Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Lutje për dajën

| E premte, 18.10.2019, 08:47 PM |


Lutje për dajën

Nga Blerim Rrecaj

Ec hapshpejta jetë. Sa hap e mbyll sytë. Mes tyre kalon një shekull, disa dekada, nëpër dyer e dritare stinësh, grumbuj muajsh, javësh, ditësh... Diç e pritur e diç e papritur na bije në vesh a para syve. Që e pranojmë e përballojmë, sado që ta kemi lehtë a vështirë. Diku një gaz, diku një vaj. Gjithku mund të ndodhemi. Edhe në livadhin me tri gota të Latif Berishës. Ose në shtëpi, duke punuar në oborr a në kopsht, në punë, në zyrë, në terren, udhëve, spitaleve, sallave, stadiumeve. Nuk ndalemi duke i gëzuar të afërmit me praninë tonë, e duke i marrë me vete në vatër. Dhe ndera e respekti marrin një mal, një bjeshkë, një det, një qiell yjesh të panumërta me urata, bekime, lutje. S'mungojnë as ftesat për ndeja nga miq e dashamirë. Dhe takohemi. Qoftë për gëzim e mall, e për të ndarë bashkë atë që kemi për të ndarë. E për ta zbutur mërzinë, dhimbjen e trishtimin që na ka kapluar, heshtim ose ia fillojmë bisedës me shpresë e besim në krye të oxhakut. Flasim ndonjë fjalë. Për ndonjë të re, për aktualitetin, për shembuj mirësie... Deri te tjetra ndejë, udhëtim, vizitë. Ne kalimtarët e kësaj bote. Duke u kujtuar për pikat e dobëta e të forta të shpërndara nëpër qeniet tona. Lotët na "tradhtojnë" edhe kur mundohemi të dukemi e të mbahemi të fortë. Dhe pas tyre ndjejmë një lloj lehtësimi. Në mendje na vije edhe e urta fjalë: "Mos u gëzo, o, i gëzuar, mos u hidhëro, o, i hidhëruar", edhe pse e dijmë se do gëzohemi e hidhërohemi përgjatë gjithë jetës. Dhe do të përpiqemi për të mirat e të mbarat, duke mësuar e lënë pas vetes shenjat e pashlyeshme që na shpiejnë drejt rrugës së ndritur të shpëtimit, për të cilën përpiqemi, ëndërrojmë dhe e kërkojmë pareshtur, nga brezi në brez...