E shtune, 20.04.2024, 11:02 AM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Gjykata Administrative shfuqizon vendimin e Autoritetit të Mediave Audiovizive

E hene, 14.10.2019, 06:01 PM


Gjykata Administrative shfuqizon vendimin e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) për dënimin me gjobë të RTV Oranews (sot Ora), për shkak të emisionit “Ju flet Moska”

Nga Kastriot Myftaraj

Dita e sotme, 14 tetori është një ditë e rëndësishme sa i përket Lirisë së shprehjes, Laicizmit (Shekullarizmit) dhe ruajtjes së vlerave kombëtare posaçërisht të mbrojtura me rend kushtetues.

Sot Gjykata Administrative e Tiranës, një gjyqtar i saj me vetëdije të lartë dhe përgjegjshmëri për parimet kushtetuese, shfuqizoi dy vendimet e AMA-s ndaj shoqërisë “Ora sh.a.”, ai me nr. 65., dt. 17.04.2019 dhe ai me nr. 110, dt. 11.07.2019. Me këto vendime, Shoqëria “Ora sh.a.” u dënua për shkelje administrative për:

1)Nxitja e intolerancës ndërmjet shtetasve.

2)Justifikimi i dhunës.

3) Mosrespektimi i gjuhës, larmisë e traditave, besimeve fetare, kulturës dhe moralit të qytetarëve.

Të gjitha këto për shkak të emisionit tim të datës 18 mars 2019, me titull “Skënderbeu dhe vrasjet në xhamitë e Zelandës së Re”.

Sot fitoi Laicizmi, fitoi Rendi Kushtetues, fitoi Shqiptarizmi kushtetues.

Sot dështoi operacioni i përbashkët i një institucioni shtetëror, AMA dhe i një OJF-je radikale islamike, të listuar kështu nga shërbimet inteligjente të vendeve të NATO-s, Forumit Musliman shqiptar. Sipas planit të operacionit Forumi Mysliman do të bënte ankesë kundër emisionit “Ju flet Moska”, ndërsa AMA do të jepte një vendim sipas dëshirës së këtij forumi, praktikisht mbi bazën e Shariatit, jo të ligjeve të shtetit laik shqiptar. Ky plan dështoi sot në gjykatë dhe do të dështojë në vazhdim.

Është përgatitur dosja e plotë për këtë histori, që përmban në detaje gjithçka, që nga financimi nga një biznes arab i çimentos, te përzierja e një ambasade në Gjirin Persik që ka paguar në këtë operacion.

Qëllimi ishte të goditet Laicizmi në Shqipëri, të goditet Skënderbeu si vlerë kombëtare kushtetuese e mbrojtur me ligj. Me dy vendimet e sipërpërmendura të AMA-s u arrit praktikisht që Islami të ngrihet në statusin e fesë zyrtare në Shqipëri dhe arabishtja në statusin e gjuhës zyrtare. Emisioni “Ju flet Moska” u përzgjodh për këtë goditje se ishte i vetmi që denoncoi manipulimin poshtërues që u bë Skënderbeun në ngjarjen e Zelandës së Re, si dhe i vetmi emision që denoncoi prapaskenën e këtij manipulimi.

Shumë shpejt do të ketë një kallzim penal në Prokurorinë e Tiranës ndaj anëtarëve të bordit të AMA-s të përzier në këtë histori dhe organizatorëve të operacionit te Forumi Mysliman. Në këtë histori janë përsier 1200 anëtarë të Forumit por kjo nuk do të thotë se nuk duhen ndëshkuar sipas ligjit, së paku krerët e tyre.

Në vendimin e AMA-s për të vërtetuar shkeljet e përmendura më lart u sollën si prova tre fragmente nga emisioni im, në trajtë paragrafesh të transkriptuar.

Përpara Gjykatës vërtetova se AMA ka keqinterpretuar Ligjin 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në vendim-marrjen e saj. Këtë e argumentoj si më poshtë:

Ky ligj, në nenin 4, pika 2, gërmat “d” dhe “dh” përcakton parimet nga të cilët udhëhiqen OSHMA-t (Ofruesi i shpërndarjes së medias audiovizive), si më poshtë:

-moslejimi i transmetimeve që nxisin intolerancën ndërmjet shtetasve;

-moslejimi i transmetimeve që nxisin ose justifikojnë dhunën.”

Në këtë ligj, OSHMA-s gjithashtu i përcaktohen nga pikëpamja proceduriale, modalitetet për të përmbushur detyrimin e saj të mësipërm. Në nenin 3, paragrafi 22, gërmat “a” dhe “b”, ligji i lartpërmendur e ngarkon OSHMA-n me atë që e quan “përgjegjësi editoriale”. Dhe “Përgjegjësia editoriale” në kuptim të Ligjit 97/2013 është:

“ushtrimi i kontrollit efektiv mbi përzgjedhjen e programeve dhe organizimin e tyre në:

a)një listë dhe orar, në rastin e shërbimeve të transmetimit të drejtpërdrejtë audioviziv;

b)një katalog, në rastin e shërbimeve dhe programit audiviziv, sipas kërkesës.”

Pra, në rastin e emisioneve me transmetim të drejtpërdrejtë, OSHMA-s i kërkohet që të ketë një listë dhe një orar të programeve.

RTV Oranews ka listën ditore të programeve, në rastin tim më ka përcaktuar një orar për emisionin. Unë informoj stafin e OSHMA çdo ditë për temën që do të trajtoj, në mënyrë që të bëhen përgatitjet e duhura teknike, nxjerrja e titullit të emisionit. Për shkak se emisioni im ndjek zhvillimet e përditshme, njoftime bëhet pasdite vonë, së paku. Me këtë marrin fund detyrimet ligjore të OSHMA, ndaj emisionit tim, në kuptim të ligjit 97/2013, i ndryshuar. Në asnjë dispozitë të këtij ligji nuk është parashikuar kontrolli efektiv i OSHMA-s mbi përmbajtjejn e një emisioni me transmetim të drejtpërdrejtë. Dhe kuptohet që kjo nuk mund të bëhet sepse bie ndesh me Nenin 22 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që ndalon censurën paraprake

Interpretimi i ligjeve të prejardhura bëhet duke pasur parasysh kontekstin e tyre kushtetues. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me ligjin 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Neni 22, paragrafi i tretë i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë thotë:

“Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet.”

Kjo do të thotë se as shteti, as OSHMA, që është në rolin e punëdhënësit për gazetarin, nuk mund t’ i kërkojë këtij të dhëna paraprake mbi idetë që do të shprehë për të argumentuar temën e emisionit të tij. Gazetari mban përgjegjësi morale, qytetare dhe ligjore për ato që thotë.

Kjo nuk do të thotë aspak se gazetari në një emision të drejtpërdrejtë është i papërgjegjshëm nga pikëpamja ligjore, por përgjegjësia e tij nuk ka të bëjë me ligjin 97i2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

AMA e interpreton ligjin 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.(i ndryshuar), sikur OSHMA ka detyrim që t’ kërkojë gazetarit t’ i paraqesë për shqyrtim një tekst që përmban ato që ai do të thotë në emision, madje edhe në një emision me transmetim të drejtpërdrejtë dhe pastaj OSHMA të marrë përsipër që ta shqyrtojë këtë tekst nga pikëpamja e ligjit 97/2013, duke i kërkuar gazetarit që të heqë këtë ose atë gjë, për shkak se ato përbëjnë shkelje të ligjit 97i2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”,i ndryshuar, si dhe të kodit të transmetimit të AMA-s.

Kjo është pikërisht censurë paraprake. Kush do ta kryejë këtë detyrë te OSHMA? Pronari? Një person i ngarkuar me detyrën dhe praktikisht rolin e censorit? Ligji nuk thotë asgjë për këtë. Interpretimi që i bën ligjit AMA nxit autocensurën e gazetarëve. Autocensura është mënyra më e sofistikuar e censurës, ku shteti në vend që të përplaset vetë ai me gazetarët, vihet në pozitën komode që e bën OSHMA-n ta kryejë detyrën e përplasjes me gazetarët. Dhe gazetari do të autocensurojë veten nga frika se do të bëhet përgjegjës për dënimin e medias ku është i punësuar. Llogaria është bërë me shumë djallëzi juridike.

Nuk dua të them se ka qenë ky qëllimi i ligjvënësit në rastin tonë, por është e qartë se ky është qëllimi i AMA në interpretimin që i bën ligjit ligjit 97/2013.

AMA tjetërsoi faktet duke thënë për emisionin tim(citoj): “gjatë të cilit u trajtua ngjarja e ndodhur në Zelandën e Re”.

Në të vërtetë, emisioni im i datës 18.03. 2019, siç mund të kuptohet edhe nga vetë titulli “Skënderbeu dhe vrasjet në xhamitë e Zelandës së Re” kishte si temë shpjegimin e përfshirjes pa të drejtë të Skënderbeut në këtë. Qëllimi i emisionit tim ishte që mbrohej figura e Skënderbeut nga përpjekjet për ta paraqitur atë si pjesë të shkakut të radikalizimit të atentatorit.

Nuk ishte Skënderbeu ai që e radikalizoi autorin e atentatit, Brenton Harrison Tarrant, siç u krijua përshtypja, duke qenë se autoritetet neozelandeze e përmendën emrin e Heroit Kombëtar të një shtetit pa dhënë shpjegimet e detyrueshme me këtë rast. Pikërisht këtë gjë, shpjegoj unë në pjesën e parë të emisionit, pafajësinë e Skënderbeut në këtë histori.

Fakti që Brenton Harrison Tarrant, i cili supozohet ta ketë shkruar emrin e Skënderbeut në armën e tij, nuk e vizitoi Shqipërinë gjatë udhëtimit të tij të para tre viteve në Europë, ku vizitoi shumë vende, madje edhe Turqinë, për të parë vendet ku kishin vepruar heronjtë frymëzues të tij, të krijon dyshimin e arsyeshëm se Skënderbeu nuk ka qenë njëri prej tyre dhe është shtuar më vonë.

Unë kam opinionin se përfshirjen e Skënderbeut në atentatin në Zelandën e Re e ka bërë vetë qeveria e këtij vendi për të larguar vëmendjen nga shkaqet e vërteta të radikalizimit të autorit të atentatit. A kam unë të drejtë që ta kem këtë opinion dhe ta shpreh në emisionin tim?

Në një film dokumentar të njohur në gjithë botën, me titull “9i11 Fahrenait” të Michael Moor, të shfaqur në të gjithë botën dhe në Shqipëri, thuhet se atentatet e 11 shtatorit i ka bërë vetë qeveria amerikane e kohës. Unë nuk e besoj këtë teori. Por ky film nuk është ndaluar as në Amerikë, as në Shqipëri.

Nga mënyra si arsyeton AMA del se Skënderbeu në Shqipëri ka mbrojtje ligjore deri atëherë kur duhet të sakrifikohet për të mbrojtur mosvënien në diskutim të asnjë fragmenti të Kuranit, pavarësisht përmbajtjes së tij problematike.

Por Skënderbeu ka mbrojtje të posaçme kushtetuese me nenin 3 të Kushtetutës sonë që sanksionon mbrojtjen e bazës së shtetit, ku ndër të tjera bën pjesë dhe trashëgimia kombëtare, pjesë e së cilës është Skënderbeu. Flamuri shtetëror kombëtar shqiptar, që gjendet edhe në këtë gjykatë, është flamuri i Skënderbeut, e tillë është edhe emblema zyrtare e Republikës sonë që gjendet edhe në hyrje të këtij institucioni dhe që përmban elementë të Skënderbeut, përveç flamurit edhe përkrenaren e tij.

Në kontekstin e arsyetimit të pafajësisë së Skënderbeut, unë në emision kam shtjelluar idenë se ata që shohin përgjegjësi te Skënderbeut për ngjarjen, duan justifikime për të mos parë si burim radikalizimi, kundërshtimin e një feje, Islamit, për t’ u reformuar dhe emancipuar, për të pranuar realitetet e reja moderne me progresin si forcë lëvizëse shoqërore, siç kanë bërë degët e Krishterimit njëra pas tjetrës. Nuk mund të luftohet seriozisht radikalizmi islamik dhe terrorizmi islamik nëse nuk shqyrtohet seriozisht efekti radikalizues i pjesëve të caktuara të Kuranit, ku nxiten dhuna dhe urrejtja fetare dhe racore.

AMA në vendimet e saj nuk bën një analizë të përmbajtjes së paragrafeve që ka sjellë si prova, gjë që i bën ato të pavlefshme si prova. Arsyeja për të cilën AMA vepron kështu është se kur përmend si shkelje mosrespektimin e gjuhës, nuk dëshiron të saktësojë se bëhet fjalë për gjuhën arabe në të cilën thirret ezani me megafonë nga minaret e xhamive.

Tradita e mirë fetare shqiptare është përdorimi gjuhës shqipe në ritualet fetare, e kjo traditë nis që nga shekulli XV me formulën e pagëzimit në gjuhën shqipe të Arkipeshkvit Pal Engjëlli, për Kishën Katolike, e më pas me Fan Nolin për Kishën Ortodokse.

Shqipëria është një shtet që ka si gjuhë zyrtare atë shqipe Thirrja për lutje u drejtohet muslimanëve shqiptarë, pra do të ishte e efektshme në gjuhën shqipe. Shqipëria është një vend laik, ku hapësira publike jashtë asaj të objekteve të kultit është laike dhe mund të përdoret për rite fetare veç me leje në rast festash fetare, një ose dy herë në vit për çdo fe? Përse duhet të dhunohet hapësira laike Thirrjet ritualistike në arabisht për më tepër me megafonë, përbëjnë dhunim të hapësirës publike laike. Kjo është një përpjekje për ta ngritur Islamin praktikisht në statusin e fesë zyrtare. Nuk ka traditë shqiptare për thirrjen e ezanit me megafonë, se Perandoria Osmane, nga na vinë këto tradita, nuk kishte megafonë, të cilët kërkonin për më tepër rrymë elektrike, që dihet se mungonte në Shqipërinë e kohës.

Fragmenti i sjellë nga AMA le jashtë një fjali të rëndësishme që vjen pas asaj të fundit të përzgjedhur. Fjalia e lënë jashtë është kjo: “Kuptohet jashtë botës arabe, se në botën arabe nuk po iu thotë njeri mos i bëjnë.”

AMA nuk guxon të saktësojë se ku pikërisht, në tre fragmentet e sjella si provë prej saj justifikohet dhuna, sepse unë thjesht i bëj jehonë debatit ne mediat e zelandës së Re, Australisë dhe botës për atë se si ndodh që djem të rinj që nuk kishin përbërë problem për Policinë radikalizohen në këtë mënyrë. Vetë Policia tha se ai nuk kishte krijuar asnjëherë shqetësim për të. Meqënëse quhet normale që sa herë ka atentate terroriste islamike të bëhet pyetja se ndodhi që u radikalizuan atentatorët, dhe të thuhet madje në analiza se dukeshin njerëz normal, a nuk mund të bëhet e njëjta edhe në rastin e atentateve të tilla si ky në Zelandën e Re? Si justifikohet dhuna duke bërë pyetje normale? Pse askush nuk i quan justifikues të dhunës ata që kanë thënë se atentatorët e 11 shtatorit të linin përshtypjen e djemve normalë?

Unë u kam thënë se debatin e keni brenda, lereni Skënderbeun.

Kur AMA më ngarkon me përgjegjësi se nuk respektoj kulturën dhe moralin qytetar, duket se e ka fjalën për mbulimin me shami të femrës, pasi nuk bën ndonjë shpjegim. Por në këtë pikë unë iu bëj jehonë kritikave që u dëgjuan në botë ndaj kryeministres neozelandeze se me vënien e shamisë në kokë si gjest tolerance ndaj Islamit, në fakt tregoi tolerancë ndaj forcave konservatore regresive islamike, që janë kundër emancipimit të femrës. Skënderbeun është përfshirë në këtë histori për të mbuluar këto kundërthënie.

Në vendimin e AMA-s citimi nga emisioni im ndërpritet pikërisht atje ku unë citoj suren përkatëse për rrahjen e femrës. Dhe ky është falsifikim prove i bërë me vetëdije.

AMA duke dënuar OSHMA-n ku unë jam i punësuar për shkak të kritikave të mia të përmendura më lart, merr rolin e një institucioni mbrojtës të Islamit radikal.

Deri në mbrëmjen e 18 marsit, kur u bë emisioni im, Brenton Harrison Tarrant ishte ngarkuar zyrtarisht me përgjegjësinë për vetëm një vrasje nga ato të ndodhura në 15 mars. Qëllimisht unë prita tre ditë për të parë qëndrimin e organit të akuzës në Zelandën e Re. Dhe organi i akuzës i Zelandës së Re e mori atë të pandehur duke e ngarkuar me përgjegjësinë për një vrasje. Në 4 prill 2019, 17 ditë pas emisionit tim dhe 20 ditë pas ngjarjes, Brenton Harrison Tarrant u akuzua edhe për 49 vrasje të tjera. Por as në 4 prill nuk u ngrit akuza për terrorizëm ndaj, tij, kjo akuzë u ngrit në 20 maj.

Unë nuk iu përkas atyre që kërkojnë dëmshpërblim nga shteti kur fitojnë gjyqe të tilla, sepse angazhimi im si gazetar dhe qytetar ka pasur si synim mbrojtjen e vlerave bazë kombëtare, shoqërore dhe shtetërore që përbëjnë bazën e shtetit sipas ligjit kushtetues.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora