E enjte, 28.03.2024, 09:21 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Luan Myftiu: Nën terrorin komunist (VI)

E diele, 05.10.2008, 06:30 PM


Luan Myftiu
NËN TERRORIN KOMUNIST (VI)

(ose një radiografi e mekanizmave të regjimit komunist)

Nga Luan Myftiu

JETA E PËRDITSHME

Ushqimi në kamp, sidomos për të papunët, ishte aq i pakët sa shumica ishin vazhdimisht të uritur. Tetë muaj në vit na jepnin si gjellë vetëm preshë të zier, të cilët, ndonëse të raskapitur nga uria mundonjëse shumë të dënuar i derdhnin në kazanët e ushqimit të derrave që rriteshin me "bukën" tonë dhe therreshin për të dënuarit që punonin në miniere.
Çaji i mbrëmjes qe pothuaj fare pa sheqer dhe për ta "shtytur" bukën njerëzit e thërmonin në të, sepse kështu formohej një përzierje e thartë që ndryshonte pak nga ajo shija monotone dhe gati e neveritshme.
Për të marrë këtë ushqim në gavetën që mbanim me vete, na duhej të prisnim me orë të tëra në diell, shi a dëborë. Ata që kishin ndihmë nga familjet ulnin kokat të turpëruar tek shihnin të dënuar të mblidhnin copa buke të lëna nëpër tavolinat e mencës prej të burgosurve që punonin, të cilët s'e hanin gjithë ushqimin prej gazrave që kishin marrë në miniere. Dhe kur guzhinierët lajmëronin se ndër kazanët
kish tepruar, atje vraponin kolonia e të uriturve që nuk duronin dot më, të cilët "duke ngrënë turpin me bukë" s'dinin ç'të mallkonin më parë, njerëzit, jetën, a veten e tyre.
Pushteti i urisë i vinte në ndihmë terrorit psikologjik për t'i rrëzuar më shpejt viktimat në batakun e turpit.
Ta haje një karamele në sy të një të dënuari pa ndihma, qe fyerje, sepse pa dashje e kuptoje se ai qe i braktisur nga njerëzit e tij të afërt.
Urija qe themeli mbi të cilën ngrihej mbretëria e fshehtë dhe e heshtur e të gjitha marrëdhënieve në kamp, sidomos midis atyre që punonin dhe të uriturve pa punë. Ata të dënuar që dilnin si lugetër të zes nga galeritë e bakrit dhe sidomos të piritit, u ngjanin ëngjëjve me krahë të bardhë, kur i shuanin urinë një të dënuari pa asnjë ndihmë. Sa grindje e mërira ndizeshin e shuheshin por edhe sa leva kishin gjakosur njerëz të pafajshëm për shkak të urisë. Mjerë njeriu i ndershëm. Ai tretej në heshtje si një qiri i ndezur, duke përkëdhelur sedrën e vet, ndërsa shuante urinë vetëm nëpër ëndrra. Dhe jeta shteronte duke i kthyer në fantazma kundërshtarët e saj.
Pleqtë shpesh rrëzoheshin të vdekur për tokë si pula të sëmura, ndërsa të tjerët plakeshin që në rininë e hershme.
Diktatura plotësonte proçesverbalet për të motivuar vdekjen e tyre dhe kujdesej të mos u jepeshin kufomat familjeve pa plotësuar edhe në varr masën e dënimit të dhënë nga drejtësia. Prandaj familjet bëheshin copë për t' i nxjerrë njerëzit e tyre nga ky varr i hapur.
Zgjimi bëhej në orën pesë të mëngjezit dhe jeta niste me përplasjet e njerëzve nëpër çesmat e pakta dhe të pamjaftueshme. Pastaj vinte radha për marrjen e ushqimit, e numërimit tonë për kontroll e nisjes për në punë. Dhe meqë këto përsëriteshin tri herë në ditë, jeta në kamp qe një radhë e përhershme. A mund të qëndrojë njeriu një çerek shekulli në radhë? Me mijëra shqiptarë e kanë kaluar këtë provë durimi.
Po të pranosh se sa shumë duron njerju në mjerim, arrin të kuptosh që, edhe pse e përvëlonte dielli i Korrikut a e ngrinin erërat e ftohta brisk të Janarit i dënuari kënaqej që mbushej me frymë pas një nate të kaluar gati pa gjumë në një dhomë ku flinin 52 vetë. Të gjitha veprimet të dënuant i kryenin me një përpikmëri të çuditëshme; aq sa të dëkej sikur në kamp jetonte vetëm një njeri.
A ka gjë më të bukur për një diktator? Robot të tillë ai u përpoq të bënte gjithë kombin. Vetëm para njerëzish të tillë ai mund të mbetej perëndi në fund të shekullit të atomit.
Por mbetej edhe pak kohë e lirë për tu takuar me shokët në ecejaket që ne i quanim shëtitje, mirëpo oborri qe aq i ngushtë, sa po të dilnin të gjithë nga dhomat, s'na mbetej veç të përplaseshin çdo minutë brrylash me njëri-tjetrin, bisedat mund t'i quaje kolektive, sepse nga ngushtica e vendit të gjitha fjalët edhe mund të dëgjoheshin nga të tjerët. Kështu ne mbaheshim në një kontroll aq të rreptë, saqë na dukej sikur komanda njihte edhe mendimet që nuk i kishin shprehur akoma.
Mësimi i gjuhëve të huaja qe i ndalur, ashtu si edhe e qeshura me zë të lartë. Kur komunistët kishin festë, mendonin se ne qeshnim për ti tallur dhe kur ata vajtonin një disfatë, ne qeshnim sipas tyre nga gëzimi. Ata s'mund ta kuptonin se sa e thellë qe urretja jonë për ta Por ne, që të mos e paguanim shtrenjtë urrejtjen tonë rebele, e edukuam veten t'i përbuznim. Dhe ata habiteshin me urtësinë tonë, duke menduar se kishin bërë efekt metodat e tyre të "riedukimit". Pushteti absolut dhe nënshtrimi i kombit i verboi ata me kohë deri në shkallën sa të besonin që njeriu mund të ndihej i lumtur vetëm pse po e linin të gjallë. Dhe, ndoshta, ky verbim shpejtoi edhe fundin e tyre të pamenduar.
Çdo lloj shoqërie ndërmjet të dënuarve shihej prej komandës me dyshim ashtu si dhe një vetmi e pajustifikuar. E para shihej si përgatitje e një komploti të organizuar, e dyta, si përpunim i thelluar i një plani arratisje nga kampi.
Ndër burgje dhe kampe kishte vazhdimisht njerëz me karakter të fortë e shpirt të madh. Ata ushqenin masat e të dënuarve me shpresë dhe moral të lartë Ata vlerësonin bukurinë e çdo gjesti dhe i frymëzonin njerëzit të qëndronin të ndershëm. Sigurimi këta i kërkontë me qiri dhe i zhdukte pa gjurmë. Por ata sikur dilnin nga dheu përsëri dhe vendosnin në kamp kuptimin e jetës. Ne s'e humbëm besimin tek e mira dhe shpëtuam kryesoren duke mbetur njerëz. Duke qënë viktima të padrejtësisë, ne përpiqeshim të mos urrenim me paragjykime. Ne qemë viktimat më të pabesueshme të shekullit, mjeranë krenarë që s'e pranuam kurrë pozitën tonë për realitet dhe i pamë si fatkeqër me një thes mëkatesh në shpinë armiqtë tanë që po na merrnin jetën. Në burg
kish edhe shembuj të vërtetë dashurie njerëzore, me të cilat do të kishin përse të frymëzoheshin shkrimtarët. Kish të uritur që duke ngrënë në birucë gurët e tharë të shahut, bërë me tul buke, linin të paprekur "filin" e brumtë, në shenjë mirënjohjeje ndaj oficerit që sillej mirë me ta. Sa e sa njerëz u lidhën, u torturuan, dhe u dënuan për hir të shokëve të tyre më pak të fortë, a të katandisur psikikisht. Dhe silleshin e sakrifikonin ashtu thjesht, si të ishte kjo një detyrë që ju takonte.

POSHTËRIMI

Vetëm mes klithma viktimash shkaktuar prej shpatës së tij, diktatori siguroi duartrokitjet e një populli të terrorizuar.
A mund të mbahet shoku i vdekur në dhomë për ti marrë racionin e bukës?
Po kjo le t'i mbetej në shpinë tiranisë komuniste që i ka detyruar njerëzit me anë të urisë të vuajnë gjithë jetën mëkate të tilla të turpshme.
Duke qënë pa karakter, diktatori ynë nuk pranoi t'i deklaronte kundërshtarët të denjë. Ai edhe shokët, me të cilët u puth 50 vjet rresht për sukseset, kur i dënoi për dështimet, quajti pa turp të degjeneruar. Ai fuste enkas nëpër burgje si të dënuar politikë dhe njerëz, të cilët me sjelljen e tyre prej huligani e bënin edhe vetë komandën t'i neveritej detyra. Kështu tirani shpirtzi fërkonte duart, duke "vërtetuar" gënjeshtrën e tij se degradimin politik e paraprin ai moral. Të të rrahin për një gabim është kafshëri, por të të rrahin me përbuzje të pameritur është poshtërsi. Dhe ne u rrahëm për disa dekada me përbuzje të tillë. Eshtë fakt që dashurisë njerëzore i zuri vendin urrejtja klasore dhe uniteti shpirtëror kombëtar u zëvendësua me vëllavrasjen.
Kjo luftë e padrejtë u realizua nga njerëz pa dinjitet dhe synoi t'i bënte të gjithë të tillë. Ne trajtoheshim sikur nuk ishini pjesë e kombit. Lum kush na godiste më shumë, mjerë kush na përkrahte!
E si të mos vuanim nga komplekset? Shumë prej nesh lëngonin nga ndjenja e inferioritetit apo e mitomanisë. Ne ishim shpesh skizofrenë, maniakë, të pushtuar qe nga ndjenja e paturpësisë deri tek karakteromania. Ne ishim bërë dhe vrasës fatkeqë, po aq sa dhe vetvrasës mizorë. Dhe tërë kjo çmenduri shpjegohej nga komunistët si dobësi e një klase në degradim, apo pasojë e një lëngate të gjatë për shkak të humbjes së pozi tës sonë të privilegjuar.
Ishim viktima të origjinës sonë, një mish i huaj në trupin e shëndoshë të shoqërisë. Dhe po të doje epitetet tona në burg, ato i kishte dhënë gjykata, duke na quajtur mjekë mashtrues, inxhinierë sabotatorë, mësues të dyshimtë, artistë të shthurur, sharlatanë, rrufjanë politikë, komplotistë hajdute pulash, ose terroristë etj. Gjykatat ishin tepër të etura që akuzës për krim kundër shtetit t'i bashkëngjitej edhe një "krim" ordiner, prandaj do të dëgjoje nëpër gjyqe për armëmbajtje pa leje, nëse në guzhinën tuaj ndodhej një thikë e mprehtë, për fyerje të personit zyrtar, në rast se kishit ngritur zërin në zyrë. Kjo gjë bënte të mundur edhe gënjeshtrën nëpër statistikat zyrtare, ku nuk jepej kurrë numri i saktë i të dënuarve politikë sepse shumë prej tyre kishin në aktakuzë edhe masa dënimi për "krime" ordinere. Kështu justifikohej poshtërimi i padrejtë ndaj tyre, puna e detyruar ndër miniera, rrahjet poshtërimet etj. Degradimi moral përkrahej dhe nxitej nga ana e Sigurimit. Përkraheshin njerëz perversë të cilët mësoheshin të rrëzonin në batak djem të brishtë e të paformuar, por shpesh përpjekje të tilla përfundonim me të drejtë në krime të rënda, duke bërë provokatorët faqezes të enden edhe të gjymtuar nëpër oborret e kampeve.
Kish të dënuar që s'e kuptonin gjendjen e tyre dhe ankoheshin nëpër instanca të larta se ishin viktima të shpifjes dhe të gjyqtarëve injorantë. Diktatura heshte, duke i lënë ta kuptonin vetë se ajo kish nevojë për sakrifikimin e tyre, pastaj kur ata fillonin ta bezdisnin me kërkesën e pafajësisë, i paralajmëronte me kërcënimin se do t'i dënonte për fyerje të organeve të drejtësisë. Por kishte të dënuar, të cilët, edhe pse ishin të bindur për pafajsinë e tyre, deklaronin me zë të lartë se ishin fajtorë për të treguar se kishin hyrë në rrugën e rehabilitimit. Shumica, sadoqë shprehej se qe e pafajshme preferonte që kjo temë të mbetej tabu. Pranimi i fajësisë ishte guri i provës që dallonte të ndreqshmit nga armiqtë e betuar të Pushtetit Popullor.
Të jesh vërtetë i pafajshëm dhe të pranosh që je fajtor, është një fyerje e rëndë që i bën njeriu vetes por vetëm mendimi që persekutimi të ndalej tek ai, pa u shtrirë në pjesëtarët e tjerë të familjes, e justifikonte në një farë mase një vetvrasje të tillë morale.
Po a pranonte familja një sakrificë të tillë? Kish edhe që e pranonin por me dhimbje, në heshtje duke grumbulluar urretje të dyfishtë në zemrat e tyre të fyera.
Kish të dënuar që bënin kompromise të turpshme me ndërgjegjen e tyre d.m.th. i dorëzoheshin Sigurimit për të mos lënë rrugëve fëmijët dhe pikërisht të tillë të dënuar braktiseshin pa keqardhje prej grave dhe fëmijëve të tyre. Madje ka pasur raste që edhe pasi këta kanë dalë prej burgut familjet nuk kanë pranuar të bashkëjetonin me ta. Ata dënonin prindërit e tyre sipas porosive të diktaturës. Këta përgjithësisht ishin njerëz të terrorizuar në palcë, të cilët faktin që s'kishin pasur pasoja të rënda nga ky dënim, ia atribuonin qëndrimit të tyre të nënshtruar dhe jo të atit që ishte "penduar" kundër dëshirës së tij në burg. Dhe kur ky i dënuar kthehej të merrte shpërblimin e "pendesës" së tij në familje, dëbohej me përbuzje prej mishit dhe gjakut të tij. Kishte njerëz që e përballonin këtë shuplakë, por kishte edhe që hakmarreshin ndaj këtyre të afërmve duke vrarë veten.

TAKIMET

Kishte raste që nënat, motrat dhe gratë e të dënuarve udhëtonin me ditë të tëra për t'u takuar me ta dhe për t'u sjellë ato që kishin hequr nga goja e fëmijëve dhe ktheheshin me trastat plot e pa u takuar, sepse ato ditë Shqipëria
kish festë dhe ishte në gadishmëri të shkallës së parë. Tirani i tremhej qetësisë, prandaj në mes të gëzimit kërkonte alarm. E ku t'i shpinin tani ushqimet nënat kokëthinjura, duke zbritur monopateve të maleve? Veç t'i hidhnin në ndonjë greminë. Po kishte raste që nënat nuk pranoheshin në takim prej vet bijëve të tyre. Ato të gjora qenë ndaluar prej djemve, vajzave a nuseve t'i shkonin më parë djalit për ta parë në burg. Por vitet kishin rrjedhur pa u kuptuar një nga një duke formuar një mur të padukshëm ndër zemra. Kur dhembshuria e turpi e thyenin disi frikën dhe terrori qe zbutur deri diku, ato merrnin malet me trasta në krahë e zemra të ngrira. Mirëpo djali kish ndryshuar, të tronditur nga hetuesia e rëndë dhe gjyqi i padrejtë, ai kish vuajtur për vite të tëra dramën e fajtorit pa faj e pa njeri pranë. Klithmat e zemrës së tij qenë shuar nëpër vitet e errëta të galerive. Dhjetra herë qenë thirrur emrat e shokëve nga tellalli i burgut për të marrë letrat që u vinin nga shtëpitë. Djali strukej diku që t'i fshihej vështrimeve që e shihnin me keqardhje. Akuzat e paqëna të Sigurimit përputheshin me qëndrimin përbuzës së familjes. Dhe kur një ditë papritur i thirrej emri për takim, ai në fillim nuk u besonte veshëve dhe si të ish i çmendur bërtiste se nuk kishte nënë, ndërsa e ëma me të qara u kërkonte policëve të birin. Për të vërtetuar thënien e tyre se i biri qe gjallë, ata e rrëmbenin për krahu djalin dhe ia shpinin zvarrë tek porta e hekurt e takimit. A mund të përshkruhet dot ai takim?! Le të bjerë mallkimi i nënave shqiptare mbi diktaturën komuniste që i ndau bijtë padrejtësisht prej tyre. Por më e rënda ishte, kur thesi i ushqimeve që kish sjellë nëna tërhiqej zvarrë nëpër kamp prej policëve të indinjuar që ndiqnin pas djalin e çmendur që nuk pranonte ta merrte. Dhe policët goditnin me shkopinj djalin qe s'pranoi ta takonte nënën teksa e lejonte diktatura. Kjo quhej kryengritje dhe djali rebel do ta paguante me muaj të tërë në fronte të vështira nëpër galerite e minierës. Të gjithë besonin se zemra e madhe e nënës duhej t'ia kishte falur të birit këtë fyerje dhe thellë-thellë do ta mallkonte përçarësin e kombit, Enver Hoxhën. Dhe ne ndjenim se sa e madhe është aftësia ta mposhtësh dhëmbjen tënde për të mos fyer zemrat e atyre që janë po aq fatkeqë dhe s'të kanë faj. Kishte në burg fatkeqër, të cilët kishin njëzet vjet pa parë bijtë e tyre me sy dhe pa marrë një letër nga familja. Dhe vetëm kur diktatura qe ngopur në një drejtim dhe donte të fitonte në drejtimin tjetër, d.m.th të tregohej në opinionin "zemërgjerë", dërgonte si rastësisht njerëz që t'i "qortonin" fëmijët e të dënuarit dhe të "preknin" nënën për atë dënim të ashpër që i kishte bërë babës, apo djatit të tyre mëkatar. Atëherë ankthit, dhimbjes dhe turpit ua zinin vendin lotët e tyre të pendesës tek portat e hekurta të takimeve. Por shqiptari s'e dha veten. I kaloi këto situata të rënda me shaka, sikur për këtë ta kishte pasur fajin dikush që s' ia kishte dashur të mirën, por që tani ia kish marrë të keqen...
Kishte në burg prindër që s'e duronin dot braktisjen me vite prej fëmijëve të tjerë që digjeshin në shpirt nga meraku për fatin e bijëve të tyre. Këta i luteshin shtetit t'i lidhte me ta, por kërkush s'e vinte ujin në zjarr, duke u përgjigjur ftohtë se s'mund t'i detyronte familet të vinin e t'i shihnin në burg. Dhe vetëm gjykatat që i kishin dënuar, patën marrë përgjigje zyrtare se fëmijët i kishin mirë vetem kaq, pastaj përsëri vite të tëra të mbushura me heshtje. Një nënë fshtarare i lutej me një letër të shkurtër diktatorit t'i lironte nga burgu njërin prej djemve sepse qe plakë me një këmbë në varr dhe s'kish njeri kush ta varroste. Në fshat përfundonte letrën nëna, s'të vjen njeri në derë, as në raste vdekjesh, po të ishe i prekur dhe një gruaje tjetër në lagjen e saj, e cila ishte shpallur kulake iu desh ta varroste vetë të shoqin që
kish dy ditë i vdekur. Dhe diktatori vëllavrasës tallej me historinë, duke e quajtur urrejtjen e njeriut për njerinë forcë lëvizëse të shoqërisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora