Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zymer Mehani: Të mos i harrojmë shëmbëlltyrat e kombit tonë

| E shtune, 19.10.2019, 03:00 PM |


TË MOS I HARROJMË SHËMBËLLTYRAT E KOMBIT TONË

Nga Zymer Mehani

Shëmbëlltyrat e dëshmorëve prore qëndrojnë në kujtesën tonë. Mbetet i freskët përherë kujtimi për ata më të shquarit dhe ashtu sikurse kalon edhe koha- këta njerëz të denjë të kombit tonë, që tashmë kanë kaluar në përjetësi, janë shkrirë ngadalë në një tërësi në altarin e atdheut dhe janë shembull atdhesie jo vetëm për ne, por edhe për gjeneratat e ardhshme.

Këta bij e bija nuk janë tani vetëm të familjeve që i lindën dhe i rritën, por janë të mbarë kombit. Nuk janë më vetëm në përfytyrimet tona si individë të caktuar me fizionomi të vetën, por janë shndërruar në permendore përjetësie trimash të kombit në themelet e të cilave vëjmë kurora lulesh.

Ata, kanë hyrë, pra në histori, jo veç e veç, por së bashku të bashkuar rreth idealit të lirisë nën flamurin kuq e zi, ashtu siç e bënë edhe luftën bashkarisht të betuar me puthje në flamurin tonë kombëtar. Por, prapëseprapë, në kohë lufte, secili prej tyre ka qenë i njohur mirë në rrethinën e tij, secilit i dihej emri dhe mbiemri dhe, ndoshta, të paktën për një orë të vetme të fatit të jetës së tyre, kanë qenë njerëz të mëdhenj e të përsosur. Ndoshta kanë qenë gjithmonë mesatarë, punëtorë të zellshëm dhe luftëtarë besnikë, në mesin e shumë luftëtarëve të lirisë, të cilët kanë krijuar mundësi me sakrificën e tyre që ne sot të jemi të lirë, por ata nuk patën fat t'i gëzojnë frytet e luftës së vet. E ne me dorë në zemër u themi: LAVDI JUVE PËRJETËSISHT BIJ E BIJA TË KOMBIT TIM!