E hene, 18.11.2019, 04:29 AM (GMT)

Kulturë

Qazim Shehu: Më rritën këto ara

E enjte, 17.10.2019, 07:21 PM


MË RRITËN KËTO ARA...

QAZIM D. SHEHU

Me zjarrin e misrit të bardhë

Me bukën e çerepit,

Me ca tinguj  pa radhë

  iu afruan djepit

Dhe muzgje si mullarë

Që varnin  qeleshen

Në plepat komandantë

Që urdhëronin heshtjen,

Më mbrujtën këto ara,

Duke gëzuar vjeshtën

Me prodhime të mbara...

Ato ishin të përjetshme

Ashtu janë dhe sot,

Me heshtjen e ngeshme

Dhe plepat  pikëçuditëse

Në çdo lëvizje vjeshte...

E BUKURA E DHEUT

Vjen supembuluar në sallon,

Kush  e gënjeu

Dhe e solli në mes tonë?

Këtu kush s`e kërkon,

Le të fshihet diku në sallën,

Që shtrigat zbukuron…

VAU

Vërshoi lumi, pastaj u mpi,

Kur lundra u mbyt me një njeri

Që shkonte të çlidhte një dashuri.

Tani ujë i pakët jep shpirt,

Pakësuar prej dhimbjes,

I lumtur se rrugën

Ia hapi gjindjes…

KUR PRET NËNA…

Mund ta ndezësh natën me prushin e shpirtit

Po yjet s`të lënë,

Me një dritë si kandil i dimrit,

Tek fryn një erë  dhëmbërënë.

Me ca fjalë mund ta ndezësh natën

Gjethet s`të lënë,

Në rënkimin e tyre të ngathët

Fëshfërit malli pa lëndë.

Dhe më tutje, ç`ka nata

T`i marrësh me radhë,

Një sofër që nuk shtrohet pa shkuar ti

Bëhet diell që   natën bën  e bardhë…

KËNGA QË KËNDOJ

Kënga që këndoj më përket vetëm mua

Dhe s`dua t`i përkasë dikujt tjetër,

I njëjtë me një ftua nuk është një ftua,

As dhe një lumë nuk ngjet me një  tjetër.

Veç nganjëherë një hije mashtrimi,

Vjen e më  ngroh në gjoks,

Dikush të bukurën e kapi nga fillimi

E mua më duhet kohë..

SKEMË

Në fund, pse t`i urrejmë skemat,

Me dhunën e tyre të mësuar

Ne përballojmë mbledhjet,

Injorantët e kulturuar.

Si skelete armaturash,

Rreth një pallati që ndërtohet,

Pandjeshëm rreth nesh thuren,

Thërmia ndjenjash betonizohen.

Dhe janë aq të përpikta,

Aq na japin gazmend,

Pa i kuptuar ligës(z)inë

Kur na mbajnë në vend…

ELEKTRONIKË

Në letrat e rralla

Kur vijnë ato

Ndjej pas çdo ahu

Një klithmë,oh.

Më tepër se në letër, malli

Nuk shprehet kund,

Po letrat janë të rralla

Dhe letra po humb.

Të paktën, pyjet,

E morën një shpëtim,

Dhe një filiz, me besimin

Që s`do ta presin për këtë,

Lind…

RRASAT MBI ÇATI

Lart nga qielli zbritën në rrasa

Sa e sa agime,

Frymë të ngrohtë u dha vatra

Dhe zemra ime.

Dhe sa shi breroi në to,sa borë,sa ngricë

Ato veç koha i hijesho,

Me  një drithërimë.

Kur mendoj si rrinin mbi çati

  shtrënguara sup më sup,

Si luspat e gjigantit të ri

Në trup…

Kur vatra s`ndizet më, ato prapë rrinë

Ashtu  të ngjeshura fort,

Dhe në krisje ndjejnë vetminë

Frymën e shuar që s`i ngroh…

Sërish breron shiu mbi to

Sërish zbresin agime fikse

Veç fryma e njerëzve u ço

Një dhele frike…

LETRA ME VRIMA

Nuk është letër llotarie

As e shpuar për hobi,

Është një letër fisnikërie

Shpuar nga lapsi i zi.

Vrima vrima si një trinë

Që lodron në det të mendimit,

Dhe kotësinë mban mbi shpinë

Në dehje të hutimit…

SINQERITET

Të ftoj t`i kthejmë pas vitet

Të dashurohemi si dikur,

Një ndjenjë për të cilën s`më pritet

Vrapues i lodhur në gjunjë..

Dhe është kaq largësi, më thua,

Ngjan sikur është afër,

Nëse do riktheheshim, s`di ç`do ngjante me mua,

S`do të kisha dashur…

NATA

Me çadrën e vet të stërmadhe vjen nata

Për të na mpirë arsyetimet,

Yjet e rralluar bëhen më të paktë

Mos shohin tonat,dështimet.

Kjo çadër në duar të panjohura

Bie dhe bie  e na kthjellon,

Për të pritur agimet e lodhura

Me fasha drite që nuk mjaftojnë…

RRATHËT E LISIT

Drurët e prerë si daulle të heshtura

Goditen nga shkopinj vetëtimash,

Në rrathët  si  përhera

Sheh fytyrat e parardhësve të fisit.

Dhe janë kaq të shtrënguar

Për mosgojën dhe kumtin,

Gjithësesi, në trung ka biskuar

Një fjalë e amaneteve, mos humbin…

POETËT

Yjeve zili ua kam zilinë

Që thithin çdo natë nga ne,

Prandaj më shumë ndrijnë

Në kast turbullojnë pafre.

Dhe dritën pa harxhim

E derdhin   joshjendezur,

Njëri ndrin,tjetri me shkëlqim,

Ia kthen duke qeshur…

Kur shkëlqen më shumë shoku

Zili e kanë poetët

Dhe zhyten në bërllokun

E një brenge të tepërt.

Yjet e lavdisë rendin

Të kapin me ngut,

Në zili veten çmendin,

Të etur pa u tut…

Yjet lart në qiell shikojnë

Këta yje të tokës,

Dritë më shumë lëshojnë

T`i japin botës…

Veç dritë e tyre s`mbërrin

Në u mbërritë, nuk digjet,

Kur zilia egon ngrin,

Në një zemër që përpëlitet…

VJOLLCA

E fshehur në një ferrë

Ngre kryet e lulëzon

Pa pyetur për erë

Dhe ciknën që përvëlon.

Pranverën lajmëron

E brishtë e mitare

Asgjë përreth nuk gjethon,

Ngrijnë ende ujërat në zaje.

E penduar s`kthehet dot

Drejt thelbit të saj,

Dhe lutet e thotë ç`ngjet më pastaj…

Do vijë,s`do vijë pranvera

Rri e mendon,

Kur ferra çel gjethet e gjera

Askush nuk e shikon…

T`i presë ato gjethe

Apo ta shikojnë duke u lulëzuar

I ikën kësaj dileme

Dhe rrit shtatin e hijeshuar…

Në pavdekësinë e bukurisë

S`mendon sakrificën

Siç i ik çasti  mërzisë

Pesë  sekonda ditën…

NJË PISHË DHE NJË PLEP…

Pranë pishës një plep

Ndërron rroben sa herë

Mes rrëshirës shtatin djeg

Një pishë fërshëllyese nëpër erë…

Dhe veten nuk e pa

Një herë lakuriq,

Ndaj gjelbërimi i  saj

U bë si gjembat në një iriq…

Kur era ia gudulis

Shtatin plepit hollak,

Ajo s`shkon drejt trupit në pishë

Mbrojtur nga gozhupi i saj  manjak…

Drithmat e plepit ia kupton

Edhe pse të plota nuk i ndjen…

Ndaj rrëshirë më shumë lëshon,

Dhe pranverën urrren…

MURET E BARDHË

Nuk tunden nga gjëmimet e mbytura

As mallëngjehen nga trupat lakuriq,

As nga orët e grira prej hamendjesh

S`duan të jenë kuti hedhur në valë

As pasqyrë bredhjesh,

Muret e bardhë.

Suvaja s`e thith më frymën tonë

As ajrin nga jashtë,

Ato s`duan të na besojnë

Ndaj, mbi to, vumë sytë e mungesës

Veten ose ato të vëzhgojmë…

FJALËT KËMBËZBATHUR

Shuall i fjalës

Nga gurët e injorancës,

U gri.

Mbeti fjala këmbëzbathur.

Këpucët e saj

Janë duke ardhur…

MOSMIRËNJOHJE

Një curril në shkëmbin e murmë,

Buron nga lot i drurit,

Se njerëzit u çlodhën në hijen e tij

Pasi iu falën ujit…

UJ-UJKU

I lakuriquam ndjenjat prej  mërzisë

Ia marrim syrin në vështrim..

Ujku më s`po ulërin.

Tani ujqër u bëmë ne,

Dhe i themi të rrijë  urtë

Në ndonjë përrallë a rrëfenjë…

Me tabutë,mënitë , tmerret,

Kur kapërcejmë padrejtësitë

Thërrasim uj-ujkun të hakmerret…



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT