Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Partneriteti me krimin dhe gjunjëzimi i shtetit

| E marte, 15.05.2007, 09:29 PM |


Nga Albert VATAJ

Albert Vataj
Atë që vullneti i Kuvendit të Shqipërisë e konkludoi si një gjykim i paanshëm dhe vënie nën fre të institucionalizimit të shtetit të krimit, e hedh në erë vetëm një letër prej tre faqesh e Presidentit të Republikës. Gjithçka ishte nëse e parashikuar, sikurse gjithçka kishte marrë trajtat e saj. Pritej që gjithçka të fliste në gjuhën e shkresave në formë vendimi. Moisiu dhe tërëçka që vërtitej rreth emrit të tij gjatë periudhës kur raporti i Komisionit Hetimor Parlamentar „Sollaku" po shoshitej në zyrat e Presidencës u agravuan në limitime të atilla sa e lanë jashtë të papritures vendimin e kreut të shtetit për Prokurorin e Përgjithshëm Theodhori Sollaku. Ky i fundit duke marrë bekimin e numrit një të shtetit provon ta vërë para një sfide gjithë atë përpjekje të mundimshme për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionit.
Nuk kam hequr dorë për asnjë moment nga ideja së krimi dhe politika janë anët e së njëjtës medalje. Gjithnjë më ka tundur parimi se krimi i organizuar dhe konturimi i një mafie kanë zanafillën në strukturat e politikës dhe mbijetojnë në sajë të mbështetjes dhe imunizimit të saj. Por se ai kërkon dhe bën të mundur të jetë palë më majën e piramidës së shtetit këtë e dëshmon vetë poseduesi i saj, Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu. Me hezitimin për të pranuar largimin e Sollakut ai nuk bën gjë tjetër vetëm se bëhet pjesë e akuzave që rëndojnë kundër tij, për të vijaur më pas me shpërdorimin që i bën jo vetëm institucionit që përfaqëson por varros përfundimisht organin e akuzës, dhe këtë e bën duke u mbrojtur
Presidenti i Republikës, Afred Moisiu, ka shuar përfundimisht të gjithë vijën e zjarrit nën të cilën kishte kohë që e gjente veten kreu i Prokurorisë Theodhori Sollakun. Kreu i shtetit i ka dërguar zyrtarisht një letër Kuvendit të Shqipërisë, ku parashtron argumentet e tij për rrëzimin e kërkesës së mazhorancës për rrëzimin e kryeprokurorit. Arsyeja kryesore e cila ka bindur kreun e shtetit për mosdekretimin e kërkesës së shumicës së djathtë parlamentare, ka qenë mungesa e argumenteve ligjorë për shkarkimin e Sollakut. Numri një i shtetit shqiptar nuk ka gjetur asnjë shkak, i cili ta bindë atë për të hedhur firmën për largimin e Sollakut nga drejtimi i akuzës. Moisiut iu desh mbi tre muaj për të arritur në këtë përfundim. Pas komisionit hetimor parlamentar i ngritur me qëllimin për shkarkimin e kryeprokurorit, Presidenti mori në dorë raportin përfundimtar të këtij institucioni parlamentar. Moisiu u përbetuar se arsyetimi dhe gjykimi i tij do të ishte sa më korrekt, sa më i drejtë dhe i ftohtë në këtë rast delikat, duke respektuar mbi të gjitha ligjin. Pak a shumë nën këtë vorbull arsyetimesh kreu i shtetit ka rrëzuar vullnetin e mazhorancës parlamentare, duke ngritur pikëpyetje të mëdha në lidhje me veprimtarinë e këtyre komisioneve hetimore. Vendimi i tij për t’i thënë jo asaj që pozita nuk la mjet për ta konkretizuar, ka gjasa të mos ketë ndonjë tregues pozitiv për klimën politike. Kjo u dëshmua po ditën kur ky vendim u bë publik, me deklarimin e kryeparlamentares Jozefina Topalli e cila e ka akuzuar rëndë kreun e shtetit duke e quajtur të paprecedent vendimin e tij. Ajo nuk ka hezituar nëpërmjet intervistës në „Zëri i Amerikës", edicioni shqip të aludojë se ku veprim e bën atë ortak me krimin dhe nxit korrupsionin. Duke vijuar më tej Topalli ka nënvizuar se në të ardhmen nuk do të ketë asnjë bashkëpunim mes Parlamentit dhe kryeprokurorit Sollaku, pasi sipas saj mbi të rëndojnë shumë akuza. Ndërsa nga ana e tij kreu i Komisionit Hetimor Parlamentar „Sollaku", Astrit Patozi duke kundërshtuar energjikisht kundërshtimin e Presidentit Alfred Moisiu për shkarkimin e Theodhori Sollakut, e ka cilësuar si hap të paramenduar. Në vijim të deklaratës, Patozi ka nënvizuar se hetimi për kryeprokurorin u tregon shqiptarëve simbiozën e krimit të organizuar me politikën që 8 vitet e shkuara ka prekur majat e shtetit.
Pak a shumë kjo është panorama politike që pasoi vendimin e Presidentit. Në thelb nuk ka gjasa të kenë tjetër përbërje më shumë se kaq deklaratat e pozitës, sikurse e majta duke e gjetur veten në shtratin me gjethe dafine që i shtron Presidenti ose do të bëjë avokatin e avokatisë së Moisiut, ose do të ndërsejë ndaj gjunjëzimit të së djathtës politikën e pamundësisë dhe dështimit, duke i dhënë të drejtë vetes së procesi për shkarkimit të Sollakut ishte dhe mbetet i mbarsur politikisht.
Lidhjet e vjetra të trashëguara si dhe lidhja e re e karakterit ekonomik e ka bllokuar Alfred Moisiun të përmbushë detyrën e tij kushtetuese. Deklarata se sa të jetë ai, Dhori Sollaku nuk preket është një iluzion. Dosjet e krimit duhet të shfletohen, bile aty do të shtohen edhe hetime të reja që kanë të bëjnë me karakterin familjar të një marrëdhënieje të paligjshme që po vë në rrezik institucionet e shtetit si dhe luftën kundër krimit të organizuar
Tashme zbulohet gjithçka. Lidhja e hershme dhe natyra e saj e trashëguar, kombinuar me përmasën ekonomike të ditëve tona, e ka bllokuar Alfred Moisiun, i cili ka paraqitur nje pasqyre mjerane te arsyeve se pse nuk mundet ta shkarkojë Dhori Sollakun, edhe pse ai është përgjegjës për mosveprimin ne te paktën 24 dosje vrasjesh.
Presidenti Moisiu, në letrën e tij dërguar Kuvendit të Shqipërisë rendit arsyet se përse ai nuk ka shkarkuar Sollakun. Sipas tij, edhe pse vendimi nuk është paraqitur në formën e kërkuar nga neni 149, paragrafi 2 i Kushtetutës dhe procedurës së kërkuar nga neni 114 i rregullores se Kuvendit, duke vlerësuar, më tepër se mangësitë formale, thelbin e kërkesës dhe punën e komisionit hetimor parlamentar, arriti në përfundimet e mëposhtme:
Në raport janë konsideruar shkelje te rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve nga Prokurori i Përgjithshëm, me veprimet ose mosveprimet e tij për një sërë çështjesh të listuara në atë raport. Komisioni hetimor mori përsipër të gjykojë bazueshmërine në ligj të vendimeve të prokurorëve për çështje të caktuara penale. Për secilin rast, komisioni ka vlerësuar te gabuara mosfillimet, pushimet apo pezullimet e çështjeve penale të analizuara, ky qëndrim i komisionit, i miratuar më tej nga Kuvendi. është në kundërshtim me parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve, parim ky i sanksionuar jo vetëm në nenin 7 të Kushtetutës, por, është një parim që përshkon terë organizimin dhe funksionimin e organeve të pavarura kushtetuese. Më tej, ky qëndrim i kornisionit është në kundërshtim me fushën e veprimtarisë së komisioneve hetimore, të përcaktuar në ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 "Për organizimin dhe fonksionimin e komisioneve hetimore i Kuvendit", dhe në "Kodin e Procedurës Penale". Vendim-marrja lidhur me një procedim penal është atribut i organit të prokurorise, i cili sipas nenit 148 të Kushtetutës është organi i vetëm që ushtron ndjekjen penale. Vendimet e marra lidhur mc ushtrimin e këtij funksioni kushtetues mund të vlerësohen vetëm nga hierarkia e prokurorisë nga prokurori më i lartë e deri tek prokurori i përgjithshëm, ose të kontrollohen nga gjykata mbi ankimin e palëve. Askush, veç këtyre organeve, nuk ka të drejtë të arrijë në përfundime dhe të bëjë vlerësime për vendim-marrjen e prokurorisë, përfshi këtu edhe komisionet hetimore parlamentare. Edhe në rastin më të mirë, ky vlerësim do të ishte subjektiv, që do të thotë i hapur për interpretime dhe mendim ndryshe. Komisioni hetimor nuk mund te marrë atributin e gjykatës e cila është e vetmja sipas ligjit që në instancë të fundit vlerëson nëse një çështje penale është pushuar me të drejtë ose jo, apo nëse mosfillimi apo pezullimi i një çështje është ose jo i bazuar në ligj. Ne këtë mënyrë, komisioni ka marrë atribute qe nuk i ka as vetë Kuvendi i Republikës, duke ushtruar në një farë mënyre kompetenca apo atribute që janë në dorë të organit te prokurorisë ose gjykatës. Vlerësoj se në veprimtarinë e këtij komisioni nuk është marrë ne konsideratë vendimi interpretues datë 14,05,2003, i Gjykatës Kushtetuese e cila është shprehur se "kontrolli parlamentar duhet zhvilluar në mënyrë të atillë që të mos ndërhyjë në veprimtarinë e pushteteve të tjera. Kam ndjekur me vëmendje të gjithë ecurinë e veprimtarisë së këtij komisioni dhe kam verifikuar edhe përbërjen e tij. Vlerësoj se përbërja e komisionit dhe qëndrimet e disa anëtarëve të tij kanë cenuar parimin e një procesi të -rregullt ligjor dhe atë të prezumimit të pafajësisë. Kjo, se, anëtarë te veçantë të komisionit, edhe kur ai kishte filluar procedurën hetimore, publikisht, kanë marrë përsipër të deklarojnë te provuara shkeljet apo akuzat e pretenduara, të cilat duheshin verifikuar për vërtetësinë e tyre nga komisioni i posaçëm hetimor. Veç kësaj, në përbërjes të komisionit, 5 nga 7 anëtarët e shumicës parlamentare janë dhe nënshkrues të kërkesës për shkarkimin e prokurorit të përgjithshëm, duke cenuar më tej parimin e prezumimit të pafajësisë dhe të procesit. të rregullt ligjor, për të cilat ka folur edhe Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj nr.75, datë 19.04.2002. ne një situatë analoge më këtë në shqyrtim. Si konkluzion, pas vlerësimit të procedurave për ngritjen dhe funksionimin e komisionit hetimor parlamentar, si dhe të raportit të miratuar nga Kuvendi, referuar drejtpërdrejt edhe vendimit date 19.04,2002, të Gjykatës Kushtetuese, nuk gjej shkelje të tilla të ligjit në veprimtarinë e Prokurorit të Përgjithshëm, sa të përbëjnë rast për shkarkimin e tij, sikurse e kërkon neni 149, paragrafi 2 i Kushtetutës. Kështu që vendosa të mos e shkarkoj Prokurorin e Përgjithshëm, për arsye se propozimi për shkarkimin e tij nuk ka mbështetje ne kriteret dhe procedurat e parashikuara në Kushtetutë dhe ne jurisprudencën kushtetuese". Marrëdhënia e hershme dhe shndërrimi i vonshëm i Sollakut ne punëdhënës te familjareve te Moisiut, duket se e pamundësojnë kryerjen e detyrës kushtetuese nga ana e kryetarit te shtetit. Megjithatë, ideja se kthimi i vendimit te parlamentit te Shqipërisë përmes artificieve juridike mund ta lere situatën siç është, pra mund ta shpëtoje qofte Alfred Sollakun, qofte Dhori Moisiun, është thjesht një iluzion. Te gjithë ndërkombëtaret kërkojnë qe te zhbllokohet institucioni i akuzës, dhjetëra dosje presin ne prokurori dhe gjendja do te zhbllokohet gjithsesi. Dyshja Moisiu-Sollaku le te shijoje iluzionin e aleancës që bllokon shtetin. Jozefina Topalli është shprehur qartë se ky Kuvend nuk do te ndalet para aleancave të tilla. Përkundrazi, ai do te shkoje deri ne fund ne hetimin e simbiozes Moisiu-Sollaku, së pari në përmasat familjare te kësaj marrëveshjeje, e me tej edhe do te japë verdiktet përkatëse, te cilat janë gjithsesi rrjedhime te verdiktit popullor te 3 korrikut 2005.
Sakaq jetës politike shqiptare i shtohet edhe një pengesë tjetër. Tjetër vatër konflikti duke u hapur pikërisht nga personi garant i bashkëjetesës politike dhe një harmonie në gjetjen e zgjidhjeve për çështjet kardinale, fundosin përfundimisht çdo shpresë se zgjedhjet lokale do të zhvillohen në një terren të përshtatshëm dhe se konsensusi për rrugë të përbashkëta do të jetë në udhëkryq. Fati i institucioneve vihet në pikëpyetje. Vetë kryeprokurori duke dashur ta mbajë me përdhunë karriken e tij i promovon organit të akuzës një mungesë totale vitaliteti, efiçense dhe përgjegjësie ligjore dhe juridike në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. Presidenca nëpërmjet vetë Presidentit shkërmoqet para syve tanë duke na dëshmuar se tashmë nuk kemi një kishë se ku mund të rrëfehet dhe falet politika. Asgjë më shumë se kaq nuk mund të ndodh. Nuk do të kishte tjetër fund kjo histori përleshjesh të kokave të shtetit. Për paqe politike as që bëhet fjalë. Armët sapo janë mbushur dhe beteja sapo ka filluar.