E marte, 19.03.2024, 11:38 AM (GMT)

Kulturë

Shyqyri Dekavelli: Magjia e fjalës në vëllimet me poezi e prozë të Shyqyri Fejzos

E shtune, 19.10.2019, 03:00 PM


Magjia e fjalës në vëllimet me poezi e prozë të Shyqyri Fejzos

Nga Shyqyri Dekavelli

Të shkruash dhe komentosh shkrimet e Shyqyri Fejzos, shkrimtarit e publicistit tashmë të njohur gramshiot, e vecanërisht për prozën në tërësi e sidomos atë të zhanrit humoristik, publicistikën, esetë, poezitë, monografitë, filmat dokumentarë, etj., duhet të shkruash pa fund. Ai është një poet e prozator që nuk di të pushojë dhe mbi të gjitha një njeri me nje sjellje e komunikim brilant me të gjithë njerëzit të cdo niveli qofshin ato. E them që në fillim këtë, sepse niveli i tij intelektual, kulturor dhe artistik është i pashtershëm, si ato ujrat që rrjedhin ar të kulluara nga liqenet e malet e Lenies e Valamares,  e trevës ku është lindur e ka kaluar fëmijërinë dhe ka thithur ajrin e tyre. Sic shihet dhe në polifotot e paraqitura me poshtë, ai ka shkruar dhe nxjerrë nga shtypi mbi 20 libra, në prozë, poezi, monografi, etj. Penës tij i takojnë edhe pergatitjet e 5  filmave dokumentarë. Të gjithë shkrimtarët e krijuesit kanë shkruar për vendlindjen e tyre, sipas menyrës që ata mendonin. Tek shkrimet, librat në proze e poezi, esetë, monografitë, filmat dokumentar, reportazhet e telereportazhet, etj., që ka pergatitur Shyqyri Fejzo, në shikimin tim si lexues vihet re një fakt, se askush si Ai nuk ka shkruar aq bukur dhe me ndjenjë për Shënepremten e dashur mes maleve, vendlindjen e tij,  për Gramshin e gramshiotët, që janë një ndër dashuritë e rëndësishme  të autorit, duke nxjerrë në dukje e duke bërë të njohura vlerat e cmuara të asaj zone. Po citoj një pjesë nga eseja e tij, “Një ese është pak për fshatin tim të lindjes, Shënepremten”: “Edhe pse ndodhem larg, vazhdoj  të jetoj me Shënepremten time hyjnore, e cila më pret me mall në cdo stinë që të shkoj, më shoqëron dhe më përcjell me dashuri, zemërbardhësi e gojë mjaltë, sa herë që shkoj e largohem prej saj. Ndihem krenar se nuk ja kam kthyer shpinën. Jam i bindur se edhe kur nuk do të jem, në zemrën e saj të madhe dhe mikpritëse, aty në mes malesh, në lartësitë ku kreshtat prekin retë, kreshtat  që e përshëndetin të parat të  qeshura diellin, do të ketë gjithnjë pak vend që më përket.”

Si lexues i thjeshtë dhe i vemendshëm për të gjitha shkrimet e tij, si dhe duke e vleresuar e konsideruar si një shok e mik, do të ndalem në vecanti në disa momente të shkrimeve të tij, të cilat me kanë lënë mbresa të pashlyeshme. Shyyqyri Fejzo e ka nisur veprimtarinë e tij me tregime humoristike. Shkruante në shtypin e kohës dhe në revistën e atëherëshme “Hosteni”. Vëllimin e parë me tregime humoristike, që është dhe libri i parë nga autorë gramshiotë, e titulloi “Verejtje me shënim në…portofol”. Në këtë zhanër më pas botoi përmbledhje me tregime humoristike sic jane: “Kur merr shtatë dhe shpenzon tetë, s’ke nevojë për kuletë”, vëllimin “Ta mendojmë!”, “Nastradini në internet”, ”Kur gabon i mencuri cuditet budallai”,  “Ja ku e ka syrin pleshti”, etj. Në morinë e këtyre shkrimeve do të vecoja  tregimin “Hall me qe e hall me buaj”, “Portokallet e portokallisë”, ”Celulari”, ”Duke kërkuar shokun Zylo”, “Gomari im me fajde”, etj. Në keto tregime autori “pickon” në problemet e kohës të cilat nuk janë të pakta. Lexuesi në këto raste më shumë buzeqesh, shpesh dhe hidhur. Mesazhi lexohet qartë në rrjeshtat e tregimeve, por edhe midis rrjeshtave. Në vëllimet me prozë zenë vend të rëndësishëm dhe monografitë. Në monografinë “Misteret e Shënepremtes” me bashkëautor intelektualin tjetër të spikatur gramshiot, Abedin Bici, bëhet një anatomi e hollë e asaj treve, që me të drejtë është krahasur me një “ rrip transmesioni” midis Ultësirës Perëndimore dhe trevës së Korcës. Pasojnë  vëllimet “Të thëna dhe të pathëna të Shënepremtes”, “Vendlindja trazon shpirtrat”, etj. Në këtë të fundit, autori me të drejtë ndalet në disa persona emblematike si “kreshtat” e popullatës së trevës, si Ramadan Xhangolli, Selman Ajazi, Thoma Prifti, Xhaferr Myftaraj, Kapllan Xhangolli, Abedin Bici, Bajram H.Xhangolli, Niazi Fejzo, Avni Xhelili, Kastriot Hasa, Ferit Myftaraj, Kasëm Perfundi, Mersin Bici, etj. një galeri personazhesh të cilët dallohen se i kanë dhënë shumë shoqërisë. Në monografitë për “Selman Ajazi” dhe së fundi për patriotin e Rilindjes dhe më tej, “Kapedani Grabovar Mahmud Xhelili”, autori bën një studim të imët dhe përshkruan rolin që kanë pasur ata në kohën që kanë jetuar e vepruar. Në këtë mes, e rëndësishme është sic shkruan autori: ”të griset napa e kujtesës që mbulon keto figura dhe mbi to mos bjerë pluhuri i harresës”. Për monografinë e fundit “Kapedani Grabovar Mahmud Xhelili”, Shoqata Kulturore Atdhetare Gramshi bëri në Tiranë në një nga sallat e Universitetit Mesdhetar një promovim dinjitoz, ku profesor doktor Pellumb Xhufi që mbajti referatin kryesor dhe diskutantët, vleresuan këtë libër dhe punën e autorit. Në promovimin e këtij libri në qytetin e Gramshit, ku kishte shumë pjesëmarrës nga ky qytet, ndermjet tyre dhe Kryetari i Bashkisë, më bëri përshtypje dashuria e respekti kaq i madh i tyre per birin e tyre Shyqyri Fejzo. Kjo u vu re, përvec pjesëmarrjes së madhe, dhe në diskutimet e vlerësimet e tyre me superlativa për shkrimet dhe librat që ka shkruar ai për Shënepremten e Gramshin në tërësi.

Pas shumë vëllimesh me tregime, një romani (kryesisht me humor e satirë) e katër monografi, Shyqyri Fejzo tani na ka dhënë në duar dy  vëllime poetike “Atje ku malet prekin retë” dhe vëllimin “Ekuinokset ndërrojnë vendet”. E reja në këto libra mendoj se është fakti se ato jane konceptuar si një bisedë e këndëshme mes autorit e lexuesit për të vërtetat e provuara e të përcjella si të tilla nga një brez te tjetri dhe për përvoja personale të autorit, të cilat ai ka dëshiruar ti ndajë bujarisht me të tjerët. Koha në poezinë e tij është vargëzuar me të gjithë problematikën e saj, e cila është kundruar nga këndi i parodisë me të papranueshmen duke ftuar të kundërtën e tyre të bëhet bashkëudhëtarja jonë. Gjykoj që një pozicion i tillë buron nga njeridashja(dashuria per njerezit), nga dëshira e përherëshme e poetit për të parë gjithmonë njeriun nga pjesa e bukur dhe e mirë e tij. Ajo që të le mbresë është thjeshtësia, spontaniteti të cilat përcjellin pamje e situata psikologjike, sa origjinale po aq dhe të ciltra e të papërsëritëshme.

Të dy këto libra të Shyqyri Fejzos i ngjajnë një perustie me tri këmbë të mbështetur fort në tokë. Njëra këmbë mund të merrej pa hezitim fjala e thjeshtë burimore e marrë kryesisht nga treva ku ka lindur e eshte rritur, këmba tjetër është konceptimi dialektik i të thjeshtës e të ciltrës, që kur mohon një problem, pohon një tjetër, kryesisht të riun, në mënyrë dialektike, bashkëkohoren dhe këmba e tretë e perustisë mendoj se është humori i shëndetshëm që përshkon pjesën kyesore të poezive në të gjithë kapitujt. Poeti me sinqeritet e kurajo shkel në shtigje të reja. Kjo e bën poezinë e tij komunikuese me një auditor  të gjërë lexuesish e mosha të ndryshme. Në amalgamin mendimor të Shyqyri Fejzos ka shumë ide, sepse ai është një vëzhges i imtësive shoqërore. Personazhi poetik nuk qëndron pasiv, po bëhet një me gjithëshka që gëlon brenda shoqërisë, pjesë aktive e së cilës është dhe vetë autori. Të gjitha poezitë në këtë vëllim poetik, ndonse të ndara në cikle, kanë lidhje midis tyre dhe si të tilla na japin një tërësi të pashkëputur, duke përshkruar realitetin jetësor të djeshëm dhe të sotëm.

Shpërthimi poetik në poezinë e autorit, hyn guximshëm në thellimet e turbullta të jetës, për të kapur të thellën, të gjërën dhe të largëtën. Krijimi i tij ka një linjë të pandërprerë të enëve të gjakut, që poezia e tij merr jetë. Nëpër dallgët memece të kohës, aty ku bashkëjetojmë, poeti qartëson të bukurën, të dhimshmen por edhe të pazgjidhurën. Poezite e librave “Atje ku malet prekin retë” dhe “Ekuinokset ndërrojnë vendet” jane poezi që shpien në të ardhmen, në kopështin me ngjyra të shpirtit. Aty, sa lexohet në vargjet, po aq, në mos më shumë, lexohet midis rrjeshtave.

Dihet se të bërit poet nuk është e lehtë, mbasi kohën duhet ta ndjesh, por edhe ta shkruash. Një fakt qe dua te theksoj eshte se pjesa më e madhe e poezive të këtyre vëllimeve nuk është ndërtuar mbi bazë të fabulave dhe të ndodhive. Tematika e vëllimeve pasqyron anë të jetës tonë të përditëshme, të cilat i japin poezive, ashtu si erëzat gjellës, një shije të vecantë optimiste. Librat shprehin dashuri për vendlindjen dhe njerezit e mirë të Shënepremtes. Ngjyrimi emocional i fjalëve  e bën poezinë e autorit më kuptimplotë në kohë duke e bërë që vargjet të ecin nëpër jetën e ëndrrave të kohës e të së bukurës.

Emruesi i përbashkët i kapitullit “Kemi qënë të rinj” është dashuria, ndjenja më e bukur njerezore e pushtetmadhja. Poeti tregohet mjeshtër në zbulimin e të fshehtave të dashurisë e zbërthimin e enigmave të saj. ”Dashuria , shkruan ai, eshte e vetmja që fshin cdo dhimbje duke na bërë të ndihemi mrekullisht mire”. Bie në sy në vargjet e tij lindja dhe ngjizja e poezisë brenda për brenda, e pastaj përcillet te të tjerët si vlerë. Shyqyri Fejzo nuk bie në racionalizëm. Poezia e tij pushtohet nga optimizmi, që rrezaton gëzim dhe mirësi. Aty mungojnë konfliktet, xhelozitë, zemrimi, duke e bërë dashurinë humane. Poezia e tij është si ”muzike me fjale”.

Si në një ekran filmi kemi pamje të stinëve që na nxisin të hymë sa më shpejt në to. Ky mjedis i ndezur, i ka të katër stinët. Megjithëse ka shkelur vjeshta, gjethet e vëllimeve poetike janë të gjelbra. Lexuesi mediton, për cilën vjeshtë bëhet fjalë? Për atë që pjek frutat e zverdh gjethet, apo për vjeshtë të moshës së poetit? Vargjet e shetisin lexuesin në cdo skutë të shpirtit të poetit. Ai është i kapshëm, provokues dhe shumë i qartë.

I jam drejtuar shumë burimeve për informacion për Shyqyri Fejzon (emnakun tim). Kam shkuar dhe në vendlindjen e tij, në Shënepremte dhe në bukurinë e bukurive natyrore, në Liqenin e Zi, i cili frymëzoi  autorin  për filmin e bukur dokumentar poetik “Legjenda e Liqenit të Zi”. Kam marrë pjesë dhe në dy promovime të librit të fundit  të tij “Kapedani Grabovar Mahmud Xhelili”. Ne te gjitha burimet qe kam ndjekur, befasia është lartësimi gjithnjë e më shumë i figurës e personalitetit te tij. Shyqyri Fejzo, intelektuali erudit  e i kompletuar ka punuar e jetuar pjesën më të madhe të jetës larg krahinës së vet, megjithëatë ai ka ruajtur virtyte të cmuara e të shquara të zonës, të cilat i ka shpalosur  bukur dhe në krijimtarinë e vet letrare. Duke qënë se ka lindur dhe ka kaluar fëmijërinë e një pjesë të adoleshencës në Shënepremte, ai njohu në themel virtytet e njerëzve, zakonet, legjendat të lidhura ngushtë me njerëzit emblema, ”kreshta” të burrërisë, trimërisë, urtësisë, shkencave e diplomacisë. Mikpritjen, burrërinë, besën, pjekurinë e “shpirtin e popullit” të vet, ai i ruan thellë në kujtesë dhe shpesh krenohet me ta. Ruaj mendimin se midis atyre njerëzve të thjeshtë dhe modestë tej masës të renditet dhe krijuesi Shyqyri Fejzo.

Tiranë, me 18.10.2019



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora