E premte, 19.04.2024, 11:50 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Zymer Mehani

E diele, 29.09.2019, 11:01 AM


Zymer Mehani

BALADË E PËRFLAKUR

(Kujtim)

1.

Ato fusha t’ blerta

N’kujtesë më kanë mbetë

Në atë sy pranvere

T’bjerra e lënë shkret

I braktisëm fshatrat

Braktisëm qytet

Nga truall iliriku

Na dëboi armiku

2.

Treni i gjatë çante

Qanin zemrat tona

Trishtueshëm fishkëllonte

Linim vatrat tona

Agime t’përlotura

E muzgje të përbaltura

Fshatra pranverake

Shtëpi të përflakura

Armiqt e pamëshirshëm

Na dëbonin e përndiqnin

Me duar të përgjakura

Na prenin e vritnin

3.

Përndiqeshim e vriteshim

Se ishim shqiptarë

Fushat me lulëkuqe

I linim duke qarë

Të shtëpive tymëra

Në kraharor më shponin

Lulet e këputura

Në zemër më lëndonin

4.

Por, atdhe i dashur

Me zemër të plasur

Kam parë zi e tmerr

Në dritë e n’skëterrë

N’atë pranverë të mjerë

Buzë pleqsh për ujë t’etur

Sy fëmijësh të tretur

Me lodrat n’shtëpi mbetur

Me buzëqeshje t’helmuar

E mendje t’shkallmuar

Me qafë të këputur

E kokë të përulur

5.

Bijtë e Shqipes trime-

Ushtarët çlirimtarë

U betuan me besa-besë

Në Flamur kombëtar

Për vdekje a për jetë

Për luftë e qëndresë

Në truallin tonë të përgjakur

Të djegur e t’përflakur

Qëndruan burrërisht

Dhe vdiqën trimërisht

Se këtë tokë arbërore

E donin shqiptarisht

N’këtë qiell janë lartësuar-

Meteorë të pashuar

6.

Qante me lot mali

Për lisat e gjatë

Për një xixë shkëndije

Qante natë e gjatë

Kudo ish skëterrë

N’atë Pranverë të mjerë

Dhe fusha i lotonte

Lulëkuqet e saj

Pamëshirshëm fishkullonte

Nga skaji në skaj

E keqja n’ty atdhe

Ngase ishim lindur

Shqiptarë të gjithë ne

7.

Ujqërit ulurinin

Dhëmbët i zgërdhinin

Seç na futnin tmerr

Këta derr-beterrë

M’kujtohet tani

Ajo lemeri

N’atë kohë të përgjakur

Ti Atdhe i përflakur

I tëri seç ishe

Nën kthetrat e asaj bishe

Kudo shkrumb e hi

Furtunë e stuhi

8.

Por, ne jemi shqiptarë

T’përbuzur e t’vrarë

Armikut idhnak

Kurrë s’i patëm hak

N’vështirësi qëndruam

S’u mbytëm- jetuam

Pa atdhe të mbetur

Nëpër botë të tretur

9.

E n’timin qytet

Në të bukurin shesh

Vërtitej një dreq

Me dreqërit e tjerë

Me lebeti e tmerr

E shprazën, e lanë t’mjerë

Nëpër rrugët tona

Gjaksori kaloi

E ne na dëboi

Donte t’na fsharoste

T’na priste e gjakoste

Gjarpërisht na kafshonte

Me helm na helmonte

10

Tani seç më vijnë

Kujtimet pastaj

Për lanetë e djaj

E më bëjnë me vaj

Nga zemërimi qaj

Përmbi sy të nënës

Një mjegull u shfaq

Vuajtje ndjen në zemër

E mbushur me maraz

Për djalin e saj

Nga hidhërimi theu gishtat:

-Qofshin të mallkuara bishat

E mbuloi fytyrën

Dhe u mbyll në vetvete

Me grusht i ra gjoksit

U drodh si në ethe

Por nga gjoksi i saj

As zë as dënesje

As ah dhe as oh

As bërtimë e prekshme

Veç lotët i pikuan

Për faqesh i shkuan

Fytyrës së mekur

Për birin e vdekur

11.

Mali seç u shkund

Fusha seç u tund

E nëna dot s’u mund

N’mbrëmjen e purpurtë

Seç shkëlqeu një yll-

Djali i saj trim

N’zemër plot guxim

Mu para agimit

Me krahët e fitimit

Kënga mori udhë

E malet gjëmonin

Brigjet seç ushtonin

Dielli po ndriçonte

E ky trim lirie

I vdekur po jetonte

DHURONI....

Dhurojani skamnorit ilaçin

Me shije të qumështit të nënës

Dhe fëmijës jepi buzëqeshjen

Le t'i ndrijë fytyra si rrezet e hënës

Edhe të sëmurëve dhurojuni kurajo

Që sëmundje e lëngatë t’i mundin

E pleqve që hecin të kërrusur

Ndihmojuni pleqërinë për ta zbutur

Dhurojani fëmijës suaj mitar

Në vesh ninullën ngadalë

Tregojuni të tjerëve ato që i dini

Dijen në vete mos e ndryni

Që ta kuptojnë të natës skëterrë

Dhe dritën e ditës përherë

Ndihmojuni të varfërve, vëllezër

Mos i lini në gjendje të mjerë

Dhurojuani alfabetin e dijen

Atyre që kanë nevojë

Le të besojnë në mirësinë tuaj

Vetes pastaj le t'i besojnë

Zgjatjuani duart për ndihmë, vëllezër

Si shprehje ngushëllimi

Atyre që s'kanë prindër, as njeri

Jetimes a jetimit…

Le të mësojnë edhe ata

Si pritet mjerimi

Si shërohet zemra e lënduar

Me fjalë të ëmbla ngushëllimi

E skamnorëve nëse dashuri ju keni dhuruar

Ta dini, vëllezër se i keni pasuruar

Ata më s'janë skamnorë

E ju do t'jeni të bekuar

Do të çelin lulet

Do të çelin lulet

Kur të vish sërish

Gurgullimi i lumit

Prapë qetësinë do prish

Dhe zëri i gushëkuqëve

Prore do t’ buçasë

Kurrë në zemrat tona

S'do të ketë maraz

Në dallgët e jetës

Ti do rrish me ne

Porsi dallëndyshja

Në t'ngrohtën fole

Prore n' shpirtin tim

Je margaritar

Mbretëreshë n'timen zemër

Më i shtrenjti thesar

Kur të vish tek unë

Lulja do të çel

Do t' ketë kuptim jeta

Pasha qiell e diell

Tek unë kur të vish

Do të mbushem me gëzim

Dhe valle do t'hedhim

Deri në agim

Dritë kërkojmë

Po e ndjejmë se po na mund koha
Veç ajo e di sa u zvarritëm nëpër gurë
Mbështjellur me lëmashkun e qetësisë
Në luzmën e kandrrave të shëmtuara
Në humnerën e ekzistimit
Të mbushur me zbrazëti
E dritë kërkojmë gjithkak nëpër natë
Rruga është e gjatë për detin e kositur
E toka u dridhka. fushë e mal u digjkan
Luzma e yjeve na e huton hënën
Para nesh ngriten kulla të gurta
Që ishin, janë dhe do të jenë fole shqipesh
Sy më sy me tufanin e egër
Furtunat derisa të fashiten
Dhe erërat derisa të pushojnë
Mbi shkëmbinj të thepisur
Shqipet do të qëndrojnë

Dy viganë zemërluanë

(Kapuçi dhe Sandokani)

Dy dragoj i pat vatani
Kapuçi e Sandokani

Atdheun e patën flamur
E dinë male edhe gurë

Shkrepa, kreshta edhe brigje
Kodriçe, kroje e shtigje

E din Shqipja dykrenore
Cep më cep kjo Tokë arbërore

Zemrat i patën t'flakëruara
Me atdhedashuri t'farkuara

Shpirtin e patën të artë
Për liri- dëshirë të zjarrtë

Në flamur Shqipja i ruan
N'krahë të saj u përjetësuan

Kosovë e paepur

I

Në shkrepa e gurë
Shkruaj emrin tënd
Je e fortë-çelik
I granitit shkëmb

I bardhë si dëbora-
Mbi kokë të rri plisi
Rritet shtati yt
Porsi qiparisi

Dashuri të madhe
Ty të kanë shqiptarët
Përherë me gjak t’ kuq
T’i ushqyen damarët

N’flamur kuqezi
N’krerët e shqiponjës
Për ty u betuan
Trimat e nënëlokes

Besën e ke t’artë
Virtyt për shqiptar’t
Plisbardhë nëpër shekuj
Kosovë e paepur

II

Le t'ma copëtojnë zemrën
Të ma ndajnë në dysh
E t'm'i vërbojnë sytë
Eshtrat le t'm'i thyejnë
Dashurinë ndaj teje
Kurrë s'do mund t'ma shlyejnë

FLAS ME TY...
(Dëshmores së kombit, Xhevë Lladrovci)
I
Sa kisha dëshiruar t'i prek tuajat fleta
Ta puth atë kurorë ngjyrash kuq e zi

Nga zemra plot zjarr, nxjerr një këngë plot mall
T'ia vë si kurorë tëndit lapidar

Trimëreshë, Ty të falem
Për ty këndoj e s'ndalem
E bukur, e ëmbël, plot diell më je ti
Kam një mal me vargje, Lulëkuqe për ty
II.
Rrugës së gjakut ata erdhën
Se tjetër rrugë s'u mbet
E ti, moj Lulëkuqe e kësaj Toke
Qartë ua tregove këtu kush është mbret

Ti, moj lulegjaku
I hape petalet tuaja të mëdha
Porsi Shqipe Dykrenore
Me të gjerët krahë

Me kreni hije i bën Tokës Arbërore
Me trimëri shqiptare e besë stërgjyshore
Zemër-burrëreshë plot trimëri
Lufëtare ndër luftëra për t'shtrenjtën liri
III.
Tjetër kohë nuk ka, veç kohës së lulëkuqeve
Koha e urrejtjes u nënshtrua nga Ty Lulegjak
Nën petalet tuaja liria u përflak

ERDHA…

Erdha në ëndërr të të takoj,
Por ti në gjumë të thellë më ishe
Një shpirt të qetë s'bën ta trazoj
Me atë butësi në fytyrë që kishe!

Rrugës nga vija, mblodha plot lule,
Të t
?i jap ty, me t 'madhen besë,
Se ti, veç ti, zemrën ma shkule,
Më lërë me ëndrrën, më mbush me shpres!

Ish ditë pranvere, në mes të prillit,
Kur unë po vija tërë buzagaz
Zogjtë po këndonin gjer n 'kupë të qiellit
Ti po vrapoje, unë t’ ndiqja pas.

Se po të të shoh, kur ikën ëndrra,
Do të të hidhem në përqafim,
Çaste të tilla shërojnë plot zemra
Ti je magjia e shpirtit tim!

Ti seç po flije butë si drenushë,
Po kush ka shpirt, gjumin ta ndaj?
Më iku mendja, të t 'puq në gushë
Kush mund t’ ma thoshte se paskam faj?!

Lulëkuqe, moj

(Luftëtareve shqiptare)

Për këtë truall amtar
Porsi një thesar
E shtove krenarinë
E rrite dashurinë

Lulëkuqe, moj
Prore me kokë n'qiell
Për liri s'u ndale
Rende gjer në diell

Gjithmonë t'përndoqën
Zemrën ta dogjën
Bij djajsh ca djaj
T'këputën pastaj

Por, ti përsëri
Me ngjyra kuq e zi
U rrite, u ngrite
U ktheve në Yllësi

Lulëkuqe, moj
Të bekoftë Zoti
Ty, moj shqipe mali
Stërmbesë Kastrioti

Barbarët i tërhoqi
bukuria jote
Në zemër u raftë
Nëma e kësaj bote

Sërish lulëzuat me plagë

Me mund, me lot e gjak
Furtunës i qëndruat
Harliseshit fushave të paanë

Me kurorat kuq e zi
Me petale e fleta…


Ju qëndruat të forta
Kthesave të shthurura
Me petale të këputura
E me gjethe të thyera
Të skuqura nga gjaku
Barbarisht të shkelura
Por kurrë të nënshtruara
As kurrë të pavlera

Nga gjumi ju zgjuan
Tingëllimat shqetësimtare
Dhe klithmat e llahtarshme
Në cegmë e furtunë

Në vend të këngëve të zogjve
E gurgullimës lumë
Ju goditën erëra,
rrebeshe e furtunë

Ju me krahë drejt qiellit
Të buzëqeshura, të qeta
Dashuritë e dashuruara
I kthyet në legjenda
I shndërruat në qëndresë,
Në fjalë dhe në besë

Plumbat e gjakatarit
Fletët tuaja i përshkuan
Dhe rafalet që ju ranë gjarpërisht
Pamëshirshëm ju shkelën
Me zjarr e çelik
Në këtë truall plot lavdi
Në këtë tokë arbërore
Ju rriteni, të larësuara
Në përmendore të krenarisë

Me kohë e kuptuat
Çmimin e lirisë
Në kohë të pakohë
Me duf të dashurisë
Ju prore pranveruat
Dhe n’dimra e zezonë
S’u trembët prej vdekjes
E aspak s’patët drojë
Si vdekja pranë vdekjes,
Si i vdekuri në buzë-varr
E ju prapë lulëzuat me plagë,
Me vuajtje, me trishtim
Shtatin e ngritët vrik
Duke shkundur të largëtin pikëllim

Lulëkuqe lulegjaku
Zemrat jua helmuan
Ca korba me krrokamë
Plot mllef dhe inat
Flatrat jua këputën,
Por ju prapë shumoheshit
Në Kopshtin e Trëndafilave të Kuq
Jo, dot nuk mundi t’ju zhdukë
Nga kjo tokë askush

Motrës sime

Syri im-
Ti je.

Ti je-
Zemra ime.

Yt vëlla,
Motërz-o,

T?kujton
Me g
ëzime.

Motërz,
Unë poeti,

Për Ty
Vargje shkruaj…

Je lule
Me vesë,

N’ zemër
Ty të ruaj.

Py ty

Pa Ty nuk bie mbi lule vesë

Pa Ty s’këndon zogu në mëngjes

Pa Ty, era ia fsheh faqen barit

Pa Ty, s’bie dëbora n’maje t’ Sharrit

Pa Ty, mali s’lëshon shushurimë

Pa Ty, lumi s’rrjedh me gurgullimë

Pa Ty, nga drunjtë s’bien fleta

Pa Ty, vlerë s’ka aspak jeta

Pa Ty, zemra ime s’është e gjallë

Për Ty, prore kam shumë mall

Për ty, rini

(Me rastin e 12 Gushtit-Ditës Botërore të Rinisë)

Rini, veç ti je mbretëreshë e kësaj bote
Ti je bukuria, hijeshia vetë
E gjithmonë jetoftë dëshira e jote
Që sjell përparimin, ku je ti, vërtet

Vetëm forca jote botën e ndryshon
Ti je shpresa jonë dhe e tërë njerëzimit
E sigurtë në jetë, rini ti hapëron
U shkriftë zemra jote prej galdit, gëzimit

Rini, ku je ti, është e përparuara
Aty ti ku je, është parajsa vetë
Vendimet e tua botën kanë ndryshuar
Sepse mendja jote vërtet gjykon drejt

Rini, jetë e mot rrofshin këngët tua
Shpresat për një jetë vërtet krejt të lirë
E t’u dhashtë e mbara, se kështu unë dua
Prore në jetë rrofsh me zemër të dëlirë

Poemë për Lulëkuqet

I
-Lulëkuqe, lulegjaku
Kur paskit çelur
Mos dje

Kur qaja për ju?

-Lulegjaku, Lulëkuqe
Kur paskit lulëzuar
Mos një ditë
Kur qielli ish i mërrolur?
II
Ju që u flijuat-
Ju dua

Lulëkuqe të kohës
N’udhëtim

Prore do t’jetoni
Në mua

Nga malli për Ju
Dot nuk gjej ngushëllim

Juve Lulëkuqe në jetë
Shumë Ju desha

Ishit hijeshia
E këtij Kopshtit tim

Lulëkuqe t’kësaj Toke
Lulegjaku lule

Lavdi ju qoftë prore-
Soji i gjakut tim

Ballin atdheut ia nderuat
Ia ndritët e dritësuat

Tani Ju dëshiroj
Veç qetësi hyjnore

Vargjet edhe fjalët
M’janë bërë lapidare

Lulëkuqe për Ju-
O margaritare
III
Ju jeni mbretëreshat e luleve
Në fushat e mia

Harliseni me kokë drejt qiellit
Ju shtohet lavdia

Lulëkuqe ishit dhe jeni
Në kujtesë ju kemi

Gjaku Juaj s’venitet
Është dritë që kurrë s’fiket

Ju ratë për t’vërtetën
Kënga Jua pranveron jetën
IV
Në fushat e paanë të Kosovës Kreshnike
Çelin dhe harlisen Lulëkuqet e Shqipes
Si të mbijnë nga shpirti, si të mbijnë nga zemra
Lulëgjaket ilirike me ngjyrat kuqezi
Në truallin tënd rrisin shtatin, e lashta Dardani
Lulëkuqe si gjaku dhembje e krenarie
Që veç Tokës Sate, Kosovë i kanë hije
Lulëkuqe qëndrese, Lulëkuqe LIRIE….

Dada Shotë me plis mbi vetull
E Ganimeti me të bukurin gërshet
Xhevë Ladrovci e Ylfete Humolli
Antigonë Fazliu me zemrën si det
Hyra e Sanija lulëkuqe t’Tokës sime
Njëra heroinë, tjera motër n’zemrën time
U nisën në luftëra nën Flamurin Kuqezi
E në zemër plot guxim për t’ atdheut liri

Lavdi Ju qoftë motra t’ADEMIT e t’ZAHIRIT
Lavdi jetë dhe mot, mbesa t’SKËNDERBEUT!
Lulëkuqe u lindët dhe e rritët shtatin
Kosovës nënë ia shtuat hijeshinë
Lum si ne që ju kemi, o bija të ARBËRIT
Me shkronja të arta na shkruat historinë!

Revoltë

I

Juve që më njihni
Edhe juve që fare s'më njihni
Nëse Zot i Madh
Jua ka verbue ata sy

T'i shani e t'i fyeni
Bijtë që bënë lavdi
Që me gjak e jetë
Na sollën këtë liri
Jo, jo kurrë s do t'jeni
Vëllezër as miq të mi

Jo, jo, shamëni lirisht
Se kurë s'do të bëhem
Servil, as sahanlëpirës
Po besoj, shpresoj
Urrej, dashuroj
Dhe jetoj vetëm shqip
E shqip e dua edhe mikun
Shqip e urrej dhe armikun
Shqip e mallkoj edhe të ligun
Gjakatarin e barbarin
Shqip e dua vëllanë
Nipin e xhaxhanë
Shqip e dua dhe motrën
E nderoj dhe votrën
sepse jam shqiptar
E nuk jam tradhtar
Shqip të dua dhe ty, mbesë
Që për ty kam shpresë
Admirim dhe besë

Jo, jo, më pështyni edhe në fytyrë
Më fyni si ju dini më mirë
Por kurrë s’ do t'ju lejoj
T'm'i fyeni të mitë heronj

Unë poeti vetë
Me miqtë e mi poetë
Me majat e lapsave
Me fjalët në fletë
Porsi llavë vullkani
Me fuqi titani
Do t'i këndojmë heronjtë
Bijtë e këtij vatani
Shtatoret e larta
Edhe lapidaret
Të kujtimit pllaka
Madje edhe varret
Do t'ua përqafojmë
Mbi to do t'këngëtojmë
Se ishin dhe do të mbeten
Krenaria jonë

Kur dje ti, si unë
Qëndroje n'furtunë
Një vrimë e kërkoje
Kokën ta strehoje
Kur gjakatari
Paramilitari
Çetniku e i ligu
Tokën na e skuqi
Lulet na i shkeli
Jetën na e erri
Kah të erdhi ndihma
Më thuaj ti, o njeri
A po s je njeri
Ti o faqezi

Kush mohon dëshmorët e vet
Trupin dheu kurrë mos ia trettë!
II
edhe ti që i fyen themelet e shtetit
Foli me t'mirë vetit
Se s'je biri i mbretit
Dije mirë o tru- tharë
Se meriton të tërhiqesh zvarrë
Që n trup t' kombit ti hap varrë
E s'je kurrkushi
Por je fytyrëpalarë

Kësaj toke rëndë po i vini
Ju që kundër saj po jini
Prandaj ju s'meritoni
Asnjë pëllëmbë për varre
Se jeni me marre
Ju mund të jini gjithfare
Por kurrë s’besoj se jeni

Të racës shqiptare

Shqiptari i vërtetë

Dhe shqipet majë shkrepash
Atij ia njohin qëndresën

Dhe miq e armiq
Ia respektojnë besën

Ai me forcë graniti
E grushtin të çeliktë
Fuqinë prej Titaniku

Përherë luftëtar
Gjatë shekujsh të gjatë
Ushtar i atdheut
Me hushtë e me shpatë
Zemra e tij e artë
Dashuri e zjarrtë

Ai prore i forte, shkëmb mali
Për liri-xixë stralli
Për Shqipen në Flamur-
Kala gur mbi gur

Ai-plisbardhë nëpër breza
Rrufe në beteja
Flakadan lirie
Shpresë për ditë të reja

Më miku ndër miq
I urtë për urti
Prore luftëtar
Për t’atdheut liri

Ai-përherë krenar
I vërtetë shqiptar

Të ndarë

Atdheu ynë-
I ndarë
Bijtë e tij-

Të përçarë
Motra e vëllezër-
Kurbetqarë
Zemra ime-
E vrarë...

ZEMRA

Shpesh na dikton,
Na nxit,
Na sundon,

Na ndalon.

Është lumë,
Tufan,
Det me valë,
Oqean.

Fërfërin,
Fluturon,
Urren,
Dashuron.

Ndrit,
Gurguron,
Buzëqesh,
Rënkon.

E qetë,
Të trishton.
Shpesh e mbetur vetë,
E djegur, e shkretë.

KOHË E PAKOHË

Qentë kuisin
Ujqit ulërijnë
Pas bredhjesh të gjata

Kur koha e hëngri kohën
Mbi hi të natës këndojnë korbat
Me krakamë krra-krra
Dhe qyqet e shkreta
E bufët e verbër
Lakuriqë e minj
Kërmij e shtërpinj

Duke fluturuar
Hecur e zvarrë-zvarrë
Çdoherë janë në ikje
sepse janë kusarë
Sepse janë lanetër
Sepse janë barbarë
Duke u vërtitur në rreth
Rreth jashtë rrethi
Rreth brenda rrethi
Rreth mbi rreth
Rreth nën rreth
Rreth në rreth
Rreth e rrotull
Çakejtë këndojnë

Pas shumë shekujsh
Nga shkëmbi i lartë i kohës
Humbur në greminat skëterrë
Zogjtë e trullosur thyejnë krahët e vet
Derisa era i përkul
Degët e gjera të lisave
Në hapësirën e madhe
Si nëpër ethet e botës
Në natën që e ndan hapësirën
Që e ngjall
Që e zgjon
Që e dallgëzon
Që e trazon
Për ta shpëtuar
Nga rënia në shpellë të errët të vetmisë
Të mbushur me zbrazëti
Si grushta uji fytyrës së përgjumshme
Shpuar nga shigjetat e diellit
Me mashtrimin e ëmbël të largësisë
Që mendon për udhëtim në kohë shtrëngatash
Midis erës dhe diellit
Midis tokës dhe qiellit
Midis hënës dhe diellit
Që me ëndrra e lidh zërin e njeriut
Në mullirin e vjetër të epokës
Pas horizontit që dridhet
E të gjithë rrathët i lartëson
Që edhe kohën e ndalon
Duke ruajtur pasurinë shterpe
Të diellit të kotur
Derisa thellë fundoset
Në hullitë e natës

Me një besë

Nën syrin e zgjuar të diellit
Mes ngjyrash të bukura t'ylberit
Si dallgëzim i erës pas ëndrrash t'fëmijërisë
Paskajësi e bardhë, pagjumësi e rrallë
Mësuam fluturimin e gjeraqinës
Horizonteve që prore dridhen
Me krahët e kohës së lodhur
Para së cilës ekziston vetëm fjala
Ama fjala e burrit
E rëndë me peshë të gurit
Nëpër kohën e habitur që s'ndalet
Me një besë për këtë tokë që s'falet



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora