E premte, 29.03.2024, 07:27 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Skifter Këlliçi: Festival i 11-të i Këngës në RTV (IV)

E diele, 05.10.2008, 11:10 AM


Vace Zela se bashku me ish-koleget e Festivalit te 11-te
Enver Hoxha: Lubonja e Paçrami nuk janë me Tezat e Partisë!

Kuptova se Todi po bisedonte me Vito Kapon, Kryetare e Bashkimit të Grave, dhe e shoqja as më shumë e as më pak, por e Hysni Kapos, numrit dy në hierarkinë partiake.

Nga Skifter Këlliçi 

Kuptova se Todi po bisedonte me Vito Kapon, Kryetare e Bashkimit të Grave, dhe e shoqja as më shumë e as më pak, por e Hysni Kapos, numrit dy në hierarkinë partiake.

Pasoi një bisedë që m'u duk e ngrohtë dhe kur mbylli telefonin, ai dëgjoi me vëmendje ç'i kumtova. Heshti një grimë herë e pastaj më tha: "Ke të drejtë, po të transmetojmë ndeshjen e "Labinotit", teleshikuesit do të kërkojnë të ndjekin "Bajernin" dhe "Ajaksin" nga stacionet italiane a jugosllave. Pra, transmetojmë këtë ndeshje dhe ndeshjen tonë e lemë për nesër." Kështu u ndamë. Në fakt, ishte hera e fundit që bisedoja me të. Mund dhe duhej të kishte bërë të kundërtën, por ja që edhe në atë gjendje bëri zgjidhjen më të logjikshme.

-Ato ditë,- më tha Todi në një nga takimet tona,- kisha një parandjenjë të keqe, ndonëse Vito Kapo gjatë bisedës m'u duk e çiltër. U takova me Ramiz Alinë. I rrëfeva ç'më brente. Më ftoi të shkonim në malin e Dajtit. Atje, te Vila e Pritjes pimë kafe. U përpoq të më qetësonte. "Ç'kishte për të ndodhur, ndodhi",- më tha. Por edhe ai nuk dinte ç'mendime satanike vlonin në trurin e Enver Hoxhës.

Pas disa ditësh në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve u organizua diskutimi i Festivalit të 11-të. E vërteta është se në mesoret e RTVSH-së dhe në mjedise të tjera, kishte kohë që kishin nisur pëshpëritje nën zë të këngëtarëve dhe kompozitorëve rreth pasojave që do të sillte ky festival. Secili, ose secila, druhej se mos kënga që kishte kompozuar, a kënduar, do të vihej në shënjestër.

"Në këtë gjendje shpirtërore tejet të rënduar isha dhe unë,- më thoshte një ditë këngëtarja dhe aktorja e talentuar, Justina Aliaj, në shtëpinë e saj në Nju Jork, ku jeton prej vitesh.-Kisha kënduar këngën "Në ekranin e televizorit", të kompozitorit Agron Xhunga. E vërteta është se, për t'i dhënë ngjyrim edhe më emocionues ritmit të kësaj kënge, që u prit shumë mirë nga teleshikuesit, këndova kështu: "Në ekranin eee televizorit, /Kishe dalë me shoqe eedhe ti…", duke zgjatur kështu zanoren "e". Kjo "dukuri" u quajt shfaqje e huaj dhe unë u kritikova rëndë".

Në këtë frymë u kritikuan në këtë diskutim edhe këngë të tjera të Festivalit të 11-të. Dhe kur? Pas… dy muaj e 15 ditë të zhvillimit të tij. Përse nuk u bë më parë? Se priteshin urdhrat nga lart, sipas skenarit të Enver Hoxhës.

Shokë të mi, që u ndodhën në atë mbledhje, më thanë atëherë se Mihal Luarasi, regjisori i festivalit e kishte mbrojtur veten dhe madje ishte zemëruar. Dhe në këtë gjendje kishte dalë nga salla. Për ta qetësuar, Pirro Kondi, anëtar i KQ dhe drejtor i Drejtorisë së Propagandës, e kishte shoqëruar me makinën e tij deri në shtëpi dhe gjatë rrugës i kishte thënë ngrohtësisht se me kaq çështja e Festivalit të 11-të do të mbyllej. Pikërisht, ashtu si Ramiz Alia kishte qetësuar Todi Lubonjën. Pra, edhe Pirro Kondi nuk kishte as më të voglën dijeni se ç'plan satanik po ndërthurte në mendjen e tij të ligë ky shtrigan. Dhe të mos harrojmë se ishte kunati i Hysni Kapos!...

15 mars 1972. Në mbledhjen e e përgjithshme të komunistëve të aparatit të KQ të Partisë për llogari dhe zgjedhje, Enver Hoxha mbajti një fjalim të ashpër, ku sulmoi hapur Fadil Paçramin. "Këta shokë, -tha midis të tjerash ai,- duan që ne të pohojmë se liberalizmi nuk qenka armiku kryesor. Kjo është teza e armikut. Ne bëjmë pyetjen: "Ju jeni me tezat e Partisë, apo me tezat e armikut?". (Enver Hoxha, vepra 50, faqe 297, 1986).

Ta analizojmë me vëmendje këtë shprehje. Pra, këta shokë, (kuptohet, Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja) na kundërvihen, duke na thënë me veprimtarinë e tyre se liberalizmi nuk është kaq i rrezikshëm sa konservatorizmi. (Dhe këtë Fadili e kishte treguar me prirjet e tij që të zëvendësonte, të paktën në fushën e artit, elementë me vjetërsi pune, qoftë edhe me përvojë, me të elementë të rinj, siç bëri, po të marrim një shembull të thjeshtë në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, ku disa artistë e artiste i detyroi të largoheshin nga skena.) Kishte gabuar. Kishte mbiquajtur Teatrin "Migjeni", Teatri "Bogdani", se kishte mbetur disi prapa me ritmet e kohës… Por me gabime si ky Paçrami paskësh dashur t'i imponojë Partisë prirjet e tij liberale, aq sa ta detyrojë Enver Hoxhën të pohojë se kjo na qenkësh teza e armikut? Pra, del se ai qenkësh armik, siç e shpalli pak më vonë? Gjepura!

Enver Hoxha kërkonte të priste koka artistësh

Si pasojë, F.Paçrami, si shumë të tjerë që kishte ndërprerë studimet e larta në Itali, që ishte bashkuar me partizanët në male e kishte luftuar, që kishte vënë kokën në rrezik, ai, që pas Luftës ishte emëruar në poste të larta në qeveri e parti, që ishte bërë edhe anëtar i KQ të Partisë… shndërrohej kështu në armik për të… me ashtuquajturat veprime liberale.

Ta zëmë se kjo ishte e vërtetë, por për këto veprime, ai mund të shkarkohej nga Sekretar i Partisë së Rrethit të Tiranës, të mbetej komunist i thjeshtë e të punonte diku, qoftë dhe mësues, redaktor a korrektor letrar... Madje, edhe kjo do të ishte e rëndë. Por veprime të tilla absurde mund t'i bënte vetëm Enver Hoxha.

Por dihet se ai e kishte vënë prej vitesh në shënjestër Fadil Paçramin, madje i kishte tërhequr vëmendjen se më shumë merrej me veprat e tij letrare, kur duhej t'i kushtohej më shumë punëve të partisë, vërejtje të cilat "…Fadili,- siç pohon Marash Hajati në librin e tij "Dera e prapme e shtypit",- i kishte pritur me indiferentizëm". (faqe 80)

Me sa mbaj mend, në atë kohë, kur ai ishte kritikuar edhe sepse, si sekretar partie, që mbulonte edhe artin dhe kulturën, duhej të kishte mbajtur përgjegjësi për Festivalin e 11-të, ai ishte përgjigjur se RTVSH-ja varej nga Drejtoria e Shtypit dhe jo nga Komiteti i Partisë së Tiranës. Pra, tërthorazi, sipas pohimit të tij, përgjegjësia binte mbi KQ, që udhëhiqej… prej vetë Enver Hoxhës. Dhe nëse është kështu, atëherë ai ishte treguar përsëri i hapur, se thoshte një të vërtetë. Natyrisht, këtë diktatori nuk mund ta kapërdinte.

Dihet, gjithashtu, që ai e kishte thirrur në zyrë, ku kishte pasur në krah edhe Hysni Kapon dhe kishte biseduar me të. Dhe Fadili kishte bërë autokritikë, duke nxjerrë nga xhepi një bllok, ku kishte shënuar pikat kryesore të kësaj autokritike. Por kjo nuk i kishte pëlqyer "Udhëheqësit tonë të Madh". Doemos, Paçramit i duhej të vinte me një autokritikë shumëfaqëshe, në të cilën ta dërmonte veten, e, mbase, edhe kjo nuk do të ishte e mjaftueshme për diktatorin, siç nuk kishte qenë më vonë autokritika prej 25 faqesh e Mehmet Shehut, ku edhe sikur ta kishte quajtur veten pleh, kjo mbase nuk do ta kënaqte Enver Hoxhën. Dhe diktatori niste kështu sulmin ballor ndaj Fadil Paçramit.

Po të kthehemi te mbledhja, duke u bazuar përsëri në librin e Marash Hajatit, "Dera e pasme e shtypit: "Në të ashtuquajturën mbledhje - shkruan ai - nuk pati asgjë tjetër, veçse heshtje, as referate, as diskutime. Bile, as nuk u kërkua të bënte dikush pyetje apo sqarime. Aty pati vetëm heshtje. Dhe këtë heshtje e theu ngritja nga vendi me shumë burrëri e F.Paçramit dhe largimi nga salla".

Është e kuptueshme se pyetja "Ju jeni me tezat e Partisë, apo me tezat e armikut?", i drejtohej edhe Todi Lubonjës. Kështu filloi edhe sulmi i Enver Hoxhës ndaj tij.

Një javë më pas, në një mëngjes të ngrysur, në sallën e madhe të Orkestrës u bë mbledhja e përgjithshme e organizatave të partisë së Radios së Brendshme, të Radios së Jashtme, të Televizionit, të Sektorit Teknik dhe administratës së RTVSH-së, me rreth 100 komunistë. Rendi i ditës, dihej: Pak a shumë, gabimet e Todi Lubonjës sidomos në organizimin e Festivalit të 11-të.

Së bashku më dy shokë, redaktorë, kaluam urën që lidh ndërtesën e TV-së me atë të Radios dhe qëndruan një çast në mesoren e katit të tretë, nga dritaret e së cilës duket oborri i brendshëm i Radios. Ajo që na bëri përshtypje ishte vetëm se për të marrë pjesë në këtë mbledhje kishin ardhur dy të deleguar nga KQ i Partisë, por sepse ata, siç na tha pastaj nën zë një shok komunist, në hyrje të sallës së madhe të Orkestrës Simfonike të Radios, ku do të zhvillohej mbledhja, ndalnin komunistët dhe u jepnin këtë porosi: "Në diskutimet tuaja, bëni dallim midis Nefo Myftiut dhe Todi Lubonjës, që është përgjegjës për gjithçka që ndodhin në festival".

Në të vërtetë, nuk ishte kështu: siç dihet, është Drejtoria e Radio Tiranës nga e cila varet dhe orkestra, që merret me organizimin e festivalit, që nga caktimi i një komisioni për zgjedhjen e këngëve, redaktimin e teksteve, regjisorin... e gjithçka tjetër. Sigurisht që edhe Drejtori i Përgjithshëm jep orientimet e duhura, të cilat atëherë merreshin drejtpërdrejtë nga KQ. Dhe në këtë rast, Todi Lubonja, siç më thoshte në takimet tona, kishte dhënë porosi kryesisht që festivali të përshkohej nga këngë edhe më të gjalla, me tekste më të goditura, të ndjehej, kështu, që ndodheshim në një shfaqje të këndshme kënge, shkurt, të bëhej një hop edhe më i madh në ngritjen e cilësisë artistike të tij. Dhe këto porosi ai i kishte marrë edhe nga Drejtoria e Propagandës e KQ, që drejtohej nga Pirro Kondi dhe, sigurisht edhe nga Ramiz Alia, që të dy shokë lufte të tij.

Mirëpo me këto porosi të shokëve të KQ, që morën pjesë në atë mbledhje, kuptohet se Nefoja, si gruaja e Manush Myftiut, anëtar i Byrosë Politike, nuk do të goditej si Todi Lubonja.

"Ne, komunistët,- më thoshte pastaj shoku që mori pjesë në atë mbledhje,- qemë të detyruar që të gjitha shigjetat e kritikave tona të ashpra, t'i drejtonim kështu ndaj Todi Lubonjës. Por, të them të drejtën, pavarësisht nga ndonjë element karrierist, nuk na e donte zemra. E kuptonim se me Festivalin e 11-të po teprohej qëllimisht dhe në mënyrë tendencioze drejt e nga Enver Hoxha. Por, nuk kishim nga t'ia mbanim. Dhe Todi Lubonja, në diskutimin e tij, të gjitha përgjegjësitë i mori mbi shpatullat e tij, edhe për të lehtësuar Nefon, me të cilën ishte në marrëdhënie shumë të përzemërta".

Në pushimet midis mbledhjes e pashë Todin të zhytur në mendime, i vetmuar dhe i ulur në një stol të gjatë, aty ku zakonisht uleshin orkestrantët. Çfarë mendonte vallë? Që do të largohej nga RTVSH-ja, këtë e dinte, po si do të përfundonte pastaj ky kalvar?

Erdhi dhe muaji prill. Në ditët e para të tij u bë mbledhja e kolektivit të TV-së. Këtë radhë Todi Lubonja u vu përballë nesh, redaktorëve, inxhinierëve, teknikëve.

Unë, ato ditë kisha nisur lejen krijuese dhe po punoja në Arkivën e Shtetit për të grumbulluar materiale për romanin "Atentat në Paris", që u botua më 1978. Nuk doja të ndodhesha në atë mbledhje, por, shkova atje se diç duhej të merrja në zyrë dhe u ndodha vetëm në një seancë. Atje pashë që punonjësit, vërtet kritikonin festivalin dhe Todi Lubonjën, që rrinte i ulur nga fundi i sallës së madhe të regjistrimeve në TV. Por pa mllef. Madje, edhe Sekretari i Partisë. Pati dhe ndonjë redaktor, që mori guximin edhe diç tha si për ta mbrojtur Todin. Do ta kishte pasuar më pas, por i doli në mbrojtje një shok tjetër që i kishte krahët e ngrohta dhe ai, pa filluar ndonjë furtunë, gjeti vend të punonte në një revistë.

Me të mbaruar kjo seancë, gjeta rast dhe u largova. Dhe isha i justifikuar, siç thashë, se isha me leje krijuese. Por shokët më thanë se Todi Lubonja kishte diskutuar shkurt e si në mbledhjen e Organizatës së Partisë të RTVSH-së.

Kthim në shinat e rrugës së vjetër

Pas disa ditësh, në mëngjesin e 11 prillit, gjithnjë të vitit 1973, kur, ndonëse me leje krijuese, përsëri m'u desh të shkoja në TV për një punë. Sapo u futa në ndërtesë një grup shokësh më thanë, kush të mundte më parë:

-A e di kush është caktuar drejtor yni?

-Jo!

-Thanas Nano!

Mbeta i drunjëzuar, ashtu siç kishin mbetur edhe ata, kur kishin dëgjuar këtë çudi. Çdo gjë kishim gjykuar, na kishte shkuar mendja te plot njerëz të zot e me horizont që mund të caktoheshin në këtë detyrë, por kurrë që të kthehej… Thanas Nano, i cilësuar nga Partia me gojën e Manush Myftiut, në një mënyrë a në një tjetër, si konservator, në atë mbledhje për të cilën kam shkruar më sipër dhe që duhej zëvendësuar me një drejtor me më shumë horizont. Por më mirë po citoj sërishmi se çfarë shkruan Marash Hajati në librin e tij "Dera e prapme e shtypit", i cili në atë periudhë ishte instruktor shtypi në KQ dhe një vit më pas, në gusht 1973 do të emërohej Drejtor i TVSH-së, e më pas Drejtor i Përgjithshëm i saj:

"Para së gjithash, kërkohej urgjentisht emërimi i Drejtorit të Përgjithshëm. Kërkimet për kandidaturat e mundshme, ndoqën një "maratonë të paparë zyrash". Nën drejtimin e dy sekretarëve të KQ u shfletuan shumë dosje, u hartuan shumë karakteristika dhe u formulua relacioni përfundimtar. Ndihmesa e sektorit tonë të shtypit për të zgjedhurin në postin e drejtorit të ardhshëm të RTVSH-së ishte modeste, vetëm dhënia e mendimit, nëse ai mund t'i dilte zot asaj detyre në fushën e gazetarisë. Materiali i plotësuar me një numër kandidaturash, ku rreshtoheshin emra personalitetesh, si anëtarë të KQ, të qeverisë, titullarë dikasteresh etj., iu paraqit E.Hoxhës, i cili, mbasi e studioi me kujdes, bëri përafërsisht këtë shënim mbi materialin: "Në Radio të kthehet Thanasi. Në fushën profesionale mangësi mund të kemi, ama, proçka si ato të Todit, nuk do të bëjë". Nënshkrimi, Enver Hoxha. Ky kthim i papritur në "shinat" e rrugës së vjetër, qe një mospërfillje e gjithë kësaj pune voluminoze që u bë për të nxjerrë në krye të Radiotelevizionit, të paktën një figurë të re. Mirëpo, pranonte E.Hoxha eksperimente të tjera mbas asaj që kishte ndodhur?". (faqe 81).

Ai vazhdonte në traditën e një diktatori, që nuk kërkon mendim nga askush dhe mohon mendimet e kujtdo. A nuk kishte qenë ai, siç e pamë më lart, që kishte urdhëruar që pjesën teatrore "Njollat e murrme" të ndalohej për gabime ideore, kur kryeministri Mehmet Shehu e kishte cilësuar dramë të shkëlqyer në trajtimin e problemeve shoqërore? A nuk kishte qenë ai që Festivalin e 11-të, të cilin e kishte parë dhe pëlqyer, Ramiz Alia, shef i Ideologjisë në KQ, ai, jo vetëm nuk e pëlqente, por kurdiste tërë këtë luftë ndaj kësaj shfaqjeje, me pasoja që ende nuk dihej cilat do të ishin..



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora