E enjte, 28.03.2024, 04:26 PM (GMT)

Editorial

Ruaje Zot Shqypnin nga Shqyptaret

E merkure, 16.05.2007, 08:36 PM


Nga Albert VATAJ

Albert Vataj
Aktualiteti i kësaj shprehjeje frazeologjike të Homerit të letrave shqiptare, At Gjergj Fishta e gjejmë të mishëruar në tërësinë e jetës politike shqiptare. Kriza që ka kapluar vendin që në mesin e vitit që lamë pas, për tu ashpërsuar në kacarritjet e para të vitit 2007, e skapulluar pas qasjesh të pafundme të ndërkombëtarëve dhe faktorëve të tjerë jokokënxehte, në gjenezën e saj ofron si të vetmin shkaktar interesat politike të palëve. Kokfortësia, meskinitetet dhe fodullëku nga njëra anë, përpjekja për të shfaqur panoramën e një tolerance nga ana tjetër, bashkudhëtuan nëpër një terren tepër të thyer. Tërësia e gjithëkësaj dukurie politikëbërjeje që karakterizoi disa muaj radhazi atë që mund ta quajmë situatë parazgjedhore nuk ishte asçka që binte ndesh me moralin e kahershëm të politikës shqiptare. Kjo edhe pse në korin e saj ka tashmë zëra të ashtuquajtur të rinj, por që nuk kanë mundur të jenë si të tillë edhe pas nuk janë zbythur nga fronti i luftës së deklaratave ndaj politikës së vjetër. E parë më këtë sy, gjithçka që mishëron klasën politike nuk promovon në asnjë hap dhe në kurrnji etapë fajtorë nominal, pavarësisht se më mënynë e akuzave lista e emrave ka qenë e gjatë. Duke u kthyer në retrospektivë, i payshtur nga nacionalizma të vockla dhe pa patur gajle nga të vërtetat e thëna nga pak burra dheu të këtij vendi, vëmë re se kaplimi i kësaj të keqeje shqiptare ka udhëtuar kaherë në realitetin shqiptar, për të mbetur i pacenuar edhe sot e kësaj dite, sikur të ishte një visar i çmuar. Asnjë traditë shqiptare nuk ka mbetur më autentike se sa ajo e konfliktualitetit politik dhe mungesës së frymës së përfaqësimit të interesave kombetare.
E këta fytyrëlyrosur e barkalecët e sotëm nuk ka gjasa të jenë diçka tjetër. Kush ua la paqen politike, mirëkuptimin dhe bashkëjetesën, që ata ta kishin si trashëgimi dhe t’i shërbenin asaj si një fëmije hekakeq, për ta rritur e për ta bërë të zotin e vetes e të këtij vendi. Interesat e palëve kanë qënë në Lidhjen e Lezhës, për dreq po i njëjti harxh u nda edhe në tavolinën e Presidentit të Republikës.
Duke dashur të risjell gjithë atë zallamahi që u bë për certifikatat mund të them se kapsllëku politik erdhi nga babëzia e palëve për terren politik, për pushtet vetoje e çmos tjetër, që ka të bëjë vetëm me: se mos pritej një pelë e të mos merrnim një felë. Loja e ndyrë që kapërtheu vendin nëpërmjet një krize të riciklueshme u mbars më shumë me përpjekje për ta degdisur vendin në një hendek pa rrugëdalje, se sa për të garantuar standarde për zgjedhje të lira dhe të ndershme, trumbeta të cilave i frynë derisa shkoj zëri në qiell. Moti, KQZ, Kodi Zgjedhor, certifikatat ishin vetëm koperturë e gjithë atij meraku që kishin persona të veçantë dhe palë politike për të shtyrë sa të ishte e mundur përballjen fatale me vullnetin e zgjedhësve shqiptar. Shumëçka që dallgëdisi këtë të sotme pakrye kishte zanafillën muaj më parë, kohë kur opozita propozoi para shqiptarëve rikthimin e vitit 1997, sikur të ishte ky vit jo çmenduria jonë kolektive që na ktheu në tribu, por moti i bekuar nga vetë Zoti. Këta derbederë pasi panë se elektorati ua kishte kthyer kurrizin e qasej të shihte jetën e vet të vështirë ndërruar tabjat dhe shpikën mangësitë që kërcënonin standardin evropian të zgjedhjeve për t’i patur si ngasje për nji dimension të ri elektoral. Vetëm zgjedhjet dhe rezultati i tyre do të jetë dëshmia e qartë, nëse kjo vërtetë ka shërbyer si ngasje apo si nervacingëritje. Ajo që mund të shquajmë këtë dekik është se të dy palët kanë bjerrur goxha në elektoratin e tyre, tregues të cilin do ta diftojë pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të fundshkurtit. Hamendjet tregojnë se kjo zvargie e pakuptimtë, kjo kacafytje politike e paprinciptë, kanë kultivuar në kushte mrekulluese indiferentizmin ndaj institucioneve të shtetit, ndaj politikës në tërësi dhe në kryeherën e tanëçkaje, ndaj zgjedhjeve.
Me kompromisin hekakeq të arritur ka pak gjasa që armëpushimi të mbretërojë në sarajet e politikës shqiptare, sikundër nuk kam asnjë mëdyshje se "Shqypnin" vijojnë ta kenë halë në sy "shqyptarët".



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora