E enjte, 25.04.2024, 05:57 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Kur dashuronte poeti

E merkure, 02.10.2019, 07:44 PM


KUR DASHURONTE POETI

Kujtimit të poetit Zef Serembe

Novelë nga Resmi Osmani

Strigari, Kalabri, maj 1874.

1.Kangjela e mallit të parë

Dielli ishte ngritur mbi det në lindje. Nga dritarja vërshonin vrundujt e dritës së artë të ditës së re,  me magjinë këndellëse e të hareshme  të majit, që të grishte për të jetuar gëzueshëm së toku me dalldinë e hovshme të natyrës së ringjallur.

Në vetminë e dhomës së heshtur, Zefi qëndroi para pasqyrës. Po kundronte veten: i gjatë, i hollë si lumak, por shpatullgjerë, leshra të gështenjta, ndarë me nje vijë në mes , të krehura anash e të hedhura prapa, balli i lartë prej mentari, vetullat e trasha  u bënin hije syve të menduar ëndërrimtarë, hunda e drejtë, goja e vogël me buzë të rrepta,mustaqe të plota, të spërdredhura. I hijshëm e burrëror. Psherëtiu. Kjo ishte dukja, ajo që shihnin edhe të tjerët. Ai shihte atë që s’dukej, por ndjehej, që të tjerët s’mund ta shihnin. Zemrën e tij, të vuajtur, të vrarë e të helmuar, shpirtin e paprehje,dokëndisur nga fati i prapët, që e godiste me hobe e shigjeta hidhërimi, mendime herë të vrullshme e herë të paqta, hem të gëzuara e hem të dëshpëruara, hem të ëmbla si mjalti e hem te idhëta si farmaku, që i çartnin mendjen, trupin e shpirtin e sido që ato të ishin, çuditërisht, prej tyre buronte rrëkeja e vrullshme e vjershave, që tingëllonin si kambana, herë me hare, e herë përzishëm, me ato fjalë, që ishin klithma e jetës së tij, e shpirtit të vuajtur e të sfilitur nga sëmundja e varfëria. Klithma, rënkime e lot për dashurinë e pafat, për atë që ishte më e bukura e vashave. Dëshperimi për mizoritë e jetës, varfërinë, dhe brenga që s’i shqitej asnjëherë: për mëmëdheun, Arbërinë e robëruar përtej detit.

Këto ishte duke menduar, kur  ndjeu hapa të  lehta, pastaj një dorë në sup. Ishte mëmëzonjë Maria. Ai u kthye ballas. I buzëqeshi, ashtu si mund t’i buzëqeshet mëmës, por buzëqeshja ishte e trishtuar, e dhimbshme, si të vinte nga një botë e largët. Shikimi i mëms,  me pamjen e saj të dashur , nuk e fshihte dot vuajtjen dhe brengën për djalin e saj të parë. I dukej i lodhur,i përhumbur, i mërzitur, i ligur  e i fitiqur.

-Zdrigu të hamë sillën. Sapo e kam pjekur kafen.

-S’më hahet mëmëzonjë,por një filxhan kafe do t’a rruf.

-Duhet të hash, të marrish veten, je hequr si të kesh shkuar një lëngatë. Eja. Françesku me Maria – Antonian po na presin.

Polenta e përvëluar me gjalpë, avullonte dhe ermironte kuzhinën. Zefi thërrmoi mbi të edhe pak djathë dhe  mori disa lugë, por fyti i ishte lidhur, e la lugën mbi tryezë dhe mbushi nje filxhan kafe që e pinte pa sheqer. Heshtje. Dëgjohej vetëm tringëllima e lugëve. Françesku i hidhte të vëllait ca vështrime që s’ishin miqësore. Nga koha kur Zefi nisi të vjershëronte dhe kur nuk i zinte vendi-vend. Edhe tani kishte një muaj mërguar nga katundi. Me një shkop në dorë, një torbë me libra e letra në sup dhe kapelen e zezë mbi krye, si pelegrin i vetmuar, ngarendëte në katundet arbëreshe të Kalabrisë, Molizes dhe deri ne Siçili, në Horën e Arbëreshëve, si i thonë, ku rafsha mos u vrafsha. Françesku nuk mund ta dinte se në ato rrugëtime, i vëllai s’ishte vetëm. I rrinte në krah Muza,mendimet që buisnin vetiu si një lumë i rrëmbyer e që në zemër, vrundullonin gjakun dhe ngjallnin përfytyrimin, për tu ngjizur  në vargje të kangjelave: për më të bukurën e vashave, për dashurinë dhe mirësinë, për arbërinë e roberuar, për dhimbjet dhe brengat e jetës. Ngado shkonte, këndonte si bilbil, rrefente si përralltar, njerëzit e donin, e gostitnin me nga një kupë verë dhe e ftonin nëpër shtëpira për të bujtur. Françeskut, që s’dinte nga ato, dinte që shtëpia s’mbahet me kangjela. Atij i kishte mbetur mbi vete barra e familjes. Edhe Maria-Antonia dukej e trishtuar. I kishte shkuar të njëzetat, askush në katund e jashtë katundi se kërkonte për nuse , jo se s’ish e pashme, por ngaqë ata ishin të vobekët dhe ajo e papajë. Edhe pse s’e thoshte, në heshtje, bënte fajtor të vëllanë. I dukej vetja si lëneshë fatpadalë. Zefit heshtja iu bë e rëndë. Muret e shtypnin,i merrnin frymën.  Deshi të mbetej vetëm. Vetmia dhe udhëtimet ishin natyra e tij. Hapsira, ajri, drita dhe dielli, muzgu gushëpëllumbi, netët me kupen e yjëzuar të qiellit ishin bota e tij. E në këtë botë, nga shpirti që ngazëllehej, vetiu buisnin kangjelat, sipas herës: Herë të gëzuara, herë të trishtuara, që i këndonin hem bukurisë së vashës, hem vuajtjeve te shpirtit. Shpirti i tij ishte si korda e tendosur e harpës, si bilbili këngëtar.

U ngrit  dhe zbriti në kopsht. Kopshti ishte nën shtëpi, një rrip tokë buzë përroit, me ullinj kurorëmëdhenj, portokalla, ca rrënjë limon, fiq gjetheshumtë dhe vreshti i vogël nga i cili siguronin verën e vitit. Kjo ishte pasuria që u kishte lënë babai, Mikelanxhelo Serembe, i dënuari me vdekje, rebeli kryengritës që e çoi jetën luftrave dhe në arrati. Ca të pakta ara që kishin, të mbetur në varfëri, i shitën kur babai ishte i arratisur. Zefi krenohej me të atin. Nderi dhe emri që u kishte lënë ishte trashëgim më i vyer  se pasuria. Për të ishte burrë i vërtetë. Ndjente dhe besonte se hovet e shpirtit,rebelizmin, vrullet, pakënaqësinë për padrejtësitë, dashurinë për Arbërinë, lirinë dhe gjithçka të vyer në veten e tij, e kish të trashëguar nga ati. Po nga mëma e fisme, bijë e derës së dëgjuar të Toçve? Me siguri butësinë dhe ndjeshmërinë e shpirtit, dashurinë për të bukurën , natyrën e saj ëndërrimtare, besimin në tënzot dhe dashurinë drithëruese që kishte për ta, fëmijët e saj.

Maji frymëngrohtë e dritëshumë kishte ngjallur e dalldisur natyrën, vrulli jetësor ndihej gjithandej: te toka e vlagët që i jepte jetë bimësisë, në harlisjen e çeljen e luleve të limonave dhe portokallit, ullirit dhe hardhive, që i jepnin ajrit aromën ëmbëlcake të mjaltit. Gjithçka: zogjtë e fluturat, bletët dhe kandrrat përjetonin dalldinë e kurthit që u kishte ngritur pranvera: çiftëzimin, kurthin e dashurisë. Zgjodhi të ulej nën trungun e një ulliri të moçëm, në një lëndinëz, qilimin blerosh të së cilës e qëndisnin kaptinëzat e luledeleve dhe të tjera lule të kaltra e të trëndafilta. Hodhi shpatullat pas trungut të ullirit dhe e treti shikimin nga lindja. Përrenj, hone, kodra, udhëza dhe monopate që të çonin në katundet arbereshe. Më tej mali i Polinit, ku hapej një grykë e gjirit te detit Jon, që kaltëronte dhe sillte në breg suvalat shkumëbardha që vinin nga brigjet e Arbërisë. Atij i erdhën ndërmend vargjet e kangjelës “Rrutullupë”,shkruar vite më parë :Arbëria që pas detit na kujton/ se na të huaj jemi te ky dhe,/ sa vjet shkuan! E zemra nuk harron/se për turkun qëndruam pa mëmëdhe. Në të mëngjër e të djathtë të Strigarit ishin Maqi, i mësuesit dhe vjersjëtorit Jeronim De Rada dhe Mbusati, i poetit Jul Variboba. Ç’farë magjie kishin këto vënde që lindnin poetë dhe buronin këngë? Apo ishin njerëzit, arbërorët që ua jepnin këtë vlerë? Më tej në vargun e kodrave katundet e tjerë arbëreshë. Zefi psherëtiu. E dhimbshme historia e arberorëve të tij. Kur u shpërngulën nga Mëmëdheu, këtu i seliti Mbretëria e Napolit, në toka të shkreta, dhe ata u ngulën në këto kodra, përballë lindjes dhe detit, përball Arbërisë, si shqiponjat në malet e vendit të tyre. Ja rrëmbyen me mundim tokën shkëmbit dhe ngritën shtëpitë, mbollën ullinjtë e vreshtat, sollën dhe ruajtën gjuhën e ëmbël, zakonet, besimin, emrat e shënjtorëve. Ai kishte pyetur.Katundi i tyre vinte nga Struga e Arbërisë, buzë liqenit Ohrid, ku buronte lumi Drin që i binte mespërmes Arbërisë. Me këtë emër e pagëzuan ata në vitin e largët 1540 vendngulimin e ri: Strigari, e jo San Kozmo, si i thoshin vendasit.

Poeti u përmend nga këto ëndrritje nga kënga e kukëzës, që vinte nga lisat matanë përroit, sipër kroit. U bë sy e veshë: kuku, kuku, kuku,këndoj qyqja. Dhe ai vargëzoj ”Kukëz moj kukëz, /duke bërë kuku, kuku,/ thuaj sa vjet do të rronj? Numëroi, arriti deri në njëzet, pastaj kukëza e preu këngën.Thoshin se po ta dëgjoje kukëzën esëll dhe ti numëroje troparet, aq vite do të rronje. Ai kishte shkelur në të tridhjetat. Edhe njëzet, bënin pesëdhjetë. Epo s’ishin pak, por jo dhe shumë! Përroi rridhte ngjitur me kopshtin e tyre. Që aty nuk dukej, shtrati ishte i thellë dhe mbulohej nga degët e bimësisë së harlisur.Më posht në pllakat e bardha të gurëve, gratë dhe vashat e fshatit lanin teshat. Lanin dhe këndonin. Prej andej vinte jehu i këngës së  tyre. Ato nuk lanin vetëm teshat te uji llagar, por dëlirnin edhe zemrat e tyre në  këngë e gëzim.  Dhe ai i uroj vashat: “Ditë të bardhaë“ o vasha, ja urimet,/ se unë shkoj atje ku më shpie tufani,/ dhe kthehen te katundi psherëtimat. Matanë përroit, nën rrugën që shkonte për në Vakarico, ishte kroi i don Engjullit. Kroi ishte përballë shtëpisë së Serembeve. I ndërtuar me mur guri, uji rridhte nga tre sylynjarë. Vinin e mbushnin ujin e llagartë vashat e katundit, që sillnin gaz e hare. Po aty vinin edhe trimat që të shikonin vashat.

Ah ai krua! Bashkë me ujin e tij rridhte edhe jeta e fshatit, po të kishte  gojë e të rrëfente, kushedi se sa zemra do të lëndonte, por ai dinte vetëm një këngë, atë të murmurimës, këngën e ujit, që është si kënga e jetës. Zefit i kujtohej si të kishte ngjarë atë çast ajo ditë maji e magjishme, e dhjetë viteve të shkuar, që tronditi jetën e tij. Ditë e trëndafiltë, me dritë lbyrëse, me atë fllad të njelmët e të freskët që dërgonte deti, me aromën e luleve dhe cicërimën e zogjve. Si sot, ishte shtrirë mbi bar e lule në kopsht. Sindozot, ndihej çuditshëm. Një molisje e mall që drithëronte zemrën e që vrundullonte gjakun, që nuk e pikaste nga i vinte. Kishte në të ngrohtësinë e diellit,dritëzimin e hënës dhe yjeve, këngën e zogjve, amzën e tokës së vlagët, misteret e muzgjeve dhe agimeve. Ishte një thirrje e brendshme për diçka të pa përfytyrueshme, e një malli të mjegullt për vashën e ëndrrave. I kredhur në të, shpirti diç kërkonte. Por çfarë? E dinte, por s’guxonte t’ia thoshte vetes. Mendoi se ishte faji i majit. Tok me këtë këndellje, më pas vinte njëfar mpirje e topitje, mërzia dhe vetmia. Në një  të tillë ditë, në mëngjes, tejet i pushtuar nga ndjenja të trazuara, dëgjoi kambanat e kishës që thërrisnin besimtarët në meshën e së dielës. U nis për atje se mos kushedi, i fanepsej vasha hirplotë e ëndrrave të tij, që ai e kërkonte por dot s’e gjente. Vashat po vinin, zënë dorë për dore, plot gaz e hare, por asnjë s’iu duk e mirë, ashtu si ai kishte dëshirë. Por papritur, pakëz e mbodhisur e çap ngutur, u shfaq një vashë, që kur u afrua, ndriçoi gjithë sheshi, i shkëlqenin ata sy që nuk shihnin asnjeri. ”Sa e bukur”- tha ai. Si një fluturëz e lehtë, hyri në kishë. Ai priti në oborr sa mbaroi mesha, por ajo kaloi dhe s’ia hodhi sytë. Bukuria e saj e goditi në shpirt.

Që ahere kishin kaluar dit. Me atë vashë në sy, e la kopshtin dhe mendueshëm ngau për te kroi. Ç’të ishte ,mos i bënin sytë, mos ishte pjellë e mendjes dhe përfytyrimit ajo që po shihte? Jo, ishte e njëmendët, ajo që kishte hasur te oborri i kishës.  Ishte vasha që po mbushte buljerën. Jo! Ajo nuk ishte vashë, por një krijesë prej uji e drite, shtojzavalle, zanë e ujrave të burimeve. I mbetën sytë mbi të: e bukur si asnjë, e hollë, shtat selvi, flokët ndarë në mes dhe rrethas gërshetin e zi, që i fekste ballin që i ndrinte si gryka e detit në agimin e ri. Pale sytë! Të zez e tërë mend e mall të thellë, në mes faqes i qesh hunda e hollë, faqemollë, buza si merxhan, dora dhe qafa  me dritë qelibari. I shtangur ai s’ia hiqte sytë. Edhe ajo e pa drejt , por një grime. Atij iu duk se dy shigjeta dolën prej tyre dhe e goditën në zemër, pastaj si e turpëruar , uli qerpikët e gjatë mbi bulierën që po mbushej. Poeti u ngazëllye:

-O më e bukura e vashave të Strigarit, buzëqesh  një herë që mua të mjerin të më ngresh në qiell- dhe ajo i buzëqeshi turpshëm. Atëhërë ai guxoi dhe e kapi përdore. Ndjeu se dora e saj e butë dhe e ngrohtë, dridhej si zemra e zogut kur bie nga foleja. Ajo e hutuar nuk e kundërshtoi, ai e tërhoqi nga vetja. Fryma e saj aromë vjollce i fshiku faqen, por në çast ajo vetembledhur u shkëput.

-Lëshoma djalë dorën, se na shohin bota e do flasin. S’jam nga derë do si do, jam e fisme e nga pari, të shquar për trimëri!

Këto thoshte goja, por jo zemra.E pikasi nga zëri i ngashëryer dhe sytë e lbyruar e si të avullt. Ngriti bulierën e shkoi. Ai e kuptoi se kishte gjetur atë që kërkonte, vashën e zemrës. Me një të parë, që ishte si një flakë që e rrëmbeu, që kurm e shpirt i dogji e preu. A se kishte takuar edhe Milosao Rinën te kroi? Kështu dhe vasha e tij që iu shfaq si një ditmadhe pranvere, me buzën si lule mali, me syrin që i ndrinte si yll, me ballin si qielli në verë. Ai bërtiti si i dalë menç: “Të falem bukuri!”

U kthye në kopsht. Edhe pse s’kishin kaluar pak orë,  ndjeu mall. Një mall përvëlues e tronditës. Ajo i mbeti në zemër, shpirt e në kujtesë e veshur me dritë. Vetiu gjithçka u kthye ne vargjet e kangjelës. U nis me nguat në shtëpi, u ul në tryezë dhe zbrazi në letër ,  me vrull e pa u ndalur “Kangjelën e mallit të parë” ku i këndoi bukurisë e dashurisë , mallit që e zuri për vashën, se e donte me gjith zemër dhe i bënte premtimin:

Ti me mua vashëz eja

Se të dua si veteja

Tok të rrojmë te ky dhe,

Si në zi e në hare

Tok të rrimë në rini,

Tok edhe në pleqëri.

Poeti ishte i dashuruar dhe zemra e shpirti i këndonin si bilbil….

2 Ditët e magjishme të dashurisë

Psherëtiu thellë. Që ahere dhjetë lisa jeta kish ndërruar, dhjetë pranvera kishin shkuar, dhjetë vjet të palumtura e të mjegullta , me zhgënjime,  mjerime e derte, kishte derdhur edhe lot të hidhur se zemra e plasur nuk duronte dot. Koha rridhte si ujët e lumenjve, ikte dhe ikte drejt hiçit,të panjohurës,  prapësitë e jetës e godisnin papra si dallgët brigjet e detit, por atë e mbante më këmbë, por herë-herë e vidhiste në humnerat e dëshpërimit, malli i pashuar dhe kujtimi  i  vashës, që nën hirin e harresës, prushëronte dhe digjte thellë në shpirtin e tij……

Ishin ditë të magjishme, si të ëndërrta, kur ai priste i paduruar te kroi dukjen e beftë të më të bukurës së vashave. E priste atë çast si lulja rrezet e para të diellit, siç pret toka e tharë nga zhegu shiun e verës. Kur ajo vinte, si një fluturëz, me hap të lehtë e lozonjar, vendi bëhej dritë. Kur ngrinte qerpikët si krahë zogu, nga sytë e zez buronte si ujët e kroit tok me drojen vajzërore, ai vështrim i lektisur, i dashur,  i ëmbël, ajo buzëqeshja parajsore grishëse. Shpirti i tij drithërohej, zemra çartej flatronte si zog dhe gjaku vrundullonte në damarë për ti shtuar padurimin e ajgëtimit dhe për ti folur ca fjalë zemre, të cilat sido që të shqiptoheshin, me atë zërin e mekur e të dridhur, ishin fjalë dashurie. Ai i afrohej, e shihte në sy me vështrim lutës e të përgjëruar, i merrte dorën në të tijën dhe i thoshte sa shumë e donte: më shumë se veten, më shumë se jetën, për sot e përgjithmone, ne të ri e pleqëri! Vasha nuk e kundërshtonte, po as i përgjigjej. S’fliste goja, por flisnin sytë, fliste zemra, fliste ajo buzëqeshja e dritësuar, fliste kurmi si lastar dhe ato ulje ngritjet e vrullshme të gjoksit që nga tronditja mezi frymonte. Edhe ajo e donte.     E donte, e donte!

Dikur ajo, me një barrë turp dhe e skuqur si paparune, ia tha: e donte.Buzët u puqën, e puthura kulloi mjaltë, i ngjiti në parajsë. Fjalët e saj, si gugitje pëllumbeshe, ishin jo vetëm të dashura, por edhe të zgjuara, të matura, ajo ishte e mençur, e ditur dhe shpirtmadhe. Pamja e bukur, i përgjigjej edhe një shpirti të bukur. Ai e ndjente këtë me gjithë shqisat. Kjo e lumturonte, e bënte ta donte edhe më shumë, ia zbukuronte ditët, i ndriçonte netët. Një e dashur, që do të ishte shoqe e shtrenjtë e jetës së tij, në të mirë e në të keq, ne hidherime e gëzime. Kur vasha largohej, ai e ndiente veten si të braktisur, të vetmuar. Mezi priste të nesërmen, netët i dukeshin të gjata, priste me padurim agimin e trandafiltë, teksa  ditët të shkurtëra, me kohën që fluturonte bashkë me padurimin.

Kështu përditë.

Mezi i priste të dielat, kur vasha tok me shoqet, si një tufë lule, ku ajo ishte më e bukura, shfaqeshin në oborrin e kishës. Ai hynte brenda, ndizte një qiri, që Mëma e Zotit ta ndihte në dashurinë e tij, pastaj  ulej në ndenjësen e navatës, në atë vend ngaku e kishte  në sy tërë kohën e meshës. Dhe nga shpirti, tok me psalmet,ermirimin e temjanit, buronin vargjet e kangjelave për më të bukurën e vashave, që ai i hidhte në kartë, e më pas i prishte dhe i rishkruante deri sa ato të ishin të bukura si ajo, të ndjera  si dashuria, të drithëruara si zemra,  të vrullshme si rinia.    Netëve, ai ëndërronte, donte ta kishte pranë, të ishin të njeri-tjetrit. I merrte dorën, i shtrëngonte mezin, e shtrëngonte në parzm, i fliste buzë më buzë, mandej i puthte ato buzë si merxhane, ata sy në atë ballë të ëmbël……Por fanepsja hiqej e ai mbetej i vetmuar në mugëtirën e natës në pritje të së nesërmes. Ëndërra  vinte e shkonte, por në zemër ajo i qëndronte.

Kjo ishte dashuria.

I paduruar, për ta parë sa më shpesh, pasditeve, nisi të shkonte në udhëzën e kalldrëmtë të shtëpisë së saj, nën dritare. Vasha shfaqej. Kryet e saj, e qarkonte dritarja si një konizmë bukurie,  balli i saj ndrinte me rreze drite. Ujiste karafilat, manxuranin e borzilokun, që ishin në pezul dhe i hidhte atij ca vështrime të dashura, një të puthur me dorë, dhe hera–herës, një karafil të kuq si gjaku, që ai e vinte në gji si  hajmali të shenjtë. Ai i falte zemrën e tij, plot dashuri e dhimbsuri, se lule e rrallë ajo zemër ish. Shpirti i këndonte me hare.      Në një nga ato pasdite, Zefi që kishte qëndruar nën dritare, u ndodh para një të papriture. Krah tij u gjendën dy djelmosha, të bëshëm, mjekërzez, flokëgjatë, me pushkët e gjahut hedhur në supe.  Zefi i njihte. Edhe ata e njihnin. Ishin Gabrieli dhe Pjetro, vëllezërit e Vashës, që po ktheheshin nga gjuetia. Të frikshëm në pamje, të vrazhdë në sjellje, të ashpër në fjalë. I pari duke e parë me zëmëratë drejt në sy, foli Gabrieli, që ishte edhe më i madhi i dy vëllezërve:

- Ç’kërkon që vjen e rri nën penxhere të shtëpisë sonë? Kemi dëgjuar të thuhen  fjalë. Na kanë thënë gjitonët që të kanë parë edhe herë të tjera, pa kanë nisur të përgojojnë edhe motrën tonë. S’i kemi besuar, por tani të proftasëm vetë. Ke ardhur edhe mbrëmanet me djemuri e ke bërë serenatë. Pa na kallzo!-

Zëri i ashpër, toni kërcënues e vështrimi i vrazhdë. Në pritje të përgjigjes, dukej i gatshëm për sherr. Zefi u zu ngusht. Jo se i tutej përballjes, se kjo një ditë do të ndodhte,s’ishte nga ata që tremben, por nga se ç’do tu thoshte. Ai ishte i drejtë, s’dinte të gënjente, do t’u thoshte të vërtetën. Le ta dinin.

- Vij për Angjelinën, kam dashuri për të, e dua edhe më shumë se veten.

Vllezërit bënë të habiturin.

-Fole dhe një herë se nëng e gjegjëm mirë.

Ai e përsëriti, por shtoi edhe se s’rronte dot pa e parë atë. Ky pohim, i qashtër e thuajse fëmijëror, i zëmëroi më shumë vëllezërit.

- E dëgjove Pjetro? Ky bandill, vjershëtori i strigarit, ka rënë në dashuri me motrën tonë!

Gabrieli iu drejtua të vëllait, pastaj me dorën si panxhë ariu, e mbërtheu fort Zefin për gjoksi dhe e mbështeti pas muri. Sytë iu ndezën flakë, iu zgurdulluan si një të marri dhe u kreshpërua si të ishte para një egërsire. Zefi nuk e kundërshtoi, as bëri përpjekje të shkëputej. Ishte e kotë të bënte sherr. Tek e fundit ata ishin vllezërit e të dashurës.

- Po motra jonë, a të do ty?-Pyeti Pjetro.

- Pyeteni  vetë atë,-qe përgjigja.

- E duam nga ti.

Ai deshi  t’I  bëhej krah vashës, e të mos e rëndonte ndaj të vëllezërve.

- Me gojë s’ma ka thënë. Por sytë që i qeshin kur më has, të kuqtë që i vesh faqet, vështrimet që më hedh, ajo dritë që buron sish dhe nojmat e tjera vajzërishte - më thonë që edhe Angjelina ndjen për mua , atë që ndjej edhe unë për të, e që ne jemi bërë për njerjatërin.

Pjetri qeshi me mllef,si një gulç zemërate,  se e tillë ajo  qe.

- A e ke menduar, ti që s’je i zoti të nxjerrësh bukën e gojës, njeri pa punë e pa zanat, e që tallandisesh lart e poshtë duke kënduar ato kangjelat e tua të çartura, se shtëpia nuk mbahet me vjersha, as me sytë e bukur, as me ëndrrat për diell. Me se do t’ia sigurosh jetën motrës sonë, që e kemi të vetme dhe e duam si sytë e ballit? E ke menduar këtë kur i thua që e do?

- Rrojmë me punën tonë e djersën e ballit. Shtëpia e Mikelanxhelo Serembes, kurrkujt s’ia ka zgjatur dorën, e as do t’ia zgjatim. Por hiqma dorën nga fyti se më zure frymën. Në s’të kthehem nuk e bëj se më mungon guximi apo fuqia. E duroj për Angjelinën. Të dashurosh, me të vërtetë e me zemër, nuk është as  turp, as mëkat, por një bekim. Dashuria është një dhuratë hyjnore. Do ta kuptoni kur t’u ndodhë edhe juve, nëse ju ndodh!

Gabrieli ia çliroi fytin, teksa fjalën e mori Pjetro.

-Dëgjona Zef Serembe ,dhe dëgjona mirë, e fjalët ton veri vath në vesh: që nga ky çast hiq dorë nga motra jonë. Harroje, si të mos ishte. Si të mos e kishe parë ose njohur kurrë! Mos i dil më para-mbrapa dhe mos guxo të vish nën këtë dritare, apo të bësh serenade netëve,me ata xhagajdurët shokët e tu e sjellje të tjera  kësodore, ndryshe do ta pësosh si s’ta merr mendja! Durimi do të na soset e do ta pësosh nga zemërimi ynë.

Fjalët shkrepëtinin e bubullonin.

Heshtje. Ata prisnin një përgjigje.

- Mos ma kërkonin këtë. Unë nuk heq dorë nga dashuria ime. Bëni çtë doni!

Ky pohim, i tërboi të dy vëllezërit.

- Do të vras, ashtu siç vras egërsirat!-E kërcënoi Gabrieli,- dhe  vuri dorën mbi armën e gjuetisë.

-Në keni atë mendje, bëjeni. Vramëni. Ja ku më keni! As i pari as i fundit. Le të jem dëshmori i dashurisë. E ç’ta dua jetën pa Angjelinën!

Pas këtij kërcënimi dhe asaj përgjigjeje, që dukej si prej të marri, ata e zbuan me të shtyra e të shara të rënda, duke e paralajmëruar edhe një herë dhe për herë të fundit.

-Këtë herë, nuk po i ndyjmë duart, por në s’të dhimbet lëkura, duku prapë e do të pendohesh që ke lindur!

Hynë në shtëpi dhe u ngjitën në katin e dytë, në dhomën e Angjelinës, me tërsëllimë e me të shara. Ajo u mblodh një grusht. Pjetro, kur e pa të truar, të frikur e si të përhumbur, i erdhi keq.E donte të motrën. Ajo ishte një vashë ende e parritur, që gjykonte miturisht, mëndje prishur nga pamja dhe fjalët e vjershëtorit dhe, zbuti zërin dhe hakërrimin.

-Gjegjmë mirë motër. Hiq dorë nga zef Serembe. Me se ta ka prishur mendjen, apo me ato vargjet e kangjelave të jermëta. Ai s’është për ty. Sa kohë ai të jetë në katund, nuk do të shkosh te kroi, as te kisha për meshat e së dielës. As do ta shohësh as do të piqesh me ‘të.

- Po sikur të mos bindem?-guxoi e tha Angjelina.

E po, kjo nuk honepsej! E tillë përgjigje, nuk pritej nga Angjelina miturake dhe e drojtur.Ku e gjente atë guxim?

-Motër, hiq dorë sish.Ty të takon një fat më i mirë. Besona. Ne vështrojmë më mërguar se ti. Sa ne s’të do njeri.

Heshtje e rëndë, dhe më pas fjalë më të rënda se ajo heshtje:

-Po s’u binde, do të mbyllim në kuvendin e Karmelitaneve, atje ta shkosh jetën si kallogre! Zgjidh e merr.

Vëllezërit dolën dhe ajo ndjeu kyçin që u rrotullua në bravë.E kishin mbyllur brenda si të ishte e burgosur. Mbeti Brenda si e mpirë, si e goditur nga rrufeja, gjunjët iu prenë,  u plandos në shtrat dhe u shkreh në të qarë me dënesa.

Për Zefin, erdhën ditët e vetmisë e të dëshpërimit. E ndjeu veten të mjerë, kur nuk po i shihte ato bebza të ndritura që bënin të qeshnin  ata sy, që zemrën e saj e bënin aq krenare, dhe që atë e mbushnin plot me dashuri. Ballin e stolisur me rreze dielli, më te dritarja nuk e pa, as të bukurën buzë si lule qielli. Ajo su duk askund, si ta kish përpirë nata. Atëherë gjirin ia mbushi malli dhe ai nuk gjente prehje e paqe nuk kishte. Zefin e shpinin këmbët vetiu te dielave te sheshi i kishës dhe përditë te kroi. Ulej në sofatin e gurtë dhe priste e priste, me shpresë, por më kot. Vasha e gra vinin e shkonin, por jo e dashura e zemrës së tij. E kishin mbyllur si zogun në kafaz. Zemër e ndryrë, dashuri e burgosur. Kishte nga ato gra e vasha, që djalin e mëshironin dhe e vërenin  me keqardhje, për këtë dashuri të pafat, por ca ngjelka gjuhënepërka nisën të hedhin e të presin romuze.

Këto i erdhën në vesh edhe së motrës. Maria-Antonia i tha të mblidhte mendjen, se po bëhej gazi i katundit me ato qëndrime si humbameno i lajthitur në sofatin e gurtë të kroit. Në e donte Angjelinën, ta ndrynte Brenda vetes, e jo që ta dinte gjithë hallku. Se sa mbyllen birat e gardhit, aq mbyllen gojët e fshatit! Mëmë zonja i hidhte ca vështrime  të dhimsura, zemra e mëmës e kuptonte vuajtjen e të birit. Franëesku, që edhe ai kishte dëgjuar ca fjalë në pijetoren e fshatit, deshi të dinte më shumë nga i vëllai, por Zefi nuk u hap me të.

Ç’të bënte? Që të harronte përkohësisht, e të ishte i dobishëm për të vetët, ju bashkua të vëllait në punët e stinës: mihën tokën, tëharrën dhe lidhën hardhitë e rrushit në vresht,  prashitën dhe tëharrën barërat në kopshtin e thjerzave, fasuleve, qiqërave dhe bathëve,që dotë ishin zahireja  e dimërit, morën një vijë uji nga përroi dhe ujitën misrin, kopshtin e perimeve: domateve, specave, patllixhanave, kungujve e trangujve, punuan një ngastër vend për të mbjellë perimet e dimrit, lakrat e preshtë, pastaj i erdhi radha korrjes dhe shirjes së grurit. Punë kishte boll dhe përditë. Zefi, krahas Françeskut, punonte me ashk,  djersitej, e lodhej, duart e pa mësuara me punë ju mbushën me fulltaka e iu përgjakën. Por më kot. Mendimet i shkonin te Vasha , i fanepsej dhe i rrinte në krah, shtatselvi, sy bukur si qielli i mirë, me ata qerpikë si krahë zogu, faqemollë, buzmerxhane dhe ajo buzëqeshje ëngjëllore. Kur binte muzgu, vidhej rrugicës së kalldrëmtë dhe shkonte  anës shtëpisë së saj. Por muret që fshihnin brenda vetes, atë më të bukurën, heshtnin. Drejtonte sytë nga hëna, i lutej që me dritën e saj të hidhte për të një sy brenda e të përshëndeste të bukurën.T’I thoshte sa fort ai e dëshironte. Kur në lindje, mbi Jon lindte dielli, ai donte që si rrezet e tij, të hynte në odë kur vasha  çohej nga shtrati dhe ta vishte me dritë. I lutej erës, që në qetsinë e thellë të netëve, të shpinte te vasha, psherëtimat dhe fjalë dashurie.

Përmëndej. Fanepsja tretej. Mbetej malli. Ai i sëllonte me tërbim truallin me shat si të donte të zbrazte në të gjithë mllef, dertet që kishin pllakosur zemrën e tij.

Një ditë e flaku tej shatin me zemëratë dhe u ul nën hijen e një ulliri. Jo. Ai s’ishte lindur për tu bërë skllav i tokës dhe punëve të rëndomta.

- Më fal vëlla. Mos ma merr për keq. Nuk mundem më. Po të le vetëm. Po iki.

Françesku nuk u habit. E njihte natyrën tekanjoze  të vëllait. Priste të ndodhte. Bile kishte zgjatur shumë.

- Si të duash vëllako, por ku do të shkosh?

- Mos më pyet, as vetë s’e di, por bota është e madhe.

Kishte nevojë të mbetej vetëm me mendimet e tij, të merrte udhët, në hapsirat e pamata, nën kaltërsinë e qiellit, dritën e hënës, blerimin e lëndinave, paqen e pyjeve, të takonte njerëz dhe tu këndonte kangjelat, që kishte thurur për vete , për ‘ta dhe Arbërinë e robëruar. Me një shkop tërë nyje në njerën dorë, që të trembte qentë e staneve, që mund të haste rrygëve, dhe me trastën e librave dhe fletoreve në sup,”Milosaon”në xhep si një hjmali dashurie, mori udhët, shtigjet dhe monopatet që të shpinin në katundet e tjerë.  Ecte dhe mendonte. Bota ishte e çuditshme, një harmoni e përkryer, natyra e mbushur me mistere, të bukura por edhe të frikshme, me ngjarje të gëzuara e ngazëllyese , por edhe tronditëse. Njeriu me gjithë vyrtytet dhe cenet, ishte kurora e saj, ndërsa dashuria shpirti i bukur i gjithësisë. Po i afrohej Maqit. Dukeshin shtëpizat e bardha. Ju kujtua mësuesi, poeti i ëmbël i Milosaos dhe Rinës, De Rada, që ishte nga ai katund. Tani kishte shkelur në të gjashtëdhjetat, i plakur e kërrusur parakohe nga fatkeqësitë, që si ndaheshin. Si të mos mjaftonin burgosjet, sëmundjet, para do kohësh e kishte goditur si rrufe vdekja e djalit Mikelanxhelo. Mos vallë ky ishte shorti i vjershëtorëve, pa gëzim, pa lumturi të vuanin mjerimet e jetës, të gëlltisnin  kupën e hidhërimit?

Ecte dhe ecte. i vetëm, i heshtur, i menduar…..

Ishte një nga ditët e fundit të vjeshtës së dytë. Gjethet ishin zverdhur e kishin nisur të binin, muzgjeve nga mali i Polinit zbrisnin mjegullat e përhinjta e të lagështa, që i davariste era e detit. Dimëri ishte në prag. Në një nga këto dit të mugëta, nga pema e moçme e fshatit, ra edhe një gjethe. Familja e Vashës, mori e shkoi pa kthim në mërgim, matanë oqeanit, në Brazilin e largët. Ai i përcolli me sy të mjegulluar nga cipa e lotëve, gjersa karrua që i mbartëte zbriti deri në fushën e Sibarit për në Kozencë e pastaj në Napoli. Me ‘ta, krah asaj karroje shkoi dhe një pjesë e zemrës së tij, dashuria e pafat, që i la të hapur atë lavomë që nuk do të shërohej sa të ishte gjall. E mbante një shpresë se ku ta dish, një ditë mbase do të shiheshin, si i thoshin asaj fjalës:” Mali me mal nuk piqen, por njeriu me njerinë piqet”

Krisën e ikën. Treqind vjet të shkuar, mendoi ai, arberoret braktisen vatrat e memëdheut, për të shpëtuar nga robëria e turkut. Erdhën e u vendosën në këto vise, që i mbrujtën me djersë e lot e që u bënë atdhe i dytë. Tani po i braktisnin së dyti vatrat e tyre. I shte shfaqur një armik i ri: varfëria.

Kohë më pas, Zefi u punësua rnspektor I bashkisë në San Kozmo.  Kish thënë mirë Gabrieli: shtëpia nuk mbahet e ushqehet me kangjela. E desh nëpunësia që të vishej me sqimë, si zotri , e të dukej mirë në sy të njerëzve. Ata që kishin nevojë për shërbimet e tij e thërrisnin “Don Xhuzeppe”, nuk i kundërshtonte dhe mundohej tu kryente punë. Me atë rrogë e të hyrat nga ekonomia e tokës, jeta e familjes u përmirësua.Për të motrën, Maria-Antonian u kujtuan. Nisën t’i kërkonin dorën dhe e fejuan me një djalë të fisëm prej një shtëpie të mirë arbërore nga Mbusati fqinj. Në shtëpi ra paqia, harmonia dhe qetësia. Françesku kryente punët e bujqësisë. Në vjeshtë vinte në punë lutërvinë që ishte në oborr dhe bluante ullinjtë e nxirte vajin e gjithë katundit. Mëma dhe Maria Antonia kujdeseshin për punët e shtëpisë, shpesët dhe gjënë egjallë që e mbanin në haur.

Nuk ishin bërë tre vite në bashki, kur atë e zëvëndësuan me një jurist që erdhi nga Kozenca.

Zefi mbeti sërish në rrugë të madhe. Mori udhët  dhe nisi të mbledhë katundeve nga goja e të moshuarve, balada e këngë të vjetra, ku regëtinte shpirti dhe malli për Arbërinë, që: ”Si e lam e më s’e pam”

3. Lajmi i kobshëm

Mëmëzonjë Maria,që po matej diç t’i thoshte, e pa me ca sy të dhembsur, të menduar, të butë si të kadifejtë, të mëshirshëm e të keqardhur. E tërhoqi nga vetja dhe e përqafoi. Zefi e ndjeu se diç donte ti thoshte. Mbështeti kokën në supin e saj që përherë i falte prehje dhe priti.

Lajmi ishte i kobshëm. Angjelina kishte ndërruar jetë, atje në dheun e largët e të huaj. Shpirti i saj kishte fluturuar në parajsë,  te ëngjëjt, se edhe vetë ajo një ëngjëll qe. Lajmin e kishin bërë të ditur të afërmit e tyre që kishin marrë një letër nga vendi i mërguar. Zefi e përqafoi fort të ëmën. I doli vetëm një ofshamë, nuk foli. Por gjëma  qe e thellë , ulëritëse, vajtimi i përzishëm ushtoi në brendësi të zemrës si tingëllimi i kambanave në mort. Vdekje mizore, si more të tillë bukuri, si shove atë jetë të mbushur plot me dashuri? Ishte një vdekje që jo vetëm e hidhëroi por edhe i rebeloi shpirt e zemër aq sa në heshtje blasfemoi e troi, zot, qiell e dhe. Ngushëllimi i mëmës nuk e qetësoi. U shkëput nga përqafimi i saj dhe gjunjëprerë u ul në divan. Mori kokën me të dy duart, si të donte të mbante të ndryrë mendjen që të mos i fluturonte.

O Zot! Kishte vdekur e dashura, por jo dashuria, se dashuria është e pa vdekshme.

E ëma ia largoi duart nga kryet dhe butësisht me dy gishta i ngriti kokën  që ai ta shihte në sy.

-Bëj durim. Mëndjen te Zoti. Mos e ler veten të mbytet në detin e hidhërimit.   Angjelinën perëndia e ndjeftë, i qoftë  dheu i lehtë.Të gjithë jemi bij të vdekjes e do të ikim nga kjo botë. Ja që e tillë është vdekja: nuk njeh as radhë as moshë. S’e dimë se kur, por një gjë e dimë: që jeta jonë është e përkohshme, një ditë ajo do të vijë të na marrë për në amëshim. E dhimbshme sa më s’ka, por ky është vullneti hyjnor, e duhet ta pranojmë. Le ta mëshirojmë dhe lutemi për të, që shpirti t’i prehet në paqe.

Të mënçura fjalët e mëmës, por nuk ishte ai balsam që i duhej zemrës së tij të lënguar. Pa folur një fjalë, u ngjit në dhomën e tij. Këmbët e shpunë vetiu te dritarja. Vinte shpesh këtu, sa herë donte që të qetsonte shpirtin e trazuar. Pertej, gjer larg në horizont hapej një pamje magjepsëse, kodrina të gjelbëruara, fshatrat e bardha mbi to, rrugët dhe monopatet, mali i Polinit, fusha e Sibarit dhe më tej në lindje deti Jon, e matanë detit Arbëria e pa harruar,dheu i të parëve, që s’dukej, por dërgonte si per t’i përqafuar brigjet, dallgët shkumëbardha.

U ndje i vetmuar dhe i dëshpëruar si asnjë herë më parë. Edhe pse Angjelina ishte larg, ai e ndjente pranë, në gjithë qënien , ajo ishte në zemrën dhe shpirtin e tij, në mendimet dhe në vargjet e kangjelave. Ai mendonte për të dhe me siguri edhe ajo atje larg  po ashtu. Tani që ajo s’ishte më në këtë jetë, ndjehej fillikat dhe i vetmuar, i harruar. E kush e kujtonte dhe mendonte më për të? Edhe në katund ndjehej si i braktisur. Askush nuk e kuptonte, kishte dhe nga ata që e quanin si të lajthitur! Thuhej edhe në bibël, profetin se besojnë në vendin e tij.I dukej se gjithëçka, për të mori fund dhe, i dukej se koha humbi krejt te hiçi!

Befas ndjeu një dhimbje therëse e të hidhur  në vesh. Vuante prej saj që në vegjëli, ajo u bë shkak që të linte në mes shkollën . I ngjallej sa herë ishte i tronditur. Mpirja e fytyrës dhe mjegullimi i vështrimit, bënë që t’I merreshin mendtë dhe  të dëgjonte në kokë ushtimën e ca zërave si rënkime të mbytura. Iu duk se ato vinin nga larg, andej përtej përrenjve, si një vajtim i hollë i shpirtërave, që i sillte, dhe përcillte ajri, si mjerim të kësaj mbrëmjeje,  për ti kujtuar mallin e pashuar për dashurinë e humbur. Se ajo dashuri s’ishte e ëndërrt, por e njëmendët, e vërtetë, që e bënte të ndjehej njeri.  Priti që dhimbja dhe jehona e zërave të fashiteshin. Pastaj ai mori një vendim:

Do të merrte udhën e detit që do ta çonte  në Brazilin e largët! Do të ikte, jo vetëm për kujtim të dashurisë, por kjo shtëpi, me varfërinë e saj, nuk mund ti mbante të gjithë. Ku ta dish, atje ku do të shkonte, mund ta përmirësonte jetën e vet dhe të nxirte librin e parë me kangjela, që ishte një nga dëshirat e pa realizuara.

4.Në kërkim të dashurisë së humbur

Atë mëngjes,Mëmëzonja, Françesku dhe Maria Antonia,prisnin në hajat  të shqetësuar e me mallëngjim përcjelljen e Zefit, që e kishte ndarë mendjen për të ikur. Ai, i bërë gati për udhë, zbriti nga shkallët dhe  iu afrua së ëmës:

-Bekimin tënd mëma ime.

E  ëma, shpresëpakët, priste se mbase i biri do të ndrronte mëndje. I ishte lutur që të mos shkonte. Qe e kotë. Ajo e njihte të birin. Ai ishte ndryshe nga Françesku dhe Maria Antonia. Ndryshe edhe nga bashkmoshatarët e katundit. Disi i vetmuar dhe i heshtur, që i pëlqente të udhëtonte; ëmdërrimtar; që sodiste netëve yjet dhe mahnitej nga drita e hënës; me sqimë në të mbajturit e vetes; i dhënë pas leximit sa që kur zhytej në libra, harrohej të përmëndej. Dinte ta çmonte bukurinë dhe të bukurën, ta gëzonte jetën, thurte vjershat si t’i buronin nga shpirti. Zemra e tij kishte butësinë dhe dashurinë e brishtë të një fëmije, por edhe vendosmërinë dhe guximin e një burri, kur ishte puna për të marrë vendime  për jetën, apo për të dënuar padrejtësinë. Ai donte të ishte i lirë si një zog dhe të merrte fluturim në kërkim të fatit dhe lumturisë së tij. Rebel e luftëtar,sipas mënyrës së tij, ndaj padrejtësive të jetës dhe prapësive të fatit, si i ndjeri i ati Mikelanxhelo,luftëtari i paepur kundër tiranisë. Si ai, i biri kishte shpirt krenar e liridashës, adhuronte luftëtarët e lirisë, që si duronte padrejtësitë, por edhe i ndjeshëm, bujar , i dashur, e ëndërrues si ajo vetë. Andaj ai nuk e duroi dot humbjen e asaj dashurie të parë fatkeqe. Kaq dinte ajo për të birin. Por kjo të ishte vallë e gjitha? ” Jo, -mendoi ajo,- mendja e njeriut është  pus i thellë e plot mistere.”

Ai po nisej për atje ku vasha ishte varrosur.

Dhe i kërkonte bekimin.

-Bekimin tim, bir- dhe i bëri kryqin- Madona të pastë nën kujdes dhe udha të qoftë e lehtë dhe e mbarë. Do të lutem për ty - Pastaj e përqafoi, sido që u përpoq nuk e mbajti dot ngashërimin.-Ti po ikën në kërkim të fatit tënd, por në u kthefsh, mbase mua nuk do të më gjesh.  Atëhere ndiz një qiri dhe lutu për shpirtin tim.

Ishte një lamtumirë.

E dhimbshme ndarja. Asaj iu duk se po i shkëputej një copë nga zemra. Eh, nënë qofsh, e nënë mos qofsh! Një pikë lot i rrodhi në faqen e brazduar nga rrudhat.

-Mëmë, mos bëj kështu.S’po të le fillikat. Françesku dhe Maria Antonia do të kujdesen për ty. Edhe unë do të shkruaj shpesh. E puthi në ballë pastaj i mori dorën e rreshkur e vuri pranë zemrës së tij dhe mandej ia puthi. Nxori shaminë dhe i fshiu lotët.

-Të lutem, buzëqesh, nuk dua të marr si kujtim të fundit lotët, por buzëqeshjen e mirë që rrëfen dashurinë e mëmës për birin. Se ti tërmonë më ke dashur. Apo s’është kështu?

Mëmëzonja, mori nga komoja një tufë me lireta dhe ja zgjati.

-Nuk më ndodhen më shumë, merri t’i kesh për udhës.

-Faleminderit nënoke, nuk mund t’i pranoj. Kam mjaftueshëm nga kursimet e kohës kur punova në Bashki, hem për të paguar udhëtimin  hem për shpenzimet e ditëve të para kur të mbërrij.

-Po më pas?

-Me të parë e me të bërë. Atje ku shkoj është vend i madh. Zoti ka për të gjithë!

U nda edhe me të motrën. Ajo e përqafoi fort, i tha “Vëllaçkua im fatkeq” dhe u shkreh në të qarë. Ai, vëllai I madh, s’do të ishte në martesën e saj që ta shpinte në altar.

Françesku do ta përcillte deri në Kozencë, nga ku Zefi do të merrte rrugën për Napoli. Dolën të dy, të ngarkuar me valixhet, ku ishin ndryrë plaçkat e domosdoshme për udhës. Zefi ecte me hapa të ngadaltë. Hidhte vështrimin herë djathtas herë majtas, hem përpara hem prapa. Shtigjet, monopatet, përrenjtë, kruan, katundin me shtëpitë e bardha dhe kambanaren e kishës, bashtinat me ullinj, limona e portokalle. Vendet ku kish qeshur e ku kish qarë, ku ish gëzuar dhe ku ish dëshpëruar. Gjithandej ishin gjurmët e tij, që nga fëmijëria e gjer sa u burrërua. E mbyti vërshimi i kujtimeve  të pashlyeshme. Ndjeu një shtrëngesë në zemër. Bashkë me këto vise të dashura, po linte pas tridhjet vjet të jetës së tij dhe po shkonte drejt së panjohurës, në një vend të largët.

5.Nga Strigari në San Paolo

Vapori “Mbretëresha Viktoria” i linjës Napoli-San Paolo, pas tri dit lundrimi në det të qetë, la pas Mesdheun kur kaloi Gjibraltarin dhe hyri në oqenin Atllantik. Mori për nga jugu, përballë  brigjeve të Afrikës së Veriut. Kaloi midis ishujve Tenerife dhe Grand Kanarie dhe zbriti posht drejt tropikut. Ishte i mbushur cit, me familje italiane që merrnin mërgimin. Kishte aty siçilianë, kalabreze, puliezë, lombarde, burra e gra, fëmijë, pleq e të rinj.Të gjithëve u dukej në sy e pamje trishtimi dhe malli për çka kishin lënë pas dhe dyshimi e padurimi për të panjohurën drejt së cilës kishin marrë hullinë e ujshme të detit.

Zefit i qëlloi për shok në kabinën e vogël një bashkmoshatar, edhe ai i “Gjakut të shprishur” nga Porto Kanone i Molizes, që edhe ai kërkonte fatin në vendin e largët. E quanin Damian. Kuvendonin në gluhën e ëmbël arbërishte. Damiani u mrekullua kur Zefi i tha se ishte vjershëtor dhe shkruante kangjela në arbërishten e bukur. Për të vjershëtorët ishin magjistarë të fjalës, shënjtorë të dashurisë dhe profete që parathoshin të ardhmen. Iu shtua nderimi për shokun e udhës dhe netëve, i lutej t’i këndonte kangjelat e mallit dhe dashurisë për vashën. Dhe Zefi nuk ia përtonte. Netëve, dilnin në kuvertën e vaporit, nën vesimin e dritës së hënës dhe yjeve, që derdheshin nga kthjellësia e qiellit tropikal, me ze kumbues e plot ëmbëlsi recitonte vjershat  me fjalët e bukura të arbërishtes, kushtuar dashurisë, mallit, katundit që la pas dhe ato për Arbërinë që rënkonte nën robërinë e turkut. Damiani e dëgjonte me adhurim dhe i përpinte i etur vargjet, qe filloi t’i mësonte përmënç e ti recitonte dhe vetë.

Lundrim i gjatë, monoton, i mërzitshëm e pa ndonjë ngjarje të veçantë nga ato që shpesh ndodhin në oqean. Oqeanit nuk i dukej as fillimi as fundi. Uji i syprinës së detit, si në të gjelbër, tallazitej e shkumëzonte nën vrullin e erërave. Në të katër anët e horizontit qielli puqej me detin.Dielli lindëte e perëndonte nga deti e mbi det, duke e skuqur atë me ndriçimin e përskuqur dashuror, që ishin të puthurat e takimit dhe të ndarjes. Qielli i lartë, i kthiellët, i kaltër e i ndritur sa të merrte sytë. Kur hynë në tropik, netëve në kabinë të nxehtit u bë i padurueshem. Zefi dhe Damiani u ngjitën në kuvertë. Nuk ishin të vetëm. Në muzgun e natës dalloheshin siluetat e udhetarëve që kishin dalë për fresk. Qetësinë e natës e prishte vetëm gulçima e motorrëve që villnin tym të zi nga dy oxhakët. Qielli stolisej nga miriadat e yjeve. Vetulla e hënës kishte qëndruar mbi syrin e një ylli. Të dy heshtnin para madhështisë së natës. Hera-herës, shkëputej ndonjë yll që linte pas vazhdën e ndritur dhe shuhej ngadalë. Damiani i mahnitur nga pafundësia e qiellit  dhe misteri që fshihte nata, i  bëri një pyetje të çuditshme:

- Beson në Zot dhe mrekullitë?

Zefi s,u përgjegj menjeherë.

- Besoj. Si gjithë fatkeqët, kujtohem shpesh për Të, e pyes dhe i lutem. Por Ai nuk kujtohet për mua. Nuk më kthen përgjigje, por as më mbron  nga e keqja dhe varfëria. I lutem të mi kursejë hidhërimet dhe vuajtjet e trupit dhe të shpirtit, të mi bëjë më të bukura ditët e më të lehtë barrën e jetës, që më rëndon në shpirt e mbi supe. Gjithsesi, e mendoj thellë jetën e pasjetën dhe nuk i mbaj mëri, duke shpresuar që një ditë do të më gjegjij e do të mi bëjë të bardha ditët dhe vitet që vinë!

- Po ti?

- Prifti ynë, papa Andrea, që është njeri i ditur, thotë që  dashuria në zot, gjuha dhe arsyeja, na bëjnë që të dallohemi nga kafshët. Dhe unë i besoj, se papa Andrea është njeri i ditur dhe në meshat e së dielës na sjell fjalën e Zotit, të Birit dhe Shpirtit të shenjtë, dhe porositë sesi të ruhemi nga mëkati dhe ta duam të afërmin si veten.

- Pse tu kujtuan këto, në këtë çast?

-Nuk e di si më erdhi. Mbase nga bukuria e kësaj nate, nga qielli i mbushur me yje, nga drita e hënës, nga oqeani i pafund e plot mistere, që janë vepra e krijuesit e që s’i rrokim dot me gjykimin tonë. Damiani po filozofonte me misticizëm.

Ra sërish heshtja.

Kur nuk pritej, ajrin e drodhën tingujt e kitarës, që kumbuan dhe u përhapën në natën e larë me dritë hëne. Vinin nga kiçi i vaporit. Më pas, Kumboi zëri i këngëtarit, i thellë, i drithëruar, si një klithje dëshpëruese  dhe e pangushëllim, nga zemra e lënduar dhe shpirti i plasur, për dashurinë e humbur, të lënë pas në atdheun e largët.

Për Zefin, drithërima tingëllore e telave të kitërës, zëri i përmallshëmi i këngëtarit, fjalët dëshpëruese për dashurinë e bjerrur, ishin në harmoni dhe  i bashkoheshin, vetmisë dhe magjisë së mistershme të natës tropikale. E gjitha u bë shkak që të pushtohej nga vërshimi i lumit të kujtimeve dhe përjetimeve vetjake. Një gulsh iu mblodh në grykë dhe rënkoi dhimbshëm.

- Je mirë? –Pyeti Damjani.

- Jo. Mu ngjallën ca kujtime, por do të më kalojë. Po kthehem në kabinë.

Damiani i bëri shoqëri. Zefi nuk vuri gjumë në sy. Atë natë morën jetë vargjet aq të ndjera të kangjelës që ai e quajti “Elegji”

Më në fund udhëtimi përfundoi. “Mbretëresha Viktoria” hodhi çengelin në portin e Santos, që lidhte brigjet e oqeanit me San Paolon.

Zefi dhe shoku i udhës, Damiani, zbritën në bankinën e portit. Rrëmujë e rrëmet. Pasagjerë që zbrisnin, të tjerë që hipnin, gjithandej hamenj zezakë që ngarkonin thasët e kafesë dhe sheqerit në anijet që do të niseshin për Europë, të thirrura e të bërtitura të hamenjve: hoop, hoop, dhe në ajr  pulëbardhat, që ciasnin. Zunë radhën dhe paraqitën letrat te kabina e doganës. Doganierët, bënë një sërë pyetjesh rutinë dhe kontrolluan me imtësi valixhet, i bënë lëmsh teshat dhe si s’gjetën gjë të dyshimtë, i lanë të kalonin. Në veri të portit, në ishullin “Karaguata” ishte stacioni i trenit. Kishte dy vjet qe Santosi ishte lidhur me hekurudhë me San Paolon. Pritën sa erdhi treni i radhës . Në të dy anët e hekurudhës, hapej pamja e ultësirës tropikale me gjelbërim të harlisur. Përmes kënetave dhe liqeneve të cekët, ishin ndërtuar ura me këmbë betoni dhe hekurudha  çante drejt e pa kthesa.

Kishte ardhur në tokën e premtuar, të huaj e të panjohur. Tokë e premtimeve apo e zhgënjimeve? S’dinte t’i jepte përgjigje. Në hapat e parë që hodhi, bëri një lutje: u beftë më e mira!

Në stacionin  e zhurmshëm, që ishte në skaj të qytetit, prisnin karrocat që ftonin udhëtarët. Zefi, u nda me Damianin. I dha karrocierit adresën e Kostandin Pozitos, arbëresh nga Vakarico, mik i tij i hershëm i ardhur prej kohësh në San Paolo, e që ishte zënë mirë në tregtinë me shumicë të bananeve dhe kafes. Karroca çau drejt udhës  së gjerë në breg të lumit Tiete, kaloj urën dhe zbriti në jugë në rrugën që ishte anash lumit Tamunduatei, për të hyrë në rrugën”David Bigio”, ku gjendeshin magazinat dhe shtëpia e Kostandin Pozitos.

Për kohën që bëhet fjalë në këtë rrëfim,San Paolo ishte një qytet me tridhjet e një mijë banorë. I themeluar që më 1554, nga vëllezërit jezuitë, që ngritën aty misionin e tyre të Shën Palit (Portugalisht Sao Paolo). Rreth kësaj bërthame, qyteti u rrit nga emigrantët, sidomos pas kultivimit të kafes, kallamsheqerit, bananeve dhe duhanit. Më 1827 u hap universiteti i drejtësisë dhe qyteti u mbush me studentë. Mbreti portugez, e shpalli “Qytet Imperial”. Lidhja me hekurudhë me portin e Santos i dha hov eksportit të mallrave dhe pasurimit të qytetit. Dyndjen më të madhe të emigracionit e zinin italianët, që kapnin afro gjysmën e popullatës banuese të qytetit.

Kostandin Pozito dhe e shoqja, sinjora Sofia, e pritën bashkvendësin e tyre, Zefin, me mall, krahë hapët, se ai vinte nga viset atërore, katundet arbëreshe. Shtëpia ishte e madhe, me shumë dhoma, të gjitha të pajisura mirë.

-Sa kohë që nuk do të vendosësh ndryshe, do të banosh tek ne. Shtëpia është e madhe dhe do të jesh shoku ynë në tryezë, ku do të shtohet edhe një pjatë për ty. Kuptohet, pa asnjë pagesë. Jeni mysafiri ynë.Apo jo Sofia?

Sinjora Sofia, që e dinte nga i shoqi, historinë sa romantike dhe tragjike të dashurisë së mysafirit,  buzëqeshi me mirësi dhe e pohoi me një tundje të lehtë te kokës.

Zefi e falnderoi për bujarinë e tyre. Shërbenjsja e shtëpisë , një zezake thatime dhe shtatvogël, e pafjalë, që ishte një ish skllave e liruar, i mori valixhet dhe i çoi në katin e dytë, në dhomën që ishte gatitur për zotrinë.

Të nesërmen, pas sillës, u ulën në salon, ku u shërbyen kafen. Biseduan gjatë.Zefi i foli me ngashërim për dashurinë e tij. Njëri nga qëllimet e kësaj ardhjeje, ishte shlyerja e një pengu. Të ndizte një qiri, të vinte një tufë lule mbi varrin e saj dhe t’I fliste ato fjalë zemre që s’kishte mundur t’ia thoshte kur e dashuronte. Kostandini i njihte vëllezërit Peta, Gabrielin dhe Pjetrin.E dinte për vdekjen e motrës së tyre Angjelinës. Thoshin se ishte vajzë shumë e bukur por qëlloi e pafat e jetëshkurtër. Vdekja e saj i pikëlloi të gjithë. Ishte aq e re! Kostandini kishte qenë në varrimin e saj, bashkë me shumë  abëreshë të tjerë. E varrosën në  varrezën e vjetër të  “Vale da Paz”, që gjendej në juglindje të qytetit. Në një ngastër të ndarë për italianët.

Zefi deshi të dinte nga se kishte vdekur.

-Sakt nuk e di, por thonë se ajo lëngonte nga një sëmundje e panjohur. Edhe klima e këtushme nuk e mori për mire. Ishte tërë kohën e trishtuar, pa gjallëri, e mërzitur dhe u shua e u tret dal e ngadalë pa  gjetur shërim.

Kostandini e pyeti edhe me se kishte menduar të merrej në ndërkohën që vinte. Zefi I tha se kishte një letër rekomandimi nga princesha Helena Gjika,që ishte arbërore nga gjaku dhe njihej si Dora d’Istria, për në oborrin e perandorit Pedro II. U duk që Kostandinit nuk i pëlqeu ajo ide, ndaj ai i tha:

-Sido qoftë derisa të marrësh një vendim, e po pate nevojë për punë, kam bosh vendin për një sekretar që të mbajë të hyrat e të dalat. Mund të fillosh në daç që nesër.

6 . Lule mbi varrin e të dashurës.

- Për në qimiterin “Vale da paz”- i dha Zefi  adresën karrociert.

Karroca e la rrugën kryesore dhe hyri në një dytësore, me shtëpi të vogla më të majtë e të djathtë, të kredhura në gjelbërim, e mori për nga jug-perndimi. Karrocieri e kuptoi nga theksi që udhëtari i tij ishte Italian. Edhe ai vetë ishte siçilian nga Amalfi. Si gjithë shokët e profesionit të tij, ishte qejfli  bisedash, aq sa kur s’kish me kë të fjalosej bisedonte me kuajt e tij. Nisi t’I bënte Zefit një sërë pyetjesh. Por Zefit, që mëndja i shkonte në të tjera vise, nuk iu përgjegj dhe ai nisi tu grahte kuajve. Anës rrugës hasën në një dyqan lulesh. Zefi zbriti dhe zgjodhi njëzet e një trëndafila flakë të kuq dhe po aqë zambakë të bardhë. Pasi dolën nga lagjia e jashtme e qytetit, u shquan në largësi qiparisat e varrezës dhe kambanarja e kishës brenda saj.

-Ta pres zotrinë, apo të shkoj?-Pyeti  karrocieri.

-Po. Më prit.

Kujdestari I varrezës, pa t’i qëndronte para vetes një djalosh të hijshëm dhe elegant, por të pikëlluar që mbante në duar tufat e luleve.

-Me se mund ti shërbej sinjorit?

-Të më përcillni te varri i Angjelina Petës.

-Ajo vajza e re itliane që vdiq motin e shkuar?-Pa pritur përgjigje ai e ftoi që ta ndiqte. Zefi i shkoi pas.

Varreza ishte e vjetër, nga koha e misionarëve jezuitë por e mirëmbajtur. E thurur me mure të lartë. Në tëdy anët e rrugicës së shtruar me zhavor, gjendeshin varret e vjetra. Kishte syresh varre të pasurish, madhështorë, me statueta shënjtorësh e ëngjëjsh,  të ngritur me mermer, me kryqin në krye dhe emrat e të ndjerëve, dhe kushtimin e familjarëve, thurur me kangjella hekuri dhe  truallin mbjellë me trëndafila, dhe varre të varfërish, që i kishte mbuluar bari, vetëm me nga një kryq. Qetësi varrezash , e zymtë, si në shkretëtirë. Shkretëtira e të vdekurve. Dëgjoheshin vetëm hapat e tyre në zhavorrin e udhëzës . Anash, ngriheshin siluetat e trishtuara të qiparisave që hidhnin hijen e tyre të përzishme. Kujdestari  i varrezës i ndali hapat te një varr i ri. Kishin mbrritur.

-Sinjor, këtu prehet e ndjera Angjelinë Peta, që Zoti e mëshiroftë. Po ju lë vetëm,- i  tha dhe u kthye nga  kish ardhur.

Varr i varfër, mbi të jeshilonte bari.Në krye një kryq dhe emëri : Angjelina Peta,1853-1874. Zefi u ngashërye, ishte në atë truall të shënjtëruar, nën të cilin pushonte në paqen e amshuar, me dashurinë e Zotit, më e bukura e vashave. Vuri në krye buqetën e trandafilave, të kuq si gjaku ashtu si zemra e të dashurës, dhe zambakët, të bardhë si dashuria e tij e pafat. Pastaj ndezi qirinjtë, për të përndritur shpirtin e saj. U afrua me ndrojtje  në krye, pranë kryqit, atje ku duhet të ishte nën dhe, koka e saj e bukur, dhe i foli, zëdredhur:

“Angjelinë, vasha ime e bukur, dashuria ime e parë dhe e vetme.Kaptova det e stere dhe erdha. Erdha tek ti, të derdh  lote dhe të të them ato fjalë zemre që më sfilitin shpirtin tim të gjorë. Ti ike, mbeta i vetëm, dhe eca rrugë më rrugë pa  gjetur pushim, duke kujtuar mallin që shkoi e vate. Vija te sheshi, te shtëpia e heshtur, nën ato mure, që gëzoheshin dikur se në atë strehëz, jetonte më e bukura e vashave, që ishte lulja më e zgjedhura e kopshtit tonë. Ashtu siç vija atëhere, kur ato mure ty të fshihnin, dhe vetëm brenga ime dhe hëna mund të hidhnin një sy. Ti ike, erdhe në këtë vend të largët. Mbeta i vetëm, kush më dëgjonte dhe  kujtonte mua të zinë? Lutesha të më shfaqeshe e të ma thoshe ku je, fluturim aty  të vija, të të shihja si aso here kur ti nga mua largoje retë e zeza, që  më rrethonin, e ndrisje si diell netët e mia të vetmisë; të të përqafoja, të ndjeja si rrihte zemra jote, e të puthja ato buzmerxhane; dhe ata sy në atë ballë të ndritur porsi rrezja e diellit, e qiellit yjzbukuruar, ku ngjiteshin të gjitha shpresat tona.

Ti ike Angjelina, e bukura ime. Më le në dëshpërim e shpirt brengosur. Me plagën e hapur që s’gjente shërim. Ngushëllimi im mbetën kujtimet dhe ëndërrat, ku ti më shfaqeshe si një ëngjëll, e qeshur ,e dashur, gjendeshim në krahët e njeri-tjetrit. Isha aq i lumtur, sa që s’kisha gajle  ahere, po të më dilte përpara qefini i vdekjes, do ta shihja pa helm e mëri, bile me gaz në buzë, jetën që po më shuhej.Do të ishte ashtu si dielli, që bukur perëndon e lë prapa të skuqur qiell e dhe!”Ti ike dhe u shove në këtë vend të largët e tëhuaj, si dielli që perëndon e më nuk lind, për të më lënë mua në errësirë dhe mallin tim të pashuar”

Zefi heshti. Por kishte aq gjëra për të thënë! Mendimet i vinin të rrëmujshme e pa rend. Ndjehej shpirtvrarë, trupdërrmuar e i këputur, i rrethuar nga misteri i heshtjes së varrezës dhe i dritës së  mugët. S’e mbajti dot veten. Lotët i rrodhën vetiu e pikuan mbi tokën e etur të varrit dhe depërtuan thellë në errësirën e dheut. U ngrit një  puhizë e beftë, ajri u drodh,si tëkishin rrahur krahët e ëngjëjve, degët e selvive psherëtinë. Si i  pjellë nga  dheu u shfaq një pëllumb i bardhë, që pasi  flatroi rrotull  mbi kryet e Zefit, u ul mbi kryqin e varrit.

Së thelli dheut erdhi një rënkim , një zë i vuajtur, i mbytur i thellë. E njohu. Ishte zëri i Angjelinës.

“I dashuri im fatkeq, oh ta dish sa fort, me zemër e shpirt të kam dashur edhe unë, sa s’ta rrëfej dot me fjalë. Ishe ti që më ngjalle dashurinë, vështrimet e tua të përndritura e të përgjëruara, pamja jote fisnike e djaloshare, fjalët e ëmbëla e të zjarrta, që më drithëruan trup e shpirt. Përqafimet e tua, shtrëngimi i duarve, të puthurat e pafajshme, më bënë të jetoja në tjetër jetë, në tjetër botë, në një qiell me yj e dritë hëne.Dita ishte tjetër ditë edhe nata tjetër natë, si në ato kangjelat që mi këndoje mbrëmanet te kroi.

S’qe e thënë, ne na ndanë, vrazhdësisht dhe mizorisht.Vuajta, por s’kisha fuqi të kundërshtoja, por ti ishe me mua, në mendimet e mia, në dëshirat, ditëve dhe netëve. Që kur vëllezërit më ndrynë brenda mureve, që u bënë burgu i dashurisë sonë, më s’të pashë. I dashuri im i mjerë. Si të mos mjaftonte ndarja me dhunë, morëm rrugën e mërgimit. Ikëm, por në Strigari mbeti  gjithë vajzëria ime. Këtu në dhe të huaj, larg teje, më piku malli, gjersa u shova dhe po tretem nën këtë dhe. Tani që erdhe, fole fjalët e zemrës, më ndeze qirinjtë për të më ndrçuar shpirtin, do të prehem e qetë e në paqe. Paskëtaj qofsh me fat dhe gjetsh lumturinë tënde. Lamtumirë dashuria ime e vetme dhe e pafat

Zëri heshti. Rënkimi i dheut u prajt, puhiza e erës u meh dhe pëllumbi i bardhë u ngrit fluturim duke rrahur flatrat drejt kaltërsisë së qiellit. Zefi  u përmend. Mendueshëm,   me çape të ngadaltë, mori udhën e kthimit. Do të jepte gjithçka që të kthente motet e shkuar, por ja që s’ishte e mundur.Në këtë varrezë kishte lënë pas dashurinë dhe rininë e tij.

Ç’e priste në ditët dhe vitet qe vinin? Ç’kishin paracaktuar për të Zoti dhe fati? Këtë s’dinte ta thoshte. Rruga ishte ende e gjatë dhe me plot të panjohura.

Tiranë,  2015- 2019.

Shënim.Per të shkruar këtë novelë , u morën për bazë  vjershat e Zef Serembes dhe libri i Prof.Nasho Jorgaqit”Udhëve të mergimit”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora