E merkure, 30.09.2020, 10:43 AM (GMT+1)

Kulturë » Muzikë

Maya: Gur i rëndë në vend të vet

E diele, 05.10.2008, 12:30 PM


Maya Aliçkaj
Maya: Tashmë në mbarë hapësirat shqiptare vihet re se spektatori, dëgjuesi, po i kthehet këngës popullore

Gur i rëndë në vend të vet

Nga Albert Zholi

Këto ditë është promovuar klipi i ri i këngëtares së mirënjohur vlonjate Maya,  “Gur i rëndë në vend të vet”. Ky klip vjen pas suksesit të madh të klipit “Lege, lege” dhe këngës së kënduar në koncertin mbarëshqiptar të organizuar nga TV “Klan”, me këngën popullore në pranverë –verë të këtij viti. Por klipi i ri i Mayas është përpjekja dhe paraqitja më dinjitoze, ku sipas specialistëve është kënga më potente ndër këngët e  reja të këngëtarëve shqiptarë. Po sipas tyre me këtë këngë Maya ka kapur majat e prezantimit të saj në skenat shqiptare.
Gur i rëndë në vend të vet
Si zogjtë e korbit u ndamë
Morëm botën anembanë
Greqinë dhe Kanadanë
Itali  e gjith’ dynjanë
Aman, aman, moj Shqipëri
Nga dy pleq në çdo shtëpi
Luten nënat në avlli
Kthehuni o fëmijt e mi.
Ah moj Gjermani e shkretë
Më more gjith’ato vjetë,
Në Shqipëri do vij përjetë
Se këtu më ka lezetë

Maja me një këngë për kurbetin? Si ju lindi kjo ide?

Unë kam qenë vet emigrante. Dhe pse emigracioni im ka qenë paksa i veçantë, për vetë mënyrën e largimit pas një njohje me një grua gjermane që më ka birësuar, sërish largimi nga atdheu, familja, miqtë, të afërmit kanë lënë gjurmë në jetën time. Edhe unë si shumica e shqiptarëve kisha lënë në Shqipëri prindërit, të cilët sa herë i merrja në telefon, më preknin me bisedat e tyre, më bënin të lotoja. Ka zemër që duron lotët e nënës në telefon ku duke qarë të thotë “Bijë kur do vish, se më ka marrë malli? Apo fjalët e pakta të babait: bijë e harrove babanë?

Kush e ka bërë, tekstin e kësaj kënge kaq interesante?

Tekstin e kam bërë vetë. Unë kam mbaruar për aktrim dhe shpeshherë kam shkruajtur. Vlora ka qenë hershëm një nga qytetet e lidhura me emigracionin, por kjo krahinë e ka shumë të zhvilluar ndjenjën e atdhedashurisë, por edhe të krijimtarisë. Nga kjo krahinë kanë dalë njerëz të shquar të penës dhe të pushkës. Mund të them se bejtexhinjtë vlonjatë janë ndër më të spikaturit, për të kaluar pastaj tek shumë tektste këngësh të festivaleve që kanë për autor krijues vlonjatë. Unë jam munduar shpeshherë që te disa nga këngët e mia të jem vetë autore e teksteve, pasi më lind ideja e tekstit për të shkuar më vonë tek muzika. Vetë eksperienca e jetës, lidhja ime e përhershme me librin, ekzistenca e ndjenjës për të përçuar veçoritë e jetës së krahinës në muzikë, më ka bërë që të jem gjithmonë në kërkim, gjurmim të teksteve, që të jenë pranë popullit.

Shihet se Vlora vitet e fundit ka nxjerrë shumë këngëtare të reja, të cilat po i japin tonin këngës popullore shqiptare?

Vlora gjithmonë ka nxjerrë këngëtare dhe këngëtarë potentë. Tashmë në mbarë hapësirat shqiptare vihet re se spektatori, dëgjuesi, po i kthehet këngës popullore, këngës së tyre, këngës së shpirtit. Kënga popullore është kënga e themelit shpirtëror popullor, kënga që ngroh çdo vatër. Por dua të theksoj se Vlora është një nga qytetet shqiptare që është shquar dhe shquhet për ruajtjen e traditave, virtuteve, për këngët e veçanta popullore, ku spikat sinqeriteti në mesazhin e teksteve. Pastaj Vlora ka detin, ku ajri i pastër, kaltërsia ushqen, mbrum dhe rrit zëra të veçantë. Në këtë këndvështrim patjetër që Vlora ka qenë dhe do të mbetet djepi i këngës popullore, pika kryesore e  referimit për këtë gjini kënge tashmë kaq të përhapur dhe që po zë vendin që meriton.

A jeni xheloze ndaj këngëtareve të reja vlonjate?

Aspak, në kuptimin e keq. Unë kam të veçantat e mia, zërin tim, krijimet e mia, që më  dallojnë dhe më largojnë nga imitimet. Unë e pranoj sfidën, konkurrencën, ndryshe do të mbetesha pa hapësirë, larg tendencave të mia dhe emancipimit që kërkon koha. Pra unë nuk jam xheloze në kuptimin e ngushtë të fjalës dhe shpirtngushtësisë së shpirtit, unë jam xheloze brenda vetes pasi kërkoj përballjen për të ecur përpara. Unë gëzohem sinqerisht kur dëgjoj një këngë të bukur nga bashkëpatriotet e mia, sepse ajo bëhet pa dashje një shtysë  për të korigjuar apo për të parë më larg.

Bashkëpunimi juaj ka qenë me kompozitorin Adi Hila…

Eshtë kompozitori im i prefruar për shumë arsye. Së pari është vlonjat dhe i dinë karakteristikat e këtyre këngëve, të veçantat, ambicjet, pretendimet. Është një kompozitor gjthmonë kërkues dhe me tendenca të theksuara në drejtim të së resë. Ai ka sjellë shumë risi në këngën popullore shqiptare, por sidomos atë vlonjate. Tjetra është se kam pasur shok klase dhe ja dimë kërkesat njeri-tjetrit. Puna tij tashmë ka gjetur tregun më interesant në disa gjini, pasi këngët e tij të muzikës së lehtë kanë bërë paraqitje dinjitoze dhe në Eurovizion..

Me kë keni bashkëpunuar për realizimin e klipit të  ri?

Producent “Elrodi muzik”, ndësa klipi është realizuar nga Max Production. Eshtë një brenda televizionit  prestigjioz BBF, televizion, i cili kohët e fundit është bërë promotorr i promovimit të këngës popullore. Një nismë e tillë duhet përshëndetur, pasi përcjell në popull ëndrrën dhe ndjenjat e tij. Tashmë që ky television është dhe me valë satelitore shqiptarët kudo në botë ndjekin këngët e mirëfillta popullore që u mungojnë kaq shumë në emigracion.

Ju kishit dhe një veshje krejt të veçantë?

Po. Nuk kishte si ndodhte ndryshe. Veshjen e Flamurit. Atij Flamuri që emigrantët e mbajnë në çdo tavolinë në Greqi, Amerikë, Australi, Gjermani. Në shenjë respekti për patriotizmin e tyre. Një Flamur trup shqiptar për ëndrrat e shqiptarëve në mërgim. Ka zemër emigranti të mos preket kur sheh në television flamurin e tokës amë?

Para këtij klipi ju në koncertin mbarëshqiptar të organizuar nga TV “Klan”, me këngë popullore jeni paraqitur sërishmi me një këngë të re, “Pikë loti”

Ndoshta janë dy këngë të suksesshme që kanë ndjekur njëra-tjetrën. Organizimi i televizionit  “Klan” ishte një eksperiencë e re që u dha shansin të gjithë këngëtarëve popullorë të shpalosnin vlerat e tyre. Të tilla aktivitete janë me shumë përgjegjësi dhe një test për çdo këngëtar. Spektatori më ka dhënë vlerësime maksimale
Moj  e vogëla pik’ loti
Ç’të paska qëndisur zoti
Ah’ jalla më rëntë shorti

A patët pushime këtë verë?

Aspak. Kam pasur shumë koncerte dhe ftesa të ndryshme. Vetëm dy ditë kam bërë plazh. Ditë të tëra intensive të mbushura me punë nga jugu në veri duke kaluar dhe në Greqi.

Jeni dobësuar …

Se kisha vënë re, aq e impenjuar kam qenë. Kur e pashë veten para peshores gjeta atë që kërkonte trupi.

Ishit e ftuara speciale e lokalit “Kareokee Mio”, pronë e këngëtares Valbona Peraj, si u ndjetë në këtë ambient?

Ishte një eksperiencë e bukur. Shumë herë njeriu fiton diçka të paimgjinueshme aty ku mendon se “ndriçimi” do të jetë i vogël. Ishte një ambient i ngrohtë dhe komod. Të pranishmit ishin shumë të sinqertë dhe dashamirës  të këngës. Ata më shoqëruan gjatë gjithë kohës. Disa herë nuk janë përmasat e ambienteve që të japin shkëlqim apo sadisfaksion. “Kareokee Mio”, më dha një  shans të vogël, unë një zemër të madhe. E uroj Valbonën në rrugën e re. Klientët do të ndjehen si në një vatër familjare.

Tashmë pas këtyre sukseseve përse synoni?

Kam plane më serioze. Por po punoj me seriozitetin më të madh të të gjithë viteve. Sukseset e fundit nuk duhet të zbehin të ardhmen. Eshtë përgjegjësi prezantimi që do të bëj me klipin që po punoj. Nuk kam afate kohore. Në këtë rast i kam përjashtuar nga vetja kohët apo nocionin e saj.
Me këtë rast dua të përshëndes fansat dhe adhuruesit e mi kudo që janë sepse duartrokitjet e tyre më kanë bërë paksa në borxh (qesh). …



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora