E premte, 29.03.2024, 01:36 AM (GMT)

Mendime

Kastriot Myftaraj: A paralajmëron “Nobeli” për Handke të ardhmen milosheviçiane dhe karaxhiçiane të Europës?

E diele, 13.10.2019, 08:00 PM


A paralajmëron “Nobeli” për Handke të ardhmen milosheviçiane dhe karaxhiçiane të Europës?

Nga Kastriot Myftaraj

Juria e “Nobelit” është shndërruar tashmë në një institucion kulturor europian dhe madje global, kështu që qëndrimet e saj përmbajnë kumte paralajmëruese të forcave të cilat vijëzojnë shtegun e së ardhmes së kontinentit tonë.

Ndonëse juria e Çmimit “Nobel” thotë se e bën përzgjedhjen e fituesve duke u nisur nga vepra e tyre letrare dhe jo nga veprimtaria e tyre jashtëletrare, shiihet qartë megjithatë një prirje për të qenë politikisht korrekt. Çmimi nuk iu jepet autorëve me bindje fashiste apo islamofobe. Vërtet dikur u është dhënë disa autorëve nga Bashkimi Sovjetik, por këta kanë qenë ose disidentë në praktikë, si Pasternaku dhe Brodski, ose të tillë që i përkisnin një vije reformatore në pushtet, si Shollohovi. Ndonjë autor me bindje komuniste nga pjesa tjetër e botës, të cilit i është dhënë çmimi, ka pasur një vepër të tillë të dyzuar që nëse do të kishte jetuar në Bashkimin Sovjetik, do të ishte damkosur herët a vonë si disident.

Vepra letrare e Z. Handke nuk është aspak e llojit që juria e “Nobelit” të arsyetohet se kjo vepër është më e vlefshme se anët e errta të veprimtarisë së tij jashtëletrare. Në të vërtetë, Handke-shkrimtar është bërë i njohur për qëndrimet e tij politike, të cilat mund të quhen ekstremiste sipas standardeve të sotme në fuqi në Europë. Z. Handke është një islamofob, madje më tepër se kaq, një islamocid. Ai ka miratuar dhe ka mbështetur veçanërisht luftërat serbe në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar në Bosnjë dhe në Kosovë për spastrim etnik me shfarosje dhe dëbim të muslimanëve boshnjakë dhe shqiptarë. Është e qartë se arsyeja për të cilën Z. Handke adhuron Milosheviçin, Karaxhiçin dhe Mlladiçin është se ata kanë guxuar të bëjnë atë gjë që ai do të kishte dashur që ta bënin liderët europianë, pra spastrimin e Europës nga muslimanët, gjë për të cilën Handke e ka të qartë se në rrethanat e tashme nuk mund të bëhet veçse me gjenocid.

Protestat, ndaj dhënies së Çmimit Nobel në letërsi austriakut Peter Handke, që më së shumti vijnë nga Bosnja dhe Kosova, janë të tilla, a thua se juria e këtij çmimi të famshëm përbëhet nga ekstremistë paranojakë, njerëz të papërgjegjshëm, me të dhëna publike islamofobe, adhurues të gjenocidit ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve të Kosovës.

Por Juria e Çmimit “Nobel” përbëhet nga akademikë suedezë me mendje të barazpeshuar, të vetëdijshëm për atë që bëjnë dhe të përgjegjshëm për veprimet e tyre. Anëtarët e jurisë së “Nobelit” e kanë të qartë se cili është Handke dhe çfarë është veprimtaria e tij jashtëletrare. Duke ditur se çfarë shkrimtari është Handke mund të thuhet se Çmimi “Nobel” atij iu dha, më tepër se për veprën e tij letrare, për veprimtarinë e tij politike jashtëletrare.

Në këtë rast juria e “Nobelit” u përdor në luftën mes Europave po ndeshen në kontinentin tonë prej disa dekadave. Nga njëra anë është Europa që i ka hapur dyert për muslimanët në atë masë sa rrezikon ta bëjë kontinentin një Bosnjë-Herzegovinë të Madhe. Përballë saj qëndron Europa e cila e shikon islamizimin e shkallëzuar të kontinentit si rrezik jetik dhe kërkon të përmbysë gjendjen e tashme, me çdo mënyrë dhe mjet, pa përjashtuar luftën. Pikërisht në emër të kësaj Europe të dytë kundërislamike, milosheviçiane, karaxhiçiane dhe mlladiçiane, iu dha Çmimi “Nobel” Handke.

“Nobeli” për Handke paralajmëron se në të ardhmen Serbia do të nxitet që të ndërmarrë luftra të reja në Bosnjë dhe Kosovë për t’ i spastruar këto vende etnikisht nga muslimanët. Gjithashtu do të nxitet Kroacia për të ndërmarrë fushata kundër muslimanëve në Bosnjë. Nëse nis spiralja e dhunës kundër muslimanëve në Ballkan, do të përfshijë edhe Maqedoninë e Veriut, ku do të ndërhyjë edhe Bullgaria në ndihmë të sllavo-maqedonëve të krishterë. Shqipëria nuk mund të mbetet jashtë kësaj spiraleje dhune. Atë që në Kosovë do ta bëjë Serbia, në Shqipëri do ta bëjë Greqia, me shumë gjasë edhe në aleancë me Serbinë.

Çfarë do të bëjmë ne shqiptarët? E vetmja rrugë shpëtimi është që të kryejnë një proces deislamizimi dhe t’ i paraqiten Europës, në mos si të krishterë, së paku si tërësisht laikë. Nuk kam shpresë se muslimanët shqiptarë në Kosovë e aq më pak ata në Maqedoni, thellësisht të arabizuar dhe të turqizuar, do të bëjnë diçka përveç që të presin ndihmë më kot nga Allahu dhe Turqia.

Në pyetje është vetëm një gjë, se si do të reagojnë shqiptarët e Republikës së Shqipëri, ku ka një përqindje relativisht të lartë të popullsisë së krishterë, si dhe ku mes popullsisë së përbërë nga pasardhësit e atyre që janë kthyer me dhunë në Islam, në kohën e pushtimit osman, është e lartë përqindja e afetarëve dhe laikëve (shekullaristëve). Këta së bashku janë ata të cilët nuk e praktikojnë Islamin, nuk kryejnë ritualet e tij, si dhe që e shohin fenë si diçka personale në jetën e njeriut, që nuk duhet të cënojë laicizmin, si fjala vjen bëhet me megafonët që nga minaret e xhamive bëjnë thirrjen e ezanit në arabisht.

Republika e Shqipërisë gjendet para sfidës jetike të deislamizmit, që mund të realizohet me një aleancë të afetarëve dhe laikëve me prejardhje nga familjet muslimane, si dhe të krishterëve.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora