E merkure, 24.04.2024, 08:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Albert Zholi: Lindita Kurti - Melodi shpirti

E diele, 22.09.2019, 11:00 AM


“Melodi shpirti”  dhe melodi pene, libër plot freski i poetes Lindita Kurti

Nga Albert Z. ZHOLI (shkrimtar-publicist)

Libri i ri me poezi “Melodi shpirti” i poetes premtuese Lindita Kurtit vjen para lexuesit i brishtë, melankolik, nostalgjik, thirrës, ëndërrues, premtues dhe plot emocion. Jeta e mërgimit e ka bërë autoren më të ndjeshme, më të brishtë, më delikate, më shprehëse, më elegante në varg por më vizionare në jetë. Në këtë vëllim ato që vihet re më shumë janë tre shtylla kryesore të ndërtimit të lëndës nostalgjia, atdhedashuria dhe melankolia. Autorja në këtë vëllim duket se nostalgjisë i ka kushtuar fjalë zemre pa limit për vetë faktin se mërgimi i ka privuar shumë kujtime të bukura të fëmijërisë. Në libër tregohet plot sinqeritet se Lindita edhe sot ka nostalgji për miqësinë, për thjeshtësinë, për bashkimin, për varfërinë e sinqeritetin, për dhembshurinë, krenarinë, mirëkuptimin, respektin ndaj prindërve, ndaj miqve, dëshirën për të qëndruar pranë prindërve, vëllezërve dhe motrave, për të lozur të shpenguar me shoqet. Nostalgjia edhe sot mbetet si një ndër pjesët më të bukura të jetës njerëzore. Për nostalgjinë thuren vargjet më të bukura, tingujt më të arrirë muzikor. Ja si shprehet poetja në poezinë me titull “Kam mall”...

Kam mall

Sa mall, kam për ato vite...

që pas mbeten harruar,

punën, u merrnim nga duart prindërve,

sa herë i shihnim, të dërrmuar.

Sa mall kam, për ato vite,

kur prindi ishte duke qortuar,

loti në faqe lehtë rrëshqiste,

dhe pse mbi ty, s'kishte vënë duar...

Nuk thuhet më kot se  rëndësinë dhe vlerën e prindit e kupton kur bëhesh prind vetë. Ja tashmë autorja në moshën e të qenit nënë e përcjell kaq bukur nostalgjinë për marrëdhëniet prindër-fëmijë. Ajo flet me sinqeritet fëminor, me patos melodioz, me dëshirë të pastër se si i kujton ato vite. Ndoshta ngaqë sot teknologjia e ka zbehur disi marrëdhënien prind-fëmijë, ndoshta ngaqë emigracioni i ka zbehur lidhjet mes njerëzve, autorja i përcjell nostalgjitë e fëminisë për të treguar  atë lidhje të fortë shpirtërore që duhet të ketë prindi me fëmijën në çdo kohë. Ndërsa tek  poezia “Shpirti i lodhur”, kalon në një gjendje tjetër shpirtërore...

Shpirti i lodhur

Kur jeta më bëhet e hidhur,

e s'mundem më ta jetoj,

kur buzën, e kam të dridhur,

e syrin, ndjej të lotoj...

Gjithkush  prej nesh ka momente melankolie. Jeta është si një udhëtim që i dihet fillimi por kurrë fundi. Tek sinqeriteti qëndron bukuria e vargut të autores në këtë vëllim. Ajo nuk di të shtiret, nuk di të mbulojë realitetin, nuk do të lumturohet kur lumturia duket ende shtegtare. Loti i dhimbjes është pjesë e jetës. Secili prej nesh ka ditë të vështira në jetë, ka ditë që loti si shter kurrë, ka ditë kur lumturia mbulohet me re të zeza, kur e qeshura ka marrë arratinë. Ndaj dhe “Shpirti i lodhur” nxjerr në pah ato mangësi shpirtërore, atë zbrazëti shpirtërore, atë lumturi të munguar që njeriu e përjeton por do ta mbulojë me gëzim artificial. Në origjinalitetin e saj jetësor dhe poetik vargu i Linditës merr vlerat reale të besimit dhe përjetimit konkret. Autorja nuk e pranon mashtrimin e vetes ashtu si nuk do të mashtrojë të tjerët me realitetin jetësor. Nuk ka jetë pa debate, pa ngërçe, pa oshilacione, pa lot, pa psherëtima, pa drithërima.

E dua Shqipërinë!

E dua Shqipërinë pa politikanë,

se jam shqiptare me zemër Uragani,

loti i mallit më djeg në shpirt,

kur larg saj qëndroj nga halli.

E dua Shqipërinë pa pseudo- gazetarë,

me diploma xhepave e të zotët s'janë,

lajme kuturu nga gjithë bota mbarë,

kur s'njohin dhe artistët, e vendit që kanë.

E dua Shqipërinë, të gjithë grusht-bashkuar,

se feja e shqiptarit është shqiptaria,

me syrin shqiponjë gjithë bijtë e saj,

ballëlartë ecin, nga krenaria!

E dua Shqipërinë, me rend e qetësi

pa drogë e  vrasje të mos drithërohem,

e dua të bukur, plot gjallëri,

e për të, si shqiptar të betohem!

Kjo poezi është një britmë e brendshme e një atdhetareje, e një patrioteje, e një nëne, e një poeteje për vendin e saj. Nga larg poetja e sheh më qartë realitetin, më me objektivitet, më me seriozitet, më me dhimbje, më me përgjegjësi. E edukuar e mëkuar me dashurinë për atdheun, e edukuar me respektin ndaj ligjit dhe kushtetutës, e edukuar me respektin ndaj punës, me respektin ndaj shtetit dhe pronës, e edukuar me përgjegjësinë si  shtetase e një vendi që gjithmonë është ndjerë i tradhtuar, poetja nuk mund të rrijë indiferente ndaj problemeve të atdheut. Ajo e do Shqipërinë pa politikanë hajdutë, matrapazë që për interesa meskine e nxjerrin atdheun në treg. Historikisht Shqipëria ka qenë e tradhtuar dhe e shitur nga politika. Ndaj autorja nuk hesht por me zërin e zemrës bën thirrje që politikanët mashtrues të flaken nga postet dhe drejtimi i shtetit. Poetja do një Shqipëri demokratike me rend dhe qetësi, me ligje dhe rregulla, me norma dhe me zhvillim ekonomik. Do një Shqipëri pa korrupsion dhe me polici në shërbim të popullit. Do një gazetari reale që ti shërbejë atdheut dhe popullit dhe të mos vihet në shërbim të politikës qorre. Poetja e do Shqipërinë vendin më të bukur dhe më të zhvilluar në rajon. Ajo ëndërron por edhe bën thirrje që Shqipëria të jetë ashtu si e ka bërë Zoti, e bukur dhe plot mirësi. Por autorja në libër i këndon po kaq bukur dashurisë, pabesisë, hipokrizisë dhe mashtrimit. Por fjalët më të bukura, mjaltin e vargut poetik ajo e ka derdhur në pozitë për prindërit. Vetëm një  njeri i edukuar, me virtyte, me përgjegjësi të madhe njerëzore mund të përcjell ato vargje harmonie për prindërit të cilët për të janë shenjtorët e së vërtetës dhe idealeve të jetës. Si përfundim mund të them se libri i ri i poetes Lindita Kurti është një oaz i ri letërsie ku shuan etjen çdo lexues që do të bukurën, mesazhin dhe jetën reale. Ajo në varg nuk është e sforcuar, nuk është artificiale, nuk është e kamufluar, por flet dhe  vargëzon me fjalë shpirti, me mendim të pastër, me ide mirëkuptuese dhe me dashuri të pastër njerëzore. Të qenit Njeri sipas saj është vlera më e madhe njerëzore, është ëndrra më e madhe e çdo njeriu të vërtetë. Poezia e Linditës është një himn njerëzor që i shërben çdo brezi për edukimin fëmijëve me rregullat reale të një shoqërie demokratike dhe për rritjen e ndërgjegjes së bukur kombëtare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora