Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hazir Mehmeti: Namaste, Nepali madhështor

| E hene, 30.09.2019, 08:41 PM |


NAMASTE, NEPALI  MADHËSHTOR!

Kulmi i Botës, një vend i madhështive natyre e njerëzore

“Natyra është i vetmi sundues” “Nature is the only ruler” “ Die Natur ist der einzige Herrscher” -  Reinhold Messner

Nga Hazir MEHMETI, Katmandu, Nepal

Katmandu, 20 shtator 2019.
Vet fjala Nepal e ka kuptimin e paqes dhe dashurisë së përjetshme njerëzore. Para disa vitesh lexova librin rreth udhëtimeve në Nepal  nga autorët Christian Kracht dhe Eckhart Nickel. Që nga ky moment u ringjall fantazia ime e fuqishme për këtë vend i njohur si “Kulmi i Botës” falë lartësisë mbidetare të tij me tetë majat më të larta në botë, Himalajeve me Mount Everes 8848 m, Maja e Botës. Emrin e mori në përkujtim të emrit e gjeologu të njohur britanik Georg Everest. Nuk ishte e lehtë një udhëtim në një vend krejt të panjohur. Kur grupi ynë nga disa shtetet u bashkua në Katmandu, morëm kontaktet e para me ajrin dhe ambientin e ri. “Unë quhem Nabin Baskota”, ishte zëri i njeriut trupshkurtër me një gjermanishte që rrëshqiste në kuptim. Ai do jetë njeriu ynë për të gjitha rreth dy javë.
  Autobusi i mbushur vazhdoi rrugën drejtë bujtinës të cilën vetëm e ëndërronim. Ishte befasi rendi dhe rregullimi i ambientit aty ku do fillonim rrugën tonë në hapësirat që ishin planifikuar të shihnim dhe ndienim bashkë me rrethin e tyre.

“Sot do të vizitojmë qendrën kryesore tregtare dhe arkitektonike bashkë me tempullin më të njohur budist në Katmandu”, e filloi informimin Nabin me theksin e tij specifik. Do ecim 4 deri në 5 orë këmbë. Tek tempulli do keni një orë e gjysmë pushim dreke e pastaj vazhdojmë. Keni kujdes, ata që humbin nga grupi të më lajmërohen në telefonin tim, ose adresën e bujtinës”.  Rruga e pa asfaltuar e qytetit, shtyllat elektrike anash të mbushura me pështjellime telash të panumërt, sirenat e motoçikletave, automobilave, krijonin zhurmë e cila të përkujtonte Tiranën, apo Prizrenin me gjithë parregullsitë e tyre.  Në të dy anët e rrugës dyqane të ndryshme ku dallohej varfëria e tyre në teknologji dhe renditje.
“Në Nepal jetojnë 3 milion banorë”, u dëgjua zëri i Nabin-it në përgjigje e tij në ecje e sipër.  “Nepali është vendi i dytë në botë pas Brazilit me pasuri ujore, por nuk ka ujësjellës me ujë të pijshëm. Ka fuqi ujore për miliarda Kilovat energji elektrike, kure importon rrymë nga Kina dhe India”, u dëgjua drejtuese duke iu shmangur takimit me motoçikletën që vinte nga ana e kundërt. Për ne që nuk ishim mësuar me qarkullim majtas në trafik, nuk ishte e lehtë shmangeja nga motoçikletat që vlonin sikur buburreca në të dy kahet. Pluhuri dhe kundërmimi i tokës ishin të rënda për t’u ndeshur me to, andaj shumë nga udhëtarët mbanin copë lecke që e quanin maskë mbi gojë dhe hundë, të cilat kushtonin 50 rupi nepalez e cila në këmbim me monedhën Euro ishte barazi me lekun shqiptar, një euro shkëmbehej me 120 rupi nepalez. Ngjashmërie e plotë me lekun shqiptar edhe në raport me valutat tjera.

Në çdo hap takonim tempuj fetar indua, budist po edhe besimeve tjera. “ Në Nepal besohet në qindra zota; hindu dhe budizmi janë besimet kryesore të cilat kanë një tolerancë absolute mes vete, e shihni në shumë sheshe gjenden tempujt e të dy besimeve pranë njëri tjetrit, por nuk martohemi mes vete. Hindusët janë shumë tolerues dhe e respektojnë secilin besim edhe budizmin.”

-A mund të na tregoni konkretisht rreth religjioneve, praninë e tyre në popullatë dhe kundërshtimet e tyre?, u dëgjua një pyetje nga mesi i grupit.

“Me kënaqësi, u përgjigj Nabin. Ne do jemi këtu dy javë së bashku dhe do mësojmë shumë gjëra. Unë tani mbi 20 vjet punoi me ekspedita e vizitor nga e gjithë bota”, duke vazhduar: Nepali është vendi i vetëm hindu në botë, ku 82 përqindje janë hindu e pastaj vijnë budizmi, krishterizmi, islami etj. Krishterimi me vetëm rreth 1% ka mijëra tempuj fshatrave të ndërtuara”, e vazhdoi fjalën e tij drejtuesi.  Pas 3 orëve rrugëtim tregut kryesor ku pamë shumë dyqane dhe tregtarë rrugëve që shitnin mallin e tyre nga më të ndryshmet.  Interesant ishte dyqani i dhëmbëve, ku mund të porositeshin dhe ngjiteshin dhëmbët sipas metodologjisë nepaleze, pastaj dyqanet e varfra mishi ku nuk mund të gjeje askund mish gjedhi. “Në Nepal therrja e gjedhit është e dënueshme, deri para pak vitesh dënimi ishte 16 vjet burg për therjen e gjedhit, derisa dënimi për vrasje njeriu ishte 14 vjet. Gjedhi konsiderohet zot për hindusit të cilët nuk e konsumojnë mishin e gjedhit dhe prodhimet që jep. Mishi i shtazëve tjera  konsumohet. Kryesisht dyqanet ofronin mish dhie vendore, pule, peshku në një ambient jo sa duhet i pastër dhe jashtë standardeve që ne zakonisht jemi mësuar.  Secili shesh kishte tempuj fetar ku mund të fotografoje lirisht dhe të vizitoje sipas rregullave që kishin, ndër të cilat ishte hyrja brenda pa këpucë. Tempujt hindu dhe budist ishin shumë të bukur brenda me shumë piktura e foto sipas artit specifik vendor i njohur në botë.

Tempulli Budist në Katmandu

Tempulli Hindu Pashupatinath

Në anën e djathtë të lumit Bagmati  gjendet Tempullin Hindu Pashupatinath i shpallur nga UNESCO, vend i trashëgimisë botërore qe nga viti 1979. Në Pashaputin besohet se zoti Shiva shpallet si Pashaputi (Zoti i Jetës). Tempulli brenda mund të vizitohen vetëm nga hinduset. Vizitorët në anën e majtë të lumit janë të lirë në shijimin e arkitekturës dhe pamjeve interesant të tempullit.  Në pjesën e Tempuli Pashupatinath gjenden të quajturit Aya Ghats (vendi i ndezjes së kufomave). Në një formë  kremtoriumet ku hindusët i ndezin kufomat e të afërmeve të tyre. Grupi ynë nga ana e majtë e rrjedhës së lumit, përballë Tempullit Pashupatinat për dy orë përcollëm ceremoninë e ndezjes së kufomave nga vinte tymi dhe era jo e këndshme e zjarrit. Lumi Bagmati rridh në drejtim të Himalajeve dhe konsiderohej lumë i shenjtë në të cilin pamë hedhjen e hirit  në te nga punëtorët e caktuar që fitonin nga 30 euro për secilën kufomë. Këtë  e mësuam nga Nabin i cili para pak kohësh e kishte përcjell të atin e tij po në këtë vend.

Tibetasit, eksod pasojë e pushtimit kinez.

Nepali është e njohur si vend tolerues ku shumë tibetian gjetën strehim edhe sot e kësaj dite ata ruajnë e kultivojnë traditat e tyre të artit budist tibetian i njohur për precizitet dhe kolorit mahnitës. Eksodi i tibetasëve ndodhi pas pushtimit të tij nga Kina e cila dëmtoi shumë rendin, kulturën dhe tempujt fetar. Shiu i dendur tropikal që binte pa ndërpre na përcolli me gjithë përplasjen mbi ne dhe objekteve rreth nesh deri në kampin e refugjatëve tibetian ku jetojnë rreth 12 mijë sish në Nepal. Tempulli, muzeu kushtuar refugjatëve, objektet e banimit, punëtoritë ishin një befasi e bukur dhe një shembull se si duhet organizuar jeta brenda një kampi. Unë që kisha përjetuar vet kampin e refugjatëve në Evropë gjatë sulmit të forcave serbe mbi popullsinë civile shqiptare, e ndjeja në shpirte jetën e tyre larg të dashurve, larg shtëpisë e truallit të vendlindje, larg lojërave e lutjeve të rregullta me familje, larg farefisit e shoqërisë.    Punët artizanale me lesh dhe vekun e tyre specifik ishin diç e pa përshkruar, duart tyre të shpejta, kënga e tyre me plotë përmallje të preknin në shpirt.  Ato mbaheshin krenare, kjo dukej në buzëqeshjet e tyre aq miqësore sa vet bardhësia e bjeshkëve të Tibetit. U bindem se ruajtje dhe kultivimi i vlerave të kulturës tibetiane janë të menaxhuara me mjeshtëri nga ekspertet e mirëfilltë.  Në punëtoritë e shumta të lidhura me dyqanet e shitjes së pikturave me motive tibetiane takuam shumë mësuese e nxënës që bashkëjetonin si gjenerata në vijueshmëri kohëve. Shumë nga vizitorët blenë piktura shumë të bukura.

Kudo miqësi
Kudo që shkuam pritja ishte shumë miqësore, me çka nepalezët dallohen si njerëz paqësor dhe mirëpritës. Interesante ishte tempulli Stupa Bodnath e një lloji të veçantë me gjatësi 36 metra e vendosur me fytyre nga lugina mbi kodër në lokalitetin e quajtur Budhanikata. Në marshimin tonë të radhës në kodrën e quajtur Shivapur vizituam skulpturën në gurë të vjetër 1 mijë vjeçare të Zotit Bishnu në gjumë, një pamje tërheqëse. Zoti Bishnu flinte i rrethuar me ujë dhe pjesët rrethuese të tij ku dallohej druri Ficus religiosa,  i cili jeton mijëra vjet, sipas tyre qe nga fjetja e Zotit Bishnu në formë guri.  I rrethuar me tempuj,  ishte një vend lutje dhe vizite për besimtarët vendës të cilët dalloheshin me veshjet e tyre përplot kolorit nga ngjyrat e zjarrta ku dallohen e verdha dhe kaltra.  
Nuk e kisha menduar se ishte kaq bukur dhe interesant vizitat dhe kontaktet me njerëz në Nepal. Nga mos dija kisha krijuar një barrierë pikëpamje negative në vete, kjo filloi të thyej si një qelq i dobët që në ditën e parë. Më kujtoheshin momente nga leximet e mia rreth Nepalit, tentoja të kapja diç prej tyre, dhe ia arrita; mirëpritjen, mirësjelljen dhe krenarinë e njeriut të thjeshtë në tokën e tij. Njeriu jo nënshtrues por vlerësues i natyrës, objekteve për rreth, i qindra zotave dhe mbi të gjitha vlerësues i jetës dhe vendit të tij. Vendi i origjinës ushtarëve Gurgha që nuk frikësohen, vendi i cila asnjëherë nuk ishte koloni e të tjerëve, vendi i poetëve dhe maleve madhështore. 
Letër kryetares 
Ne xhepin e veçantë të valixhes e ruaja letrën që do ia dërgoja presidentes së vendit, Mrs. Bidhov Devi Bhandari për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur. Me kujdes e dorëzova në recepcion të cilët do ta dërgonin në postë pasi pagova gjithë harxhimet rreth pullave dhe ca rupi mirësie. Në largim e sipër vërejta reagimin e recepsionistes pasi ia lëshoi sytë adresës duke më ndjekur me shikimin e saj.  “Kosovës, si shtet i ri në konsolidim i duhet dora e vendeve nga gjithë bota, edhe nga vendi i juaj i mrekullueshëm. Nisur nga kjo marr forcë nga qetësia e krijuesit, nga madhështia e Bjeshkëve madhështore, nga fuqia e njeriut tuaj, të kërkoj prej jush njohjen e Shtetit të Republikës së Kosovës”, citat nga letra. Letrën në anglisht e përktheu Kreshniku të cilin si politikan e kam dorë të djathtë në shumë drejtime.  E di që nuk ka ndonjë efekt të veçantë, por ishte e vetmja ajo që mund të boja si një shqiptar.

Bungamati e Khokona

Nepalezët punëtor dhe mjeshtër shekullor arti e ruajnë traditën veç tjerash në gdhendje në dru, këtë e takuam fuqishëm në disa fshatra, Bungamati e Khokona në luginën e kryeqytetit nepalez. Motivet artistike ishin kryesisht ato religjioze hindu e budiste, e më rrallë ato nga natyra dhe jeta.  Rrugëtimi pesë orësh nën shiun e dendur u shpërblye shumëherë me përjetime të bukura nga bukuritë e natyrës, peizazheve të orizoreve përplot ujë, arkitekturës së fshatrave dhe tempujve, rrugicat, fauna e pasur veçanërisht me shpezë. Pothuaj secila shtëpi kishte para dere një motoçikletë dhe një apo më shumë qenë miqësore dhe ne fituam përshtypjen se nuk dinin të sulmonin askënd.

Nagarkot

Kryepërjetimi i një vizitori në Nepal janë  Himalajet, kështu ishte edhe për ne. Pas disa orë udhëtimi me autobusin e fuqishëm  rrugëve të pa asfaltuara dhe përplot kthesa përpjetë,  arritëm në lartësinë 2150 m kodra ku shtrihet vendbanimi Nagarkot, vendi i njohur nga mund të shijosh lindjen dhe perëndimin e diellit mbi Himalaje në pjesën e vargmaleve nga Dhaulagiri në perëndim deri në Mount Everes  në lindje, kur moti është pa re. Me kot pritem dy lindje dielli, por retë dhe shiu i pandërprerë e pa mundësuan synimin tonë. Por, kishte zgjidhje kohe; shfrytëzuam udhëtimin shumë orësh luginës deri në Ghangu-Narayan ku gjendet tempulli më i vjetër në hapësirën e luginës së kryeqytetit dhe rrugëtimi deri në kufirin me Tibetin në drejtim Dhulikhel. Një udhëtim mes xhunglave nepaleze ku mund edhe të humbësh rrugë kur je mes reve nga të vjen shiu nga lartë dhe nga poshtë teje.

Akoma pa u bërë një javë ne arritëm të përshkojmë hapësira të tëra me gjithë peizazhet e tyre madhështore. Vazhdimisht ishim në shoqërimin e reve të cilat pas dreke derdheshin me forcë mbi ne dhe çdo gjë rreth nesh. Shiu i ngrohtë fare nuk i shqetësonte banoret, diçka e zakontë e ditore për ta. Kudo skaj rrugëve maurihana e njohur, bimë natyre e pa shqetësuar nga përndjekja e mundshme xhunglave pas skaj. Marshimi ynë disa orësh kërkonte përgatitje fizike e veshmbathje specifike të cilat i kishim të gjithë me ndonjë përjashtim. Nuk kalonte shumë orë dhe gjendeshim pranë monumente të shumta këtu në Nepal, ndoshta vendi më i pasur me monumente kulti në botë. Vendi më me shumë zota dhe festa në botë, mbi 120 zota dhe 350 festa brenda viti.

Në ditën e tretë (14 shtator) aeroplani   nga aeroporti Budhaareport,  mori kursin e fluturimit drejt Mount Everestit. Retë e dendura shtresa- shtresa përshkoheshin pa pengesë në fluturimin drejt cakut. Sipër reve shkëlqimi i fuqishëm i diellit përshkonte horizontin në pamjen tonë përmes dritareve të vogla të aeroplanit. Një horizont mbi leshin e bardhë resh pa fillim e mbarim. Me kot u munduam ta shihnim nga lart Kulmin e Botës, dukej vetëm një majë e vogël herë pas herë në rrethimin tonë përmbi re.  U kthyem të dëshpëruar, por organizatori mori pëlqimin tonë për fluturimin tjetër pas dy ditësh kur moti do ishte më i mirë.  Në tentimin e dytë të rreth fluturimit rreth Mount Everesit,  grupi ynë nuk kaloi shumë kontrolle deri tek aeroplani i cili na priste. “Kërkoj falje, na duhet pritur në autobus për disa minuta derisa aeroplani ta merr pëlqimin përfundimtar për fluturim” -tha shoferi i autobusit me mirësi. Nuk kaloj kohë dhe nën krahët e aeroplanit u dha sinjali i mbyllur me dy duar nga përgjegjësi: aeroplani nuk do fluturon”. Ne të dëshpëruam ca, por edhe të lehtësuar nga ngarkesa e vazhdueshme e vështirësive të motit, filluam rrugën drejt hotelit ku na priste mëngjesi i ngrohtë me specialitet e shijshme nga kuzhina me traditë nepaleze.  Befasia jonë shumë pozitive ishte se: ne nuk do paguajmë asnjë rupi për udhëtimin tonë të parë rreth Mount Everest-it dhe tentimi për fluturimin e dytë. Në bisedë më drejtuesin e grupit tonë, Nabin mes tjerash tha: “Ne nuk e shohim vetëm fitimin tonë material, ne në radhë të parë e kemi kënaqësinë e vizitorit mysafir, kjo na duhet. Ne synojmë të arrijmë kuotën e 2,5 milion turistëve brenda vitit në Nepal, ky është vizioni i qeverisë sonë”.

POKHARA, vendlindja e Gurkha

“Nëse njeriu thotë, s’kam frikë nga vdekja, ai gënjen ose është një Gurkha“ -Gjen. Sam Manekshaw (Indi). Gurkha-t janë ushtarët trima dhe të përgatitur në nivel botëror, pjesëmarrës në shumë lufta.

Marshimi ynë katër orë në ditën e shtatë u kurorëzua me pajën madhështore të Kështjellës së vjetër Namobudha prej nga dukej pamja madhështore e Luginës Panchkhal dhe vargu maleve të larta.   Nuk i “lamë dy gurë bashkë”, agjenta jonë kërkonte shumë, ishte e ngjeshur dhe e gjerë ashtu sikurse hapësira e pafund nepaleze. Marshimi i dymbëdhjetë do zgjatë përgjatë Lumit Trisuli nga Dhulikhel-i në Pokhara. Vërtetë një udhëtim me përjetime mbresëlënëse e të pa harrura prej tetë orëve. Së pari përjetuan lëshimin kthesave teposhtë nga1600 metra lartësi rrugës nacionale drejt luginës së lumit Trisuli e cila e lidh vendin me Indinë fqinjë dhe pjesën perëndimore të vendit.  Retë fillonin jetën e tyre nga shumë hapësira fushave e shpatmaleve dha për pak kohë mbyllni pamjen duke na gëlltitur të gjithëve dhe pas pak orëve shiu i dendur ujonte çdo gjë. Ajri tropikal me lagështi futej gjithandej dhe lagte gjithçka, kështu terja e rrobave ishte problem për ne që nuk ishim mësuar. “Do i terim kur të kthehemi në Europë”, u dëgjua zëri i Kristinës nga rrethi i Lincit e cila kishte përvojë nga ekspeditat e më parmë në viset tropikale të Indisë dhe Tajlandës. Ne e menduam si shaka, por ajo këmbënguli se tharja e rrobave është e pa mundur në lagështinë e ajrit të viseve tropikale, e kam provuar, tha e vendosur.  Përgjatë luginës së lumit rruga herë ngritej lartë kodrave, herë afrohej afër lumit për pak metra. Gjithnjë na përcillte shiu i dendur tropikal sa edhe zhirimet dhe fotografimet nga autobusi ishin të pamundura. Në lokalitetin Bahundar ku bashkoheshin Trisuli dhe Buri Gandaki,  prej nga mund të shiheshin Himalajet në pjesën perendimore. U ndaluam për një çerek ore, fotografuam pamje jo të plota të Himalajeve  të mbështjella me re.   Skaj rruge dyqani i vogël me disa nga perimet dhe pemët vendore kishte çilita, speca të djegës të njohur në botë. Në leximet rreth Nepalit si autoktone nepaleze krahas Himalejve vijnë ushtarët Ghukha dhe specat Chilita, Një kilogram kushtonte 150 rupi (1.20 Eu). Kur kërkova të blej krejt pak, shitësja, një fshatare e veshur thjesht me rroba tradicionale, qeshi dhe më ndaj në letër një grusht chilita falas. Nuk desha t’i marr falas dhe ia lëshova mbi tryezë 50 rupi (40 cent).  Një orë tutje rrugë përjetuam pamje madhhështore të luginës së Trisulit.  Aty pran vigu i fuqishëm prej 300 metrash lidhte dy anët e lumit të turbullt përplot ujë. Era e cila fryent qe nga Himalajet dhe gurgullima e ujit krijonin ambient deri në rrëqethje kur shije valët aq të fuqishme në përplasje me gurët e mëdhenj aty-këtu me forma të ndryshme të sjell nga rrjedha e ujit kushedi sa kohë më parë. Për fat largimi i reve e mundësoi shpalosjen e përsëritshme të majave të vargmaleve të Himalajeve. Pas disa fotove me banorët e shoqërueshëm dhe vigun gjigant metalit i cili lëkundej frikshëm, u nisem drejt qyteti Pokhara, jo shumë larg, pjesa kryesore e rrugës ishte kaluar. Në karrikën para veti vendi i vendosjes së shishes me ujë ishte i veçantë, diç që nuk e kishim takuar askund tek ne. Uji kishte mbaruar, një shishe tjetër solli konduktori me buzëqeshjen e tij.

Mirëmëngjesi nga Himalajet

Takimi i parë me qyteti  në gjirin e Himalajeve perëndimore, Pokhara na befasoj me bukurinë natyrore aty skaj liqenit Pheva në të cilin pasqyroheshin Himalajet hijerënda shekujve. Hoteli buzë liqenit krijonte një ambient të bukur. Shërbimi dhe pritja nga personeli ishin shumë miqësore.  Qe në mëngjesin tjetër marshimi ynë me barka përmes liqenit drejt ujdhesës me tempullin Hindu u shoqërua me shpezë të pa njohur ndër ne. Vegjetacioni tropikal i bujshëm shpalosej me formën e tij në trajta të veçanta ku dalloheshin bambui, bananet, zambaku i ujit dhe bimë drunorë qindra vjeçare.  Lartësia rreth 400 m e kodrës ku gjendej Tempulli Stupa i Paqës, e kaluam përmes shiut të pa ndërprerë për dy orë ngjitje shtegut zig-zag me gurë për dy orë e gjysmë. Ashtu të lagur u relaksuam ca nën strehën e tempullit që bardhonte majë kodrën. “Këtë tempull të dëmtuar nga tërmeti prej 7,8 shkallë Richter e ndërtoi shteti Japonez. Këtu luten për paqe personalitete të njohura të botës që vizitojnë këtë rajon”, sqaroi Nabin-i i pa lodhur.
      Ishte e pa e pa përshkrueshem pritja e lindjes së diellit mbi Himalaje. Pasi kishim udhëtuar një orë me minibus dhe po aq këmbë thik përpjetë në kodrën rreth tremijë metra përgallë Himalajeve, u ndalem ne terasën e veçantë për këtë qëllim ku qindra turistë dhe alpinistë presin shkëlqimin e majave të larta mbi shtatë mijë metra të vargmaleve të Himalajeve. Dita pa re dhe mjegull ishte ideale në përjetimin thyerjes së rrezeve të para në shpatet e maleve madhështore gjithmonë me akull dhe borë. Ishim me fat, dielli lindi në pesë e pesdhjetë e gjashtë minuta. Qindra kamera nga e gjithë globi merrnin pamje të pa përsëritshme për fund shtatorin e  vitit.  Këto foto do jenë pjesë e pa harruar e një udhëtimi të pa përsëritshëm në jetën e njeriut.  Në luginë filluan lëvizjet e ngadalshme të reve të  bardha mbi gjelbërimin  e tokës buzë lumit Trisuli dhe pasqyrës së liqenit ku laheshin faqet e vargmaleve gjigante. Madhështia e Himalajeve nuk mbaron me një apo shumë foto, ato janë aty përgjithmonë me rrënjë në tokë dhe kokë në qiell, simbol i krenarisë dhe madhështisë moteve.  
Mamaste! Përshëndetje!
Nepali i dashurisë së pakufishme ndaj natyrës!