E premte, 29.03.2024, 05:32 AM (GMT)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Femrat shqiptare s’i theu emigrimi, qëndruan stoike, s’pranuan nëpërkëmbjen, mohimin, hynë me dinjitet në shoqërinë e kohës

E merkure, 23.10.2019, 07:35 PM


Femrat shqiptare s’i theu emigrimi, qëndruan stoike, s’pranuan nëpërkëmbjen, mohimin, hynë me dinjitet në shoqërinë e kohës

Mendime dhe mbresa nga libri: ‘EMIGRANTJA’ E shkrimtarit ElVI SIDHERI

Nga Kristaq Turtulli

‘Emigrantja’ është libri i dytë  i shkrimtarit të ri dhe të talentuar Elvi Sidheri. Edhe pse relativisht i ri në moshë autori me kujdes dhe zhdërvjelltësi hap e shkel me besim një shteg të ri, të tij, të cilin e njeh mirë, di të lëvizë, të shprehet hapur duke bërë të veten atë që ka parë, studiuar,  përjetuar, por njëherësh është dhe transmetues i përjetimeve nëpërmjet krijimeve duke vënë në qendër të bukurën, delikaten, të dëlirën, të madhërishmen: Femrën, Gruan, Nënën, së mirëfilli. Autori është njohës i mirë i botës shpirtërore të femrës dhe shpalos para lexuesit një jetë të tërë, me vështirësitë e mëdha, siç është jeta në të vërtetë, por njëherësh në të ka plot ngjyra, muzikalitet dhe kolor. Siç është vetë femra, gruaja, nëna shqiptare.

Si libri i parë: ‘Dy botë’ dhe libri i dytë:’ Emigrantja’, në të dy librat, në qendër është femra dhe përshkohet si një fill i artë; gruaja, femra shqiptare, e gjendur në mërgim, në rrugët më të vështira të jetës. Lufta e saj e pandërprerë për dinjitet, drejtësi dhe dashuri, për të cilën ka nevojë njeriu e, aq më shumë brishtësia që ka emrin femër. Por kjo brishtësi do të shkërmoqet shpejt, do bëhet letër e pavlerë, nëse nuk përshtatet, futet dhe kalitet në kudhrën e jetës, kthehet në forcë për rimëkëmbje dinjitet, dashuri të vërtetë, të cilën femra e quan të shenjtë e dhe ruan si gur të çmuar në gji.

Në librin: ‘Dy botë’, autori e hedh heroinën e tij në perëndim, e cila përballet me vështirësitë e jetës. Livia, vajzë e hijshme, e sinqertë, e mençur, me ambicie të mirë dhe njohëse e mirë e disa gjuhëve të huaja. Një portet i vajzës shqiptare i shekullit njëzet e një, që lufton me vendosmëri, përplaset në situata tejet të vështira, triumfon me dinjitet. Autori ka një pikësynim, i qëndron besnik ngjarjes në të cilën na tregon dhe heroinës. E shoqëron deri në fund dhe, kur mbyll faqet e fundit të librit, kjo vajzë me vlera të spikatura dhe personalitet, që lartësohet faqe pas faqe dhe kapitull mbas kapitull, të ngelet në mendje. Autori e le heroinën e tij të lëvizë lirshëm dhe lexuesi mëson nëpërmjet optikës së heroinës, njerëzit, karakteret, që në një mënyrë ose në tjetrën janë pjesë e jetës së heroinës, mënyra e jetesës në ato vende, tradita, doket dhe zakonet.

Edhe në romanin:’ Emigrantja’ në qendër është femra, Mariana. Autori në këtë libër hap përpara lexuesit një kapitull të ri, ndodhi dhe ngjarje freskëta e të reja. Ai e hedh heroinë e tij në lindje, në Greqi, Turqi e gjetkë. Hap një kapitull të ri dhe të freskët. Ne shpesh jemi mësuar të shohim në disa libra gjithçka që ndodh në mërgim është bardh e zi. Nëpërkëmbjen dhe humbjen për faj të vendasve apo për faj tonin. Në librin e  Elvit Sidherit krahas vuajtjeve dhe përpjekjeve për ekzistencë, ne shohim mirësi dhe solidaritet të mrekullueshëm sepse siç ka njerëz të ligj, të pangopur, duke filluar që nga rrethi familjar, kudo që ndodhemi, ka dhe njërës të mirë, solidaritet, që e japin freski dhe ëmbëlsi veprës. Mbasi edhe vetë autori nëpërmjet personazheve të tij kryesorë ka në shpirt ndjenjën e vlerës së mirësisë dhe së bukurës.

Autori nëpërmjet shtegtimit të Marjanës, gruas me karakter, tipit shqiptar që, nuk do të nëpërkëmbet dhe me të bijën e saj Artën afron për lexuesin histori dhe shumë ngjarje, personazhe të panumërt, karaktere të spikatur, që të ngelen në mendje edhe pasi e përfundon librin.

Mariana, femra, gruaja shqiptare, me plot ëndrra për një jetë të qetë, larg brengave dhe halleve, por gjithsesi si të gjithë të tjerët, një emigrante që me rënien e regjimit monist vendos të lerë familjarisht Shqipërinë dhe të ndërmarrë provën e vështirë të emigrimit në Greqi. Ashtu si qindra-mijëra shqiptarë të tjerë, që ikën nga sytë këmbët nëpër klone dhe male për një jetë më të mirë, të joshur nga e panjohura, por dhe nga e mohuara, e pathëna dhe e panjohura në dhjetëra vite.

Dhe kjo grua, Mariana, personash vërtet interesant i ndërtuar me dashuri dhe, me vështrim objektiv nga autori mori rrugën e emigracionit. Gjatë shtjellimit të ngjarjes të lë përshtypje e ndjek hap pas hapi nuk të lodh përkundrazi të detyron të jesh me të dhe, të jep një pasqyrë të vërtetë për çka ndodh në emigracion, në të mirë e në të keq. Pra kjo grua, nënë, intelektuale, është një karakter dhe shpalosje në formim e sipër. Edhe mendje shkrepja e saj në ikje e ka një motiv, një shkak që për të tjerët për momentin keqinterpretohet. E pra kjo femër me karakter në dukje kryeneç, por në fakt është e imponuar nga kushtet në të cilën e detyroj jeta, fill pas vdekjes së Pirros, burrit të saj, njeriut më të dashur. I morën gjithçka, i kthyen përmbys, e lanë mes katër rrugëve. E indinjuar, e vrarë shpirtërisht prej humbjes së burrit dhe keqdashësisë, shpërtheu me mënyrës e saj të protestës.

Autori qëllimisht, me këtë vdekje të parakohshme dhe të dhimbshme, e vuri në provë heroinën, për shtjellim të mëtejshëm të ngjarjes dhe shpalosjes së karakterit të heroinës dhe vetë ngjarjeve që do pasonin; në rrjetin familjar të burrit, familjes së saj dhe mjedisit shoqëror. Njëherësh i dha më intensitet dhe vazhdimësi ngjarjeve që do pasonin në libër. Njëherësh lexuesi njeh një sërë karakteresh, të vizatuar me kujdes nga autori, me të cilët Mariana u përball me një vazhdë peripecish të pandalshme, ku aspektet tragjike, frymëzuese, kalitëse, vdekjeprurëse, kryeneçe, qëndrestare, dhe do të shpalosen përpara lexuesit tiparet e saj identifikuese.

Karakteri i Marianës i kësaj gruaje shqiptare, që ne e kemi hasur dhe e hasim çdo ditë dhe shpesh ndjejmë hapi si nuk kemi mundur ta kuptojmë. E pra kjo Marianë që pastron baltërat e rrugës së Stambollit njëherësh ka bukuri verbuese kur vjen Fisniku i mirë plot fisnikëri siç e ka emrin ta takojë. Kjo heroinë e gjendur në mërgim mes vrundullit të jetës dhe me shpirt artisti është tokësore e besueshme, do të bashkëjetojë dhe do të shoqërohet në këtë rrugëtim të gjatë.

nga një sërë personazhesh të tjerë, të trajtuar secili me kujdesin dhe përpikërinë letrare të rastit,  Mariana, kjo grua me karakter të paepur, me shpirt të dëlirë, u përball me kushte të vështira rraskapitëse dhe botëkuptimit të vjetër, të cilët shpesh u munduan ta fyenin, ta nëpërkëmbnin, qoftë dhe njerëzit e afërt, përsëri nuk u përkul ndaj vështirësive të jetës, në një mënyrë ose në tjetrën Mariana përfaqëson gruan, femrën shqiptare e cila së bashku me familjen e saj mori rrugën e largët plot rreziqe prej mëmëdheut, kujtime të fëmijërisë, si shumë e shumë ikanakë, për një shpresë të bardhë dhe jetë më të mirë. Rrahu emigrimin pavarësisht e rrezikuar nga të tatëpjetat e thepa të befta dhe në momentet më të vështira, ua përplasi në fytyrë keqdashësve, ruajti nderin dhe dinjitetin.

Autori e shpie lexuesin në skutat më të errëta të emigrimit, ku gëlon mizejra dhe keqdashja, midis rrethit familjar dhe shoqëror dhe nga ata që gjendeshin më parë në vendet e emigracionit për shkaqe ekonomike dhe shoqërore. Por krahas këtij llumpeni ku janë ndeshur dhe shpërdoruar shumë emigrantë fatkeq, lartësohet mirësia dhe solidariteti e njerëzve të thjeshtë.

Ashtu siç ka shumë yje të ngrohtë që ndriçojnë, gjithkund ka njërës të mirë që të ndodhen krah në momente të vështira pa dallim kombi, race dhe nacionaliteti. Përgjatë shtegtimit të gjatë të heroinës, sa në Turqi, Selanik Korfuz dhe gjetkë, ajo do të takohet, përballet dhe mirëkuptohet me sinqeritet dhe mirësi me plot emigrantë historikë shqiptarë, breza emigrantësh mesjetarë  e shqiptarë autoktonë, të cilët janë dëshmi e gjallë e së kaluarës dhe të tashmes. Vlen për tu theksuar këtu se, në libër sheh gra e burra grekë zemërbardhë dhe gra e burra turq dashamirës, të cilët iu bënë krah heroinës sonë dhe familjes së saj kur kish shumë nevojë. Është një mesazh e vetë autorit i solidaritetit të njerëzve të thjeshtë kudo që ndodhen.

Romani ‘Emigrantja’ është një libër vërtet i interesant, nga mënyra si autori shtjellon ngjarjet dhe skalitjen e personazheve. Romani lexohet me kënaqësi, autori na përcjell mesazh të rëndësishëm, përpjekja stoike për të jetuar me ndershmëri qoftë dhe në kushte tejet të vështira. Jepet me tone të forta karakteri i paepur i gruas me fëmijë të vogël pas vetes. Nëpërmjet Marianës autori do të na tregojë se shumë gra dhe vajza shqiptare plot talent, bukuri dhe hijeshi siç janë në realitet femrat shqiptare e që emigruan me peng në zemër larg atdheut, nuk u thyen, nuk pranuan  për një krodhe buke nëpërkëmbjen dhe mohimin. Ato u ngritën me dinjitet qoftë dhe në kushtet më të vështira të jetesës, u përshtatën me jetën dhe u bënë shembull dhe respekt për të tjerët.

Si në librin; ‘Dy botë,’ edhe në librin: Emigrantja’, autori ka një pikësynim, i qëndron besnik ngjarjeve në të cilën tregon. E shoqëron heroinën hap pas hapi, e vë në situata prove,  deri në fund dhe, kur mbyll faqet e fundit të librit, Mariana, kjo grua e talentuar që diti të përshtatet, me vlera të spikatura dhe personalitet, që lartësohet faqe pas faqe dhe kapitull mbas kapitull, së bashku me vajzat e saj të zgjuara, të ngelet në mendje.

Nëpërmjet faqeve të librit lexuesi njihet më nga afër me gadishullin e Ballkanit, vendet, mjediset, qytetet, bukurinë dhe veçantinë e këtij gadishulli. Siç e thashë në fillim autori shkel në një truall që e njeh mirë dhe na jep plot kolor dhe muzikalitet këto mjedise, kombe, gjuhë, doke, zakone, të cilat janë aq afër me ne.

Kur lexova librin e parë:’ Dy botë’, provova një befasi e këndshme për faktin e moshës relativisht të re të autorit. Por kur mu dha mundësia dhe lexova librin e dytë: ‘Emigrantja’ ishte më shumë se një kënaqësi, por një shkrimtar që di të lëvizë në hapësirë e në kohë, me ngjarjet, personazhet dhe të krijojë karaktere bindëse. Mbasi arti dhe letërsia e mirëfilltë që ngelet përbehet nga karaktere të skalitur me art. Ku s’ka karaktere nuk ka letërsi së mirëfilli.

Libri ‘Emigrantja’, rrjedh dhe gurgullon duke na paraqitur një mori ngjarjesh, personazhesh, me vlerat, karakteret, me të mirat, veçoritë dhe të metat e tyre.

Shkrimtari Elvi Sidheri,  është një zë i freskët në romanistikën shqiptare. I uroj suksese të mëtejshme autorit në fushën e bukur dhe të vështirë të letërsisë bashkëkohore.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora