Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fran Gjoka: Suksesshëm në gegnisht

| E enjte, 17.10.2019, 07:57 PM |


Suksesshëm në gegnisht

-Profil i shkrimtarit Ndue Gaspri-

Nga Fran Gjoka

Kohët e  fundit shkrimtari Ndue Gaspri botoi dhe librin e 9-të, romanin “Fmini e humun”, në dialektin e bukur të shqipes, në gegnisht. Pas leximit kushdo e kupton se ky roman është një udhëtim në fëmininë e autorit, që përkon me periudhën më të vështirë të jetës së popullsisë rurale të vendit tonë, me kolektivizimin ekstrem të ekonomive bujqësore. Autori u flet lexuesve me gjuhën e fëminisë, një gjuhë mjaft e bukur, shprehëse, e ëmbël, por dhe një kundërshti ndaj atyre që i vodhën ëndrrat, lodrat, dinjitetin dhe të drejtën për të jetuar i lumtur si fëmijët e tjerë të botës.

Protesta e një fëmijë 12 vjeçar

Libri fillon me dashurinë për vendin ku kishte lindur, me shpinë, bagëtitë, arat, livadhet, pyjet e mbyllet me një mllef ndaj atyre që ia hoqën, ia vranë këtë dashuri, ia përdhosën duke e dëmtuar në gjithçka që ka  jeta. E humbi mundësitë ekonomike të jetesës, humbi ëndrrat, shpresat dhe fëmijërinë. E çfarë mbet? Një fëmijë i veshur me lecka, që zbathur shkonte në shkollë. Kush e shkaktoi këtë mjerim ekstrem? Del e qartë se shkaktare janë reformat ekonomike të shtetit të dalë nga lufta e fundit.

I kërkohet heroi të librit që, si nxënës i klasës pestë, të bëjë një hartim ku të pranojë e lavdërojë këtë varfërim legjendar në pak vite, por jo. Ai e përshkruan siç është gjendjen ekonomike të familjes së tij e në mënyrën e tij proteston. Kaq ka mundësi të bëjë një fëmijë 12 vjeçar. A mjafton? A e meriton ai një trajtim të tillë në fillim të viteve 60-të?

Personazhe e ndodhi artistike frymëzuese

Krijimtaria e autorit, me temë nga Zadrima (Sapa), duke filluar me ngjarjet që vijnë në vitin 1640 tek romani “Hanin e Marshallit” në vitin 1850 me “Udhëtim i mundimshëm me vdekjen” e 1950 me “Qyteti pa Orë” dhe mbyllet me vitet 1968-2000 me romanet “Jerina në dashuri të pa –mëkat”,  “Eva në jetën e Kelit”, “Kohë me Djallin” e “Njerëz të tepërt”. Secili një tematikë më vete, me veçoritë e trazimin e tij të mbledhur në kohë me kujdes e një kulturë të gjerë, që ia ofron zona ku ka lindur e rritur. Në gjithë këtë shkrimtarî flitet për historinë e zonës, besimin, reformat e kundërreformat, kulturën materiale e shpirtërore (paja e këngët), familjen e zakonet, ritet e dashurinë për vajzën, punën, shkollën, vendlindjen e atdheun, jetën e Zotin. Përgjithësisht të gjithë romanet e tij nisen nga ngjarje, ndodhi e fate njerëzore të ditura, por që nga autori bëhen personazhe e ndodhi artistike frymëzuese e përçojnë tek lexuesi kënaqësi estetike e mesazhe të bukura. Autori ia ka arritë që në heshtje, pa bujë e pa vëmendjen e duhur të shtypit letrar, të arrijë tek lexuesi i tij me modesti e kurajë. Personazhet e tij janë: Jerina, Pater Zenishi, Gjon Galani, Zef Kotrri, Mark Fishta, Kastriot Vokaj, Kel Martini, Teufik Trebershina, Liza Krrabi, Arsen Dakova dhe një mori personazhesh dytësorë, që mbesin gjatë në memorien e lexuesit.

Kush është Ndue Gaspri ?

Ka lindur në vitin 1950 në fshatin Piraj të Zadrimës, në vitin 1968 mbaron gjimnazin në Lezhë e në vitin1973 arsimin e lartë në ILB, dega Agronomi. Deri në vitin 2015, kohë kur doli në pension, ka punuar si specialist, mësues në arsimin e mesëm dhe nëpunës në administratën shtetërore. Duke u përpjekur të mbledh të veçantën nga jeta krijuese e autorit, mësova se ai që në bankat e shkollës ka pasur një vëmendje të drejtuar tek prodhimi letrar. Sprovat e para krijuese i ka lëvruar që në hartimet, vjershat e tregimet në bankat e shkollës, nën kujdesin e vëmendjen e mësuesit të pasionuar të gjimnazit, të nderuarit Col Dizdari.

Ka qenë një lexues i vëmendshëm e i palodhur i librit e këtë e tregon sot biblioteka personale që e ka e që është për t’ia patur zili. Me mbarimin e shkollës njohu më mirë historinë, legjendat, këngët, prrallat e rrëfenjat, por dhe dëshmitë e mbetura si gjurmë të shpërndara e me to krijoi sinopset e veprave të ardhëshme artistike. Njohu dhe letërsinë e krijuar që herët në këtë trevë e mori prej saj tharmin e një krijimtarie që duhet të vazhdonte si e tillë. Që herët, disa nga këto sinopse i zhvilloi si vepra të vogla, por nuk i publikoi. I ruajti si dashuri personale, si relike. Pse? A mund të pranoheshin në vitet 80-të romanet “Jerina në dashuri të pa-mëkat” e morali i saj? Po Pater Zenishi, doktor i shkencave në filozofi e teologji në romanin “Udhëtim i mundimshëm me vdekjen”? Po dashuria e Gjon Galanit me Veronika Mirukun tek romani “Hani i Marshallit”? Po dështimet e projekteve ekonomike në favor të projektit politik të partisë-shtet tek romani “Qyteti pa Orë”? Po dashuria e vrarë e Luçies me Lorencin tek romani “Lulet e Kainit”? Mbeten ashtu gjysëm të zhvilluara, si dashuri platonike, në pritje për një kohë tjetër. E kjo kohë erdhi, por fatkeqësisht pjesërisht.

Kërkohen para për të botuar

- I zhvillova në liri e pa frikë sinopset e mia, njërin pas tjetrit, si desha unë, për qejfin tim e u drejtova shpive botuese. Ata donin lekë, po ku t`i merrja unë ato të shkreta? Me rrogën e mësuesit? I jam drejtuar me projekte Ministrisë së Kulturës, bashkisë e bisnesit. Kudo e gjeta derën të mbyllur, madje dhe një fond që m’u miratua në letra në vitin 2012 nga bordi i botimeve, kur ishte minister Aldo Bumçi, për romanin “Qyteti pa orë”, nuk u bë asnjëherë aktiv derisa ministrja antikulturë e radhës, Kumbaro, e eleminoi krejtësisht.

- Pse kështu?- vazhdova pyetjen në drejtim të mikut tim.

- Kemi patur vazhdimisht shtet antikulturë. Dhe ato para që jepen përdoren keq nga kryeministrat, për qoka miqsh e të afërm. Çuditem, në Kumanovë, Shpia Botuese “Idriz Seferi”, me fonde shtetërore e riboton romanin tim “Udhëtim i mundimshëm me vdekjen”, ndërsa komuna e Gjakovës vetëm për kulturën thonë se ka 200 000 euro, ndërsa në Tiranë e Lezhë një hiç.

- Pse kështu, si mendoni ju?- pyes krijuesin.

- Krahas sa thashë, unë mendoj se nuk financohet një krijimtari që denoncon e stigmatizon sistemin diktatorial dhe vazhdimin e tij në pasdiktaturë, madje është eleminuar dhe kritika e duhet të paguash që dikush të shkruajë një shkrim për një roman.

- Më konkretisht.

- Dy kritikë e analistë të njohur, ish deputetë, operatorë mediumesh me rroga shumë të mira më premtuan të më bënin shkrime, njëri për romanin “Kohë me djallin” e tjetri për “Jerinën” e “Hani i Marshallit”, por jo, prisnin t`u jepja para për artikujt. Po ku t’i merrja unë pensionisti?

- Problem i madh është dhe shitja e librit, librarët vetëm që t’i mbajnë aty duan 30-35 % të çmimit, duke llogaritur se po aq do dhe shb, del qartë se atij që e shkruan dhe e financon i mbetet vetëm një thelë. E kjo se  drejtuesit e sotëm të shtetit janë vazhdim i segmenteve të diktaturës, në mos të indoktrinuar nga ajo. Atëherë?

- Si atëherë?

- Tek ne bëhet politikë antikulturore, kundër prodhimit të saj. Më hapur se kaq nuk ka si thuhet.

- Po ti ke botuar 9 romane, bile 2 prej tyre i ke ribotuar. Si ia ke dalë financiarisht?

- Tre romanet e parë me pak para që kisha i botova në tirazh të vogël e në shetitoren e plazhit të Shengjinit ku banoj fillova t’i shes si ambulant për turistët gjatë 2-3 muajve të verës. Dhe kjo në përplasje me policinë bashkiake, dikush donte para nën dorë për të më dhënë të drejtën e shitjes librave ku kam derdhë mund e para pensioni për t’i realizuar.  O Zot! O Shqipëri… asnjëherë nuk të kuptova!!!

- Po tashti?

- Mbledh para për botimin e librit të radhës.

Tema reale dhe të vërteta

- Dhe dy pyetje të fundit: -Cili është qëllimi i botimit të librave nga ti?

- Siç doli, pjesa më e madhe e librave e marrin temën në Sapë, ku unë kam rrënjët. Si i tillë, temat e lëvruara i kam sjellë në libra, siç janë në fakt apo fliten. Një autor jo vendas mund t’i shtrembërojë, t’i denigrojë me keqdashje e më vonë zyrtarizohen po keq. Kështu kanë ndodhur rëndom tek ne. Ndërsa unë, krahas vërtetësisë, luaj dhe me dashurinë për to që nuk më mungon. Kështu kam shkruar për familjen Blinishti, Gazullorët, Pjetër Zarishin, Jerina Dushmanin, Frang Bardhin, Gjergj Fishtën, Ndre Mjedën, Imzot Bumçin, avokat Benedikt Blinishtin, Shan Picin, Mark Fishtën, për Sapën, Nënshatin, Hajmelin, Blinishtin, Troshanin, Piraj e lagjen time Verracakë. Kam respektuar e vënë në vendin e duhur kishat e shumta e punën baritore të priftërinjëve katolikë. Në këto mori historishë  personazhet dytësorë qëndrojnë si gurët në një mozaik e nuk harrohen, si: Pal Kallmetin, një figurë mitike zonës, Zef Mirukun, Shtjefen Sallakun e stërgjyshin tim Gaspër Tuku, por dhe shumë të tjerë që zbukurojnë librat e mi.

-  Po planet e së ardhmes?

- Disa nga librat këto 6-7 vite janë dhe shitur krejtësisht. Duhen përmirësuar e ribotruar, siç ka ndodhë me “Jerinën” e “Udhëtim i mundimshëm me vdekjen”. Kam 3-4 projekte librash të ri, por ende në sirtar.

Personazhe  dhe ngjarje që mohoheshin në diktaturë

E reja është ajo që në letërsi sjell atë model personazhi e ngjarje që ndalohej në diktaturë. Për këtë, që herët, që në vitin 1975, jam marrë me romanin “Jerina në dashuri të pa-mëkat”, me një pikësynim, të krijoj një personazh krejt ndryshe, që ka në performancë femërore himnin e jetës, njerëzores e dashurisë. E kam strukturuar me kujdes dhe vetëm pas viteve 90-të e përfundova së shkruari siç desha unë.

Jerina, personazhi kryesor i romanit, një intelektuale klasi, në një moment vihet në dilemën e lindjes apo jo të një pasardhësi, të trashëgimtarit në një familje ku kjo linjë po soset. I kërkohet të tejkalojë moralin e kohës, të tejkalojë dhe veten e të sillet ndryshe për hir të një qëllimi të madh. Një personazh që formohet ndryshe, pa paragjykime, pa ndikime opinioni, pa frikë e me një dashuri sublime për jetën e vazhdimin e saj...

Pas viteve 90-të kam shkruar romanin “Kohë me djallin”, në qendër të cilit është Arsen Dakova, një i ri 24-vjeçar, që del nga burgu politik pas amnistisë, por në shpi ka vetën, gjyshen, prindërit në rrethana të panjohura janë dënuar e vdekur. Synim i tij është: të mbarojë shkollën e lartë e të zbardhë arsyet e dënimit e vdekjes së familjes së tij. Realizimi i kësaj ëndrre bëhet me shumë vështirësi, mbaron shkollën e lartë, por trajtohet keq, zbulon arsyet e dënimit e vdekjes së prindërve e gjyshit, por nuk rehabilitohen se pasdiktatura është në ideologji e në qeverisje zgjatim i segmenteve të komunizmit. Arseni e rrethi i tij shoqëror luftojnë, ndeshen e gjakosen me këto struktura shtetërore, por më në fund e kuptojnë se janë të humbur në qëllimin e tyre. Kush do drejtësi, rregull e siguri në këtë vend është i humbur? Çfarë i mbetet të bëjë Arsenit me shokë? Të braktisin atdheun. E kështu ndodhi e vazhdon me dhimbje kjo hemoragji sociale e dhimbshme.

Cilat janë planet tuaja krijuese?

- Të shkruash libra në Shqipëri je si jashtë kohe, por siç thamë më lart, më shtyn pasioni e dëshira. Unë në fakt kam pak projekte, njërin po e përmbyll, por të tjerët që nuk e di se çfarë e kur do arrij. Mosha e mundësitë financiare nuk janë me mua… Megjithatë nuk thyhem. Do të shkruaj pa u lodhur. Frymëzimin dhe pasionin tim nuk do t`i lë në mes të udhës, ndryshe, pse do ta quaja veten shkrimtar?

Romane të autorit

1. “Jerina në dashuri të pamëkat”

2. “Lulet e Kainit”

3.”Udhëtim i mundimshëm me vdekjen”

4. ”Hani i Marshallit”

5. ”Kohë me djallin”

6. ”Eva  në jetën e Kelit”

7. ”Qyteti pa orë”

8. ”Njerëz të tepërt”