E hene, 18.11.2019, 09:33 AM (GMT)

Editorial

Blerim Latifi: Vija fatale e Ballkanit

E diele, 20.10.2019, 05:44 PM


VIJA FATALE E BALLKANIT

Nga Blerim Latifi

Njerëzit e Ballkanit, gjatë gjithë historisë së tyre, kanë vuajtur prej një lloji fataliteti gjeopolitik. Ky fatalitet ka të bëjë me faktin se për shekuj me rradhë Ballkani ka qenë një zonë kufitare mes botëve të Lindjes e Perëndimit, të cilat përplaseshin pamëshirë midis tyre në këtë zonë. Orgjina e kësaj drame historike i ka rrënjët thellë në histori. Kur Perandoria Romake u nda në dy pjesë, vija ndarëse u vendos mes për mes Ballkanit. Më vonë, kur dallimi politik mes Romës dhe Konstantinopojës mori karakter fetar, vija ndarëse u kthye në kufirin midis krishterimit latin dhe atij ortodoks. Ballkani u shndërrua në një fushëbetejë të përgjakshme të dogmave fetare, e cila dukej se nuk do të mbaronte kurrë. Sundimtarët lokalë të Ballkanit u përpoqën t’i shfrytëzojnë këtë përplasje për llogari të pushtetit të tyre, duke kaluar herë në kampin latin, e herë në atë ortodoks. Kjo, me kohë, solli lindjen e pluralizmit fetar në Ballkan, i cili, edhe sot, mund të shihet në gjithçka që bëjnë njerëzit e këtij rajoni. Kur erdhën osmanët gjendja u ndërlikua edhe më shumë, por gjëja që nuk ndryshoj nga shekujt e kaluar, ishte gjeopolitika ndërkufitare e Ballkanit. Në shekujt që do të pasonin, pas ardhjes së osmanëve, betejat më të mëdha të mbretërive perëndimore kundër tyre, u zhvilluan në Ballkan. Në fundin e mësymjeve të osmanëve kundër Europës, fillonin kundërmësymjet europiane, që përfundonin dikund në malet e Ballkanit. Kjo u përsërit shumë herë gjatë historisë, derisa në shekullin e XIX shtetet e mëdha europiane në Perëndim dhe Rusia në Lindje, arritën të krijojnë zonat e tyre të influencës në Ballkan, në formën e shteteve kombëtare, të cilat lindën njëra pas tjetrës, si Greqia, Bullgaria, Serbia, Mali i Zi dhe krejt në fund Shqipëria në fillim të shekullit XX.

Kur më fund të gjithë besonin se historia e gjatë e Ballkanit, si një zonë ndërkufitare mes Lindjes e Perëndimit, po merrte fund, fataliteti i vjetër u rishfaq në një formë të re. Tre fituesit e Luftës së Dytë Botërore, Churchill-i, Rusvelt-i dhe Stalini, në Jaltë, vendosën të përsërisin historinë, duke e bërë edhe njëherë Ballkanin një vijë ndarëse midis tyre. Greqia dhe Turqia u lanë në zonën e influencës perëndimore, ndërsa Bullgaria, Rumania dhe Shqipëria iu dorëzuan Rusisë Sovjetike. Jugosllavia, ndërkaq, u përkufizua si një zonë e përbashkët influence. Kur u shemb komunizmi, Perëndimi liberal shpalli “Fundin e Historisë” dhe kjo në Ballkan u interpretua si mundësi që më në fund edhe ky rajon të linte pas fatin e të qenit vijë ndarëse mes dy botëve, e të bëhej pjesë e një bote të vetme, asaj perëndimore, me anë të integrimit në strukturat e Bashkimit Evropian. Sot kjo shpresë duket të jetë venitur, në masë të madhe. Arsyet janë shumë të qarta : Aleanca Atlantike po kalon një përçarje serioze, ndërsa Bashkimi Evropian, ndodhet në krizën më të madhe të tij, që nga krijimi. Kjo krizë e ka bërë pothuajse të pavlerë politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, e cila parashihte përfshirjën e plotë të vendeve të Ballkanit në strukturat e tij. Vetë presidenti francez Emanuel Macron, pak kohë më parë, tha se Franca do të refuzoj çdo lloj zgjerimi të Bashkimit Europian, përpara se të arrihet një reformim i thellë funksionimit institucional të tij. Lajmi bëhet edhe më i keq prej faktit se askush në Bashkimin Evropian nuk e ka të qartë se si do të bëhet ky reformim dhe sa kohë do të marrë ai. Krejt kësaj i shtohen thirrjet e populistëve të djathtë gjithandej Bashkimit Evropian që kërkojnë mbajtjen e Ballkanit jashtë kufijve të këtij Bashkimi. E gjithë kjo situatë ka nxitur shpresat e fuqive të reja në lindje të Europës, në rradhë të parë të Rusisë dhe të Turqisë, të cilat konsiderojnë se ka ardhur koha për të rikthyer ndikimin e tyre të vjetër në Ballkan. Rusët shpresojnë ta bëjnë këtë me anë të ushtrimit të ndikimit të tyre në shtetet ortodokse të Ballkanit, në rradhë të parë Serbisë, në nacionalizmin e të cilës gjithmonë ka ekzistuar një komponent i fuqishëm prorus. Sot ky komponent ushqehet nga urrejtja kundër fuqive perëndimore, të cilat në pranverën e vitit 1999 ndërhynë ushtarakisht kundër Serbisë për të ndaluar fushatën e spastrimit etnik në Kosovë, të cilën po e ushtronte mbi shqiptarët e Kosovës presidenti i atëhershëm serb Slobodan Milosheviq. Rusia vazhdimisht kujdeset që ky komponent të jetë aktiv dhe këtë e bën qoftë përmes deklaratave me ngjyrime pansllaviste, qoftë përmes përkrahjes konkrete të qëndrimeve të shtetit serb për Kosovën në mekanizmat e ndryshëm ndërkombëtar, siç është Këshilli i Sigurimit të OKB-së.

Ndërkaq, turqit, ndikimin e tyre në Ballkan duan ta shtrijnë përmes investimit të parave dhe masave të tjera të pushtetit të butë në ringalljen e sentimenteve filo-osmane tek popullatat muslimane të rajonit. Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan e ka shprehur hapur dëshirën që liderët e këtyre popullatave të ndajnë me të pikëpamjet e tij mbi botën. Nuk duhet harruar edhe ndikimi i parave të vendeve arabe, të cilat, kryesisht, derdhen në projekte fetare. Derisa shumë të rinj Në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnje ikin drejt Perëndimit në kërkim të perspektivës ekonomike, në fshatrat e tyre përditë ngrihen minaret e xhamive të financuara nga vende si Katari dhe Arabia Saudite. Shumë të rinj të tjerë, të ndikuar nga interpretimi salafist i Islamit që dominon në këto xhami, kanë rrëmbyer armët për të luftuar në Siri dhe Irak, nën flamurin e ISIS-it apo organizatave tjera terroriste. Në Kosovë dhe Shqipëri barriera kryesore në të cilën ndeshet salafizmi, është nacionalizmi etnik shqiptar, i cili kombin, shtetin dhe shoqërinë i koncepton të ndara nga religjoni. Elitat politike në Kosovë dhe Shqipëri vazhdojnë të këmbëngulin në idenë se Perëndimi mbetet i vetmi orientim gjeopolitik për shqiptarët. Natyrisht, për të pasur efekte, ideja duhet të përcillet me vendime e veprime konkrete, të cilat e fuqizojnë demokracinë liberale, sundimin e ligjit, përmirësojnë ekonominë dhe sistemet e edukimit.

Në përfundim mund të thuhet se nëse ndodh që Ballkani perëndimor të futet nën ombrellën e ndikimit ruso-turko-arab, atëherë në vitet në vazhdim në demokracitë e tij të brishta do të ringallet vija e vjetër e ndarjes mes dy botëve. Rrjedhimisht qytetarëve të këtyre demokracive do t’u duhet që edhe njëherë të jetojnë me trazirat politike dhe ideologjike të përjetuara nga paraardhësit e tyre, për shekuj me rradhë. Në fund faturën e këtyre trazirave do të duhet ta paguaj vetë Perëndimi!



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT