E marte, 23.04.2024, 03:36 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Sami Repishti: Nën hijen e Rozafës (IX-X)

E diele, 05.10.2008, 03:58 PM


SAMI REPISHTI
Nën hijen e Rozafës
Narrativë e jetueme

IX-X

Me kapitullimin e Italisë, vendi u pushtue nga Gjermania naziste. Armiku i ri ishte ma i egër e ma i organizuem. Manipulimet politike të “kryeqytetit” vazhduen, por mbetën të kufizueme brenda kuadrit të disa klikave politikanësh, të “vjetrueme”. Lufta kundër pushtuesit të ri pësoi luhatje të përkohshme. Por, dami i madh u shkaktue nga qëndrimi “neutral” i forcave “të djathta”, e mosaktiviteti i tyne. Të tjerë, të gatshëm me shërbye “qeverinë”, morën rrugën e bashkëpunimit. Për meritën e tyne, “komunistët“ dhe përkrahësit e tyne, mbetën përfaqësues të rezistencës aktive kundër gjermanëve. Këto zhvillime të padëshirueshme, siguruen nji qetësi të përkohshme në vend, por u paguen me nji çmim të randë ma vonë. Politika ndërkombëtare, ajo ku vendi jonë kishte vendosë shpresat për të ardhmen, diktonte nji luftë pa kompromis kundër nazistëve. Europa po digjej flakë nën kambët e tyne. Teza se, “duhet ruajtë vendi“ nga lufta e shkatërrimi, quhej disfatiste e kolaboracioniste. Ishte koha për sakrificën supreme, jo të nji grupi, por të nji populli mbarë. “Komunistët” e shfrytëzuen këtë situatë edhe ma shumë, mbas ardhjes në vendin tonë të emisarëve jugosllave, e fillimit të ndihmave aleate nga komanda aleate e Mesdheut. Në këtë moment vendimtar ata fituen përkrahjen e diplomacisë aleate. Fërkimet e kontradiktat politike në vend, dhe vendosmënia e “komunistëve” me marrë pushtetin absolut me forcë, e me kontrollue atë pa rezerva, krijuen konditat e nji luftë civile, - e nxitun edhe prej nazistëve – që shkretoi gjysmën e Shqipnisë. Ndamja mori ngjyra krahinore e, përleshjet e vazhdueshme, dukej qartë se ishin nji prelud kobzi për të ardhmen e vendit, mbas largimit të okupatorit. Gjeta veten në nji pozitë shumë të vështirë, morale e politike. Nuk kisha dyshim se, vendi im ishte në rradhët e luftarëve të lirisë, atje ku kisha shumë “shokë” të mi. Po isha i bindun njekohësisht se, rruga e “shokëve” të mi, ishte thellësisht e gabueme, se kishte tonë antikombëtare, për të cilat unë isha shumë i ndjeshëm, dhe se koncepti i tyne për të ardhmen e shoqnisë shqiptare, ishte shumë “teorik”, i mjegullt e i mbështetun në nji frymë urrejtje për të gjithë e për gjithçka që nuk pranonte pa rezerva, pikëpamjet e tyne. Komunistët kishin nji ngjashmëni të përbashkët në nji pikë, kishin nji tipar të përbashkët në qëndrimin e tyne, ishin të gjithë të mbruem në frymën e urrejtjes që, si tharmi i bukës, i jepte shije gjithë aksionit, mendimit, e fjalës së tyne. Kjo dilemë, për mue e pazgjidhshme, më hodhi në nji mbyllje në vetvete, në heshtje, pasivitet, e vetizolim. Ditët që kalojshin baheshin edhe ma të vështira, nga gjendja ekonomike e familjes që më mundonte pa fund. Disa herë rrezikova jetën me udhëtime tregtimi mallnash, për tregtarë që nuk largoheshin nga qyteti, prej friket. Por duhej bukë në shtëpi, e këtu kisha gjetë një mjet. * Pranë shtëpisë, jetonte nji grue e veje e nanë e tre fëmijve. Ishte ende e re, e bukur, shumë e vorfën e pa asnji ndihmë. Megjithë qëndrimin e saj stoik, vorfnia e skajshme e detyronte me kërkue lëmoshë në dyert e dyqaneve të qytetit. Pa kalue shume kohë, ajo u ba objekt shpifjesh ma të ulëta, nga ata që e “deshirojshin” pa sukses. Ishte trupi i saj që kërkojshin e që nuk e fitojshin. Ishte poshtnimi i fundit që “ofrojshin”! Nji ditë, kuptova se ishte ba “bazë strehimi për partizanët”. Mbas përvojës së gjatë e të hidhun në qytetin pa zemër, ajo kishte vendosë me u bashkue me elementë që e bindën se ajo ishte “diçka që vlen”, nji qenie e dobishme për “revolucion” që, për atë ishte “nji jetë me dinjitet”, nji jetë e re, ku bota nuk do ta përbuzte, nuk do ta tallte e poshtonte, ashtu si në qytetin e saj pa zemër...Asaj i premtohej nji botë e punës, e djersës me ndershmëni, ku ajo do të siguronte bukën, për vete e për fëmijt, nji botë ku ajo do të ishte në shoqni me “të tjerët”, si ajo. Çka mund të kundërpeshonte entuziazmin e kësaj qenie të mjerë që revoltohej e që, me pafajninë e saj shpërthente kundër poshtnimit të pamerituem në qytetin e saj pa zemër? Shpresa për “bukë paqe, edhe liri!” mbulonte vajin e fëmijve të uritun e shamje të ulëta që e shoqnojshin në qytetin e saj pa zemër, dhe e shtynte atë në rrugën e aksionit revolucionar, në kërkim të solidaritetit me “të tjerët”, si ajo. Per të parën herë në jetën e saj, ajo kishte gjetë guximin me fitue lirinë e brendshme, e vetmja fitore që vlen!

*

Çdo ditë sillte diçka të re. Në kaosin e qytetit, shumë të rij ishin dalldisë mbas jetës së luksit të siguruem nga fitimet e mëdha në tregti e spekulimet e ndryshme. Shumë të reja u përfshinë në vorbullën e qytetit që nuk flinte ma. Shkujdesja e pabesueshme ishte ba normë për shumë bashkëqytetarë që, nuk dëshirojshin me dijtë për asgja, veç dëfrimeve të jetës së tyne të shthurun. Në këtë kaos, jetonte edhe nji masë e gjanë e popullsisë që, me vështirësi plotësonte nevojet ma fillestare të jetës së përditshme. Rritja e pafrenueshme e çmimeve nga spekulatorët, e mungesa e frontit të punës së qëndrueshme, kishte krijue nji klasë të madhe gjysëm të punësuem, ose të papunë. Veçanërisht të damtuem ishin zanatlinjt e qytetit që konkurrojshin me sasitë e mëdha të artikujve industriale, të importuem e të nji cilësie të dobët. Kjo ishte e vërtetë, edhe për nëpunësit e administratës shtetnore, që përfunduen në nji grup elementësh të korruptuem. Shkollat funksionojshin ma shumë si ndërtesa grumbullimi të fëmijve, se si qendra edukimi. Krimi u rrit, kriminelët u shtuen, sidomos rrugëve të qytetit, gjatë orëve të natës. Ishte nji pasiguri e plotë! Jashtë këtij kaosi, ishin elementët e organizuem në rradhët e rezistencës. Ata punojshin me program e veprojshin me shpejtësi. Për hir të nji serie atentatesh kundër funksionarëve “armiq”, ata krijuen nji atmosferë frike në qytet, e cila u dha epërsinë në marrjen e vendimeve që kishin të bajnë me jetën e qytetarëve. Pa udhëheqje politike të besueshme e pa administratë efektive, detyra e ruejtjes së rendit, iu besue nji force bashibozukësh, shërbëtorë të financuem nga pushtuesi nazist. Egërsia e tyne u tregue në kryemjen e masakrave kundër komunistëve, nji qëndrim që shihej me përbuzje të madhe nga popullsia e qytetit. Nga Shqipnia e Jugut, lajmet ishin ogurzeza! Nji luftë civile zhvillohej kudo, në mes komunistëve dhe ballistëve. Egërsia e përleshjeve kishte marrë përmasa çnjerëzore: tortura, masakra masive, djegje shtëpish e fshatrash të tana, nga shqitparët, kundër shqiptarëve, e nga nazistët kundër të gjithëve. Me formimin e nji “Qeverie të Përkohshme” në Berat, maj 1944, balanca në favor të komunistëve, ishte e plotë. Prania e përfaqësuesve aleate i jepte asaj karakter formal, pothuejse zyrtar. Shumë nga ne e pritëm mirë këtë zhvillim dhe ushqyem shpresën, se nji kthesë e madhe ishte tashma e mundshme. “Shokët” që takojsha në ilegalitet, ishin dehë nga ky sukses i papritun. E ardhmja politike në vend ishte e tyne! Megjithatë, nji frymë pasigurie për këtë t’ardhme, kishte kapërthye popullsinë. Sa ma e afërt bahej fitorja e komunistëve, aq ma e madhe ishte frika që ata shpërndajshin. Ishte e qartë se, ata do të ishin forca e vetme politike në vend. Elementi që i drejtonte, nuk ngushëllonte popullsinë vendëse, as vlente si garanci për nji regjim normal e të qytetnuem. Qyteti im ishte i shqetësuem edhe ma shumë nga numri i “partizanëve” jugosllavë që ishin infiltrue në Lëvizjen Nacional-Çlirimtare në qytetin tonë, dhe pozitat komanduese që kishin marrë. Tue pasë parasysh të kaluemen e marrëdhanieve shqiptaro-serbe e malazeze, prania e tyne në Shkodër, ngjallte dyshim e frikë.

*

Në mbramjen e nji natë vere, ndërsa kthehesha në shtëpi, u afrue nji burrë i gjatë, me musteqe të mëdha e kokën e mbështjellun si malësorët tonë. Vuni dorën mbi supin tim, e përshëndeti. Unë u ndala! Nuk e njoha, derisa buzëqeshi. Ishte fqiu im, ish-nxanësi i shkollës fillore, që nuk vazhdoi studimet e mesme, për arsye ekonomike. U përqafuem. Kishte ma shumë se nji vjet që nuk e kisha pa, por e dijsha se ishte “në mal”, me partizanët. E pyeta për shëndetin. Më tha se do të kalonte natën tek prindët. “Due të pastrohem!”, më tha me ton shoqnuer. Pa u ndalë, vazhduem bisedën që kaloi menjiherë në “politike”. Më tregoi për organizimin e njësiteve guerrile, stërvitjet e përgatitjen me sulmue qytetin. Kishte nji entuziazem ngjitës në fjalët e zanin e tij, sikur donte me e kalue tek unë. Ndigjojsha gjithcka me kureshtje. Por kur u ndamë, ai më tronditi me nji shprehje që më erdhi e papritun. I urova “Natën e mirë!”. Ai u përgjegj me nji ton pak arrogant: “Po përgatitemi me hy në qytet...Po mprehim thikat...Natën e mirë!” Mbeta i ngrimë në vend. Nuk isha i sigurt se kisha ndigjue mirë. As nuk kuptojsha plotësisht qëllimin e fjalëvet të tij. Pak nga pak, e mora veten e në brendinë time, m’u përtërinë të gjitha bisedimet që kisha pasë me shokët e mi, mbas largimit nga “grupi”. “Lufta e ashpër, me gjak ose pa gjak”, që komunistët përsëritshin kaq herë, me mue e me të tjerët, fillonte me pasë kuptim, me marrë nji formë ma konkrete. Thika, arma e masakrës dhe e terrorit, përmendej pa asnji përmbajtje. Për cilin po mpreheshin thikat? Për mue, për “bashkëpunëtorët”, për “kundërshtarët”? Bana hapat e fundit me hy në shtëpi, por më dukej se kambët nuk më mbajshin ma. Fqiu im, shoku njizetvjeçar, me paralajmëronte fillimin e nji epoke të re në vendin tonë. Nuk u frikësojsha aq shumë për veten tim. Por në mesin e shokëve tonë kishte mjaft nga ata që kundërshtuen “Lëvizjen” me guxim dhe mbetën besnikë të idealeve “kombëtare”, ashtu siç i kishim mësue në shkollë. Për ata, e ardhmja ishte e frikshme, e unë ndjeva erën e gjakut që sillte me vete paralajmimi i shokut partizan. Thika ndante shokun nga shoku! Kalova nji natë pa gjumë. Marrëdhaniet me “shokët”, sidomos bisedimet që kishim zhvillue, filluen me fitue nji jete në vete, sikur hap mbas hapi po ngriheshin në nji ndërtese të re, të panjohun deri atëherë, e konturet e së cilës dukeshin qartë. Elementi thelbësor që kisha vrejtë tek ata, e që më shqetësonte aq shumë, urrejtja, merrte tashti përmasa të reja, kuptim të ri, si gjaku e shpirti i lëvizjes dhe revolucionit që përgatitej. Fillova me pa ma qartë natyrën e sistemit komunist, të mbrume me urrejtje e rrjedhimet që do të ndiqnin. Pashë veten e shoqninë time, si krijesa të pafuqishme, të pambrojtje, në rrugën e vetme nga do të kalonte uragani i hakmarrjes, të paaftë me u largue, të papërgatitun me kundërshtue. Në kujtesën time u ripërtrinë leximet e invadimeve të Mesjetës së hershme, e ramja e Romës dhe e qytetnimit të saj: kolona të gjata barbarësh, të armatosuna me hekur e zjarr, hakmarrëse, do të kalojshin nëpër rrugët e qytetit me nji popullsi të frikësueme. Ishte kjo e ardhmja jonë premtuese?

*

Në mëngjes, vizitova familjen e Zyhdiut, kushërinit “ilegal”, e kërkova të marr kontakt me të. E takova në nji “bazë “ strehimi, jo larg nga shtëpitë tona. Megjithë ndamjen jomiqsore të disa muejve ma parë, unë e dojsha me gjithë zemër. Ai ishte rritë në nji familje me ekonomi të rregullt. Nuk kishte pasë nevojë me punue e me sigurue bukën, për vete ose për familjen. Lexonte shumë dhe kishte cilësinë e të menduemit me gjakftohtësi. Angazhimi tij në “Lëvizjen”, ishte ba me ndërgjegje të plotë dhe me dëshirë. Ai kishte ardhë në përfundimin se, « komunizmi » ishte e vetmja rrugë që i ofrohej nji të riu revolucionar, sidomos në ato ditë kur luftohej “fashizmi”, dhe e kishte përqafue, të paktën intelektualisht. Kjo prirje e kishte ndryshue çdo ditë e ma shumë. Nga nji ideologji e koncept filozofik i zhvillimit ekonomik e shoqnor, ishte krijue nji optikë jete, e përqendrueme dhe e vendosun në kandin e dëshiruem. Ai i shikonte lajmet e rrufeshme që vijshin gjatë ditës, me nji siguri e bindje aq të plotë, saqë më bante ziliqar. Nji pozicionim i këtillë, i marrun definitivisht, që shikonte të ardhmen drejt në sy, pa u kujdesue për jetën që zhvillohej në të dy anët e ekuacionit, i jepshin atij ndjenjën e kënaqësisë, e të çlirimit nga dyshimet...! Ai jetonte vetëm me nxitjen nervoze që shkaktonte pritja e ditës së fitores, e ditës së plotësimit të andrrave të tij, të nji jetë të plotë në nji shoqni të përsosun, të agimit të ditës së re që do të lindte...! Kur hyna në dhomën përdhese, kushërini me përqafoj me mall të madh. Unë u mbusha me gëzim. Mbas ballafaqimit të fundit, kur unë nuk e njoha ma kushërinin tim, kisha dyshime se ishte ftohë me mue përgjithmonë. Gjeta të kundërtën! Me shëndet nuk ishte keq, megjithëse kishte humbë peshë. Ishte i veshun me rrobe e këpucë, sikur përgatitej me dalë. Jeta ilegale ka rregullat e veta. Në brez mbante nji revolver të mbushun, që nuk i përshtatej fare. Pak i lodhun, i zbehtë, ai kishte formue dy rrathë të zez përreth syve me syza. Dukej sikur lexonte ose punonte shumë me laps e letër. Nuk e pyeta. Ai vete më shpjegoi se, kohët e fundit, leximi i tij ishte ma i kufizuem. Me gjysëm shakaje, i thashë: “ma i zgjedhun!”. “Si të duesh!” m’u përgjegj. Por bashkëbisedimi po merrte nji kahe të mbarë, dhe na solli edhe te tema e leximit: formim nga librat, apo informim për nji formim, simbas aftësive tona. Isha në dijeni të natyrës së leximeve të tij të maparshme. Libra që na i quejshim « realiste », pjesa ma e madhe romane, me përmbajtje sociale të literaturës botnore : Balzak, London, Stainbek, Gorki, etj. Ai e kuptonte mirë italishten, e librat në këtë gjuhë europiane, ishin të shumtë. Krahas tyne, ai lexonte edhe materiale me përmbajtje marksiste dhe nji seri përkthimesh, shumica në dispensa, të marruna nga arsenali sovjetik. Këtu e kishin burimin edhe idetë e tij “revolucionare”, që kishte përqafue me pasion. Por në bisedimin që u zhvillue, nga toni i zanit të tij, kuptova që në fillim se, nji proces seleksionimi kishte fillue e se, kushërini ishte ba ma diskriminues në pranimin ose refuzimin, e ideve që ofronte materiali i lexuem. Asnji fjalë për “diktaturën e proletariatit”, për “revolucionin botëror”, për “fitoren finale të klasës punëtore”, dhe “botën e re” që premtonte lufta kundër vendeve kapitaliste....! Ai kishte ruejtë besimin në fitoren e “Luftes Nacional Clirimtare” dhe drejtësinë e kauzës sociale që përqafonte. Foli me bindje për reformat që parashikonte se do të baheshin në vendin tonë. Por kësaj rradhe, nuk e kishte sigurinë e parë, të plotë se, gjithçka do të zhvillohej simbas planit të caktuem. Gjeta tek ai nji nevojë të madhe me folë! Të ulun pranë njeni-tjetrit, zani jonë nuk ndigjohej. Zonja e shtëpisë, që hapi derën disa herë me shikue brenda, shihte dy kushërinj të lumtun e të angazhuem në nji dialog të qetë, buzëqeshte e mbyllte derën përsëri. Kishte frikë me folë haptas! Shpeshherë përdori shprehjen “në mes nesh”, e tregonte nji kënaqësi të veçantë, e me dëshirën e madhe me kuptue transformimet e brendshme që kishte pësue e që, nji nga nji, i delshin përjashta, pa qenë në gjendje me i kontrollue. Kur e pieta nëse diskutonte kështu me të tjerët, ai u përgjegj: “Jo! Nuk kam shokë!” Ishte i vetmuem. Më shpjegoi se natyra e punës që bante, ishte nji rutinë që, çdo ditë e ma shumë, po e çmendte. Të njëjtat mendime, të njëjtat frazeologji, kompozime të thjeshta, që i bajshin thirrje emocioneve e jo logjikës, me nji fjalor propagandistik, përsëritës e kambëngulës, ne përdorim të elementëve pa arsim... “Nuk kam mundësi me lexue për vete librat që dëshiroj; vetëm atë që gjej aty-këtu...shumicën e tyne e kam lexue disa herë, e nuk gjej gja të re.” U mendue për nji minut, e vazhdoi: “Ajo që më çudit, asht se nuk i pëlqej...si ma parë. Formimi im intelektual ka vuejtë nga nji mungesë kritike që, në atë kohë, nuk e kisha,” më tha “e që tashti po lind si nji nevojë e fortë, dominuese, e që ven para akuzës, bindjet e mia ma të thella....” - I shpreh këto dyshime me të tjerët? – e pyeta. - Jo! – përgjegji e, tue më shikue drejt e në sy, shtoi – Jetoj në nji atmosferë që nuk lejon dyshimin, aq ma pak kritikën e hapët. Shokët e mi janë të papërgatitun me shqyrtue me sy kritik rrugën që kemi marrë. Ata binden e veprojnë. “Të tjerët” duhet të mendojnë për ta. Cilët janë këto “të tjerët”? Më tregoi se, në konferencat edukative të njimbasnjishme, vetëm folësi “predikon” pa pushim, nji mesazh, nji porosi, nji urdhën: “Partia, shokë, i ka parashikue të gjitha!” Askush nuk pyet, aq ma pak diskuton. Vetëm aprovime, lëvdata, e premtime.... “Jam lodhë” – më tha, - “jam lodhë!” E pyeta, nëse kishte mendue të largohej nga kjo “Luftë” e të tërhiqej në shtëpi, në botën e vet të brendshme. “Jo!” - më tha, - “e quej dobësi! Tashti jemi të angazhuem në luftë...ndoshta ma vonë...mbas fitores...do të përpiqem që, edhe unë të fitoj pavarësinë time...Jo sot!” I hodha krahun rreth shpatullave, e ndejtëm kështu për pak minuta, si dy vllazën të dërrmuem nga fati. - E more vesh për qeverinë e re në Berat? – më pyeti. - Po! – përgjegja, - duket se fitorja e Lëvizjes suej, asht tashma e sigurueme... - Do ta marrim pushtetin, - më tha, - problemi asht sa kohë do ta mbajmë....Në Lëvizjen tonë ka mjaft elementë që nuk e aprovojnë rolin udhëheqës të Partisë Komuniste....Nuk e di si do të zhvillohen ngjarjet! Kam frikë nga ajo që shoh e ndigjoj sot rreth meje...Kurdo ka nji frymë egërsie, që më shqetëson....Flitet hapet për nevojën e “spastrimit politik”....Kam përshtypjen se ka “plane” e “lista” për zbatim, mbas fitores. ...Të gjithë janë të entuziazmuem, e në nji atmosferë të këtillë, mund të ballafaqohemi me të paprituna të mëdha e të vështira...” Mendoi pak e, pyeti: - Ç’kemi të re në arenën ndërkombëtare? I tregova lajmet e fundit të marruna nga BBC e Londrës, si dhe lajmet që vijshin nga Shqipnia e jugut e Kosova: luftime, masakra, nga shqiptarët e nga nazistët. Ai më ndërpreu: “Kam takue “instruktorë” jugosllavë. Ata janë ma të përgatitun. “Shokët tonë janë dukshëm inferiorë e nuk kontestojnë asnjiherë thaniet e “kolegëve” të tyne. Ata kanë problemin e Mihajloviçit, por janë të bindun se do ta shkatërrojnë. I shqetëson aleanca me anglo-amerikanët, por janë të lidhun ngushtë me sovjetikët dhe, kanë besimin e patundun në superioritetin e Armatës së Kuqe....” - Ç’ka thuhet për Shqipninë...për Kosovën? – e pyeta. - Shqipnia asht aleatja e tyne e vogël, dhe e konsiderojnë nji vend ku revolucioni proletar, duhet të fitojë i pakontestueshëm. Për këtë janë të vendosun të na ndihmojnë...Për Kosovën? As që flitet fare... I kujtova bisedimet e maparshme e kambënguljen time në zgjidhjen e problemit “kombëtar“, si qëllim të luftës sonë. Ai buzëqeshi: “Kam qenë i bindun se internacionalizmi do të zgjidhte problemet tona “kombëtare“. Tashti dyshoj....Kam frikë se vendi jonë po hyn në sferën e nji lojë politike, që tejkalon shumë kufijt e tij...Kam frikë nga politika e Fuqive të Mëdha...Edhe kësaj rradhe, nuk jemi të pavarun...” Nuk e pritsha nji shprehje të këtillë nga ai. Për vete, këto dyshime i kisha ushqye me kohë e, zhvillimet në vend, i konfirmojshin. Vendi jonë po zbriste nga platforma e nji vendi të okupuem që priste clirimin, në sheshin e gjanë e të panjohun të përleshjeve ideologjike, me përmasa botnore. “Koalicioni anglo-sovjeto-amerikan” ishte “transformue” në “luftën vllaznore të popujve jugosllavë”, ose “sovjetike” dhe “udhëheqjen gjeniale të shokut Tito e Stalin”. Shqipnia ishte zanë keq në kurthin e këtij zhvillimi e dukej qartë se, edhe kushërini im kishte fillue ta kuptonte. U largova pa dëshirë ta lejsha vetëm, e me shpresën se do ta takojsha përsëri. Kur u përqafuem, ai më tha me za të ulët: “Në mes nesh!” e buzëqeshi. « Padyshim ! », përgjegja. * Me kalimin e verës, gjendja u keqësue edhe ma shumë. Trupat gjermane tërhiqeshin nga Greqia. Luftimet me guerrilët shqiptarë ishin të përditshme. Në qytet u rritën vrasjet ordinere e, në kaosin e krijuem, komunistët ekzekutojshin elemenetët “armiq”. Aftësitë e tyne ushtarake krijuen nji besim të patundun tek forcat, që “Lëvizja” u kishte dhanë. Tashma, nuk kishte fuqi të aftë me ndalue marshin e tyne. Pyetja se, çfarë “shteti” dhe “shoqnie” do të lindte nga metoda të këtilla, nuk shtrohej fare. Ishte e qartë, se “Fitorja me çdo kusht” donte të thonte, fitore pa asnji skrupull moral... Nga ana e tyne, nazistët filluen arrestime të reja e marrje pengjesh. Në mes tyne ishin edhe prindët e kushërinit tim, baba dhe dy axhat. Ishin të martuem, me nandë fëmij. Nazistët kërkojshin dorëzimin e “djalit”, e kërcënojshin pengjet me ekzekutim. Nji dilemë jashtëzakonisht e vështirë morale, u shtrue para kushërinit “ilegal”. U përpoqa me e takue, por pa sukses. I ballafaquem me rrezikun e ekzekutimit të babës dhe dy axhave, e lanien dy grave të veja me nandë fëmij jetimë, kushërini nandëmbëdhjetë vjeçar përballoi burrnisht vdekjen e sigurt e u dorëzue pranë autoriteteve të policisë pronaziste. Akti i tij vetëmohues tronditi qytetin! Për mue, ndoshta personi ma i afërt e që njihsha shumë mirë, ishte nji goditje vdeksore, por jo e papritun. Ky manifestim i karakterit të tij burrnor, ishte pjesë e personalitetit të tij, ashtu si e njoha unë. Ai i qëndronte besnik vetvetes, deri në fund, edhe para vdekjes së sigurt, edhe para skuadrës së ekzekutimit në kampin nazist të shfarosjes... Nji ditë ma vonë, i ngarkuem mbi nji kamion ushtarak gjerman, së bashku me nji familje izraelite nga Shkodra, u largue e nuk u kthye ma. Ata që e panë, treguen se, gjatë rrugës, ngrente duert e lidhuna me pranga, sikur dëshironte më thanë se nuk kishte shpëtim. Ma vonë, u njoftuem se karvani kishte kalue nëpër Prishtinë, Beograd, e kishte përfundue në kampin nazist në Mathausen, në Austri ku, grupi nga Shkodra, ishte pushkatue. I dërrmuem nga zhdukja e tija e i zhytun në lumin e kujtimeve që ndjekshin njeni-tjetrin, pa kontroll e natyrshëm, si rrjedha e ujit, kalova shumë ditë i mbyllun në shtëpi, pa dijtë as unë se ç’te bajsha, pa gjetë nji shpjegim për nji kthesë kaq banale të fatit, që i kushtoi jetën nandëmbëdhjetë vjeçarit idealist. Nuk kisha guxim, as dëshirë, me takue prindët e tij, që u çmendën nga humbja e djalit. Nuk gjejsha fjalë me thanë. Por, ma e vështira ishte nji lloj fryme akuzuese, e padrejtë, që fillova të ushqej kundër tyne. Ideja se ai ishte dorëzue me shpëtue tre prindë nga vdekja e sigurt, e nandë jetimë nga mjerimi, më forcoi edhe ma shumë bindjen time në fortësinë e karakterit të tij e në cilësinë e idealizmit, që kishte pranue sakrificën supreme, për akuzën që shërbente. Shpeshherë mendojsha se, nji qenie aq e sjellshme si ai, aq sensitive si ai, mund të gjindej në nji pozitë të vështirë, si para eventualitetit të sakrificës së jetës. Megjithatë, dicka përbrenda më thonte se, bindja e tij për drejtësinë e kauzës që kishte përqafue, për atë, ishte ma e shtrenjtë se jeta. Kishte diçka ma sublime në aktin e tij, e gjesti i tij me u dorëzue “vullnetarisht”, me shpëtue jetët e pafajshme që po sakrifikoheshin për atë, me forcë e jo me ndërgjegje, merrte nji shkëlqim të jashtëzakonshëm martirizimi, nji guxim me përmasa mbinjerëzore, e mveshej me kuptimin gjysmëhyjnuer që u japim herojve legjendare....

*

Ngjarjet e cdo ditë e bajshin ma të vështirë për mue, me kuptue çmimin që kërkohej nga të gjithë në randësinë e kauzës kombëtare, që çmohej ma shumë se jeta e të rijve, angazhimi pa kondita për “reforma” shoqnore që, kërkojshin shkatërrimin e rendit të vjetër e ndërtimin e nji rendi të ri, me marshim mbi trupat e dëshmorëve, sidomos te rijve qe rrezoheshin çdo ditë në të katër anët e vendit tonë. Ishte e vështirë me kuptue se, shejtnia e jetës së njeriut zente vendin e dytë, në shërbim të nji “ideje” që naltësonte shpirtnisht e udhëhiqte moralisht, por që “pranonte”, edhe zhdukjen fizike. Cila ide mund të ishte aq e naltë, aq fisnike dhe e drejtë, saqë në fisnikërinë e saj imanente, të kërkonte sakrifica njerëzore e sidomos, sakrifica të jetëve rinore? “Ide” të këtilla, më dukeshin tashtim si monstrat mishngranës që përpijnë fëmijt e tyne për ushqim. A përsërisim sot, me nji gjuhë moderne, legjendat e lashtësisë, theroritë e kurbanet në altarin e zotave të zemruem për paqësimin e tyne? Kështu fitohet liria e popullsisë së pafajshmen nga nama e njenit ose tjetrit hyjni që gjithëherë nënçmojnë mortalitetin e qenieve tokësore? Sa shumë e ka avancue kauzën e “revolucionit proletar” akti heroik e i vetmuem, i kushërinit tim fisnik, që nuk kthehet ma? E sa ma i dobishëm do të jetë ky “revolucion”, mbas vdekjes së tij...? Madhështia e nji akti të këtillë mbinjerëzor tejkalonte kufijt e së natyrshmes, tejkalonte forcën e pakufishme e banale të perëndive hakmarrëse, që kërkojnë flijime, tejkalonte randësinë e çdo kauzë që ushqehet me gjak njeriu, sidomos atë të rinisë së parritun akoma. Akti i kushërinit ishte i një cilësie të veçantë, i pakrahasueshëm, nji akt prometean! X 28 nanduer 1944. Ditë e bukur vjeshte! Gjate natës së maparshme, u ndigjuen, aty-këtu, krisma pushkësh. Duket se qytetarët festojshin ditën e largimit të pushtuesit gjerman nga qyteti i Shkodrës. Në mëngjes, nji popull i tanë filloi të mbushë rrugët kryesore. Turma drejtohej kah qendra e qytetit. Aty-këtu, shiheshin te rij me armë e rrobe partizane që përshëndeteshin me grusht: “Vdekje fashizmit!“ Nji frymë lirie ishte në ajr, e të gjithë, të nxitun nga randësia e momentit e kurioziteti me pa “ilegalët“, flitshin me nxehtësi. Disa tregojshin episode të luftës, të tjerë ishin krenarë për strehimin e dhanun “ilegalëve“, prindë e familjarë të partizanëve përqafojshin njeni-tjetrin e përgëzoheshin për fitoren e djelmve e vajzave të tyne. Ishte hera e parë në historinë e qytetit tonë që, vajzat largoheshin nga shtëpia e angazhoheshin në veprimtari politike, të pavaruna, e për ma tepër, “ilegale“ e me karakter ushtarak. Koncepti i rolit të femnës shqiptare, të kufizueme në shtëpi, brenda familjes, që për shekuj kishte qenë nji nga shtyllat ma të qëndrueshme të shoqnisë konservative shqiptare e sidomos, shkodrane, u përmbys nga vala e revolucionit politiko-shoqnor që prunë partizanët. “Shokë e shoqe”, për të parën herë viheshin në nji piedestal të barabartë, me rrjedhime madhore për të ardhmen e vendit e të shoqnisë shqiptare. Në qëndrimin e shumicës, kjo ngjarje e jashtëzakonshme shoqnohej nga frika e së panjohunës. Kush janë “fitimtarët”, partizanët, udhëheqsit e pakontestueshëm të rendit të ri që premtohej, por që nuk njihej nga shumica? Numri i tyne ishte i vogël, e kaluemja e tyne jo e qartë e në disa raste, shqetësuese, programi i tyne revolucionar, e metodat e përdoruna deri tashti, ishin të ashpra e diktatoriale. E lirueme nga bota e dy regjimeve të urrejtun, shoqnia shqiptare priste me padurim nji periudhë paqeje e sigurie, që të shijonte lirinë e porsafitueme. Nji ndjenjë instinktive, e pashpjegueshme, por e pranishme kudo dhe tek të gjithë, e frikës se po hyjshim në nji tunel, dritën e së cilit nuk e shihshim, ishte në mendjen e zemrën e shumicës së atyne që ecshin, vrapojshin e grumbulloheshin në sheshin qendror të qytetit. Psikologjia e masave të nji qyteti si Shkodra, që kishte pësue invazione të njimbasnjishme nga fqinjt e veriut, nuk lejonte pranimin pa kushte të nji bashkëpunimi të ngushtë me “vllaznit tonë jugosllavë” e aq ma pak, praninë e “instruktorëve” serbë e malazezë, në të gjithë sektorët e jetës shtetnore të vendit. Mentalitete të vjetrueme për nji epoke të re? Ndoshta. Por ata ishin mjaft të fuqishme, sa të mos lejojshin pranimin e tyne, pa kalue në bankën e dyshimit të thellë....e të justifikuem historikisht. Në qendër të qytetit, civilë të armatosun mbajshin rrugën të hapun për “parakalimin e njësiteve guerrile e batalioneve të çlirimit”. Të gjithë flasin; askush nuk ndigjon. Turma rritet çdo minut. Nga rrethet e qytetit e sidomos, nga zonat e veriut që kufizohen me Malin e Zi, malsorë të armatosun ose grupe pa armë, bashkoheshin me turmën qytetare. Nga ata kuptuem se forcat gjermane ishin tërheqë e kalue kufinin te Hani i Hotit, e forcat partizane, shqiptarë e malazezë, kontrollojshin rrugën kryesore, deri në qytetin e vogël të Tuzit, në Jugosllavi. Lajme të ndryshme, shumica të pavërtetueme, qarkullojshin gojë me gojë e vesh në vesh. Në hymje të qytetit, njisitet luftarake përgatiteshin me ardhë në formacione ushtarake. Nji bandë muzikore, ajo e bashkisë, luente me marshe të zgjedhuna për parakalim. Zuna nji vend të përshtatshëm para lulishtes qendrore, nga ku do të isha në gjendje me pa për së afermi parakalimin e mundësisht, disa nga shokët e mi partizanë. Me përvojë time, gjatë luftës, isha ba mjaft cinik; më dukej sikur përpiqesha me bindë veten se, “të nesërmet premtuese” që kishim shpresue, nuk ishin veçse nji andërr djaloshare që avullonte si vesa para diellit. Në brendinë time, nji debat serioz, i thellë, po zhvillohej për mjaft kohë. Zani i ndërgjegjes nuk më lente të qetë: “Ky asht roli yt në këto çaste vendimtare, vendi yt në këtë ditë historike, kontributi yt për kauzën e lirisë kombëtare?!” Heshtje... Ndryshimet e sjelluna prej luftës, parashikoheshin të ishin revolucionare e përmbysja, nji kataklizëm. Tashti, kishte “aktivistë” dhe “armiq”, pa shpresë mirëkuptimi të ndërsjellë. Zani i zemrës më ngushllonte me idenë se, qëndrimi im ishte marrë me sinqeritetin ma të plotë, pa mbrapamendime, me kënaqë ose shqetësue njeri dhe se, në përfundim të dialogut të brendshëm ndërgjegja ime ishte e qetë. Kjo çiltërsi e arritun ishte kthye në nji fortesë të vërtetë, brenda së cilës ndjehesha i sigurt. Kisha përshtypjen se, breznia ime ishte e para në historinë e vendit, që ballafaqohej me nji dilemë të këtillë.

*

Ndigjoheshin tingujt e bandës muzikore. Duertrokitje! Nga larg vijshin tonet e kangëve të reja partizane. Pa vonesë, hyjnë në sheshin e qytetit grupet e para të “njësiteve guerrile“, të prime prej flamurit kombëtar kuq-e-zi që, kësaj radhe, mbante drapënin me çekan, ose yllin e kuq me pesë cepa...Ishte nji zhgënjim! Në rradhët e partizanëve me uniforma, pashë disa prej shokëve të mi të shkollës. Dukeshin të lodhun, e vuejtja shihej qartë në fëtyrat e tyne. Por të gjithë ishin të ekzaltuem. Ecshin me krenari, pushkën në krah, shikimin përpara plot besim. Disa më buzëqeshën kur i përshëndeta me dorë; të tjerët nuk reaguen fare. Por prania e tyne në këtë masë vullnetarësh, i bante ata ma të mëdhaj se epesha e secilit në vete. Ata ishin pjesë e nji grupi shoqnor që i përfaqësonte, që kishte dalë fitimtar e, që angazhohej me ndërtue nji jetë të re, me plotësim dëshirash. Fjalime, përsëri fjalime. Me mbarimin e ceremonisë, u ktheva në shtëpi. Në këtë atmosferë festive, u ndijsha i vetëm. Nuk isha pjesë e nji procesi historik të vendit e të popullit tim, ditën e lirimit nga i hueji, nuk kisha kapë njenën nga oret më të ndrituna në histori, orët që ballafaqojmë vetëm nji herë në jetët tona. Kisha humbë këtë moment të privilegjuem...

*

“Marrja e pushtetit” nuk u ba me dhunë, sepse nuk u kundërshtue. Administrata e vendit, deri në atë ditë në shërbim të “bashkëpunëtorëve të okupatorit”, u vue në shërbim të “autoritetit partizan”. Në Shkodër, me përjashtim të ndërpremjes së energjisë elektrike, shërbimet bashkiake vazhduen pothuejse të patrazueme. Rrugët e qytetit filluen të mbushen me partizanë të brigadave të ardhuna nga jugu i vendit. Për mungesë vendi e organizimi, me mijëra u vendosën në shtëpi qytetarësh, që i ushqejshin edhe me bukë. Edhe në shtëpinë time kishim njimbëdhjetë ushtarë. Bante të ftohtë! Të lodhun nga marshimet, të këputun nga uria, këta të rij, pothuejse të gjithë nën moshën njizet vjeçarë, strukeshin nën batanijet ushtarake, në çdo kand të dhomës, e përpiqeshin me fjetë, sa ma shumë, sa ma thellë. Ishte nji pamje që më preku në zemër. Në bisedimet me këta partizanë, nuk gjeta asnji entuziazëm. Përkundrazi! Nji botë e re shpalosej nga tregimet e tyne. Pothuejse të gjithë ishin “mobilizue” në katundet e tyne. Ruheshin nga “komandanti” e “komisari”. Të gjithë kishin “historira” me tregue e sidomos, për ekzekutimet masive ne katundet malore. Nji ngjarje e shëmtueme në qendër të qytetit, ra si bomba e parë që zgjoi qytetarët, sinjali i parë i asaj që do të vinte ma vonë. Nji grup “bashkëpunëtorësh” me okupatorin, u ekzekutuen publikisht në sheshin kryesor. Lajmi u përhap si rrufeja e u prit me nji mosbesim të thellë. Në vendin e ngjarjes, pashë kufomat e përgjakuna, të rreshtueme njëna pas tjetrës. Të gjithë ishin me rrobe civile. Rreth e rrotull tyne, grupe partizanësh hidhshin valle, me nji ritëm që shoqnohej me kangën, e re për mue: « Lule Sofo, lule djalë!» Nji turmë qytetarësh të heshtun, vështronte me tmerr këtë masakër : ekzekutime publike, simbas modelit nazist, pa proces, pa gjyq, pa mbrojtje ligjore, pa të drejtë apeli. Ishte shija e parë e shoqnisë së re... Po ngrinte kokën organizimi i ri shtetnor, i mbështetun mbi forcën e hekurit e zjarrit, ashtu sikur kisha dyshue dy vjetët e fundit. Fjalime pambarim, parulla të përsërituna, arrestime masive, « djallezimi » i kundërshtarit, që paraqitej e trajtohej si « armik » e kërkesa revolucionare për luftë pa mëshirë. Ekzekutimi publik ishte përfundimi logjik! Nuk ishte vetëm akti i ekzekutimit të “bashkëpunëtoreve”, që tronditi qytetin. Ishte mënyra e ketij ekzekutimi, që tregonte nji mospërfillje për shtetin ligjor e që praktikisht, ishte edhe nji mospërfillje për ndjenjat e qytetarëve. Gjithçka ishte e llogaritun me krijue atmosferën e frikës, e me përgatitë terrenin psikologjik për terrorin masiv që planifikohej. Kundërshtimet e vazhdueshme që ballafaqoi “pushteti i ri”, sidomos në zonat malore, së bashku me nji ftohje të popullsisë qytetare nga manifestimet publike e të organizueme prej qeveritarëve të rij, mjaftuen me bindë udhëheqjen qendrore në Tiranë, që të deklarohet “gjendja e jashtëzakonshme” për qytetin e rrethet e Shkodrës. Çdo ditë, në shtyllat telefonike e dritoret e dyqaneve, vendoseshin lista të gjata me emna malsorësh të ekzekutuem, ose të dënuem me vjetë të gjata burgu, për “bashkëpunim” me “armiqtë e popullit”.... Ndamja në dy kampe u ba çdo ditë ma e thellë, ma e plotë. Që në fillim, u ba e qartë se beteja për mendjet e zemrat e qytetarëve, nuk ishte nji perparësi për “pushtetin” e ri e si rrjedhim, ajo ishte e humbun. Çka interesonte “pushtetin”, ishte përforcimi i tij me çdo mjet e mbajtja e tij me çdo kusht. Në listën e “bashkëpunëtorëve” kishte edhe elementë, me të vërtetë, tragjike: përpjekje qëllim-mira dhe të guximshme me ballafaque “fatin” – zhvillimin e ngjarjeve në vendin tonë e jashtë kontrollit të vendit tonë. Ishin forcat e brendshme, mbështetë në nji traditë shekullore, që mundeshin nga lëvizjet e reja pa histori në atë vend, e të drejtueme nga forca që gjindeshin jashtë vendit. Përfundimi i këtyne viktimave të nji fati që manovronte, pa pyetë e pa u kujdesë, ishte në thelb, treguesi i perëndimit të sistemit të vjetër, i perëndimit të paevitueshëm të nji bote që, akoma merrej vetëm me ruejtjen e privilegjeve të trashëgueme, pa perspektivë për të ardhmen. Nji klasë shoqnore shkodrane, dikur e privilegjueme dhe e fuqishme, ma vonë dërrmue prej krizës ekonomike, ndryshimeve shoqnore e katalizmave të luftës, po avullohej pa lanë trashëgimtarë për zëvendsim. Boshllëku i mbetun ishte i madh e friksues, në atë fazë vendimtare. Çdo ditë përgatitej nji “shfaqje” publike, për diskreditimin e “armiqve të popullit”. Nji ditë janari, kaloi me zhurmë, nji grup malsorësh të lidhun me pranga e litarë, krah për krah, ndërsa rreth e rrotull tyne, grupe të rijsh e gra histerike, përsëritshin në kor: “Plumbin ballit! Plumbin ballit! Vdekje tradhtarëve! Vdekje tradhtarëve!” Të arrestuemt, burra të gjatë, përfaqsues të denjë të racës ilire që u ruejt për shekuj në naltësitë e Alpeve të veriut, shikojshin me çudi këtë komedi funebre e, turmat e mbledhuna në të dy anët e bulevardit, të heshtuna, të habituna, të frikësueme. Frika e ushtrueme nga partizanët, po jepte frytet e saj të para: nji popullsi e tanë zhvishej nga guximi qytetar tradicional! Sereniteti i fëtyrës së viktimave, të lidhuna e të përbuzuna, që drejtoheshin kah vdekja e sigurt, nuk mund të ishte pasqyra e nji ndërgjegjeje të keqe....Përkundrazi! Në zemër të tyne ata duhet të kenë ndie veten, si viktima të nji ndëshkimi të padrejtë. Vetëm ideja e viktimizimit, e pafajnisë, lejon nji serenitet të këtillë. Gjate ekzistencës së tyne, këta malsorë të Kelmendit kishin pranue si qëllim të jetës, ashtu si të parët e tyne, rolin e ruejtjes së kufijve të Vermoshit nga sulmet malazeze, për shekuj me rradhë. Historia ishte deshmitare! Çdo lëvizje e veprimtari politike, ishte shikue e përcaktue, në termat e këtij qëndrimi atdhetar të padiskutueshëm. Ky ishte shpjegimi i vetëm i kundërshtimit të tyne me armë, të “brigadave partizane“ shqiptaro-malazeze, në vjetin 1944-45. Ky ishte shpjegimi i vetëm që ata iu “dorëzuen vllazënve tonë“, autoriteteve ushtarake shqiptare, si dhe naiviteti i përgjegjeve të tyne para Gjykatës Ushtarake, që nuk kuptonte e si rrjedhim, i trajtonte si “tradhtarë“! Pse nuk kishin ndihmue “Levizjen Nacional-Çlirimtare?“ Sepse ishte e lidhun me serbët e malazezët, armiqt tonë shekullorë. Pse kishin rrokë armët kundër “brigadave tona”? Sepse bashkëpunojshin me brigadat serbë e malazezë, e nuk u kishim besën. Pse i nënshtroheshin influencës së klerit katolik? Sepse ata kanë qenë gjithmonë me ne, në të mirë e në të keq...! Madhështia e malsorit te çiltër shqiptar, ngrihej para Gjykatës, si monument që dëshmonte vogëlsinë e mendjemëdhenjve komunistë, në pozitën e gjykatësit. Epërsia morale e qëndrimit të viktimës, ishte i qartë edhe para tragjedisë që përgatitej pa turp, nga nji udhëheqje servile e interesave të hueja, nji udhëheqje e degjenerueme nga epshi për pushtet të pakufi. E gjithë seanca e gjyqit, sidomos me ata të moshës së kalueme, u përshkue nga nji vijë kombëtare, parimore, e drejtë, e malsorëve të thjeshtë, në përleshje me vijën politike të lëvizjes internacionaliste që imponohej me gjak mbi popullsinë që e përbuzte. Pyetjet e egra e kërcënuese merrshin përgjegjen e thjeshtë e të njerëzishme të malsorëve, të bindun në drejtësinë e kauzes së tyne. Edhe kur u dha dënimi me vdekje, ata nuk u tronditën, megjithëse nuk arrijshin me kuptue, si mund të dënohet nga shqiptari, nji shqiptar që ka mbrojtë tokën shqiptare brez mbas brezi! Shikojshin rreth e rrotull, sikur pritshin që “populli Shkodrës” të thonte diçka për ata, për të kaluemen e tyne, për pafajninë e tyne. Shkodranët, që njihshin mirë historinë e tyne, u befasuen nga britmat histerike në sallë, të publikut të zgjedhun, që shpërthyen, si me urdhën, kundër “kriminelëve”, tue kërkue me kambëngulje ekzekutimin e tyne, sa ma parë. Populli i Shkodrës ishte përçudnue... ose strukë në shtëpi, i frikësuem deri në palc. “Shkodrës i kishte vdekë ora!”. Ishte pasqyra e nji përmbysjeje të plotë politike, si rrjedhim i ngurtëzimit të ngadalshëm moral që kishte pësue shoqnia shqiptare, sidomos gjatë vjetve të luftës...! Ekzekutimet, me gjyq e pa gjyq, bashkë me viktimën, vritshin edhe vetë idenë e “revolucionit çlirimtar”, idenë e lirisë dhe premtimin për nji botë ma të mirë që do të sillte revolucioni. Ekzekutimet e njollosën “revolucionin”, e nxinë imazhin e tij, e asgjasuen atë. Sepse, zemrat dhe shpirtet e shumicës së heshtun, filluen të kalbëzohen, bashkë me kufomat që shtriheshin pa jetë nëpër rrugët e katundit, në sheshet e qytetit, në poligonet e qitjes ushtarake e të ekzekutimit. Kudo të shihte syni kufoma, të mbulueme e të pambulueme, gjithëherë aty para syve të të gjithëve, si përmendore kokëforta për ata që ende jetojshin, e tregojshin sa i randë ishte çmimi i krimit e sa i boshatisun ishte koncepti i nji revolucioni pa mëshirë e pa zemërgjanësi!

*

Gjatë kësaj vale terrori, takova njenin nga shokët e grupeve antifashiste të ditëve të liceut, nji vlonjat. Ishte përgjegjës i rinisë së batalionit. U gëzova që e pashë. Ishte i lodhun nga marshet e vazhdueshme, por i kënaqun e entuziast. U përqafuem. E mora në shtëpi për darkë, që të kishte mundësi me u pastrue e me pushue nji natë si duhet. Ai pranoi. Mbas darkës, vetëm në dhomën time të vogël, filluem bisedimin që u shndrrue në nji debat të nxehtë e megjithatë, të njerëzishëm. I tregova për ngjarjet në qytet. Nuk u çudit aspak. Më tha se, “kemi probleme me veriun” dhe se, “Shkodra është koka e reaksionit”. Kur pyeta, si mendojshin me e mbajtë pushtetin kështu, me forcë e gjak dhe, si mendonte ai se “bota do t’i duroje të gjitha këto”, ai më përgjegji: “Kemi nevojë vetëm për dy muaj me dorë të lirë në pushtet...Kemi nevojë për dy muaj, të ekzekutojmë planet që kemi përgatitë...Ti fole për “botën”...Nëqoftëse anglo-amerikanët nuk zbarkojnë sot në bregdetin shqiptar, me qëllim që “të ndjekin gjermanët” nga jugu, atëherë, të siguroj unë se fitorja është e jona, definitivisht.” E, tue vazhdue me kambëngulje para shprehjes së çuditjes sime, ai shtoi: “Nuk flas në erë, me beso! Gjatë këtyne ditëve, kemi përpunuar plane konkrete, që do t’i zbatojmë që në minutin e parë. Masat e para drastike: arrestim, ekzekutim, çarmatim, mobilizim e organizim i vendit, simbas modelit të “zonave të çliruara” janë të gjitha pjesë të pandara të planit tonë strategjik. Ne, nuk do të devijojmë...edhe në qoftë se gabojmë!” Tue parashikue nji kundërshtim të mundshëm, ai vazhdoi: “Kemi edhe lista, listat e atyne që do të likuidohen, por...nuk është nevoja të them më shumë...Këtë bisedim e bëj vetëm me ty...” Buzëqeshi lehtë, sikur shijonte kënaqësinë e konfidencës që tregonte me nji shok të vjetër. Mandej, ndezi ni cigare, e thithi me fuqi me shije të plotë, e tue nxjerrë tymin si shtëllunga nga goja e hunda njikohësisht, ai shtoi: “Përgatitu për ditët vendimtare të historisë së Shqipërisë. Ne kemi nji mision për të plotësuar: t’i japim historisë së popullit tonë, atë që ai kërkon...Sot për sot, është pastrimi i terrenit nga pengesat aktive...” e, tue më shikue drejt e në sy, shqiptoi, tue nda në rrokje të theksueme mirë, fjalën e fundit: “e-të-ardh-shme...” - Si për shembull, unë dhe shokët e mi, - plotësova unë me nji gjysëm zani. Atij i ndryshoi fëtyra: - Nuk besoj! – më tha. – Le të ndryshojmë bisedën... E pyeta për jetën në mal e vështirësitë e kalueme. Ai e priti me kënaqsi kureshtjen time, e filloi nji monolog që, herë mbas here, bahej dramatik, me elementë të pamohueshëm ekzagjerimi. Por unë nuk ia shisha të teprueme. Ishte i ri, entuziast, idealist dhe qartësisht, i indoktrinuem. Ai kishte gjetë guximin e duhun me rrokë pushkën e me shërbye idealin që e frymëzonte. Kjo ishte thelbësore. Të tjerat? Nuk ngrejshin peshë, mendojsha, aq ma shumë edhe për faktin se ai, shoku im i shkollës, kishte qenë gjithëherë nji tip i shoqnueshëm me të tjerët. Indoktrinimi kishte deformue logjikën e tij. Prirja që e bante me përsëritë, si me urdhën, fjalë e frazeologji të marruna në mbledhjet e agji-propit, e bajshin shpeshherë tregimin të gjatë, pothuejse të padurueshëm. Kur foli për gjendjen ndërkombëtare, ai iu referue koalicionit anglo-sovjeto-amerikan si, nji “aleancë oportuniste” që në fillim, që i mungonte “sinqeriteti” dhe që eventualisht, do të përfundonte me nji konfrontim, “sidomos me Anglinë”. - Atëherë, ti pret nji luftë të tretë botnore? – i thashë. - Po! – përgjegji me bindje. “Por do ta provokojmë ne, kur të jemi gati...Tani për tani, vazhdon aleanca...” Ashtu më kishte thanë edhe kushërini, nji vjet ma parë! E ndigjojsha me vëmendje. Për mue, këto ishin ide të reja që nuk isha ekspozue ma parë. E pyeta si kishte ardhë në këtë përfundim sot, kur lufta akoma nuk kishte mbarue e, aleanca vazhdonte me funksionue me sukses. Ai më tha se, “i gjithë faji bie mbi kurrizin e Curcillit!” Nuk i besova veshëve të mi. - Si mund të flasësh në këtë mënyre! – e ndërpreva unë. – Gjatë gjithë këtyne vjetve, të gjithë kemi adhurue Çurcillin, sidomos mbas qëndresës heroike të Anglisë në vjetin 1940....Të kujtohet Londra, Coventry? - Çurcilli është fashist! – më tha në mënyrë të preme. – Ai është pengesa kryesore e fitores së proletariatit ndërkombëtar. Ai është i njohur për qëndrimin e tij antikomunist, që në vitet e Revolucionit të madh të Tetorit të 1917-ës... Nuk i dijsha këto të dhana. Por, i fyem nga termi “fashist”, pyeta pse e akuzonte Curcillin si të këtillë! - Çdonjeni që bëhet pengesë në luftën tonë për fitoren finale të komunizmit në botë, për ne, është nji fashist. Dialogu u kthye në ballafaqim. Unë mbrojsha me gjaknxehtësi kontributin anglo-amerikan në luftën kundër Gjermanisë e Japonisë, i shtymë ma shumë nga revoltimi që sollën përcaktimet e tij. Ai pranonte rolin e Amerikës dhe kishte nji farë respekti për figurën e presidentit Ruzvelt, por kishte formue nji urrejtje patologjike për Çurcill-in dhe “politikën djallëzore të Britanisë së Madhe”. “Janë anglezët ata që insistojnë të zbarkojnë në Shqipëri,” – më tha, “ashtu siç kanë bërë në Greqi...Por këtu tek ne, i pret pushka partizane...” Nuk kishte mbetë vend për diskutime të tjera. Ishte e qartë se, edhe unë, ndoshta gjysëm koshient, gjindesha në kampin e “kundërshtarëve“ të regjimit të ri, që po i imponohej vendit tonë. Në kundërshtim me shokun tim, suaza e mendimeve të mia, e formueme jashtë propagandës kambëngulëse të komunistëve, për afër dy vjet me rradhë, që nga dita e ndamjes, kishte fitue nji dimension të ri, të pavarun, sigurisht të paplotësuem, por megjithatë, të aftë me më dhanë nji kënaqësi të brendshme, si dhe forcën logjike me mbrojtë pikëpamjet e mia, para “botës së jashtme“ e sidomos, para bashkëfolësve kundërshtare. Hap mbas hapi, po ndërtojsha botën time ku, ngjarjet e ditës, vendëse e ndërkombëtare, shiheshin nga nji optikë e përcaktueme dhe e mbështetun në parime, që unë vetë kisha pranue lirisht, si bazë e strukturës sime mendore e intelektuale. Hap mbas hapi, po kalojsha periudhën e entuziazmit djaloshar e hyjsha në botën e matun të pjekunisë. Atë mbramje, e kuptova mirë! Historia e ditëve të mia paraqitej si nji proces dekompozimi i shpresës së ngjallun gjatë “Luftes Nacional-Çlirimtare”, i mohimit të rolit demokratik të autoritetit të zgjedhun nga populli, ashtu si u premtue gjatë luftës dhe zëvendsohej me nji strukturë të re, ma të përqendrueme, ma të pashpirt, e ma të padrejtë se çdo tjetër formë shtetnore të njohun në vendin tim, deri atë ditë. Historia e ditëve te mia paraqitej tashti, si historia e pandershmërisë “zyrtare”, e dëshprimit të përgjithshëm dhe e frikës, mbretneshës absolute mbi të gjithë, tue përfshi edhe sundimtarët.

*

Pushteti i ri më “mobilizoi” si nëpunës në Seksionin e Rindërtimit. Fillova punën rutinore të zyrtarit, pa entuziazëm. Megjithatë, brenda pak ditësh, kuptova randësinë e funksionit që më ishte caktue. Me ardhjen e ndihmave të para “aleate” (UNRRA), punimet e rindërtimit të vendit të shkatërruem, morën vrull. Në këtë veprimtari të pandërpreme, u gjeta papritmas i angazhuem plotësisht, me dëshirën e madhe të kontributit vullnetar. Isha në zyrë që në orët e para të mëngjesit, e delsha në orët e para të natës. Nuk më imponohej. Ishte dëshira ime me qenë sa ma shumë brenda “kantierit” të punës rindërtuese. Ekipi i zyrës sonë përbahej nga elementë “indiferentë” në politikë, por “zyrtare” të rregullt. Fryti i punës sonë dukej qartë. Pothuejse çdo javë rindërtohej nji urë e vogël, shtrohej nji rrugë e damtueme, ose përmirësohej nji ndërtesë qeveritare. Entuziazmi i punës rreth meje, më rrëmbeu. Isha pjesë e ndërmarrjes së përgjithshme për rimëkambjen e vendit tim të shkatërruem. Frika e parë me zanë punë e me fillue jetën si nji “i pjekun”, me përballue me forcat e mia, me ndërveprue me njerëz të rij e të panjohun, kaloi shpejt. Nuk ishte ma jeta e shkollës, me shokë e me shoqe, plot andrra, aspirata e dëshira me jetue gjithnji i ri. Por nuk u dëshprova! Këtu, u ndjeva se isha dikush, isha diçka. Nga mesi i prillit, 1945, nji demonstratë e madhe e popullit të organizuem, u zhvillue para ndërtesës së prefekturës, ku gjindej edhe zyra ime. Pankarta me emnat e udhëheqësve jugosllave, sovjetike e shqiptare, mbushën sheshin. Shkrime të çuditshme që kërkojshin anëtarësinë e Shqipnisë në Organizatën e Kombeve të Bashkueme, dhe aneksimin e Triestes nga “Jugosllavia e Titos”, lexoheshin në shirita të gjatë pëlhure, që mbajshin nalt demonstruesit! Askush nuk merrte vesh qëllimin e kësaj demonstratë, me përjashtim të organizatorëve, që shiheshin në mes të turmës tue dhanë instruksionet e duhuna. Masa e bindun shperthente me “Rroftë!”, ose “Poshtë!”, simbas sinjalit të dhanun. Mbas dy orësh demonstrimi, gjatë të cilit folësit nga balkoni premtuen se do të njoftojshin qeverinë qendrore dhe “autoritetet jugosllave” mbi ndjenjat patriotike dhe indinjatën e madhe të popullsisë së qytetit të Shkodrës, demonstruesit u shpërndanë, përsëri me urdhën. Pamja e mijëra qytetarëve të mbledhun me urdhën, që manifestojshin me urdhën e shpërndaheshin me urdhën, më bani nji përshtypje të thellë e të keqe, sa që fillova të shikoj me përçmim ata që tërhiqeshin të fundit nga sheshi kryesor. Shfrytëzimi i fjalës “popull”, i vullnetit, dëshirës dhe aspiratave të tij, në nji mënyrë kaq banale, lëkundi besimi e ushqyem në aksiomën e mendimit tim se, duhet mendue, folë e veprue, “në emën të popullit”, nëqoftëse kërkohet justifikimi moral e ligjor i veprimtarisë sonë politike e qytetare. Atë ditë, me trajtimin e popullit si kafshë pune e manipulimin e tij të paturp. Unë pashë nën dritën e diellit, fëtyrën groteske e të zbulueme të diktaturës së kuqe që na imponohej dhe e urrejta me fuqi. Pak kohë ma parë, vargje të gjata kosovarësh, të mobilizuem nga “Jugosllavia e Titos”, kishin kalue nëpër rrugët e qytetit tonë. I pashë në kolona pambarim, të lodhun e të këputun, nën mbikëqyrjen e armatosun jugosllave....në tokën shqiptare! Vetëm tri ditë ma vonë, ata që shpëtuen nga “ndëshkimi”, hynë në Shkodër tinëzisht e treguen masakrën e Tivarit. Ndërkaq, populli i Shkodrës, që për shekuj ka qenë i lidhun me luftën e Kosovës kundër ekspansionizmit serb e malazez, detyrohej tani me demonstrue publikisht, me kërkesën që Trieste t’i kalonte Jugosllavisë! Po Kosova, kujt i mbetej? Askush nuk përgjigjej! Kosovarët e masakruem u kthyen në “derrat kosovarë”! Çdo ditë e ma shumë, “pushteti i popullit” forconte themelet e mbështetjen e vet, mbi nji organizim racional të aparatit tij shtypës dhe mbi nji politikë pa kompromis, të eliminimit fizik të kundërshtarëve, tashma të cilësuem si “armiq të popullit”. Ekzekutimet në masë, me gjyq e pa gjyq, sidomos në zonat malore të veriut të vendit, u banë skena të përditshme. Çdo veprim zyrtar ishte nji sinjal ma shumë se, drejtimi i marrun nga « shteti » i ri, shpinte në diktaturë. Shtypi i vendit ishte qeveritar, kundërshtimi nuk lejohej, debati ishte i rrezikshëm e dialogu po çudiste, i zëvendsuem, dalëngadalë, nga fjalimet e gjata e monologet monotonë. Sa larg ishte ate ditë, atmosfera e nji gjallnie antidespotike që, lindi në shpirtët e rij, të ushqyeme me andrra mbinjerëzore, e gatishmëni me u hedhë në të pakufishmen, si maniakët e vrapit të vetëshkatërrimit! Sa larg ishim ato ditë, nga ajo gjallni që sillte ideali i ndërtimit të nji vepre të re, te nji bote të re e të lirë, e që ikte nga dora çdo ditë e ma shumë! Në shoqninë e re që po lindte, sillej pa drejtim nji popull pa puls jete, pa gatishmëni me u hedhë hovshëm në nji bote të ndryshme nga ajo e përditshmja banale, që nuk premtonte, as andje, as dëshira....Shpresa, zoti i vetëm që ende mban miqësinë me njeriun, që çan erresirën e lejon lundrimin në detet pa brigje, ishte në pragun e vdekjes! Propaganda “komuniste” në Shqipni, gjatë luftës, kishte diçka nga imagjinata e poetit, si “thirrje për udhëtim” drejt nji bote ma të mirë e premtuese. “Bukë e paqe, edhe liri!”. Cili nga ne nuk lëkundet nga nji thirrje e këtillë? S’ka ma të vorfën! S’ka ma të shtypun! Jemi të gjithë të lirë! Talljet e cinikëve të pjekun nga mosha e përvoja e vështirë, nuk ngrejshin peshë. Ata ishin grahmat e fundit të nji shoqnie në shtratin e vdekjes. E reja po lindte e ndritshme, plot jetë, plot premtime dhe do të ishte e jona, krejtësisht e jona! Kjo mjaftonte! Por sot, nuk ishte e jona! Këtu ishte vështirsia, me binde masat e hutueme nga grushti i hekurt mbi kokë, se vlera dhe dobishmënia e asaj që po jetohej ato ditë, e përditshmja banale, ishte mbytëse dhe e pashpresë. Marrëzina kolektive, monstruozitete individuale, histeri qeveritare; nji shoqni në transformim të plotë, delte me skenë e nji rendi shoqnuer, të ri e të papranueshëm. Ne me të Silës, që jepte shpirt dhe Karibdës, që kërcënonte me vdekje, nji popullsi e hedhun nga ngjarjet, sa këndej, aq andej, lundronte pa busull, ecte pa drejtim të caktuem, e hynte pa kuptue në tunelin e errët, ku nuk shihej drita e daljes. Stuhia që mbuloi vendin, nuk premtonte veçse shkatërrim.

*

Nji pasion për kundërshtim e veprimtari kundër “pushtetit”, rritej çdo ditë me nji shpejtësi që nuk isha në gjendje me ndalue. Më dukej sikur koha më ndrydhte, sikur “nuk kishte kohë“ me pritë. Mosha e re ngjallte ndjenjën e urgjencës për përpjekje me ba të pamundunën, e ishte ba zot i mendjes sime, nji sundues absolut mbi çdo dëshirë tjetër, që forconte vullnetin për veprim. Në ato ditë revoltimi, ideali zbulonte për mue nji fushe të pamatun veprimi, nji hapësine të pafund, të pakufij, tue mos lejue jetën e përditshme me marrë formën e nji njisie të kufizueme, të vogël, pjesore. Revoltimi ngjallte të pafrenueme dëshirën me u zgjanue, me u shtri, me pushtue me krahë e me mendje pambarimin, tue i dhanë kështu jetës, përpjestime shumëfishe, e ndjenjën e pakrahasueshme të gëzimit, kënaqësisë, frymëzimit të lindun nga ajri i lehtë i idealit, që ngren nalt, e përherë ma nalt. Para meje ngrihej çdo ditë ma e madhe, ma e naltë, ma kërcënuese, “ndërtesa“ që më zente pamjen, më pengonte hapin, e përgatiste për mue murimin e përjetshëm, qelinë time fatale, si varri i Rozafës viktimë! Në brendinë time, ndijsha gjithashtu, nji rritje të pandalshme frymëzimi për përpjekje, ballafaqim e liri. Thirrja për aksion të rrezikshëm, më çlironte njikohësisht, edhe nga prangat që më coptojshin...! Njizet vjeçari që isha unë ato ditë, bante thirrje të ngrihesha në kambë, e në vend të vapës mbytëse që kishte sjellë rendi i ri i porsavendosun, të kërkojsha stuhinë, po të ishte nevoja, në turrin rrëmbyes të saj, të freskojsha gjoksin tim që digjej, e të vdissha i kënaqun, në vorbullën e ajrit të trazuem nga forca e epshit tim kërkues. O magjia e së pakufishmes! Vetëm nji puthje nga ti mbi ballin tim, arsyeton nji jetë të tanë, e veshë me rroba lavdie vdekjen e paevitueshme që siguron fluturimi yt i guximshëm! Sepse, i ambël asht edhe vetë shkatërrimi i trupit që prek qiellin... Ky turr rrëmbyes bante shumë të vështirë ballafaqimin me njerëz të thjeshtë, fëtyrat e të cilëve, akoma tregojshin shpresë për nji jetë të re, fjala e tyne shprehte këtë gjë, e gjesti i tyne ishte pamja konkrete e nji besimi në premtime. Ata nuk shihshin rreth e rrotull detin e krimit, të shtypjes, të padrejtësisë, të urrejtjes ku ishte kredhë vendi. Nuk kisha guxim me i përballue haptas e sinqerisht, me folë ashtu si flet vllau me vlla, me ju tregue me gisht kobet e përditshme e kokët që rrokulliseshin me shpejtësi, me i zgjue nga gjumi, me i lëkundë për krahu me fuqi, me bërtitë se “çlirimi” i njenit vlla, nuk mund të bahej me gjakun e vllaut tjetër të pafajshëm, se ligjet e reja e fjalët që tingëllojshin si kumbonë lirie, nuk do të sillshin lirinë e premtueme, nëqoftëse ndryshimi nuk do të bahej edhe në ndërgjegjen e “fitimtarit”. Ky ndryshim nuk ishte ba, as që premtonte nji kthesë të këtillë për të ardhmen; kjo ishte edhe tragjedia e vendit tim. Kur dëshprimi e frika me shtrëngojshin me u strukë në dhomën time të vogël, i paaftë me folë, e me dëshirën e humbun për lexim, për orë të tana përpiqesha me kuptue domethanien e këtij procesi historik, që zhvillohej nën sytë e mi, si lumi që rrjedh pa pra. Më kujtoheshin ditët e shkollës, ushqimi i së cilës më lejonte me shtri krahët në qiellin e fluturimit mendor: periudha e antikitetit grek e roman, Rilindja europiane, zgjimi mendor i kontinentit e fenomenët e tij, iluminizmi, idetë shoqnore të shekullit të kaluem, më sillshin në mendje diçka ma themelore se emnat e mbretënve sundimtare, diçka ma pak të zhurmshme, ma pak të këndueme në kangë e të brohoritun në publik. Më vinte në mend diçka ma vetjake, ma e thellë e, që buronte si zgjimi i ndërgjegjes tek çdo njeri, si liria që del nga brenda, si ndjenja e fuqishme e nevojës së secilit me qenë nji qenie e lirë, nji njeri! Nuk kishte dyshim se, vendi im kishte hy në nji qorrsokak të modelit të fundit bashkëkohor. Shoqnia e re kishte vra me dorën e vet, ambiciet e saj morale. Ajo ishte capërtisë nga egërsia e frymës dhe e aktit shkatërrimtar, që e mbajshin në kambë. “Njeriu i ri” ishte vetëm nji përbindësh i ri, por ma finok! Tek ai, gjithçka ishte e përqendrueme në nji pikë: urrejtje! Tek ai, gjithçka ishte e drejtueme nga nji ndjenjë: hakmarrje! Tek ai, gjithçka ishte e frymëzueme nga nji qëllim: etja e pangopshme për pushtet absolut!

*

Gjyqet politike, të administrueme nga autoritetet ushtarake, ndiqshin njeni-tjetrin. Në kryeqytet, dënoheshin publikisht e me zhurmë kuislingët e nacionalistët e gabuem. Në qytetet e fshatet e gjithë vendit, dënoheshin në salla të mbylluna e në heshtje, grupe qytetarësh me akuzat ma të vogla e shpeshherë, absurde e të trillueme, tue ngjallë tmerrin e popullsisë së hutueme. Autoritetet e vendit mbulojshin gjurmët e krimit, me fjalime e manifestime publike shurdhuese. Çdo lagje krijoi “këshillin“ e vet, me detyrë mbikqyrjen e veprimtarisë së banorëve të saj. Mbledhje politike pa mbarim konsumojshin orët e lirë me ndigjimin e raporteve politike, të lexueme nga “agjitatorë “ gjysëmanalfabete. Heshtje e duertrokitje, ndërsa frika mbulonte gjithçka. Gjatë natës së errët, ziejshin ndjenjat e zemërimit të nji popullsie të shtypun, si vullkani i gatshëm me shpërthye në rastin ma të parë. Në këtë errësirë që na mbulonte, çdonjeni i ndigjonte me zemër të ngrime prishjen e qetësisë, e tinëzisht e me ngadalë, andej kah mëngjesi, kur feksjet e para të dritës në lindje lajmojshin ditën e re, ngrente kokën me kujdes, sikur dëshironte me pa diçka, ma përtej... Krisma e nji breshnie plumbash, priste fijen e gjatë të heshtjes që zente frymën, e thente qetësinë me ritëm të caktuem....e dukej sikur këpuste lulen që bien, e rikthehen në pushim të përhershëm. Ishin netët e ekzekutimeve me grupe, ku bashkë me viktimat, vritej edhe zemra e nji populli mbarë. Gjendja e padurueshme rreth nesh krijoi sensin e nji etike të përgjëgjesisë personale, sidomos ne me te rijve e që, ma vonë, mori forma kolektive. “Grupi“ ndjente nevojën e gjykimit të ngjarjeve e të akteve të sunduesve. Nga “grupi“ vinte shtymja e pakënaqësisë, thirrja për mosnënshtrim e për revoltim. Çdo ditë e ma shumë, ajo merrte nji formë konkrete me hovin shpërthyes që mundsonte aktin guximtar të përballimit të ortekut që marshonte me shpejtësi. Ishte revoltimi kundër padrejtësisë, jo individuale, por themelore, të përgjithshme, kundër padrejtësisë së organizueme në sistem, që zhvishte qytetarët e lirë, nga dinjiteti i tyre njerëzor! Ajo që na mungonte, ishte “ideologjia”, nji sistem mendimi i përpunuem sistematikisht e veçanërisht, i dëshirave dhe aspiratave tona. Konservatorizmi i shoqnisë së maparshme, ngrihej para nesh me të gjithë pamjaftueshmerinë e tij. Megjithatë, vendi jonë kishte nji traditë lirie, që na krenonte. Ndoshta, ishte kjo krenari që dramatizonte në sytë e mi, përplasjen në mes të botës së vjetër e asaj të re, pengu i së cilës isha unë, këto ditë. Kjo traditë e ndërtueme me gjak e djersë, prej breznish të tana, rrezikohej me u shembë nga grushtet e vandalit të ri. Ajo tradita, duhej ushqye, që të mos lejohej shumja e saj e plotë e në heshtje. Me nji të kalueme që nuk pranojshim, me nji të tashme që përbuzeshim, nuk mbetej tjetër, veçse të idealizojshim nji të ardhme të panjohun, por të veshun me rrobet e fantazisë rinore. Këtu, fillonte lundrimi jonë në detin e gjanë, pa brigje!

*

Në këto ditë kërkimi për nji rrugëdalje, takova nji frat françeskan, Pater Gjonin, emni i të cilit përmendej me admirim nga të rijt e qytetit, e ngjallte mirëbesim. Në muzgun e nji mbramjeje, kalova pragun e shkollës së mesme françeskane, në shoqni të Ndocit, nji kolegu të besueshëm e u ngjita në katin e dytë. Në tryezën e nji sallë leximi, gjetëm fratin që na priti me gëzim. Ishte takimi im i parë me nji klerik katolik të njohun. Ky çast vendimtar në formimin tim politik, ishte shumë i randësishëm. Me nji thjeshtësi karakteristike të ndjekësve të Shën Françeskut të Asizit, frati na përshëndeti. E ndjeva veten, “si në shtëpi“. Më pyeti për ngjarjet e ditës, e fola pa ndërpremje, me zemër, ma shumë se me mend. Ai ndigjonte, buzëqeshte nganjiherë, por nuk isha në gjendje me pa mirë në fëtyrën e tij, efektin e fjalëve të mia. Nga dritorja hynte e zbehtë drita elektrike e rrugës kryesore të qytetit. Në atë dhomë pa dritë, pata ndjenjën e plotë të punës konspirative, megjithëse bisedimi jonë ishte thjesht nji dialog, shkëmbim mendimesh që, në çdo vend tjetër, lejohej me u zhvillue në forma të lira. Por jo në vendin tim! Frati ishte ma koshient i seriozitetit të takimit tonë. Ishte e qartë se ai e kishte pranue takimin, si nji akt “ilegal” dhe se, e dëshironte atë. Më foli me bindje të plotë se, ditët që po jetojshim, ishin të vështira për të gjithë, por sidomos, “për organizata të themelueme mbi parime që kundërshtojnë ateizmin”. Ai e kishte të qartë se, ballafaqimi i ideologjisë materialiste e i sistemit politik të ngritun nga “bolshevikët ateistë”, siç i quente ai, me ideologjinë idealiste të fesë e sidomos, me organizimin e Kishës Katolike, si një institucion ndërkombëtar, ishte i paevitueshëm dhe kjo e frikësonte, “jo për vete”, si tha ai, “por për të ardhmen e Kishes sonë, këtu në Shqipni”. Nuk ia shihsha fëtyrën fratit që, në atë moment, duhet të kishte qenë shumë serioze. Por zani i vinte i plotë, pak i randë, megjithëse fliste me za të ulët. Frati vazhdoi me tregue lidhjen e pazgjidhshme të Kishës Katolike me historinë e vendit tonë, e Europën. “Megjithatë, çdo herë kemi pasë përkrahjen e Europës së krishtenë. Sot”, vazhdoi ai, “Europa po ndahet, e vendi jonë asht caktue me qenë pjesë e Lindjes, ku mbretnon rendi bolshevik. Sot jemi pa mbrojtje efektive nga nji qeveri e fortë. Sot jemi vetëm!” Mbas nji pushimi të shkurtër, sikur donte me sigurue veten para sfidës që e kërcënonte me asgjasim, frati tha: “Nuk do të provokojmë; nuk asht roli jonë. Por njikohësisht, nuk mund të heqim dorë nga feja e nga Kisha e Romës. Ata janë jeta e nana jonë. Pa ata, qenia jonë si klerikë, s’ka kuptim.” I fola për predispozicionin shpirtnor të të rijve që, ashtu si unë, ishim zanë robër të nji situate që kalonte fuqitë tona me e ndryshue dhe se, na mungonte “ideologjia”, nji sistem i formave të mendimit e sidomos, përgatitja e nji plan-veprimi, në kushtet e krijueme nga diktatura e re. Ai tha se e kuptonte dilemën time e të shokëve të mi, por frikësohej se, vrulli i entuziazmit tonë djaloshar, do të na damtonte randë. “Armiku që përballojmë,” theksoi ai, “asht shumë finok, me përvojë të gjatë në Rusinë bolshevike, dhe krejtësisht barbar. Për nji gja duhet të jeni të qartë: qytetnimi perëndimor nuk ka penetrue në Rusi; ai asht i huej për bolshevikët. Në të vërtetë, ai asht i rrezikshëm për ata. Sot kemi përleshjen e dy vigajve, me dy qytetnime, jo vetëm të ndryshme, por armiqsore deri në vdekje”. Por frati nuk shkurajoi dëshirën tonë për veprim. Përkundrazi ai e dëshironte. Ai përpiqej me ngulë në mendjet tona, nevojën absolute për veprime të matuna, si dhe të na ndërgjegjësonte për rrezikun e madh që përballojshim. Ai na këshilloi që, çdo lëvizje e jona të jetë “e përbashkët” e sidomos, pa dallime fetare. “Kam marrë vesh,” tha ai, “se në Kroaci, lëvizja antikomuniste përfshin nji përqindje të madhe vajzash. Jetojmë në nji bote të re, përballojmë nji armik të ri, e të vendosun me na shkatërrue. Mendoj se, edhe në Shqipni, roli i femnës duhet të ndryshojë....” Kërkova të përdorim teknikën e gjimnazit, por ai u përgjegj: “e kanë konfiskue”. I tregova se mendojshim me përgatitë e shpërnda nji trakt kundër “pushtetit”, natyrisht ilegalisht. Ai e aprovoi. Na këshilloi të kundërshtojmë zgjedhjet elektorale të 2 nandorit, që pushteti i ri do të mbante me qëllim të ligjësimit të ardhjes e qëndrimit në fuqi. I premtova se do të mbajsha kontakte të rregullta me të dhe, se do të respektojsha kërkesën e tij me mbajtë sekretin e takimit, e u ndamë. Tre muej ma vonë, nji valë arrestimesh masive të klerit katolik shqiptar në Shkodër, përfshiu edhe fratin tim. Ashtu si klerikët e tjerë, ai u torturue, i akuzuem për “tradhti”, u dënue me vdekje e u pushkatue... Ndërkaq na kishim shpërnda dy trakte ilegale, e kishim protestue me anë të nji memorandumi në gjuhën franceze, “manipulimin” e votimeve pranë autoriteteve “aleate” që vizituen vendin ato ditë. Suksesi jonë fillestar e kishte gëzue fratin e izoluem në Kuvend. Mbas arrestimit të tij, grupi jonë u trondit. Të gjithë jetuem me frikën e zbulimit të kontakteve tona. Hedhja e trakteve ilegale iu mvesh nji grupi tjetër të rijsh, që u dënue pa faj. Por nga frati, nuk doli asnji fjalë. Ndoshta, vetëm në qelinë e errët të burgut e në pritje të ekzekutimit, ai do të ketë mendue edhe për takimin e grupin tonë e do të jetë lutë për ne e për punën tonë, që ai filloi me çmue. Ndoshta, në ato çaste vetmie, ku vetëm zani i ndërgjegjes ndigjohet i qartë e, ku fuqia vjen vetëm nga besimi në nji ideal të naltë, të pathyeshëm, ky bir i Shën Françeskut do të jetë ngushëllue me mendimin se, jashtë mureve të burgut, po rritej nji rini e shëndoshë, guximtare, që nuk pranonte degjenerimin moral e nënshtrimin e turpshëm ndaj diktaturës “bolshevike” dhe se, kjo rini mbetej shpresa e vetme për mbijetesën e kombit tonë e si rrjedhim, e vazhdimësisë së Kishës Katolike në Shqipni. Ky mendim e kjo shpresë duhet ta kenë ngushëllue fratin tonë, këtë klerik katolik shqiptar, të dedikuem e të dënuem me vdekje, pa faj...! * “Ligjësimi” i fituem me zgjedhjet e manipulueme parlamentare, u kuptue si dorë e lirë veprimesh, ligjore e joligjore. Forca e autoritetit kaloi çdo pengesë; ajo u ba e gjithanshme, e plotfuqishme, e papërgjegjshme. Me këtë mandat, filloi mobilizimi i popullsisë për aksione në shkalle të gjanë. Grupe vullnetarësh, sidomos të rinjsh, u mobilizuen me nënshtrue popullsinë vendëse. Nji trajtim i këtillë ngjalli armiqsi të vjetra e kjo krijoi mundësi për hakmarrje të vjetra, “me dorë të pushtetit”. Shoqnia tradicionale shqiptare, e kodi i saj, pësuen nji goditje të randë e fatale. Efektet e nji “mobilizimi” të këtillë u panë shpejt, sidomos në fshatrat e vendit. Me ardhjen e stinës së verës, në lamije gruni ose në qendra katundi, anëtarët e partisë, zotër të plotfuqishëm të jetës së banorëve vendës, që kishin humbë mbrojtjen e ligjit, merrshin vendime “në emër të Partisë e të popullit”. Skuadra vendëse zbatonte me përpikmëni urdhrat e dhanun nga padroni i padiskutueshëm: aty, në ato lamije pune, rraheshin burrat me dru, ma keq se kafsha, nën sytë e grave e fëmijve që ulëritshin e luteshin për mëshirë, ndërsa mashkujt heshtnin nga frika. Aty, në atë shesh të katundit, pushkatoheshin, shembull për të tjerët, pleq e të rij, fajtorë, pse nuk kishin pasë guximin me vdekë me armë në dorë. Ishte koha me zgjedhë: me përballue stuhinë shfaruese, ose me pësue forcën e saj shkatërruese. Shumica e pësojshin të parevoltuem, sepse ishin të bindun për pafajsinë e tyne. Ata nuk arrijshin me kuptue se, nuk ishte “faji” që dënohej. Ose shtyp me kambë, ose shtroju shesh për kambën, si urë kalimi për shtypsin e ri,... vuej e vdis i shtypun! Në piedestalin e perëndive ku qëndrojshin komunistët pushtetarë, raportet me njeriun e thjeshtë përcaktoheshin, nga ngritja e zbritja e intensitetit të tiranisë që mbretnonte në vend. Para kësaj tiranie që ushtrohej nga nji qeveri shtypëse, raportet e rebelit e të viktimës me perënditë e kuqe, rregulloheshin nga mbajtësi i pushtetit absolut. Ballafaqimi i përhershëm viktimë-xhelat, përmbante esencën e tragjedisë shqiptare të atyne viteve: heroj rebelë që vriteshin e, jetët e viktimave të nënshtruem, që shuheshin në nji heshtje mbytëse e të imponueme nga Olimpi grykmadh, i verbët dhe i pamend! Komunistët shqiptarë që drejtojshin të gjitha aspektet e jetës së vendit, nuk kishin kuptue as të dhanat ma fillestare. Ata nuk pranojshin parimin se, asgja nuk justifikonte humbjen e nji jete njerzore dhe se, çdo shqiptar, që nga malsori i pavarun i Kelmendit e deri te labi që kërkon punë me sigurue bukën në Vlorë, të gjithë ishin qenie njerëzore, të lira dhe me dinjitet. Ata nuk pranojshin se, çdo banor i kësaj toke që digjej me zjarr, në këtë vend që vaditej me gjak të pafajshëm brez mbas brezi e, në mënyrë të rregullt, si të ishte “thanë prej Zotit”, çdonjeni ishte bir e bijë e këtij vendi te përbashkët për të gjithë e, që quhej atdhe nga të gjithë, shtëpi e përbashkët për të gjithë, pa asnji dallim. Gjate vjetëve të terrorit fashist, në mes të entuziazmit të fitores mbi të huejin, i pushtuem nga admirimi për aq shumë luftëtarë që u hodhën në flakën e altarit të lirisë, nuk gjejsha qetësi nga gëzimi. Por, kjo sasi e çmueshme vullneti për aksion çlirimtar, a kishte, në të vërtetë, vlerë sot, para qëndrimit përçmues për njerëzimin?! Cila ishte pesha e luftës së djeshme, para degradimit moral ku kishin ra sot, para përpjekjes absurde me përmirësue cilësinë e “njeriut të ri” shqiptar, me dhunë?! Cilët krahë do të ngrejshin përsëri trupat e rrëzuem për tokë nga grushti shtypës?! Cila gjuhë do të shqiptonte përsëri fjalët frymëzuese për veshët e shurdhuem nga krisma e armëve vrastare?? Cila dorë do të shtrëngonte përsëri e me dashuni, dorën tjetër me gishtat e këputun në torturë?! Cila ndërtesë e landës së pashpirt, do të qëndronte në kambë, mbi themele të hapuna si vorreza kolektive? Ata që ndërtojnë kullat e shëmtueme për qendra banimi paqësore, gabohen randë: në mesin e natës, kur çdo gja pushon, nga truelli i mbuluem ndër gurët e randë, gjama e të pafajshmëve, të hedhun dosido nga shkelmi partizan, do të ngrihet çdo natë, kumbuese si kumbona e kumtit të vdekjes. Cila ndërgjegje e randueme nga krimi do të jetë, atëherë, në gjendje me pushue qetësisht?! Krymbi i krimit të kryem nuk do të pushojë, derisa të brejë pa mëshirë dhe kandin ma të largët të ndërgjegjes fajtore. Vetëm kafshët që nuk kuptojnë vuejtjen njerëzore, vetëm ato do të mbijetojnë!

*

Arrestimet e dënimet e pandërpreme e mbajshin popullsinë në nji gjendje të përhershme tensioni e frike. Të akuzuemt nuk ishin ma “bashkëpunëtorë” të okupatorit. Në sallat gjyqësore u paraqitën figura të shqueme të “Luftës Nacional-Çlirimtare” e të rezistencës kundër pushtuesit. Ishte e qartë se, regjimi i ri ishte drejtue kah nji monizëm politik totalitar, pa kondita, pa rezerva. Grupi jonë shpeshtoi takimet, por për mungesë mjetesh teknike, u kufizue vetëm në diskutime që nxirrshin në shesh aktet e paligjshme të pushtetit të ri. Marrëdhaniet me botën e jashtme keqësoheshin çdo ditë e me qëllim, nga nji qeveri që, hap mbas hapi, hynte ne sferën e influencës jugosllave. Prania e nji numri të konsiderueshëm instruktorësh jugosllave, përçudnimi i marrëveshjeve dypalëshe, të gjitha në dam të vendit tonë e veçanërisht, perspektiva e “federacionit ballkanik” nën udhëheqjen e Titos, jepshin landën e duhun, për dikutime të gjata e me pasion. Jetojshim në nji atmosferë të zjarrtë, kërcënuese, por frymëzuese për veprim njikohësisht. Çdo gja që shihej, çdo lajm që ndigjohej, justifikonte qëndrimin e qëndresën tonë.

*

Në maj tv vjetit 1946, në qytet u zhvillue demonstrata e parë antikomuniste, e qetë, por e fuqishme e krejtësisht spontane, nën sytë e vëzhgimin e Sigurimit. Ishte funerali i arqipeshkvit katolik, që vdiq, ndërsa mbahej në gjendje arresti, në shtratin e vdekjes. Nji shfaqje madhështore e simpatisë popullore për nji të përndjekun të regjimit, elektrifikoi atmosferën e qytetit. Procesioni mortor kaloi nëpër rrugët kryesore e rreth katedrales qendrore, ku u banë lutjet e fundit. Turma e panumërt, katolikë e muslimanë, ndiqte arkivolin, në heshtje e dinjitet. Shpirtët tonë ishin të ekzaltuem, mendjet tona të qarta, e dëshira jonë me tregue ndjenjat armiqsore kundër diktaturës, mundi atë ditë frikën e përndjekjes nga Sigurimi i Shtetit, që na përcjellte kamba-kambës. Atë ditë, të gjithë pjesmarrësit, pa ndryshim besimi, u ndjemë katolikë, demokratë, shqiptarë, të bashkuem kundër armikut të përbashkët, diktaturës komuniste, në nji përpjekje me rifitue lirinë e grabitun me dhunë. Mbi kokët tona, ngrohtë dielli pranveror i majit! Pakënaqësia ishte e përgjithshme. Kudo shiheshin shenjat e nji dëshirë me u organizue, me veprue, me përballue diktaturën që randonte çdo ditë, me thye hallkën e hekurt që na shtrëngonte çdo orë e ma shumë. Si izraelitët e Europës naziste, na u gjetëm para nji psikologjie zyrtare, që mbështetej në mohimin e qenieve tona si “njerëz”. Tue fillue me parullat “me ne ose kundër nesh”, komunistët na thanë pa asnji ndrojtje: “ju, nuk keni vend këtu”! Ma vonë, kur pushteti u forcue, ata shtrënguen rrethin e hekurt: “armiqtë e popullit, në litar!”, derisa hoqën maskën: “Merrni sopatën e bjerini në kokë cilitdo që guxon të flasë...!” Ma thjesht, kjo parullë donte të thonte: “Nënshtrim ose vdekje!” Para këtij kërcënimi, vendosmënia jonë me rezistue nënshtrimin, u rrit edhe ma shumë. Ishim pjestarë të nji lëvizjeje të madhe e, që plotësonte kërkesat tona, emocionale e logjike. Ishim të bindun se, lëvizja jonë ishte përparimtare, për atë kohë e për vendin tonë. Kjo na jepte mbështetje, i përgjigjej pyetjeve tona. Ishte nji lëvizje që po ndërtohej me hedhë poshtë barrën shtypëse që bante absurditetin e gjendjes sonë, ma të durueshëm. Nga koncepti i armikut të “klasës punëtore”, në nji vend pa klasë punëtore; i shfrytëzuesit, në nji vend ku të gjithë ishin të shfrytëzuem nga vorfnia që i shoqnonte si këmisha e coptueme në trup, që nga djepi, deri në varr; i shtypsit, në nji vend që për tremijë vjet shijoi vetëm shtypjen e përbuzjen e të huejit, dogmatikët e erresinës komuniste kaluen në konceptin ma konkret të “armikut të popullit”. Cili armik?! Bujku i harruem dibran, apo çobani naiv i Lumës e Tropojës?! Skeleti i Mirditës që nuk u ngop kurrë me bukë, pse ishte e uritun për liri?! Druvari i Pukës së izolueme, apo i Dukagjinit magjepsës, që ende veshë lëkurën e dashit si rrobe të vetme, dimën e verë, sepse dëshira me jetue i lirë në krepa, asht ma e fortë se pagesa e qytetit që e ndryn në barakat e Kirit! Malsorët e Malësisë së Rranzave, apo të Postrribës, që kurrë nuk u shtuen, sepse u shuen në luftë për tokën që e deshën me shpirt, megjithëse nuk i shuejti, veç sa me i mbajtë të gjallë?! Shkodrani që kërrusi shpatullat nga pesha e tridhjetë shekujve histori, që e krenon?! Ndoshta krutani, kavajsi, shijaksi, elbasansi, trashëgimtare të nji epopeje që nuk lejon me u prishë, me u friksue, me u poshtnue, aq sa me vra edhe vllaun e nanës që ushqen me gjiun ma të vjetër të Ballkanit?! Cili armik?! Vllaznit e motrat e qyteteve e katundeve të Toskënisë, që besuen në lavdinë e luftës me pushkë, në mbrojtje të votrave të shkeluna?! “Armik” i këtij populli nuk mund të jetë ai që ndau të mirën e të ligën me këtë popull, ai që lindi e jetoi në mesin e tij, ai që nderoi vorret e prindëve, e ushqeu me shpresën për të ardhmen e fëmijve, ai që u lidh me zemër e gjak me këto krijesa të kapuna për fyti nga fati mizor. “Armiku” i këtij populli, mund të jetë vetëm i hueji, e ai që i shërbeu të huejit, sepse Shqipnia nuk ia mbushi synin, as xhepin....! Grupi jonë ballafaqohej me nji dilemë të madhe morale. Me ba nji shok për vete, me sqarue nji mendje të errësueme nga propaganda e përditshme, me “çlirue” nji njeri nga ankthi i frikës që e gozhdonte në vend, ishte për ne, nji virtyt pa gëzim. Sepse, në mendjen tonë na ishim të sigurtë që, çdo fitore e korrun do të kushtonte gjak, vuejtje e shpeshherë, të dyja së bashku. Fitorja e korrun do të sillte të rij në burgje, në tortura, vjet të gjatë dënimi e pushkatime. Ajo “fitore” do të krijonte familje të mbetuna rrugëve, fëmij të rritun jetimë, prindë të dërguem në kampe përqendrimi, bashkëshortë e motra që uria i detyronte me marrë rrugën e akteve poshtnuese, të imponueme nga “pushteti”, mbi familjet e përndjekuna. Nji fitore? Po, nji fitore e dinjitetit të njeriut nuk kishte asnji dyshim, nji fitore e veçantësisë ma tipike të njeriut, e domosdoshmënisë dhe vullnetit tij me qenë ashtu si ai vete e dëshiron, e pa frikë. Sakrifica ishte nji çmim i naltë, por jo shumë i naltë kur ishte fjala për qënien e lirë, të lirë prej çdo kufizimi artificial e kontrolli autoritar. Por, sa e këshillueshme ishte puna edukative që përgatiste të rijt për nji mundësi të këtillë e vuejtje të këtilla? Pyetja mbetej pa përgjegje!

*

9 shtator 1946. Mbas mesit të natës, gjumi i qytetit u prish nga nji breshni qitjesh me armë, që erdhi e papritun. Ishin katundarët e Postrribës që mbrojshin tokën e tyne, me gjithë shpirt. “Pushteti” i ri kërcënonte me shtetzim. Nji grup i madh i tyne, i guximshëm, po i paorganizuem, sulmoi qytetin, kazermat ushtarake e ndërtesat qeveritare, por pa sukses. Përleshja me “forcat e Sigurimit” vazhdoi deri në mëngjes, kur sulmuesit u tërhoqën. Rrjedhimet e këtij akti vetmohues, u treguen katastrofale. “Lëvizja e Postrribës”, ashtu si u quejt nga të gjithë, nuk la shumë viktima në fushën e betejës, por bani shumë viktima në ditët që vazhduen. Në nji fushë afër qytetit, u ekzekutuen njizet e tetë katundare. Me duzina shtëpi u dogjën, e tymi i tyne dukej qartë nga qyteti. Arrestimet u banë në masë dhe jashtë çdo kontrolli. “Lëvizja” u ba shkak “të pastrohej” gjithë qyteti i Shkodrës me rrethe, nga elementët “armiq të popullit”. Brenda nji mueji, qyteti kishte njimbëdhjetë burgje të përkohshme, e ma shumë se njimijë e dyqind të arrestuem. Hija e randë e ekzekutimeve, ishte kudo! Por natën, kur filloi pushka nëpër rrugët e qytetit, Shkodra u elektrifikue. Ideja e rrëzimit të “pushtetit komunist”, ndezi fantazitë e të gjithëve. Monstra e kuqe mishngranëse ishte plagosë! Nga dritorja e hapun në atë natë shtatori, krizmët e pushkëve më mbushën me shpresë. Digju flakë, o Shkodra ime plakë, digju! Sepse dora kriminale që skuq me gjak sot gurët e rrugëve tueja, nuk asht e panjohun prej banorëve tuej. As asht i panjohun vaji i nanave e i grave që do të coptojë zemra prindësh e jetimësh nesër në mëngjes, kur të kumtohet kobi i kësaj nate! Nuk asht melodi e re për këtë popull që asht ushqye, me gjak e lotë. Nga Rozafa, sot e zymtë dhe e zemrueme, në këtë natë martirizimi, zana numron viktimat e rame për liri, ndërsa në ledhët tremijevjeçare të kështjellit, legjenda kalitë emnat e tyne për përjetësim. Historia jonë, o Shkodër, asht tingulli i daltës së çeliktë që pret thellë në granitin që copton, e në mermerin e lëmuet, kalitë pavdekësinë e atyne që dhanë jetën, flijime të ndërgjegjshme të njerëzimit të lirë. Digju flakë, o Shkodra ime plakë, digju! Sot, në errësinën që të ka mbulue anembanë, për ushqim ka përsëri nevojë liria, për djelm ende të parritun si duhet, për burra që nanat kerkojnë pse duhen ushqye fëmijt që qajnë për bukë e, për babën që nuk asht ma. Ngrije zanin e kushtrimit përsëri, ti o qyteti i Rozafës, shpërndajë erresinën që mbretnon, o Shkodra plakë, e me unën e ndezun në dorën që të shkrumbohet nga zjarri i lirisë, digju, digju flakë, o Shkodra ime plakë, digju! Vështirësimi i gjendjes nga ndjekjet policore, shkaktoi hutim në mes të popullsisë. Në këto ditë të randa, shoku im i zyrës më njoftoi se, afër qytetit, dy të arratisun politikë ishin ngujue në nji shpellë e gjindeshin në rrezik me vdekë nga uria. Plaka që i furnizonte me bukë, ishte e vorfën e pa mjete me ndihmue. Nji grup i vogël u formue në mes nesh e u vendos që, nji pjesë e pagesës sonë mujore, të caktohej për ndihmë. Ishte nji ndërmarrje që na ekspozonte para nji rreziku të papritun shumë të madh. Por nuk kishte rrugë tjetër! Shpeshherë, ngjarjet zhvillohen pa ndërhymjen tonë e na bahemi, pa dashje, instrumenti i zhvillimit. Për afër dy muej, ky sistem punoi me sukses, deri në nji ditë, kur për nji aksident banal, plaka u zbulue, të arratisunit u rrethuen, e në luftim me forcat ndjekëse, njeni u vra; tjetri u zue rob e u pushkatue ma vonë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora