E shtune, 20.04.2024, 11:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Halil Haxhosaj: Vepër e një rëndësie të veçantë

E diele, 05.10.2008, 11:56 AM


Halil Haxhosaj
VEPËR E NJË RËNDËSIE TË VEÇANTË

Nga Halil Haxhosaj

Shkrimtari, poeti dhe publicisti, Albert Shala, opusit të tij letrar ia shtoi edhe veprën me titull “Kadri Kusari, Dushi, i pathyeshmi i Gjakovës”. Vepra trajton një kohë të luftës së lëvizjeve ilegale të shqiptarëve të Kosovës në përgjithësi dhe të Grupit të Gjakovës në veçanti, pas luftës së ashtuquajtur nacional çlirimtare, kundër okupatorit serbosllav komunist. Kjo vepër është, pra, një përkushtim për jetën, veprën dhe aktivitetin revolucionar të trimit, patriotit dhe luftëtarit të pathyeshëm të kauzës kombëtare Kadri Kusarit, i njohur në Gjakovë me nofkën Dushi. Autori Albert Shala paraqet figurën e këtij veprimtari dhe patrioti nëpërmes dëshmive, përkujtimeve dhe disa dokumenteve të tjera. Dhe kësaj ia arrin me sukses.
Vepra “Kadri Kusari, Dushi, i pathyeshmi i Gjakovës” u përuruar me pjesëmarrjen e një numri dashamirësh të letërsisë, bashkëveprimtarëve, familjarëve dhe ish nxënësve të Kadri Kusarit. Përurimi u organizua nga Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Drejtoria për arsim e kulturë e Gjakovës dhe nga Shtëpia Botuese “Gjakova 2000”. Për rëndësinë e veprës, për gjuhën, stilin tematikën, shtrirjen, kohën dhe të dhënat historike foli recensenti i librit, Prof. Dr. Masar Rizvanolli. Ai në mes të tjerash theksoi se vlerat e kësaj vepre janë evidente, nga se figura e Dushit është paraqitur nëpërmes të rrëfimeve në formë kujtimesh nga disa bashkëveprimtarë, bashkëpunëtorë, bashkëqytetarë dhe njerëz të cilët kanë punuar apo edhe kanë qenë në afërsi të këtij patrioti të pathyeshëm. Këtu, ka edhe shkrime letrare kushtuar figurës së Kadri Kusarit, siç janë poezitë përkushtuese për të të shkruara nga Ali Podrimja, Rexhep Ferri, Albert Shala etj. Poashtu në faqet e kësaj vepre për herë të parë janë botuar edhe disa vargje të tij, të cilat janë dëshmi e një intelektuali dhe krijuesi. Emri dhe fama e Kadri Kusarit është e madhe, ashtu siç ishte i madh edhe ideali i tij prej luftëtari dhe veprimtari për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb. Edhe pse ishte profesor i diplomuar qysh në ato vite, ai nuk e duroi dot sundimin e egër sllavokomunsit serb, por u ngrit në luftë kundër tij. Bashkë me grupin e parë të kundërshtimit të këtij pushteti antishqiptar organizoi shumë aktivitete që janë të njohura për gjeneratat e atëhershme. Në Grupin e Gjakovës bënin pjesë edhe Xajë Nura, Hyda Dobruna, Teki Dervishi, Din Spahia, etj. të cilët u dënuan për të ashtuquajturën “luftë anti jugosllave”. Por, asnjëri prej tyre nuk u gjunjëzua, sepse lufta e tyre dhe organizimi për rezistencë ndaj pushtetit socialist Jugosllav u bë gurrë frymëzimi për gjeneratat e tjera të Gjakovës dhe më gjerë. Prandaj, Gjakova krenohet me emrin, punën dhe veprimtarinë patriotike të këtij kolosi të luftës për liri dhe pavarësi. Edhe ky libër i Albert Shalës është një dëshmi, mbase edhe nismëtare, në paraqitjen, ndriçimin dhe lartësimin e figurës së madhe e kolosale të Kadri Kusarit, theksoi ndër të tjera recensenti M.Rizvanolli.
Për vepër, për vlerat e saj dhe për disa dimensione të veprimtarisë së Kadri Kusarit folën edhe Xajë Nura, bashkëluftëtar, bashkëveprimtar dhe bashkëvuajtës i burgut, pastaj, Sokol Dobruna e

Albert Shala
Muhamet Rogova, ish nxënës, profesori Ismail Koshi, ish koleg si dhe F. Gaxha dhe G. Muhaxhiri, e disa të tjerë. Secili nga këta përkujtuan figurën e Kadri Kusarit, duke treguar ndonjë dromcë nga jeta, e sidomos nga vepra e tij revolucionare dhe patriotike. Ndërkaq, vargjet dhe disa fragmente nga libri deklamoi recituesja Kaltrina Rudi, e cila e shtoi edhe më shumë seriozitetin dhe ngrohtësinë e përurimit të veprës së Albert Shalës “Kadri Kusari, Dushi, i pathyeshmi i Gjakovës.
Në fund autori Albert Shala, duke i përshëndetur të pranishmit shpjegoi për punën, mundin dhe përpjekjet e tij për ta shkruar këtë vepër. Ai tha, në mes të tjerash, se me këtë vepër jam munduar që sado pak t’i dalim borxhi këtij patrioti, luftëtari dhe intelektuali, Sa ia kam arritur kësaj le ta thonë lexuesit. Ai, njëherit, falënderoi ata të cilët e mundësuan botimin e veprës, si dhe posaçërisht shprehi mirënjohje për kryetarin e komunës së Gjakovës, zotëriun Pal Lekaj dhe Drejtorinë për arsim e kulturë, të cilët nuk hezituan ta përkrahin financiarisht botimin e librit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora