E merkure, 23.10.2019, 07:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Astrit Lulushi: Diogjeni

E marte, 08.10.2019, 08:00 PM


Diogjeni

Nga Astrit Lulushi

Natyrë e qetë, njeriu gjithmonë i gënjyer, kurrë nuk e njeh të vërtetën. Kjo e bën atë cinik në shprehje që kërkon ta tregojë duke u veshur ndryshe, fare thjesht, pa kostumin e radhës, por me një mantel të hedhur krahëve dhe një shkop për t’u mbështetur. Nga veshja ndryshe dalloheshin cinikët në botën antike. Manteli ishte aludim për Sokratin dhe mënyrën e veshjes së tij, ndërsa shkopi ishte simbol i Alkaeut, Alkidit apo Herakliut, birit të Zotit ose Zeusit. Manteli dhe shkopi u bënë aq domethënës në kohën e lashtë sa ata që dinin të shkruanin mendonin se duke u veshur keq, mund të bëheshin filozofë.

Historia e cinizmit fillon me Antistenin, rreth vitit 400 pes. Debatet ai i zhvillonte në Athinë në gjimnazin Cynosarges - Qeni i bardhë - quhej sheshi. Kështu, fjala cinik - qen, filloi të përdorej si fyerje për pasuesit e tij. Antisteni ishte bashkëkohës i Platonit dhe nxënës i Sokratit. Por pikëpamjet e tij filozofike ishin më komplekse sesa thjeshtimi i mëvonshëm që pësoi shprehja cinizëm.

Sipas Diogjenit, ai (Antisteni) shkruante mbi gjuhën, dialogun dhe letërsinë duke i vënë ato mbi etikën apo politikën. Ndjekësit e filozofisë së tij predikonin një jetë të varfër:

“Kam mjaft për të ngrënë derisa uria ime të shuhet, mund të qëndroj pa ujë derisa etja të marrë fund. Ç’nevojë kam për një këmishë më të ngrohtë kur kam muret e zhveshura të shtëpisë sime?”

Diogjeni (412–323 pes), mbizotëron historinë e cinizmit - si filozofi - si asnjë figurë tjetër. Ai fillimisht shkoi në Athinë, duke ikur nga qyteti i lindjes, Synope, pasi babai i tij, hyri në telashe për falsifikim monedhash. Kjo akuzë e ndoqi edhe Diogjenin; shprehja "mbrojtës i monedhës" u bë proverbiale kur kundërshtoheshin vlerat e tij. Tradita thotë se Diogjeni u bë dishepulli i Antistenit, por nuk dihet në se dy filozofët u takuan ndonjëherë.

Diogjeni megjithatë ndoqi mësimet e Antistenit dhe mënyrën askete të jetesës. Asket vjen nga greqishtja askein - ushtroj, por edhe për të treguar njeriun që “s’ka”.

Ekzistojnë shumë anekdota për asketizmin ekstrem të Diogjenit; ai hoqi dorë nga çdo pasuri që kishte dhe flinte në një qyp në anë të rrugës, mishin e hante të gjallë, ndërsa ditën predikonte duke kritikuar "njerëzit e këqinj që i binden epshit ashtu si shërbëtorët u binden zotërve të tyre". Megjithëse është e pamundur të tregohet se cilat nga këto histori janë të vërteta, ato ilustrojnë karakterin e njeriut filozof përherë cinik, që linte të kuptohej se interesat filozofike qëndrojnë mbi politikën dhe ndryshojnë në varësi të kohës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT