E marte, 19.03.2024, 11:05 AM (GMT)

Intervista » Entela

Entela Binjaku: Përkthyesi besnik i Kadaresë rrëfen për lexuesit shqiptarë

E shtune, 12.10.2019, 07:00 PM


Përkthyesi besnik i Kadaresë rrëfen për lexuesit shqiptarë

Nga Entela Binjaku

Në Ditën Ndërkombëtare të Përkthyesve pata fatin të intervistoj përkthyesin në rumanisht të shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare. Në këtë ditë, e cila sjell në qendër të vemendjes së opinionit botëror kontributin e çmuar të këtyre punëtorëve të palodhur e të devotshëm të pasurimit të kulturës botërore, ishte rasti më i mirë për njohjen nga lexuesi shqiptar të përcjellësit në rumanisht të shkrimtarit tonë. Marius Dobrescu (Marius Dobresku) është i vetmi specialist i gjuhës shqipe që gëzon besimin dhe miratimin nga shkrimtari Ismail Kadare për të përkthyer veprën e tij. Duke ja vlerësuar punën, shkrimtari i shquar është shprehur për të se ai është: “përkthyesi më i mirë dhe më besnik i tij”.

Po cili është Marius Dobresku? I lindur në qytetin e vogël Brëilas në Rumani, Dobresku është shkrimtar, gazetar, përkthyes dhe eseist i njohur. Falë një burse studimi nga shteti rumun në vitin 1971 ai erdhi në Tiranë për të studiuar gjuhën shqipe. Kjo ishte koha kur shteti rumun përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme përgatiste specialistë në disa prej gjuhëve të quajtura "të rralla".

Në përfundim të katër viteve ai diplomohet me një punim mbi veprën e Kadaresë, vepër e cila e shoqëron edhe sot.  Duke u thelluar më tej në figurën e nderuar të këtij përkthyesi mësojmë se ai  është anëtar i lidhjes së shkrimtarëve rumunë, anëtar dhe më pas edhe drejtues i shoqatës së miqësisë Rumani-Shqipëri, anëtar i shoqatës së Ballkanistikës dhe Sllavinistikës, zv.president i shoqatës së gazetarëve dhe shkrimtarëve të pakicave etnike të Rumanisë “Europa 21”. Gjatë gjithë karrierës së tij ai është nderuar me çmime dhe vlerësime të shumta si:  me çmimin për përkthimin nga lidhja e shkrimtarëve të Rumanisë, i nderuar me “Penen e argjendtë” nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, i nderuar me “Penën e Artë” nga Lidhja  e Shkrimtarëve të Shqipërisë, është nderuar me çmimin për gazetarinë e pakicave kombëtare etj. Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani i ka akorduar z. Dobresku  “Medaljen e mirënjohjes”,  për kontributet e tij edhe Bashkia e Korcës e ka vlerësuar me  “Emblemën e artë të qytetit” etj.

Për më tepër ndiqni në vijim intervistën me z. Marius Dobresku.

Z. Dobresku, cili ka qenë autori i parë shqiptar që keni përkthyer? Si e kujtoni atë përvojë?

M. DOBRESKU: “Siç edhe mund ta merrni me mend, i pari autor shqiptar që kam përkthyer ka qenë ai që e përkthej dhe sot, pra Ismail Kadare. Disa vite më parë,  një njeri i njohur i kulturës dhe gazetar rumun Radu Paraschivescu, shkroi per mua si përkthyesi që “është ngjitur pas veprës së Kadaresë”, aq sa kur në Rumani thua Kadare, ke thënë Marius Dobresku. Ose dhe e anasjellta. Përvoja e parë që kam pasur nga vepra e këtij shkrimtari të madh ka qënë “Kronikë në gur”. Që në fillimet e mia i vura qëllim vetes që ky roman të paraqitej i shkruar në gjuhën rumune. Dhe nëse e mendoj mirë, “Kronikë në gur” në gjuhën rumune është edhe libri im, sepse unë e solla atë në letërsinë rumune. Përvoja me këtë roman ishte e mundimshme, sepse shpesh nuk gjeja të përafërtat më të sakta me shprehjet shqiptare, edhe pse gjuhët tona janë mjaft pranë. Tekstin që kam dashur të përkthej e kam trajtuar gjithmonë si një provim në matematikë, ku çdo frazë është një problem që kërkon zgjidhje. Mund të them se deri tani kam përktthyer thuajse çdo gjë që është mundur të përkthehet nga proza e Kadaresë, rreth 30 vëllime me më shumë se 50 vepra: tregime, novela dhe romane. Madje ka pasur vite kur kam dorëzuar për shtyp edhe nga dy vepra të këtij shkrimtari

Mjaft njerëz mendojnë se është e rëndësishme për një përkthyes qe edhe ai vetë të jetë shkrimtar. Cili është mendimi juaj për këtë?

M. DOBRESKU: Me siguri tek çdo përkthyes qëndron një shkrimtar. Do të thoja një shkrimtar…i dështuar. Dhe kjo sidomos në rastet e përkthyesve të poezisë. Duke folur për veten mund të them se Kadare është “fajtori” për dështimin tim si shkrimtar: përkthimet nga proza e tij më kanë përfshirë aq shumë, më jane tiposur aq fuqimisht në mendje saqë nuk kam pasur kohë për veten. Pra më është dashur të heq dorë nga të shkruarit e veprave të mia në prozë. Edhe pse kam botuar, në mënyrë sporadike dy romane për të rinj (një prej të cilëve është përkthyer në shqip nga miku im Dionis Bubani) dhe disa proza të shkurtra që dëshiroj edhe t’i mbledh në një vëllim.

Cila është aktualisht cv-ja juaj si përkthyes  nga gjuha shqipe?

M. DOBRESKU: Siç edhe po ju thoja pjesa më e madhe e veprës sime si përtkthyes është e përbërë nga prozat e Ismailit. Por përveç kësaj, kam përkthyer në gjuhën rumune vepra edhe nga shkrimtarë të tjerë shqiptarë si: Ramiz Gjini, Ermir Nika (një shkrimtar i ri që e vlerësoj shumë), Teodor Laço, Gjekë Marinaj, Arbër Ahmetaj, Fahri Balliu, Rita Petro etj. Marr edhe tani oferta për përkthime të sponsorizuara nga ana e disa shkrimtarëve të njohur, por edhe nga ana e shumë diletantëve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia dhe sigurisht që nuk pranoj, përveç se shumë pak. Në revistën kulturore “Drita” ku drejtoj redaksinë që financohet nga qeveria rumune si revistë e minoritetit shqiptar në Rumani, çdo muaj kam botuar prozë dhe poezi shqiptare përgjatë 18 vjetëve që e drejtoj.  Duke ju rikthyer  vlerësimit që bënte Radu Paraschivescu,  “jam ngjitur me letërsinë shqipe” prej më shumë se 36 vjetësh.

Cila është vështirësia më e madhe që ka përkthimi nga gjuha shqipe?

M. DOBRESKU: Mund të them se në përkthimin prej gjuhës shqipe, nuk kam vështirësi. Megjithatë, kam disa hezitime kur kaloj nga një shkrimtar tek tjetri, nga një stil tek tjetri, por përpiqem të përshtatem sa më shpejt dhe në shumicën e rasteve ja arrij. Me moshën dhe me përvojën që kam, mund tja lejoj vetes të mos e pranoj një libër që nuk më pëlqen, sikundër edhe një shkrimtar me të cilin nuk rezonoj. Këtë e kam bërë shumë shpesh edhe nëse dikush më është  zemëruar.

Shpesh herë ne themi se shqipja nuk ka shumë fjalë, ose na duket sikur në shqip nuk ekzistojnë disa shprehje apo fjalë që në gjuhët e tjera i gjen më thjeshtë. Cili është mendimi juaj lidhur me këtë?

M. DOBRESKU: Duke punuar shumë me fjalët, sepse ky është profesioni i përkthyesit, besoj se ajo gjuhë qe ka pasur kontakte me sa më shumë qytetërime gjatë historisë së saj, fiton dhe  pasurohet në ngjyra dhe larmi. Ndërsa izolimi sjell varfëri. Le të mendojmë sa të thjeshta dhe të varfëra janë gjuhët afrikane, të fiseve të Amazonës apo të popujve aborigjenë në ishujt e Paqësorit. Pra, pasuria e sinonimeve i jep shprehi një gjuhe, e bën me elastike dhe më melodioze. Gjuha rumune është e tillë. Sa i takon gjuhës shqipe, mund të them se nuk qëndron larg asaj rumune.

Sa kohë ju merr procesi i përkthimit të një libri?

M. DOBRESKU: Në përgjithësi, sa më takon mund të them se e nis mjaft vështirë një projekt të ri. Punën me një liber e nis ngadalë dhe çdo ditë numëroj faqet e mbetura. Por në të njëjtën kohë jam edhe një tip i organizuar dhe i disiplinuar. Si puqen të gjitha këto? Ja pra që munden. Përkthej çdo ditë disa faqe, përsëris disa nga shprehjet me zë të lartë që të tingëllojnë sa më natyrshëm edhe nëse shumë herë jua ndryshoj temën. E rëndësishme është të respektosh kuptimin, mendimin e autorit. Prandaj, nuk jam ithtar i përkthimit fjalë për fjalë dhe i qëndroj larg sa më shumë kësaj. Nuk e kronometroj punën dhe në përgjithësi një libër mesatar nuk më merr më shumë se tre-katër muaj. E lë për disa javë “të pushojë” e më pas e lexoj sërish me një sy të freskët. Në shumicën e rasteve e dorëzoj përkthimin tek shtëpia botuese më parë se të përfundojë afati i kontratës. Mesa di redaktorët nuk është se kanë shumë punë me tekstet e mia që janë të sakta si nga pikëpamja gramatikore ashtu edhe stilistike.

Le të flasim pak për Kadarenë, cila është lidhja juaj me shkrimtarin e shquar?

M. DOBRESKU: Ismail Kadarenë e kam pasur profesor në Universitetin e Tiranës në vitet ‘70. Si tani e shoh ditën kur ai hyri në sallën e leksionit dhe gjithë kolegët shqiptarë u habitën: është Kadare, është Kadare! Ishte i famshëm që në atë kohë.  Si profesor ai do të duhej të na jepte lëndën e rrymave letrare të Perëndimit që kritika shqiptare i quante “dekadente”. Në to bënin pjesë shkrimtarët e shquar si: Proust, Beckett, Kafka, Eugen Ionesco etj., autorë që në atë kohë nuk ishin përkthyer në gjuhën shqipe. Në vend të një kritike marksiste “të shëndetshme” siç edhe ishin kërkesat e partisë, Ismaili na bëri një paraqitje të përgjithëshme të këtyre shkrimtarëve dhe të veprave të tyre në atë mënyrë sa na zgjoi kuriozitetin për t’i lexuar.

Mbaj mend që në ato katër vitet e studimit në Tiranë si unë ashtu edhe kolegu im Filip Teodorescu, kemi organizuar mbremje letrare fshehurazi duke përkthyer drejtëperdrejtë në shqip për miqtë e afërt, fragmente nga librat e autorëve të përmendur të marra nga biblioteka e ambasadës. Në vitin 1983 kam botuar në Bukuresht të parin libër të përkthyer nga veprat e tij “Kronikë në gur” dhe e njoha personalisht Ismailin. Që prej asaj kohe e takoj me raste sa herë shkoj në Tiranë apo në Durrës dhe mund të them se kam një marrëdhënie të afërt, edhe pse nuk është se takohemi shumë shpesh. Në po të njëjtën shkallë respektoj edhe znj. Elena, bashkëshorten e tij, nga veprat e së cilës kam përkthyer shumë në revistën që drejtoj.

Në dijeninë tuaj sa e njohin lexuesit rumunë shkrimtarin shqiptar?

M. DOBRESKU: Librat e Kadaresë nuk janë libra komercialë, pra lexuesit e tyre janë njerëz që vlerësojnë letërsinë e mirë, atë të ideve dhe jo atë të të konsumit. Për rrjedhojë, tirazhi i vëllimeve të Kadaresë nis nga 2000 -3000 mijë kopje që nuk shiten shumë shpejt. Vitet e fundit, shtëpia botuese me të cilën punoj, “Humanitas”, e drejtuar nga Denisa Komënesku, një shkrimtare që e do Kadarenë, ka nisur serinë e ribotimeve të veprës së tij me romanet “Daullet e shiut” dhe “Pallati i ëndrrave”, shenjë që tregon se tregu rumun i librave e kërkon Ismailin. Sa i takon mënyrës si pritet dhe komenteve në media mund të them se ato janë jashtëzakonisht vlerësuese. Pothuajse nuk ka jave që nuk zbuloj në shtypin e shkruar ndonjë recenzë, analizë apo koment mbi të, të gjitha me shumë vlerësim. Ka kritikë letrarë dhe analistë që pyesin pse nuk kemi dhe ne rumunët një shkrimtar të tillë…Por kjo është një tjetër çështje.

Po me perkthyesit e tjere te z. Kadare a ndodh të konsultoheni?

M. DOBRESKU: Duhet të them se në Rumani kam ekskluzivitetin e veprës së Kadaresë, sepse nuk ka te tjerë që gëzojnë besimin e shkrimtarit, ndërsa me përkthyesit nga gjuhë të tjera nuk kam asnjë marrëdhënie. As nuk i njoh. Kam dëgjuar vetëm se përkthyesi i tij në gjuhën frënge violinisti Tedi Papavrami bën një punë të mrekullueshme në Francë. Do të dëshiroja të shtoja këtu një gjë që prej kohësh më është ngulitur. Në vitet 2000 Ministria e Kulturës e Tiranës ftonte me rastin e Panairit të Librit të nëntorit një grup përkthyesish të huaj të letërsisë shqiptare në botë. Ky ishte rasti më i mirë për ta për t’u njohur me njeri tjetrin, për të hyrë në kontakt me autorët shqiptarë dhe me veprat e tyre të reja, për të marrë pjesë në tryeza të rrumbullakta dhe emisione televizive etj. Programi u zhvillua vetëm dy apo tre vjet. Në një nga këto takime kam marrë pjesë edhe unë, besoj ka qenë në vitin 2003. Që nga ajo kohë kjo nismë u braktis. Shqipëria, qeveria shqiptare organizon çdo vit takime shkencore, spektakle, festival dhe kongrese madhështorë por për daljen e letërsisë shqiptare në botë nuk gjenden para…Fatkeqësi! Di që Ministria e Kulturës në Tiranë ka ndërtuar kohët e fundit një listë me shkrimtarë dhe përkthyes të letërsisë shqiptare jashtë vendit, listë ku gjendem edhe unë. Nuk e kuptoj për se u shërben kjo, sepse deri tani nuk kam dëgjuar të organizohet ndonjë gjë për ta.

Si është një ditë pune e një përkthyesi dhe cfarë keni në planet tuaja të afërta?

M. DOBRESKU: Dita e punës e një përkthyesi është shumë e ngarkuar. Disa kanë afate shumë urgjente për të dorëzuar përkthimet në shtëpitë botuese, të tjerë kanë vëllim të madh pune. Njoh përkthyes që punojnë në dy-tre libra njëkohësisht. Si edhe në shumë shtete të botës, edhe në Rumani nuk mund të jetosh vetëm me këtë aktivitet. Tarifat për faqe të përkthyer janë shumë të vogla. Ndaj paralelisht me këtë duhet të kesh edhe nëj aktivitet tjetër që të të sjellë të ardhura. Unë gëzoj vlerësim të mirë nga ana e shtëpive botuese dhe natyrshëm, edhe tarifa më të larta, por sërish është pak. Për sa i takon projekteve të ardhshme kam disa përkthime në faza të ndryshme pune. Në fundin e muajit nëntor shtëpia botuese “Corint” do të botojë librin e Fehmi Ajvazi, gazetar nga Kosova me titull: “24 mars. Kronikë kosovare” një vëllim kushtuar ngjarjeve tragjike të fillimit të vitit 1999 në këtë terrritor shqiptar. Në vitin 2020 shtëpia botuese “Humanitas” me të cilën punoj prej mbi 10 vjetësh do të botojë me radhë një vëllim nga novelat e Kadaresë, e më pas dy ribotime: “Aksidenti” dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, dhe në fund të vitit do të dalë sërish këtu “Mëngjeset në kafe Rostand”. Kam miq që më pyesin çfarë do të bëj kur të mbaroj së përkthyeri Kadarenë. “Nuk e di ju përgjigjem, atëherë kam për ta parë”. Përveç kësaj,  duhet t’ju them se çdo muaj përgatis 40 faqet e revistës “Drita”, aktivitet që e kryej prej vitit 2001.

Shpresoj të kem shëndet si deri tani, që të kem mundësi të vazhdoj atë që nisa në vitin 1983 me “Kronikë në gur”.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora