Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edmond Shallvari: Ç'u bëmë kështu!

| E diele, 05.10.2008, 04:16 PM |


Ne muajin gusht (2008) doli nga Enti Botues:"D.I.J.A.-Poradeci", libri i trete i autorit Edmond Shallvari, por i dyti me poezi, "Ç'u bëmë kështu!"

Redaktore: Afroviti Gusho
Korrektor: Ilir Buzali
Kopertina: Koco Veshi
 
Libri permban 80 poezi, shkruar ne periudhen kohore, Maj-Nentor 2008 ne Selanik te Greqise, ku dhe jeton familjarisht prej vitit te mbrapshte 1997.
 
Autori:
 
"Nuk di, nëse mund të ketë pas kësaj jete, ferr më të keq dhe parajsë më të mirë, nga ç’ka provon në këtë jetë krijesa njerëzore. Nuk di, nëse arshiva e ferrit dhe parajsës imagjinare mund të ketë më shumë djaj e ëngjëj, nga ç’ka djaj të kthyer në njerëz dhe njerëz të shfaqur si ëngjëj, arshiva pa mbarim e realitetit njerëzor.

Por di ama, që ndryshe nga ç’thuhet për mëvetësinë e ferrit dhe parajsës imagjinare, në të gjallë tonë ka një mpleksje kaq të koklavitur mes tyre, sa dhe Zoti vetë është tërhequr dhe na i ka lënë ne në dorë t’ja dalim mbanë.

“Ama kështu qenka?”, ka menduar gjithmonë krijesa njerëzore dhe qysh në hapat e para të shoqërisë e deri më sot, s’ka bërë gjë tjetër, veçse ka krijuar jetë parajsore me mjetet e ferrit dhe jetë ferri me mjetet e parasjës. Nuk është aspak e zorshme ta ndjesh, ta shohësh dhe ta provosh, në forma e reaksione të ndryshme, këtë të vërtetë mijravjeçare, qoftë dhe në çaste të zakonshme të jetesës". (Nga libri im, "E megjithate...jetojme!")
Edmond Shallvari

Disa nga poezite e ketij libri:


Besoj

Besoj përtej besimit njerëzor
Ja që të tillë e kam besimin
Përtej kishës, Muhametin shikoj
Dhe përtej xhamisë, Krishtin.

Të dy për qiellin s'mbajnë mëri
Në copra më vete s'i ndan' yjësitë
Bashkë dëgjojnë hoxhën mbi xhami
Dhe bashkë sigurisht, këmbanën mbi kishë.

Të dy njëlloj e kanë besimin
Me njeri-tjetrin s'i shoh të grinden
Të dy njëlloj lëshojnë rënkimin
Se për njeriun, njëlloj ndjejn' dhimbjen.


Aah, maska!!!

Kur e vure në fytyrë
Zë të njëjtë prap' dëgjova
Nuk të morra për të dytë
Të dallova, mor, të dallova!

Po kur shpirtit i vure maskë
S'i besova surratit tënd
Ndryshe brenda e ndryshe jashtë
Mbamë o Zot, mos luaj mendsh!


Pak...

Më prek Toka
Dhe qielli gjithashtu
Më prek dielli
Dhe gjithshka këtu.

Dhe veten e ndjej
Pak qiell, pak Tokë
Pak pjesë në univers
Pse jo, edhe pak Zot!


Firma ime

Nuk kërkova salltanete
As në ëndërr s'i kam dashur
As kërkova marifete
Si fitohet për t'i patur.

Nuk urreva kamësinë
As në ëndërr s'kam urrejtje
As nuk ndoqa ligësinë
Që gjithshka ta kem për vete.

Nuk pranova prapaskenën
As në ëndërr s'kam pranuar
Dhe pas vdekjes, firmos jetën
Në çdo fjalë që le shkruar.


KORÇA ime

Në s'më mbajte dot moj Korçë
Unë të morra pas me vete
S'ma ndryshoi dot kjo botë
Korçarllëkun nëpër deje.

Korça ime, dhimbja ime
Ëndërr lënë në mes të udhës
Shpresë prerë nëpër vite
S'të harroj kurrën e kurrës!

Ti askujt fajin s'ja pate
Të tjerë patën për ty faj
Pak shtëpi mbushën me halle?
Pak shëmtuan çdo sokak?

Pak të prekën bukurinë?
Pak të plakën para kohe?
Pak degdisën nusërinë
Ndër të huaj, shërbëtore?

Pak t'i vranë serenatat?
Pak kulturën syrgjynosën?
Në liri t'i vunë prangat
Në të gjallë të varrosën!

Pak të zhvatën, të rrëmbyen
Lakuriq të lanë në rrugë
Dhe paturpësisht u kthyen
Më të ndershëm se një kurvë!?

Pak.....

Pak.....

Lermë aman, mos them akoma
Se akoma kam ç'të them
Ti për mua mbetesh, KORÇA
Ata "Pak", shkofshin në ferr!!!


Poezi, moj!

Je vazhdimësi e çasteve
Apo çast vazhdimësie?
Je vetë magjia e fjalëve
Apo fjalë e një magjie?

Je e folura e syrit
Apo syri i të folurës?
I jep Botës gjuhën e Hyjit
Apo Hyjit, gjuhën e Botës?


Muza vetë!

Forma e syrit- syri vetë
Formë e buzës- vetë buza
Formë e flokëve- siç i kreh
Formë e gushës- vetë gusha.

Forma e belit- beli vetë
Formë e këmbës- vetë këmba
Renda kot muzën ta gjej
Se t'i qenke, muzë e tëra!

             
Të pangopur!

Një pjesë të jetës merrmani
Zgjatni me të jetën tuaj
Veç të plotë shpirtin lermani
S'ësht' për ju, edhe kur vuaj!

E ç'ta dua atë pjesë
Që t'ju shoh në jetë më shumë?
Njëqind herë më mirë të vdes
Veç në fund të mbetem UNË!

                 
Kështu të paça!

Kështu të paça përgjithmonë
Ndjellësi e ndjenjave të mia
Dhe me sy më ndez kur më shikon
Pa le pastaj kur nis magjia...

Dhe me buzët e hapur për puthje
Forcën e gravitetit devijon
As vetë s'kuptoj si bëj më tutje
Ku humbin buzët e mia s'kuptoj...


Vetvetja

As vetë s'kuptoj si ikën vetvetja
Mundohem ta ndal, por tutje vrapon
As vetë s'kuptoj, ku isha, nga erdha
Dhe vdekjen që pret, akoma s'kuptoj!

Ja ku më thërret vetvetja nga larg
Si dashnore syrin ç'ma shkel
Me mua e ka, i pëlqeka me plak
Dhe mua e uruara më pëlqen!

Ah ç'po më bën të vet'harrohem
Mos ndjej mish e kockë në trup
As moshën mos ndjej si madhohet
Mos ndjej as fillim dhe as fund!

                
Ku vanë?

Ku vanë miqtë realë?
U zhdukën nga syt' këmbët
E di që janë gjallë
Por gjallje s'kan' në zemër!

Ç'u bënë miqtë realë
Ç'Bermudhë i përpiu?
Të mbyllur në guackë
Me mikroshpirt njeriu!

Ç'u bënë miqtë realë
Në ç'botë vallë enden?
Pa formë dhe përmasë
Pa genin e vetvetes!

Oh sa vështirë t'i gjej
Mes botës kaotike
Sa pranë që i ndjej
Sa larg qenkan në ikje!

             
Kontradiktore

Hapësirë e mbyllur
Mbyllje në kohësi
Kohësi e shtrydhur
Nga qenia-Njeri.

Ndryshim progresiv
Progres ciklik
Cikël regresiv
Njeriun vërtit.

Liri pa masë
Masë e cunguar
Cungim në çdo anë
Njeriun çnjerëzuar!


Kodi i haosit

Jetë në haos
Haos i një jete
Nuk është thjesht kod
As formulë algjebre.

Sa shumë çkodues
U morrën ndër shekuj
T'i dilnin fitues
Haosit të gjetur.

Mes tij u ndodhën
Mes tyre u ndodh
Më kot u lodhën
Ai mbeti haos.

Jetë në haos
Haos i një jete
Njeriu ç'u lodh
Mes kodesh gënjeshtre!


Shqipja

Na mëkoi qumshti i gjirit
Na ushqeu gjuhë e shpirtit
Na gjumoi ndër përralla
Më e ëmbla shqipe-fjala.

Dhe kur flisnim çapra çupra
Ishin folje, fjalë të bukura
Ishin vetë kuptimi i jetës
Shqiptarisht dhe asgjë tjetër.

Dhe në ka pak atavizma
Mbetet gjuhë më fisnikja
Dhe në mes të pabesisë
Mbetet firma e Shqipërisë!