Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Shehu: Manekinët

| E diele, 06.10.2019, 09:35 AM |


MANEKINËT

QAZIM SHEHU

Manekinë po bëhen ditët

Manekinë netët,

Përderisa manekinë

Po  bëhen njerëzit..

FARI

Bregu i fjalës

Në mjegull humbet.

Fari është ndezur

Mes errësirës thërret.

Kërkoj të ankoroj

Anije dëshirash,

Në bregun me far…

Në mos në det ëndrrash

Do t`u vë zjarr…

SKAJET

Skajet shpesh mbulohen me mjegull

Në një skaj ëndrre ti rri.

Mundohem të afroj pranë vetes

Si më të dashurën në shi.

Dhe veç ti largohesh

Ndoshta e paarritshme…

Të afroj s`mundem

Edhe pse joshja është e fisme…

THELBI

Dhe jam aq i marrë si një Don Kishot

Që vë shenjë në sy…

Ta qëllojë thelbin e përmbysur

Që te ti hijshëm rri.

Ta zhbëj

Ta zhduk…

Më mirë të mos e arrijë

Se s`duhet qëlluar me gur

Por me pambuk…

MURI

Në këtë  mbrëmje që ende e plotës`ka ardhur

Në përfytyrimin tonë që kërkon të rritet.

Hedh hapin të kapërcej

Murin e guximit.

Por muri paska rënë

Nga një rreze e vështrimit

Që padashur ose me dashje

Ti ma kishe shtënë..

Pse e mendova murin si pengesë

Po më vjen rëndë…

KJO E DIEL…

Si letër e ngjitur në xham më ngjan kjo e diel

Mos hyjnë në dhomë rrezet e hënës,

Me mjaft zytmtësi e tymnaj më përsjell

Imazhin e së hënës…

Çdo ditë ka një vesh të ngritur

Të shtënat e brengaves`i dëgjon,

Dhe një dashuri që lulet vijon duke i vesitur

S`i shikon…

Kur nga drurët e kujtesës bëhet letër

Dhe na vjen keq ta zhubrosim,

E vëmë mbi xham të na ndalojë një dritë tjetër,

Që veten deri në fund të mos sosim…

PASQYRA

Ti gënjeshtare e sprovuar

Që na sheh pa pasur mendjen,

Kur veten tone, tepruar

Afër teje si të përzënë e hedhim…

Veten tonë na tregon

Dhe ç`të shohim në të,

Një rrudhë që se pamë na gënjen

Për rininë që s`është më.

Dhe për sa të tjera të papritura

Aq ekzaktësisht na i dëshmon,

Të kthejmë e pas e shohim vija të krisura

Në zhivën tënde  që kumbon…

Për mërzinë që ndjeu, pasyra

Kur s`desh të na mërziste ne,

Na dridhen duart e me copëra të ngrira

Ajo bie përdhe…

NGUSHT NËTIRANË

Në guackë të vapës humbet dielli,

Njerëzit ikin plazheve

Vetëm në pavetëdije së thelli

Përrrua i derdhur në imazhe,

I sheh njerëzit në plazhe.

E unë rri në Tiranë

Ku gabimisht kryhet një vrasje

Një hajdut nga qafa e një mjellme

Zhvat një varëse,

Gjuhë e bulevardeve thahen

Si nëpërkë nëpër zaje.

Sa ngusht,

Në gusht…

VOSKOPOJË

Këto pisha më ngjajnë si mjekra prifërinjsh…

Heshtin kishat me një ndezje qirinj,

Vetëm kujtesa ka gojë…

E sotmja rrotullohet në një vërtitje turistësh,

Pranë bujtinave të verdha,

Qyteti i dikurshëm humbet mes trishtimesh

Imazhin e tyre nëpër mjekër priftërinjsh përcjell era… …

TUSHEMISHT

Toka ka nxjerr një gisht dhe po e lan në liqen,

Pse jo dorën,

Nga një gisht u krijua fshati Tushemisht,

Po të ishte një dorë në krah lumi

Do na e kishin marrë si Shën Naumi…

Ndaj burimet rrjedhin rrjedhin

Pezmin tonë  aty mbledhin

Dhe e derdhin në Strugë e Drinin  e Zi,

Për absurdin kufi…

LASGUSHI

Përtë mos mbajtur mbi krye një mjellmë

Ashtu siç i takonte,

Poeti vuri mbi të një barsolinë,

Se ai e dinte,

Ecte mbi një minë…

LIBRAT

Faqet e tyre me fletë tërfili,

I ndaja në lexim,

Netë të tëra ecte fantazia,

  shpate ëndrrash pa kthim.

Ja fshati sa është-thonin-ja bota,

Ec me ne, kapërce fshatin,

Fshati më dukej karrocë me rrota,

Në çakordim ëndrrash që falin.

Dhe unë ika-karroca s`ecte

Më shpejt, bota jashtë tij ishte,

Fuqi e librave më rrëmbente,

Në caqet e veta vagëllinte.

Ia piva lëngun,e po ia pi,

Kthehem pas-karrocë që s`ec,

Fshatin e përfytyroj tani,

Edhe pse  libra lexova

Nga mbrëmja në mëngjes…

KRAHËT E DASHURISË

Era që fryu poshtë derës

Më solli dashurinë me flatra.

Krahët e saj si degë pemësh

Që rrinë më rrugë,

Se njeriu ka dy krah

Dashuria shumë ka,

Po kur njëri

Tjetrin e ul me rrëmbim

Gjithë krahët e dashurisë

Shkojnë në flijim…

ZOGJTË

Kur rrebeshi hodhi hapat e veta

Si trok kuajsh në betejë

Plot hingëllima të verbra

Të erës gjuhëprerë,

Së pari ,mendova për zogjtë

Për foletë e tyre të  të çatrafitura,

Kur pas meje vinin…

U ndala.Shiu litaronte,

Pemët sikur shembeshin,

Zemra më pikonte

Zogjtë mos trembeshin…