Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Idriz Zeqiraj: Pse jo LDK e parë?

| E premte, 11.10.2019, 07:38 PM |


PSE JO LDK E PARË?

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Kur Dega e LDK-së në Gjermani mbajti Kuvendin e 9-të Zgjedhor, problemi i parë doli kushti 50+1, për mundësimin e kandidimit për kryetar Dege. Si delegat, reagova i pari, duke thënë se ky është kusht monstrum i klanit Isa Mustafa, që pamundësoi konkurrencën e Vjosë Osmanit, për kryetare të LDK-së, në Kuvendin e 8-të Zgjedhor. Dhe, si të tillë nuk e pranojmë këtë kusht.

E menjëhershme ka qenë ndërhyrja e nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova, i cili së bashku me Sali Morinën, kryetar i LDK-së në Malishevë, monitoronin Kuvendin tonë: "Mirë, mos e zbatoni, sepse edhe ashtu është i diskutueshëm".

Nisur nga cilësia e deklaruesit Rugova, menduam se ky kusht nuk do të vlejë as për Kuvendin Qendër të LDK-së. Por, ndodhi e kundërta! Sepse, vetëm ky kusht, supër-monstrum, i stisur, i shpikur, i shpifur nga klani i stazhionuar në Kryesinë Qendrore, do ta rikthente, për të tretën herë, Isa Mustafën në krye të LDK-së. Përndryshe, me një konkurrencë të ndershme, me një votim të fshehtë demokratik, të lakuarit për kryetar të mundshëm, jo vetëm më cilësorët, Vjosë Osmani e Kujtim Shala, por cilido nga ekipi i tyre, do ta pensiononte Isën me gardën e tij.

Monopoli i klanit mbi Kryesinë Qendrore, rrënues

Kryetari Isa Mustafa ishte vullnetmirë, që emërimet të bëhen sipas preferencës të anëtarësisë të LDK-së. Këtë e realizoi në përzgjedhjen e Këshillit të Përgjithshëm dhe të deputetëve. Por, jo edhe në Kryesinë Qendrore, sepse nënkryetarët ngulmonin të ruanin pozicionët e tyre në hierarkinë drejtuese të partisë. Mbledhja dështoi, për të vazhduar të nesërmen, duke plotësuar kërkesën bazë, plus drejtimin e Shtabit Zgjedhor, të dy nënkryetarëve, Agim Veliut dhe Lutfi Hazirit.

Që këtej shpresa e ndryshimit në LDK-e, u zvetnua dhe ruajtjen e statusquosë e trumbëtuan skajshëm mediet, nën kontrollin e PAN-it si dhe Vetëvendosja. Për rrjedhojë, votuesit e papërcaktuar, filluan të besonin më shumë tek Kurti, i cili konsiderohej si autonom, i shpenguar nga të tjerët, sovran në mendime, për ato që deklaronte, premtonte.

Koalicioni LDK-PDK, plagë që kullon

Hija e koalicionit të LDK-së me PDK-në, aprovimi i vendimeve fatale për Kosovën: Asosacioni, Demarkacioni, zgjedhja e Hashimit president, të Kadrisë kryeparlamentar, fillimi i pagesës të veteranëve, ende pa u verifikua vertetësia  e "dëshmive të veteranëve", pagesa e shpenzimeve të akuzuarëve në Hagë, ishte dhe vazhdon të jetë një barrë e rëndë për LDK-në. Kjo barrë i faturohet, padrejtësisht, LDK-së, ashtu siç i faturohet edhe marrëveshja për koalicion e poste në bashkëqeverisje me PDK-në.

Realisht, vendimet e cituara kanë qenë të klanit brenda kryesisë të LDK-së, madje në kundërshti të hapur me anëtarësinë e saj. Presionet, shantazhët ndaj kuadrove, në përgjithësi, dhe të deputetëve, në veçanti, kanë qenë enorme, madje, deri me kërcënim për përjashtim nga LDK-ja!

Ka një të dhënë domëthënëse, se vendimi për koalicion me PDK-në, nën trysninë e deputetit gjerman, është marrë pa prezencën e nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova. Paketa e marrëveshjes fatale, thonë se është sjellur nga kryetari Mustafa, dy nënkryetarët, Agimi e Luta, në shoqërim të deputetit gjerman dhe është shpalosur në kompleksin hotelier "Trofta" në Istog, duke e vënë nënkryetarin tjetër, Haki Rugovën, para faktit të kryer.

"Futi në votën e fshehtë demokratike!"

Ishte ky refreni i përsëritur, deri në bezdi e tepëri, i delegatit nga Dega e LDK-së në Gjermani, në Kuvendin e 9-të të LDK-së. Të 355 delegatët në sallën e Kuvendit, aprovonin me duartrokitje, propozimin racional, për aplikimin, zbatimin e votimit të fshehtë demokratik. Por, çuditërisht e hipokrizisht, po këta delegatë, me shumësinë absolute, votonin të kundërtën, propozimet e listuara nga klani brenda Kryesisë të LDK-së!?!

Një popull i lindur dhe rritur në robërinë e gjatë, nuk arrin ta vrasë frikën tmerruese. Ai mbetet rob, skllav edhe në shekullin digjital! E mjerueshme, e turpshme!

Cila është mrekullia e votës së fshehtë demokratike?

Votuesi i hapur, aklamativ, me ngritje dore, është sa subjektiv, aq edhe primitiv. Thashethëmnaja, përmasa e fjalës prapa shpine, është 9 me 1, në raport me fjalë syzash, ndër sy. Kujtoni votimin aklamativ më 1943, në Mbledhjen e Buajnit, në Malësinë e Gjakovës dhe mashtrimin e madh për "Vetëvendosje", pas mbarimit të Luftës. Po ashtu, kujtoni Kuvendin e Prizrenit, më 1945, ku u votua me aklamacion, për mbetjen e Kosovës me Jugosllavinë!

Vota e fshehtë e transformon shqiptarin, rob të hipokrisë, në njeri të lirë, të dinjitetshëm, shprehës të mendimit vetjak.

Prandaj, po të lëndëzohej thirrja, deri në çjerrje, e delegatit nga Dega e Gjermanisë, në Kuvendin e 9-të të LDK-së: "Futi në votën e fshehtë demokratike", sot, LDK-ja do të ishte e parë në fitore. Sepse vota e fshehtë zgjidhte Kryetarin dhne Kryesinë meritore të LDK-së, duke e realizuar edhe reformën plebishitare partiake.

Reforma, ndryshimi, aq shumë i pritur në Kuvendin e 9-të farsë, do të ishte bazë e fitores të sigurtë, në zgjedhjet e 6 tetorit. Kjo do të ishte mbushamendja më e natyrëshme e anëtarësisë dhe të elektoratit se, vërtet, LDK-ja i kthehet frymës rugoviane, duke marrë edhe mandatin e krijimit dhe të drejtimit të qeverisë.

Gogolin e përçarjes të LDK-së, e solli klani brenda Kryesisë, sepse vota e fshehtë i tmerronte, i diskualifikonte, për arsye të vendimeve dëprurëse, të marra në pajtim me PDK-në, përgjatë qeverisjes së përbashkët. Vota e fshehtë demokratike, përjashton çdo mundësi përçarjeje dhe ndarjeje të partisë. Kjo, tashmë, është provuar në botën demokratike.

Debati i shpenguar, konkurrenca e ndershme dhe vota e fshehtë demokratike, janë parime bazë të demokracisë. Këto tri parime të shenjtërisë të demokracisë, nuk mund të zëvendësohen me kalkulime e akrobacira të asnjë lloj konsensuesi, marrëveshje, që, sado të mira të jenë, ato janë nulitet, në raport me votën e fshehtë.

Megjithatë, LDK-ja është e fituara dinjitoze, në vendin e dytë, me një ngushtësi rezultati, nga vendi i parë. Ylli i kësaj fitoreje ishte kandidatja brilante për kryeministre të Kosovës, Vjosë Osmani. Në rolin parësor të kësaj fitoreje, është edhe ekipi i Vjosës, deputetët e Legjislaturës së shkuar, në pritje për mandatin e ri.

Fort të përzgjedhur e simpatikë ishin edhe garuesit e tjerë nga LDK-ja. Pavarësisht rezultateve individuale, të gjithë ata (ato), janë prurës të votave për LDK-në, janë pjesë solide e fitores. Vet marrja e besimit për kandidim për deputetë-e, është vlerësim suprem nga antarësia dhe strukturat e partisë.

Respekt dhe admirim për të gjithë!