E premte, 19.04.2024, 06:07 AM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Përreth problemeve

E marte, 15.10.2019, 09:35 PM


Përreth problemeve

Nga Blerim Rrecaj

Në fjalorin e Gjuhës sonë fjala "problem" shpjegohet në tri mënyra. E para, flet për problemin në lëminë e matematikës, e dyta, më tepër u takon sferave të shkencave shoqërore e flet për një çështje të ndërlikuar që kërkon e pret zgjidhje, e treta, bën fjalë për sjelljet e ndokujt që shfaqin shqetësime tek të tjerët.

Lista e problemeve që kërkojnë zgjidhje është jo e vogël. Nëse nisemi prej problemeve më të thjeshta dhe shkallë shkallë vazhdojmë te ato më të ndërlikuarat mbase do e shohim se duhet që sa më parë t'ia nisim me zgjidhjen e tyre, që janë të lidhura e të ndërlidhura, të varura e të ndërvarura, të thjeshta e të ndërlikuara, të ndara e të kombinuara, personale e tejpersonale. S'dijmë se sa po ia qëllojmë por po fillojmë me gjumin si akt i domosdoshëm jete, por edhe si metaforë e përdorur. Kjo na shpie te një orar të cilit pakashumë mund t'ia caktojmë vetes e më pas aq sa kemi mundësi t'i përmbahemi e ta respektojmë. Dhe ç'mund të na nxisë që mos të kemi një orë të caktuar për t'u shtrirë e për ta pritur të ëmblin gjumë. Mbase hedhja kuturu sytë nëpër kanale televizive, dëgjimi i një lajmi a gjuha llomotitëse dhe e ashpër e ndonjë debati problematik pa ose me pak rezultat. Sidoqoftë, komplikueshmëria e rrëmuja e jetës së përditshme na nxit t'i drejtojmë shigjetat fajësuese në këtë e atë drejtim, sa të kalojmë te termat: të zgjuarit e fjetur; të përgjumurit kronik; ecetera, ec e të ra ose ec e tëra. Dhe duke përsiatur kësisoj mund të na zë gjumi. Para se të kalojmë te zgjimi, qe na u tek me vënë komplet poezinë e Frederiko Garsia Lorkës, (të shkëputur nga një libër i kahershëm, botim i "Rilindjes" përkthyer nga një grusht autorësh të këndej e andej gardhit) me titullin:

E tëra

Dora e puhisë

e përkëdhel faqen e gjithësisë

njëherë

e, edhe njëherë.

Yjet i mbyllin

qerpikët e kaltër

njëherë

e, edhe njëherë

Kthehemi tash te zgjimi. Real e figurativ. Dhe zgjimi ynë është paksa i rëndë. Me ca ndjenja plogështie. Me ca mungesa vullneti. Me rutinë të zgjatur tranzicioni, që s'dihet ku mund të na shpie. Sidoqoftë zgjohemi duke (mos) u hedhur ujë syve për t'u përballur sadopak me hedhje hiri, pluhuri, mjegulle, tymi, gazrash, kutërbimesh gjatë ecjes nëpër udhë, udhëkryqe, kthesa, lakesa. Përballje me lloj lloj vështirësie, bezdie, neverie, banaliteti, kaosi, absurdi, burokracie, labirinthi, mungesë bio-je, vitaminash, aktivitetesh psiko-fizike e çka jo tjetër, për të na u vërtitur mendjes fjalët e këngës së Jericho-s: Zgjohu dhe zgjoj të tjerët. E vargu i problemeve është i gjatë, (diku kemi hasur tregimin e njejtë të Dino Buxatit, shqipëruar nga dy autorë; njëri mban titullin: "Problemi i parkimeve" dhe "Ku të gjej një vend për të parkuar?") i gjatë duke filluar që mbrenda vetes, strehëzave e pragjeve të tyre, për të vazhduar edhe më tej e përtej, (për)jashtë. Sa të ka jetë do ketë edhe probleme, mirë do të ishte të mos i lëmë të grumbullohen dhe aq sa është e mundur të lirohemi nga barra e tyre duke e ç'kompleksuar vetën e jetën, duke zgjidhur probleme politike, pronësore, të punësimit, të...të...të...A thua kush e di se çdo të ndodh me shtrimin, mbulimin, zbulimin, lidhjen e zgjidhjen e tyre. Ajo që dihet është se mbi ne rëndojnë probleme, probleme, probleme...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora