E premte, 29.03.2024, 12:01 AM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Monografi që shpalos histori e krenari

E merkure, 25.09.2019, 08:11 PM


MONOGRAFI QË SHPALOS HISTORI E KRENARI!

Rreth monografisë “Ismail Kaso Dhëmblani dhe Lufta e Gribës”, të Veli Varfit

NGA PËLLUMB GORICA

Çdokush kur merr në dorë një monografi, me kuriozitetin se çfarë ka shkruar autori, e lexon atë jo si stisje të radhës, por me kujdesin që ajo kërkon. Teksa fjalët rrjedhin njëra pas tjetrës, ndërthurja e tyre të rrëmben duke u bërë pjesë e leximit të fakteve, detajeve, vlerave..., dhe merr kulturë.

Të shkuash në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, duhet të kesh talent, por edhe vullnet. Natyrisht, që ka potenciale intelektuale dhe studiues për ta bërë këtë në përgjithësi, me intelekt, intuitë, botë të pasur shpirtërore e fisnikëri vlerash. Në veçanti kur i ngacmon historia me ngjarjet dhe protagonistët patriotikë është detyrim të njohim historinë e të parëve, për të ditur nga vijmë e kush kemi qenë, dhe t’ua bëjmë me dije të gjithëve. Historia e popullit tonë është e mbushur me ngjarje të shumta. Kjo i përket jo vetëm paraqitjes, por kur lexon më shumë për këto ngjarje dhe kontribute është e rëndësishme vërtetësia e pasqyrimit. Ndaj në gjithë këtë, studiuesi, ngrihet mbi nivelin e dijeve, të vlerësimit të dokumenteve me hulumtimet, kulturën dhe virtytin për kontributet.

Inisiativa për shkruarjen e një libri të karakterit historik duhet përshëndetur, e aq më tepër kjo si domosdoshmëri e kohës, për të mos e lënë atë në pluhurin e harresës. Ajo nuk mund të shkruhet sipas tekave personale të individëve apo grup- njerëzish me sajime, (sepse shpesh e kanë masakruar historinë), por duke e eksploruar atë me qasje serioze. Ne kemi lexuar jo rrallë libra që u ngjajnë tullumbaceve, me lavdi të pamerituara, të cilët e kanë zbehur historinë. Ndaj është përgjegjësi e madhe të shkruash e t`i evokosh ato, ndërmjet burimeve dokumentare të kohës; historikëve, kujtimeve të shkruara nëpër ditarë, të cilër ruhen me fanatizëm, por edhe ndërmjet rrëfimeve të dhjetra burrave të mençur e natyrisht prej këngëve, si fakte të pamohueshme që tregojnë veç të tjerave vlerat njerëzore, shpirtërore e historike. Të shkruash për ngjarje dhe figura patriotike, të duhet t’i shtjellosh ato në kompleksin e mozaikut historik të kohës. Në këtë mënyrë, ajo vjen më interesante, si një dritare, për të njohur më shumë edhe trevat e njohura qysh nga lashtësia. Nëse nuk shkruhet, ato degradojnë në kohë, me indiferencën, dhe pesha e tyre bie mbi to, mbi ne, mbi brezat që vijnë...!

Studiuesi, Veli Varfi prej kohësh ka gërmuar në dokumenta e kujtime të pafundme, të cilat dëshmojnë histori dhe ngjarje në kohëra; ai në organe të shtypit ka shkruar mjaft trajtesa me interes njohës për krahinën fisnike të Labërisë, e veçanërisht për zonën e Lopsit të Tepelenës. Ne kemi të botuar një studim interesant për Ismail Kaso Dhëmblanin dhe Luftën e Gribës, për vlerat natyrore dhe historike të Lopsit të Tepelenës në shekuj. Unë shikoj si interesante faktin, që studiuesi në këtë monografi sjell një enciklopedi të vogël të hershmërisë së Labërisë, që pulson me gjetje arkeologjike të antikitetit e të mesjetës. Përmes leximit të monografisë “Ismail Kaso Dhëmblani dhe Lufta e Gribës” ne njohim krahinën e Lopsit, lashtësinë historike, traditat, ngjarje historike, emra, toponime etj, por ashtu thjesht e natyrshëm, siç ka vijuar përgjithësisht jeta në këto troje. Pra, kemi të bëjmë me histori krahinore, në vizione zhvillimesh dramatike, që ndonëse një pjesë janë të njohura, ato përsëri kanë interes si çdo histori e një vendi.

I përhumbur në ato që lexon e ndjen se ke përpara syve Lopsin, natyrën e tij mbresëlënëse, me peizazhe interesante gjeografike, ku, ato male historike të veshura me mantele mjegullash, si krenari kanë vulë patriotizmi, dhe të joshin për t`i vizituar. Ato janë përshkruar me aq pasion nga autori sa të rrëmben befasisht leximi sikur i ke përpara syve. Mua më ngjet se..., e vizitova dhe shijova këto mrekulli!

Në monografinë “Ismail Kaso Dhëmblani dhe Lufta e Gribës”, të bën përshtypje mënyra e të shkruarit, por edhe se si përcillen ngjarjet. Gjuha e përdorur nga autori nuk është gjuhë e thatë historike, nga një raport apo dokument i servirur. Lupa e studiuesit i shpleks ngjarjet të shtrira ndër indet, që kanë ushqyer mjedisin e favorshëm atdhetar. Por, nuk është e lehtë të shkruash për kompleksitetin e tyre, për t’i pasqyruar të dhënat e një kohe të largët, dhe natyrisht autori është ndeshur në hulumtime me vështirësi, sepse siç shkruan autori “… ka një zbraztësirë të dhënash në gjurmët që kanë lënë ngjarjet jetike në zonën e Lopsit, si gjithandej trojeve shqiptare”. Por, pasioni dhe njohuritë, i kanë dhënë të drejtën të sintetizojë historinë e vendlindjes për të mbajtur të lartësuar Lopsin; ngjarjet dhe patriotët e saj, që kanë lënë gjurmë për kohën, dhe kjo është e natyrshme, sepse historia duhet shkruar për të mos u shuar, si flaka e qiririt në errësirën e thellë të natës.

Kur shfleton studime të tilla historike, ajo çfarë të bën përshtypje është pasqyrimi dhe përpjekja për të shpalosur ngjarje e kontribute, të cilat kanë lënë gjurmë të thella. Autori, më së shumti hedh dritë mbi luftën, sakrificat për liri e për mbijetesë të Lopsit në fillim të shekullit të kaluar, në një kohë të turbullt, me trazira si ciklone, jo vetëm në Shqipëri e Ballkan, por në gjithë Europën. Në këtë monografi, autori i motivuar sjell më të mirën e mundëshme për të shkruar rreth morisë së këtyre ngjarjeve e situatave të vështira që kalonin territoret e Jugut të Shqipërisë, kontributet, kuvendet dhe gadishmërinë për ta mbrojtur atë. Megjithëse këto vitet e fundit është shkruar jo pak, dhe ç’është me interes të theksohet shumë ngjarje dhe emra fatkeqësisht janë destinuar të humbasin e të zhduken nga kujtesa; ashtu sikundër një ditë do të treten të gjitha, nëse nuk shkundet pluhuri i heshtjes. Pa anashkaluar këto, monografia “Ismail Kaso Dhëmblani dhe Lufta e Gribës”, shquhet për saktësimin e dokumentave, fakteve, rrëfimeve, etj.

Në çdo vend indentifikohen patriotë, ku veprimtaria e tyre ndrit e mbetet e gjallë ndër breza. Lopsi, në rrugën e gjatë të historisë ka nxjerrë figura me veprimtari të madhe patriotike, si pjesë e historisë së tij, që janë shquar për cilësi si: trima, të zgjuar, punëtorë, të besës, guximit, kulturës dhe arsimdashës. Të shkruash për jetën e një figure patriotike, që shfaqi aftësitë e tij, dhe ka hyrë në histori nuk është e lehtë. Studiuesin Veli Varfi e ka intriguar personaliteti i Ismail Kaso Dhëmblanit. Ndaj, në këtë monografi shfleton fakte rreth kësaj figure patriotike, me peshë dhe të shquar në historinë e trevës.

Ismail Kaso Dhëmblani jetoi në mes të viteve 1800 e fillim të viteve 1900. Lipset të njohësh gjurmët e kohës ku lindi e jetoi, ku zuri fill vetëdija e tij njerëzore, ku thithi ajrin e kristaltë e piu ujin e burimeve të vendlindjes. Pa harruar arsyen e fortë që jeta i mori një drejtim me perspektivë për të ardhmen fill pas arsimimit, por edhe fakte të kohës ku veproi, kujtime të bashkëkohësve, copëza ngjarjesh, përjetësimet e këngëve që përcjellin aktivitetin patriotik të tij. I ngërthyer mes rreshtave që bëjnë fjalë për figurën patriotike të Ismail Kaso Dhëmblanit ngarkohesh me emocione, kur autori paraqet si në ekran faktorët që ndikuan në formimin e tij, qysh nga vitet e fëmijërisë, maturinë që buronte nga edukimi në Medresenë e Kaninës, kulturën e përftuar në familjet e mëdha vlonjate, por edhe për shpirtin liridashës të shoqëruar me krenarinë e skalitur të menduarit e të vepruarit si njeri i veçantë. Gjithashtu, të gjitha mundimet e një jete të tërë, udhëtimet misionare në Gjermani, sakrificat, përgjegjësitë administrative dhe ushtarake në Janinë, Filat, Tepelenë, Vlorë e Fier, aktet dhe qëndresën heroike në krye të çetës luftarake të Lopsit, meritat dhe gabimet, arrestimet, burgosjet apo internimi në Itali, kontributi i tij në ngjarjet madhore të kombit, siç ishin Shpallja e Pavarsisë e kuvendet patriotike. Ndaj vetëm kështu çmohet e vlerësohet figura e tij, e cila është analizuar e pasqyruar edhe në këndvështrimin e situatave të ndera që po kalonin territoret shqiptare. Lopsiotët u ngritën të “zgjuar” nën drejtimin e tij, si organizator i një besëlidhjeje, duke u dhënë grekëve të kuptonin se shqiptarët ishin gati të mbronin me çdo sakrificë tokën e tyre.

Me mendimin për të pasuruar historinë e jo për ta shtrembëruar, duke lënë mënjanë harresën prej rrethanave të kohës, por edhe historianëve të regjimit të kaluar komunist, që i shërbyen atij me devocion, kjo pamundësi njohje për autorin bëhej e vështirë. Ismail Kaso Dhëmblani, shkruan autori, u la në heshtje gjysëmshekulli për bashkëpunimin me figurat historike të kohës, të padëshiruara për atë regjim, si: Mit’hat Frashërin, Myfit Libohovën, Ferit Vokopolën, Kristo Meksin, Eqerem bej Vlorën etj. E duhet ta pranojmë se ndaj tyre cmira, urrejtja, heshtja dhe harrimi karakterizoi këtë kohë.

Pjesa e dytë e monografisë “Ismail Kaso Dhëmblani dhe Lufta e Gribës”, sjell një pamje të rrjedhave historike në fillimshekullin e kaluar në trevat shqiptare, luftën për forcimin e shtetit shqiptar, për të mbrojtur hapësirën territoriale të Lopsit nga andartët grekë. Autori thekson ndjenjën patriotike dhe dashurinë për të qenë të lirë, e cila ka karakterizuar shpirtin e lopsiotëve me akte patriotike në qëndresën kundër pushtuesve. Në psikologjinë e labit ndjehet karakteri burrëror, si simbol i vlerave të tyre. Ishte koha kur ngjarjet morën një rrokullimë të ethshme, dhe i gjithë Jugu, e jo vetëm ai, në fillim të shekullit të kaluar, përjetoi një periudhë tragjike, e cila konsistonte në grimcimin e tokës shqiptare, duke mos harruar se kemi qënë gjithmonë lakmi e fqinjëve tanë. Ndaj, për t’i paraprirë këtij agresioni u tubuan patriotë nga krahina të ndryshme të Jugut në një kuvend në Dhëmblan të Lopsit në vitin 1914, një besëlidhje e cila luajti rol të rëndësishëm me vendimet që u morën. Nëpër dhjetëra rreshta, autori sjell në kujtesë këtë moment historik, protagonistët e kësaj besëlidhje, këngët që i kushtohen, guximin dhe vendosmërinë e tyre, kur andartët grekë ishin lëshuar si lukuni ujqërish të shfarosnin shqiptarët; duke vrarë me qindra banorë, plaçkitur mijëra bagëti, djegur e rrafshuar jo pak vendbanime. Të tërheqin vëmendjen detaje nga pjesëmarrja e lopsiotëve për të ndaluar përparimin e vrullshëm të grekëve, apo siç është njohur: Lufta e Gribës! Kundërveprimi i tyre ndaj mësymjes së grekëve, është krejt i veçantë në gjithë krahinat e Jugut. Ka momente të tjera në monografinë “Ismail Kaso Dhëmblani dhe Lufta e Gribës”, ku autori përmend me krenari komandantë e trima të dëgjuar,si Mersin Meçe dëshmori i rënë në malin e Gribës, Selam Musai, Dule Dalani e Myrto Tafili, që jo vetëm ishin njerëz të besës, me autoritet e karakter të fortë, por spikatën me guximin dhe trimërinë e tyre. Pesha e fjalës së tyre ngriti në këmbë dhjetëra luftëtarë për të mbrojtur trojet deri në frymën e fundit pas shpalljes së pavarsisë.

Ky botim monografik, modest nga përmasat dhe vlerat, sjell një mesazh për të mos harruar në kujtesën e kohës, emra, dëshmi e fakte të ngjarjeve në historinë tonë kombëtare. Veçse ne vlerësojmë studiuesin Veli Varfi, që me kompetencë historike arkivoi historinë dhe kontributet e brezave.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora