatë, kuptohet, duke bartur në vete edhe përgjegjësinë e krijuesit dhe të vetë lexuesit.

Haik-u, në të vërtetë, nëse kuptohet e studiohet mirë, atëherë, ai i ngjanë kështjellës, përbrenda së cilës janë të shtresuara e të palosura periudha e ngjarje historie dhe të jetës më të saktë, por edhe më kontraverze, e që mund të jetë e shpjeguar edhe jashtë mureve të saj. Pra, haik-u e ka dhe duhet të ketë këtë peshë e përgjegjësi, ashtu siç duhet ta ketë edhe lexuesi dhe opinioni i gjerë, për të kërkuar dhe ngritur drejtë e shëndetshëm në piedestal mesazhin, ku metafora ka rol më qenësor si çdo kund tjetër. Kjo, ngase, ndoshta përbrenda tre vargjeve, autori sjellë një roman të tërë historie, por në formë tjetër nga romani apo proza e shkruar.

Është kështu, sepse, kur mendimi filozofik përmblidhet në tre vargje, aty hasim atë tharmin e thelbin, të cilët, nëse i zbërthejmë, aty ka vend për t’u trishtuar, për të qarë, për të kënduar, për t’u përmalluar. Ndërsa, dhembja dhe lumturia, brenda haik-ut ngelin si gjerdan jete që rregullojnë çdo gjë, që ngritin tension por edhe urtësojnë gjithçka! Të gjitha këto begati i hasim tek libri i Lulzim Logut, “Ethet e lutjes” në 282 haik-u.

Pra, filozofia e jetës mbyllet aty, në tre vargje, ku çdo gjë merr formën e kureshtjes se çfarë ka brenda, çfarë na sjellë ai rreth vicioz, që ndonjëherë, lexuesin e rëndomtë mund ta mashtrojë apo ta sjellë në lajthim, kurse lexuesit të pasionuar mund t’i “nxjerrë” telashe për ta kuptuar dhe perceptuar drejt e mirë porosinë aq të dendur e të begatuar me mendimin e thellë, i cili, thuaj se menjëherë bëhet pronë e patjetërsueshme e lexuesit, sepse: “Loti s’mumërohet/Kur rrenkehet/Prej zemre...”!

Tek haik-u, prej shumë të mirave, është edhe një e mirë tjetër, sepse, aty prekën shumë gjëra nga më të ndryshmet, kështu që kjo begati e kënaq  secilin lexues të çfarëdo niveli qoftë apo të çfarëdo pasioni. Ja, një prej tyre, që ndoshta provokon edhe çdo qelizë trupi, çdo ndjenjë me të cilat njeriu përqafohet: “Foto të vjetra/Riga shiu mbi to/Gri kujtimi...”.

Është thjeshtë ky një provokim shpirti, i cili sikur i këput hallkat e arsyes dhe ikën në thellësitë e ëndrrave dhe të ditarit të jetës mbase edhe të historisë! Ose, forma tjetër e rebelimit krijues haik-ian e autorit: “Ik o shi/Koha tash për lule/Mbi vjetërsira...”!

Nëse i analizojmë mirë vargëzimet, atëherë në secilin haik-u sikur e ndjejmë dhe e përjetojmë nga një histori, dhe kështu, secila fjalë është kronikë, apo edhe pikturë e madhështisë së jetës. Nëse kështu ia arrijmë t’i kuptojmë thellësinë e tre-vargshëve, atëherë, përjetimi por edhe analizimi ynë do të vërtetojë dhe dëshmojë madhështinë e kësaj forme të poezisë. Them kështu, ngase nuk është lehtë ta përmbledhësh një “sermie” të tërë mendimesh me mesazhe edhe subtile edhe provokuese por edhe shumë të qëlluara, ngase: “Vendi i dashnisë/Një shpellë e vjetër/E zinte diellin tonë...”.

“Tensionimi” vargëzues i cili provokon mendimet për jetën por edhe për historinë, i ngjanë kujtimeve të pashlyeshme për dhembjen dhe krenarinë e atdheut. Në këtë segment, padyshim se qojnë peshë edhe këta tre vargje thuaja si dritë stralli: “Bujana/Si lumë/Ndarë në dy sy...”!

Është kjo, pra, ajo pesha e zjarrtë që qëndron prapa, apo brenda “formulës” së haik-ut, për të cilën gjë, kohën mund ta qortojmë me ditë të tëra në vepra po ashtu të tëra e fondamentale. Ndërkaq, në shumë haik-u, hasim edhe gjëra që prekin që prekin edhe temat, të cilat autori dot nuk i lë anash, siç është dashuria, por e cila, matet dhe përjetohet në shumë rrafshe, ndonjëherë edhe pa ditur se ku do zë vend ajo, por që kështu vargu është më i ngrohtë dhe shumë më i fuqishëm: “Gjinjtë e kërcyer/Shqyejnë pëlhurën/Pisket liria...”!Mesazhi poetik si amanet i veçantë, i cili i tremb edhe kohërat...

Ndërsa, natyra, bukuritë e stinëve, ato të tokës arbërore, vargun e bëjnë histori me faqe të veçanta, të cilat, gjithashtu fuqishëm rrëfejnë, çdo gjë e shndërrojnë në lumturi e krenari, por njëherësh, edhe për gjithçka sikur edhe qortojnë. Ndërsa, diçka që nuk arrihet dot, e lë diku varë në mur, në shkrepa, në lisa e lëndina, mbase edhe mbi varre, si amanet të veçantë e të përjetshëm, i cili padyshim se i tremb kohërat dhe njeriun, që, padyshim janë të stolisura me krenarinë por edhe më shumë pasqyra të dhembshme të periudhave kohore dhe historike: “Hija e babës/Frymon mureve/Të shtëpisë...”, ose, : “Në vallen e shiut/Prek lotët/E së djeshmes...”!

Përditshmëria, natyra, lisi, shkëmbi, flutura, zogu, gjethet, gështenja etj., të gjithat autori i shndërron në kopsht me bukuri të rralla, dhe se vargjet në këtë rast u ngjajnë rrapëllimave jetësore dhe shfletimit të librit me kujtime jete, të cilat vargje, shpesh u ngjajnë koloritit të jetës, edhe dritës e cila përqafohet me rrezet të cilat u jap forma të ndryshme, të cilat, njeriu, si në fëmijëri, si në rini, por edhe si në moshë, lakmon  t’i “kapë”, t’i shijojë dhe t’i shndërrojë në rrëfim dashurie, gjithnjë, pa e zvetënuar mesazhin dhe metaforën e haik-ut: “Nëna ime/Vallëzon/N’peshojën e jetës”, ose: “Në vallen e shiut/Prek lotët/E së djeshmes...”!

Pra, vargëzimi i tillë nuk do shumë koment, bile as mund për t’u shndërruar në pelegrinazh të veçantë edhe të autorit, i cili nuk harron për të na provokuar me mesazhin, i cili shfletohet dhe mund të komentohet si pjesë edhe e historisë, por edhe si pjesë e dhembjes dhe e tronditjeve, që njeriu i përjeton gjatë jetës: “Trishtimi grryen/Si tëja derën/E pakthimit...”.

Te “Ethet e lutjes”, autori, e lartëson madhështinë e natyrës, e cila në vargëzimin e përgjithshëm në këtë libër, i ngjanë një globi të madh të stolisur me pikturat e jetës, në të cilat mirë i kompozon dhe sikur u jep shpirt, si idilikes, lumturisë, trishtimit, mallit, pastaj edhe cicërimës së zogjve dhe të bilbilave, shkrepave mbi të cilët fluturojnë shqiponjat, e poshtë shpatijeve reshin dredhëzat e boronicat... Që të gjitha këto vargëzime, duken të thjeshta, por, nuk janë të kënduara pa shkas, sepse, ato bashkë, përbëjnë atë madhështinë e vendit mbase edhe të vendlindjes së autorit, gjëra këto që ndoshta pak kush i përjeton ndjeshëm dhe arsyeshëm si autori: “Mjedrat e thara/Mbi buzët e tua/Ngrirë buzëkuqi...”, ose: “Mbi Jezercë/Feneri i hënës/Xixëllonja e fundit”; “Larat e borës/Lotët e patharë/Të bjeshkës...”!Secili haik-u kronikë në vete, apo edhe pikturë madhështore e kohërave

Por, nga e tërë kjo, duke përjetësuar të kaluarën dhe jo vetëm atë, dhe duke i vënë dritë të së ardhmes, autori, shpeshherë nuk na lë për të harruar, se rrugëtimi i ngjanë trakullimave, ose fenomenit të përplasjes i cili dot nuk shpjegohet. Prandaj, ai. sikur diçka me kuptimin gjithnjë të njerëzores dhe të vetëdijesimit, na e sjellë ndërmend, se: “Në lavjerrësin e orës/Kujtimet e stinëve/Dridhen...”. Ky haik, në vete sjellë një provokim shpirtëror shumëdimensional, sepse, në mes tjerash, në gjirin e atdheut dhe të kombit ka pasur por edhe tani ka shumë probleme, të cilat, padyshim se lëndojnë qenien dhe mëvetësinë e njeriut, lëndojnë shpirtin, gjëra që me shekuj na mundojnë e rëndojnë si një prej ligatinave më të kamotshme dhe sëmundje e pashëruar: “Loti i lypsarit/Këtë natë acari/Ma kthyen zemërimin...”!

“Ethet e lutjes”, nuk janë të thjeshta. Bile, janë të ndërlikuara dhe godasin rëndë, sepse, jeta e njeriut, nuk ishte dhe as tash nuk është e lehtë. Dhe, nganjëherë na bëhet se nuk ka histori që e përthekon rrugën e rëndë dhe plot tragjedi e shtypje të popullit tonë! Pra, e dhembshme është kjo, e cila kumbon krejt afër veshit e zemrës, dhe atë në shumë forma e tingëllima: “Ati im/Vuaj mungesën tënde/Si ajrin e rralluar...”. Kjo formulë rrugëtimi nëpër faqe të trishta  të shekujve, shkrihet fuqishëm në haik-u: “Dje të dashur/Sot udhëtarë/Mbi binarë të thyer...”! Ç’është kjo “mbi binarë të thyer”?! Këtë mund të analizojë dhe ta zbërthejë secili, dhe ta vërejë se sa i dhembshëm, sa krenar është ky “detyrim” jetësor! Kjo i japë “myhyr” e vulë ecjeve nëpër shekuj, por me dritë kurrë të pashuar: “Fletorja e fëminisë/Zverdhur fletësh/Prag dimri...”!

Autori, përmes vargut kalon nëpër të gjitha katrahurat e mundshme, të cilave, padyshim se u jep kuptim qëndrese, por edhe kuptim qortimi. Andaj, në vargëzimin te “Ethet e lutjes, e hasim atë almanakun brenda të cilit qëndron fati dhe lumturia, qëndresa dhe vuajtjet të mbështjella me këngën e shpresë. Dhe në këtë libër, më pak vëmendje, janë gjëra që mund t’i hasim si libra të shkruar, e ndonjëherë shumë pak të hapura. E kur i analizojmë gjërat e tilla, sikur vetë e lejojmë pluhurin e shekujve të na bie syve. Por, nuk mund të mos thuhet se edhe ky “fenomen” sikur na kthjellon shikimin dhe mendjen, se jeta është vetë ai strumbullari rreth të cilit asgjë nuk mbetet pa u hetuar, e ndoshta edhe për t’u kthyer mbrapa e për të ecur atyre rrugëve me gjemba, me baltë, por edhe me lule, të cilat, jo rrallë i dëmton dhe i asgjëson vetë njeriu!

Prandaj, në forma të ndryshme, autori, pothuaj se në secilin fjalë, në secilin varg, jetën e kthen në një lloj analize, në mos harresë, por gjithsesi edhe në qortim të pashmangshëm, duke i ndezur dritat e rrugëdaljes dhe të lumturisë, e cila, shumë herë i ngjanë vetëm etjes, vetëm ëndrrës së paarritshme: “Ai nuk ka shtëpi/Por një kasolle të vjetër/Ku pikon dashuria...”.

Pra, nëse e puthitim mendjen me kohën dhe me trakullimat e saj, shpesh na bëhet se të gjitha këto konstatime janë të nevojshme dhe të domosdoshme për ditarin e njeriut, atëherë, në “Ethet e lutjes” të Lulzim Logut, del se pesha e haik-ut është thesar i veçantë i filozofisë së mendjes, që formën e këtillë të vargëzimit e bënë të rëndësisë thelbësore, ku ndijimi shpirtëror e ka edhe folenë e gjërave që kuptohen ndryshe, por qëndrueshëm. Dhe, si të tilla, duhet të radhiten diku lartë në vlerat krijuese letrare, edhe pse, haik-u tek ne, ende nuk e ka gjetur vendin meritor, por sikur i ngjanë një shpendi i cili duke fluturuar në gjithësi, gjithnjë shpërndanë shikimin për ta pikatur dikur çerdhen e përhershme në vlerat krijuese dhe kulturore e letrare shqiptare.

Pikërisht për këtë arsye, kësaj radhe, autori, me haik-un e vetë thua se na imponon, apo edhe na përgjërohet, që vargëzimin e tillë ta përqafojmë mirë, drejtë e sinqerisht, sepse, është e vërtet se kënga e gjatë tregon e përshkruan histori, dashuri, apo edhe mall e dhembje. Por, ama, kënga e shkurtër ngrit në piedestal përjetimin dhe ndijimin shpirtëror, dhe tërë atë interesim na sjellë vetëm e vetëm për të mësuar gjithçka dhe deri në fund. Këndimi i shkurtër, e lë atë “thumbimin” e kureshtjes, se në jetë gjithmonë kemi nevojë ta lëmë mendjen kujdestare edhe për të kaluarën, por, edhe për zbërthimin e formulave të pashkruara jetësore, të cilat, shpesh e shumë herë, ndër shekuj kanë ngelur “enigmë” por e paharruar dhe e domosdoshme për t’i zbardhur gjërat, sepse, siç vargëzon autori: “Në varrin e babës gjej/Të njëjtin zog/Që nuk bëzan...”! Andaj, edhe kjo është një prej formulave jetike, e cila kërkon zbërthim e zbardhje të drejtë dhe adekuate, por, gjithnjë pa zjarrmi të tepruar!

Sepse, përveç kësaj, edhe shumë gjëra të tjera jetën e bëjnë si “thes” të lypësit, nëse kemi të drejtë të themi kështu, ku brenda ka gjithçka të mirë e shumë bereqete, ka gjëra të dashura, të hidhura, të çartura e të mykura, të cilat, pastaj vështirë ndahen nga njëra-tjetra, por kështu, si në pikturë, i lënë gjurmët e njeriut, i cili, zorshëm apo edhe me dëshirë e përqafon dhe shumë e çmon tërë rrugëtimin e vetë. Por, kuptohet. Nganjëherë gjithçka dhemb, si: “Kurbeti si vjeshtë/Varur në murin e jetës/Ngujuar shqip...”! Por, përkundër këndimit të tillë dhe shëtitjes nëpër hartën e shpirtit, autori, asnjëherë nuk kënaqet me vargun e vetë. Dëshiron që edhe tutje të thotë shumëçka e gjithçka, sepse, etja është shoqërues i përhershëm i njeriut. Duke qenë kështu, ai, me metaforën dhe me mesazhin e shumëfishtë dhe të fuqishëm, thotë: “Prekmë/Ta zgjoj jetën/Sërisht...”! Prandaj, kujtoj se ky vargëzim le të jetë si porosi me kuptim shumëdimensional i librit “Ethet e lutjes”, të Lulzim Logurt.

E kam theksuar diku në një nga librat e mi këtë mendim: “Libri të mëson të hapësh faqen tjetër dhe kështu pastaj të bëhesh skllav i së mirës! Autorit, Lulzim Logu, i cili deri me tash ka botuar dymbëdhjetë libra, që aktualisht është edhe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve-Tropojë, i uroj edhe shumë suksese të tjera.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora