Editorial
Fran Gjoka: Shkolla si paraprirëse e zhvillimit
E hene, 23.09.2019, 08:31 PM
Shkolla si paraprirëse e zhvillimit
Nga
Fran Gjoka, Lezhë
Në
gjithë këto vite demokraci, arsimi shqiptar natyrisht që ka bërë hapa përpara,
ai është integruar më shumë dhe suksesshëm me arsimin bashkëkohor europian,
ndërkohë që është shkëputur nga shumë
hallka dhe përvoja strikte e shabllone të së kaluarës, duke u vendosur në shina
të reja, duke u reformuar përherë e më shumë. Ndryshimet e shkollës i ka bërë
më të domosdoshme edhe fakti se në
shkollë është brezi më energjik dhe më
aktiv i vendit, fëmijët dhe të rinjtë, të cilëve u takon e ardhmja; janë ata që do të jenë nesër
pararoja, lokomotiva e jetës dhe e zhvillimeve demokratike, social-ekonomike,
shkencore e kulturore të vendit. Arritjet janë të padiskutueshme, por të atilla
janë dhe problematikat që shoqërojnë këtë zhvillim të arsimit e që kanë të
bëjnë veçanërisht me zbatimin dhe aplikimin e vazhdueshëm të
reformave e risive, me mbështetjen e gjerë dhe të shumanshme, por edhe me
gjetjen e mjeteve dhe metodave sa më
efektive, materiale, shkencore, kulturore e pedagogjike.
Arsimin
dhe shkollën e përbëjnë shumë komponentë të rëndësishëm, mjafton të çalojë
njëri e pastaj edhe të tjerët çalojnë. Janë
komponentë të njohur, që kanë parësor: mësuesin si figurë qëndrore të shkollës,
drejtimin e saj modern, por dhe vet nxënësit, që janë kryesorët, sepse, në
radhë të parë, misioni i shkollës ka të bëjë me ta, gjithçka bëhet që ata të tregohen
sa më aktivë dhe të interesuar që të përvetësojnë sukssshëm programet
mësimore-edukative, përmbajtjen e teksteve bazë të çdo lënde mësimore, por dhe të shkathtësohen me vetveprim
aktiv për të fituar kurdoherë dije dhe njohuri të gjera e të gjithanshme.
Drejtim bashkëkohor
Natyrisht
që asgjë nuk arrihet nëse roli dhe drejtimi i shkollës nuk është në lartësinë e duhur, kjo dhe për faktin e thjeshtë
se një program bashkëkohor realizohet nga drejtues bashkëkohor, e, nëse ka
mospërputhje midis drejtuesit dhe
programit që duhet të zbatohet, atëherë
gjithçka është e dështuar që në nisje. Kjo hallkë e rëndësishme,
pra drejtimi bashkëkohor i shkollës,
merr vlerë e rëndësi të dorës së parë sidomos sot kur reformat e
ndërmarra synojnë standarde të reja të shkollës, duke filluar nga godinat
e tyre të pajisura me të gjitha aksesorët
dhe kushtet e duhura e moderne: me
klasat, kabinetet dhe laboratorët, infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e procesit mësimor, përzgjedhjen e
teksteve të lëndëve, të cilat duhet të përmbajnë arritjet më të thella të
shkencave sociale, shkencore, teknike dhe ekonomike, ndërkohë që gjithçka duhet të shoqërohet me zbatimin e kërkesave bashëkohore
pedagogjike, me bashkëpunimin e shkollës me komunitetin etj. E gjithë
veprimtaria drejtuese në shkollë me përmbajtje të shëndoshë, me strukturë dhe
standardet e nevojshme, detyrmisht kërkon të zbatohet nga drejtues dhe pedagogë
të përgjegjshëm, të aftë profesionalisht, nga njerëz që ecin me hapat e kohës
dhe që i përkushtohen shkollës me të gjitha energjitë dhe fuqitë e tyre
intelektuale, që udhëheqin me shembullin e
tyre, duke përdorur forma të larmishme e të zhdërvjellëta gjatë gjithë
procesit mësimor e veçanërisht gjatë
zhvillimit të orës së mësimit.
Nga
ana tjetër, zbatimi korrekt dhe pa i koklavitur gjërat artificialisht, por duke
vënë gjithçka në fuksion të përcjelljes te nxënësi të grumbullit
të njohurive që janë programuar për një
vit shkollor. E bënë efektive një shkollë, veçanërisht
drejtimi me plane dhe programe të studiuara mirë dhe të kapshme nga nxënësit,
të lehtësuara nga pesha e tepërt e
teorive dhe frazelogjive boshe, por edhe bashkëkohësia që ka në bazë metodologjinë
dhe pedagogjinë më të avancuar e më moderne, ashtu dhe zbatimin e lirive dhe të
drejtave demokratike të nxënësve dhe të
mësuesve.
Një
drejtues bashkëkohorë, i pajisur me cilësitë e kërkuara sociale, shkencore e
pedagogjike, natyrisht që është në gjendje t`i kryej me sukses këto detyra dhe
mund të themi se, në arsmin shqiptar janë mundësitë për një përzgjedhje sa më
realiste dhe objektive, jashtë paragjykimeve apo ndikimeve e praktikave
partiake, nepotike e liberale. Besojmë
që, sot, të gjithë janë të ndërgjegjshëm për këtë seriozitet dhe përkushtim
ndaj shkollës, i cili duhet të vijë në radhë të parë nga shteti, por edhe nga e
gjithë shoqëria, deri nga çdo familje shqiptare, ashtu
dhe nga vetë fëmijët dhe të rinjtë që studiojnë në bankat e shkollës. Arritjet
apo mos arritjet e deritanishme na bëjnë që të jemi shumë herë më kërkues për
vendosjen e shkollës në baza gjithnjë e më të shëndosha shkencore e moderne,
duke larguar nga drejtimi kuadro të paaftë, të vendosur aty nisur nga interesa
partiake, miqësore apo nepotike, që, megjithse mund të kenë dëshira të mira,
s`mund të përmbushin dot kërkesat që ka drejtimi i një shkolle moderne.
Drejtuesi i mirë nuk drejton dot vetëm, por së bashku me këshillin e
mësuesve
Nuk
mund të thuash sot që “shkolla kërkon vetëm klasa, libra, mësues dhe zilen që
bie çdo 45 minuta!” Kjo do të ishte shumë sempliste dhe s`do t`i
shërbente askujt, përkundrazi do ta bënte shkollën krej formale e të pa vlerë,
ku gjithkush mund të bëj çfarë të dojë dhe si
të dojë, ku të gjithë të kërkojnë të drejta dhe t`u kthejnë shpinën detyrave.
Ky qëndrim i skajshëm liberal e tolerantë, do të ishte një gabim i pafalshëm jo
thjesht për fëmijët dhe të rinjtë pjesëmarrës në një shkollë, por do të ishte
një boshëllëk i madh edhe për vet shoqërinë, për vet zhvillimet aktuale dhe të
mëvonshme që do të reflektohej në të gjitha fushat e jetës, do të ishte një
ngecje në vend, prapambetje dhe hapa prapa. Një shkollë moderne, s`ka asgjë të
përbashkët nga sa thamë më sipër, ajo,
është një “organizëm” i gjallë dhe në lëvizje të vazhdueshme, një
institucion serioz i dijes dhe i edukimit, i cili kërkon doemos që, drejtuesi i
saj të jetë ndër mësuesit dhe specialistët e arsimit nga më të përgatiturit dhe më të formuarit nga
ana profesionale e shkencore, një menaxhues i kualifikuar, teorik dhe praktik i
organizimit të punëve brenda shkollës, një njeri i aftë që të njohë mirë
kolegët mësues dhe të ndërtojë me ta marrëdhnënie sa më korrekte, duke u
kërkuar vënien në lëvizje të aftësive dhe fuqive të tyre intelektuale, por dhe
duke i nxitur dhe duke u besuar atyre sepse, janë pikërisht ata, që do t`i
zbatojnë planet dhe programet e
shkollës, që do të vënë në jetë idetë më të përparuara, duke bërë sa më
të përvetësueshme tekstet dhe përmbajtjet e tyre, programin dhe planin mësimor
edukativ, ndërkohë që ky drejtues, duhet të di dhe të njohë thellë shpirtin e
kontigjentit të fëmijëve e të rinjve që përbëjnë dhe pjesën qëndrore dhe më të
rëndësishme të vetë shkollës, sepse në fund të fundit, shkollimi është
pikërisht për ata, fëmijë dhe të rinj, që t`i armatos ata me dije dhe njohuri
të thella, që të njohin veten, jetën dhe botën që i rrethon, të kenë kureshtje
dhe dëshira për të ditur dhe për të mësuar sa më shumë.
Drejtimi i shkollës nuk është thjesht një vend punësimi
Drejtimi
i shkollës nuk është asnjëherë një barrë e lehtë, nuk është thjesht një vend
punësimi komod dhe i lakmuar. Jo! Një drejtor shkolle ka përgjegjësi të mëdha
për zbatimin e një programi serioz e bashkëkohor së bashku me mësuesit që janë
zbatuesit e drejtpërdrejtë të atij programi, secili në lëndën e tij, në klasën
e tij dhe me nxënësit e tij e, të gjithë bashkë, drejtues, mësues, nxënës dhe
prindër, të përbëjnë një trup të vetëm, të interesuar fuqimisht në përgatitjen
shkencore dhe qytetare të brezit të ri, që t`i përgjigjet edhe vet zhvillimeve
të vendit, pasi edhe fëmijët dhe të rinjtë tanë, janë sot dhe, do të jenë edhe
nesër, pararoja e shoqërisë moderne.
Ashtu siç kërkojmë drejtor të zotë dhe të kualifikuar, sot në
shkollë kërkojmë dhe duhet të kërkojmë edhe mësues profesionalë e të
përzgjedhur, të gatshëm të marrim përsipër detyra jo thjeshtë rutinë dhe sa për
të kaluar edhe këtë orë mësimi, por të atillë që të ndjejnë përgjegjësi për
zhvillimin e plotë dhe efektiv të orës së mësimit, duke arritur të përcjellin
me nivel te nxënësit atë sasi njohurish të programuara, por edhe të dhëna
cilësisht dhe me forma sa më efektive e të larmishme, tërheqëse dhe të dashura
për nxënësit. Natyrisht që ka nxënës që druajnë dhe nuk janë të përqendruar
gjatë orës së mësimit dhe, aq më keq nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur studimit
të lëndës për të nesërmen, por pikërisht këtu është dhe e duhet të jetë edhe
aftësia e drejtuesit dhe e mësuesit, që
ta bëjnë dhe ta zhvillojnë mësimin në mënyrë që ai të prezantohet me gjithë
rëndësinë e tij, sa më i kapshëm dhe i kuptueshëm, duke tërhequr edhe nxënësin
në përvetësimin sa më të mirë të tij.
Jo kushdo mund të kryejë detyrën e drejtorit të shkolles
Përpjekjet tek ne kanë qenë gjithnjë të tilla për të
përzgjedhur si drejtues shkolle mësuesit më të mirë dhe më të përgatitur,
ndërkohë që me të zgjedhurit janë zhvilluar dhe zhvillohen trajnime të
vazhdueshme. Edhe vetë personi që kërkon të bëhet drejtor, duhet doemos ta
mendoj si një nga detyrat dhe misonet më të rëndësishme të jetës së tij
drejtimin e shkollës, përkushtimin
e plotë ndaj saj, por edhe organet eprore
të shkollës, që nga Ministria e Arsimit dhe e organet vartëse të saj, duhet të
kërkojnë dhe të këmbëngulin në formimin e plotë të këtij drejtuesi, që ai të
ketë aftësitë e duhura duke filluar nga rregulli dhe displina e nevojshme për një shkollë me standarde, por
edhe sesi ai të kërkojë zbatimim
bashëkohor të planeve dhe të programeve
moderne në shkollën që ai drejton. Nga përvoja them se drejtuesi në arsim i të gjitha
niveleve duhet të jetë i vetëdijshëm për misionin e tij, ai nuk duhet të jetë
vetëm njeri i urdhërave, i dhënies së porosive dhe detyrave, por në radhë të
parë duhet të jetë njeri i përgatitur profesionalisht, metodikisht dhe i
përkushtuar për të kryer detyrën deri në detaje, aktiv në çdo kohë duke u
qëndruar në kokë punëve të shkollës, jo paternalist, se “e di unë” dhe “kështu
them unë”, por edhe duke nxitur iniciativat e mësuesve më të përparuar të
shkollës. Një drejtues i mirë, me kulturë dhe i përgatitur krijon atmosferë të
ngrohtë me mësuesit dhe me nxënësit, në mënyrë që punët të kryhen se, duhet,
por edhe me ndërgjegje e vullnet, me zhdërvjelltësi.
Ministria e Arsimit i ka zhvilluar, le të themi, kurset
apo trajnimet e duhura me drejtuesit e shkollave gjatë muajve të verës, por ato
trajnime janë dhe duhet të jenë të përhershme, sepse shkolla, si një organizëm
i gjallë, kërkon të “ushqehet” vazhdimisht me ide, forma dhe metoda nga më të
avancuarat, aq më shumë sot kur Shqipëria është e hapur me botën edhe
informacioni bashkëkohor është aty pranë dhe mund të merret sa më shpejt, sikurse edhe format dhe metodat dhe gjithçka e re në
drejtim të shkollës, mund dhe duhet të përvetësohet në kohë dhe cilësisht.
Ndryshe humbasim shumë, krijojmë shumë boshllëqe dhe në vend të një shkolle
moderne, do të kishim një shkollë rutinë e formale.
Një drejtues i
mirë, përpos sa thamë më sipër, dëgjon dhe tërheq edhe mendimet e mësuesve të përparuar, i vlerëson ata dhe i
përgjithëson. Kjo edhe për faktin se nxënësit kanë secili karakteristika dhe veçori
të llojllojshme, janë tipa dhe karaktere
të ndryshme dhe me ta nuk mund të punohet në global, me të gjithë njëherësh dhe
me të gjithë njëlloj, si me njërin edhe me tjetrin, por edhe duke u ndaluar
në tiparet dhe karakteristikat e tyre të
veçanta. Në këtë kuptim drejtuesi i mirë e kërkon këtë zhdërvjelltësi edhe te
mësuesi, por edhe i përgjigjthëson shembuj më të mirë dhe më të përparuar.
Mësuesi, figura qëndrore e shkollës dhe e klasës.
Kemi vënë re se
bëhen shpesh herë trajnime të mësuesve dhe natyrisht kur këto mbështeten në
përvojat më të përparuara europiane dhe ato botërore, edhe arritjet dhe
rezultatet nënkuptohen që janë shumë herë më të mira, por do të thosha që edhe vet drejtuesit apo mësuesit
professionalë, duhet të sygjerojnë forma metodike, sikurse përvoja që janë të
avancuara dhe japin rezultate konkrete te nxënësit tanë.
Nëse merret apo
aplikohet një përvojë ta zëmë nga vendet skandinave, që janë të përparuara në
arsim, sigurisht që ky hap është një gjë shumë e mirë nga institucionet
arsimore të vendit, por të mos harrojmë se ato reforma nuk duhet të zbatohen
shabllon, sepse edhe mësuesit, edhe nxënësit tanë, kanë disa karakteristika të
ndryshme, që lidhen me zhvillimet e shumanshme të atyre vendeve e që ato janë:
sociale, ekonomike, teknologjike e shkencore. Por, edhe ligjet, udhëzimet,
metodologjitë që përdoren etj., atje i përkasin dhe i përgjigjen atij standardi
të lartë dhe jo nivelit e standardit tonë aktual. Specialistët që e njohin mirë
këtë problematikë, natyrisht që duhet ta thonë më mirë dhe me më shumë
kompetencë fjalën dhe mendimit e tyre, veçanërisht tani në fillimin e vitit
shkollor, sepse, një punë e nisur mirë, përbënë edhe një mundësi dhe bazë për
një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt.
Natyrisht që
shkolla sot dhe puna e mësuesit është edhe më e vështirë se në dekadat e
monizmit, kjo edhe për faktin sepse sot bëhet problem i madh dhe i papranueshëm
për shoqërinë mbajtja e displinës së nxënësve me anë të dhunës, me anë të
shuplakave dhe britmave frikësuese. Sot kërkohen forma sa më efektive, por të
bazuara dhe në liritë dhe të drejtat që ka, ashtu si mësuesi, por edhe nxënësi,
i cili duke qenë në rritje dhe duke mësuar, ka nevojë edhe të respektohet më
shumë, të trajtohet ngrohtë, si dhe të nxitet e
ndërgjegjësohet për nevojën e përvetësimit të lëndës, duke ia bërë
shkollën sa më të dashur dhe jo si një vend të bezdisshëm e monoton, por të
mirëpritur, që ai të shkojë me qejf e dëshirë atje, duke kuptuar se ajo është
për atë vetë, për shoqërinë e familjen,
për dhe vetë zhvillimet. Këtu, mësuesi merr përparësi dhe rol të veçantë e
pararojë. Një mësues të mirë, që di ta kryej më së miri detyrën, nxënësit jo
vetëm e dëgjojnë dhe e kuptojnë, por ata arrijnë ta përvetësojnë
që në klasë temën e mësimit, kurse duke e thelluar më tej në shtëpi, të
nesërmen, ata janë të aftë të tregojnë
nivelin e përvetësimit të dijeve që kanë fituar.
Përgjithësimi i shembujve të mësuesve më të përparuar
Të gjithë ne,
kur bëjmë retrospektivë të kohës kur kemi qenë nxënës, sjellim në vëmendje
mësuesit tanë më të mirë dhe më të dashur prej të cilëve kemi mësuar aq shumë,
por dhe që kanë ditur të sillen mirë
duke ndërtuar me ne marrëdhënie sa më të pëlqyeshme që i kanë shërbyer
përgatitjes me dijet e nevojshme dhe edukimit.
Prandaj, kërkesa
është e tillë që, shembujt e emësueve të
përparuar dhe model, duhen përgjithësuar, në seminare, takime dhe trajnime,
duke përgjithësuar vecanërisht aftësitë e tyre profesionale dhe pedagogjike,
aftësitë e mësimdhënies dhe ato për të menxhuar klasën, duke e bërë lëndën
krejtësisht të përvetësueshme nga nxënësit.
Këto janë vlera
që s`duhen anashkaluar. Këtë e bëjnë edhe vetë mësuesit, duke përfituar nga
metodat dhe përgatitja profesionale e pedagogjike e kolegëve të tyre, por duhet
ta bëjnë edhe drejtuesit e shkollave jo thjesht dhe vetëm si vlerësim për më të
mirët, por edhe si shembull që duhet përgjithësuar. Vet shkolla, si një
institucion i organizuari, i ka të gjitha mundësitë e zhvillimit të këtyre
përgjithësimeve, shpejt dhe saktë, pa zyrtarizëm dhe pa ceremoni formale.
Mësuesit e klasës së parë
Sidomos në
fillimin e viti të ri shkollor, drejtuesit dhe mësuesit, e kanë për detyrë
pedagogjike të krijojnë një atmosferë sa më të ngrohtë që nxënësit ta kenë
shkollën, klasën, mësuesit dhe drejtuesit sa më të dashur. Kjo është më se e
nevojshme vecanërisht me nxënësit që
vijnë në klasë të parë, të cilët kanë shumë nevojë të afrohen me dashuri me
shkollën, ta ndjejnë atë si vendin ku do
të marrin njohuri dhe dije të shumanshme për jetën dhe botën, por dhe ku do të
shfaqin talentin dhe formimin e
personalitetetit për të nesërmen. Në bisedat që bëjmë me shumë kolegë arsimtarë, sapo atyre u
kujton shkollën, në përytyrim u shfaqen vecanërisht mësuesit e klasës së parë,
madje shpesh herë ata e identifikojnë shkollën me mësuesen që kishin në klasën
e parë, ia kujtojmë emrin me mall dhe nuk
e harrojnë asnjëherë gjatë gjithë jetës. Kjo ndodh sepse mësuesi i
klasës së parë është kontakti i parë me shkollën, atë e shohin si një figurë
qëndrore kur përqendrohet e tërë
vëmendja, duke respektuar dhe mbajtur mend gati cdo fjalë apo mendim që ai apo
ajo shfaq,madje fëmijët e klasës së parë e kanë në gojë shprehjen:“Kështu tha
mësuesja! Këtë e di mësuesja...”. Mësuesi apo mësuesja e klasës së parë e bënë fëmijën të futet në
një botë të re ta panjohur më parë, duke nxitur tek nxënësit kureshtjen dhe
imagjinatën për të ardhmen. Është mësuesja e klasës së parë që u mëson fëmijëve
abc-në, të shkruajnë dhe të lexojnë, u zbulon përpara tyre të fshehtat dhe
bukuritë e gjuhës shqipe dhe të tingujve të ëmbël të saj. Te cdo nxënës,
përfytyrimi i saj është shumë i dashur dhe shpesh ndodh që klasa dhe shkolla
identifikohen me portretin e mësueses së klasës së parë. Sapo e kujton klasën,
ajo të vjen në mendje dhe të shfaqet përpara syve.
Me fillimin e
vitit të ri shkollor, janë shumë prindër të cilët ngulmojnë që fëmijën e tyre
ta regjistrojnë te mësuesi apo mësuesja e klasës së parë që ata preferojnë,
sepse për të kanë dëgjuar fjalë dhe opinione të mira. Dhe të tillë mësues ka
dhe janë gjithnjë të kërkuar, vecse dëshirat e prindërve nuk mund të plotësohen
gjithnjë, sepse klasat sot janë me një numër nxënësish standard, mbështetur në
parametrat e klasave moderne. Ndërkaq, drejtoritë e shkollave, kanë rastin që
përvojat e mësuesve më të mirë, më të
kërkuar, që janë mjeshtër të vërtetë të mësimdhënies, vecanërisht në klasat e
para, t`i përgjithësojnë, që dijenitë e tyre të bëhen pjesë dhe praktika të
suksesshme edhe nga mësuesit e tjerë.
Nisur nga këto
realitete shoqëria, shteti, të gjithë, doemos duhet të respektojmë vlerat dhe
dobinë e jashtëzakonshmetë të mësuesve. Respekti për mësuesen është dhe duhet
të jetë gjithnjë i velerësueshëm,pasi roli dhe puna e tyre kanë ndikimin e tyre
gjatë gjithë jetës.