E shtune, 20.04.2024, 07:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Petro Çerkezi: Bardhyl Maliqi - Perandoria e Zogjve

E diele, 22.09.2019, 11:04 AM


Referim për vëllimin poetik: “PERANDORIA E ZOGJVE” e Bardhyl Maliqit

(mbajtur në simpoziumin e 5-të letrar të Korinthit “Letërsia në udhëkryqet e botës”)

Nga Petro Çerkezi

Bardhyl Maliqin e njoh që herët, kur hidhte hapat e para poetike në shtypin letrar shqiptar, me ngurim dhe e plot kujdes, si shumë krijues që besonin tek poezia dhe u dashuruan çmendurisht atë, por kurthet na ndiqnin si hije, sepse  të gjithë jetonim në një vend të izoluar totalitar. Krijimtarinë e së kaluarës e helmonin ideologjizimet e ngurta dhe dogmatizmi i realizmit socialist, duke u përpjekur të klononte njeriun e ri një robot, pa gjykim, vetëdije dhe kujtesë. Për ne që jetuam në atë sistem nuk është aspak befasi progresi i tij në poezi dhe letërsi. Bënte dhe atëhere përpjekjet  e tij, por censura dhe vetë-censura ishin thikë me dy presa, që të prisnin flatrat. Komunizmi dhe letërsia e vërtetë nuk mund të bashkëjetojnë në regjimet totalitare. Ato nuk kanë asgjë të përbashkët. Është provuar se në gjithë perandorinë e lindjes dogmatizmi ishte një kancer me metastaza të pashërueshme, që shfarosi dhe shkretoi letërsinë si ushqim shpirtëror për njeriun. Nuk janë problemet socio-ekonomike vetëm, por fjala e burgosur, mungesa e çdo lloj lirie, tragjedia e shkrimtarit që shkakton varfërinë shpirtërore.

Poezia e Maliqit vjen për të na dhuruar një buzëqeshje njerëzore, një fytyrë pa maskë, plot lirizëm e mirësi. Në hapësirë, në universin e pafund i gjen poeti temat dhe metaforat poetike për poezinë e tij, por i gjen dhe në kaltërsinë Joniane,  në detin kristal dhe transparent si loti. Kjo lloj poezie të fal një koktejl të shumëngjyrtë ndjenjash dhe mendimesh. 

“Perandoria e Zogjve” është titulli i vëllimit poetik të Maliqit i përkthyer në gjuhën greke nga poeti dhe kompozitori Kostas Nousias, nën redaktimin e kujdesshëm të poetes korinthase Margarita Matasi. Po t’i referohemi semantikës së fjalës perandori menjëherë na çon tek një institucion  qeverisës absolut e gjakatar, siç qenë Perandoria Osmane, Perandoria Romake, Perandoria Bizantine e gjithë perandoritë që kaluan mbi këtë planet. Por këtu konceptet ndryshojnë, duke na krijuar dy të kundërta, perandorinë dhe zogjtë. Kjo perandori e gjerë hapësinore është vendi që të fal liri të pafund. Perandoria e lirisë është perandoria e dritës, e ëndrrave, që nuk pranon asnjë lloj prangash e robërie, që të hap horizontin e udhëtimeve, peripecitë e Uliksit, të argonautëve mërgimtarë, të Itakës së ëndërruar, me pak fjalë ato që ju privuan njeriut modern në kushtet tragjike  të perandorisë komuniste dhe të çdo lloj diktature.

...Zemra ime, zogjtë kanë perandorinë e tyre, perandorinë e tyre prej ajri dhe drite, perandorinë e tyre pa kufij,pa fron dhe despotizëm hirarkish./Se zogjtë, ti hyjnesha ime, janë qenie të lira, janë engjëj me flatra, që fluturojnë në qiejt parajsorë, drejt horizontesh të reja, atje ku pagëzohet dielli çdo mëngjes, atje ku pagëzohen hënat e reja...

***

Ç’ po ndodh me ne? po me miqësinë, me shpirtrat tanë./ Ç’po ndodh vallë?! /Agullimi i mëngjesit si terr u var dhe Agimet nxinë. Dhe Lirisë, oh Lirisë, që aq shumë e desha,        iu prenë krahët. Me krahë të prerë, ku shkon ti, Liria ime? A nuk të dhimbset qielli, qielli që përgjak?! Dhe Agimet nxinë...tani vetëm drita e hënës zverdh e zbardh./ Ç’është kjo katastrofë biblike?! Shkencëtarët e NASA-s me satelitë dhe teleskopë gjigantë vërejtën shpërthimin e tmerrshëm të katër galaktikave 50 mijë vjet dritë larg nesh. Po shpërthimet brenda nesh kush vallë i vrojton?

Kështu përpunohet realiteti në një nivel të lartë poetik dhe metaforik, ku bashkëjetojnë drama me poezinë e shpirtit njerëzor, egzistojnë me të njëjtat emocione të forta, por të ndara nga një mur, nga një lumë i thellë.  Nga njera anë është drita nga tjetra bota e errësirës. Po një bishë është përherë në pritje gati për të gllabëruar atë trëndafil të bukur, zambakun e dashurisë që shpëtoi nga shumë kurthe, siç përshkruan poeti në poezitë, “Cila je ti?”, “Amarda” “Mimoza”, “Vejusha”, “Bajamet e Konispolit”, “Jon, dëshira ime!”, “Kur ndriçojnë pikëllimet ”, “Bisedë me veten dhe të tjerët”, “Orët e arta janë ndryshkur prej kohësh”, “Nata”, dhe pothuajse në të gjithë librin, na pikturohet kjo botë e bukurisë e dashurisë dhe optimizmi i poetit na çojnë tek deduksioni se vetëm këto do të ndryshojnë fytyrën e shoqërisë. Poeti nuk dëshiron të ketë asnjë lidhje me ato që la pas, është në kah të kundërt me ideologjinë e shtrembëruar të asaj bote që bluante shpirtrat. Kjo poezi është rinore, lulet e një epoke të re dhe poeti nuk arratiset, është i pranishëm dhe revoltohet dhe me të, sepse ambiciet e tij për një të ardhme të pastër pa interesa te vogla në mes është feja e tij. Ai nuk komploton as nuk bën krushqi  me të këqijat e kësaj epokë, sepse e ka ëndërruar kaq shumë dhe e hymnizon me gjithë forcën e shpirtit. Poeti i revoltuar nuk është narcisisti i kohës sonë, ai thyen të gjitha idhujt e vjetër, ai gjithashtu thyen edhe idhullin e vet dhe gjakos shpirtin për të lulëzuar filizat e hjathme të poezisë, balsamin për shpirtrat e lënduar. E tashmja në poezi është arena, është teatri i madh i kohës. Dhe koha është e pamëshirshme, nëse nuk je një protagonist i denjë, ajo do të të vërshëllejë dhe do të të flaki tej.

CILA JE TI? Unë vërtet nuk di se cila je ti, por me siguri ti je rritur si mëllenjat, në një fshat të kalldrëmtë, në një shtëpi të gurtë, mbuluar me plloça të rënda rrase. Tamam si mëllenjat je ti vajzë e shkathët, rritur me çukitje farëzash në rreziqe grackash, dëborërave të dimrit në pëllëmbëza arash.//

Të mundesha do të lëvizja vendit, të vija të ulesha në sediljen tënde, të të shkopsitja bluzën, të sodisja i etur bukuritë e fshehura të vajzërisë së çmendur...Dhe të të puthja buzët ëndshëm, gjer në dhimbje, por pa e lënduar krenarinë tënde!

Duke lexuar me vëmendje veprën poetike të Maliqit, pa dyshim do të vemë re se destinacioni i zogjve të tij është kontinenti i vjetër, Evropa e ëndërruar prej të gjithëve. Zogjtë e perandorisë së tij kanë një prani të shumanshme, ashtu si njerëzit, dhe ritmi i vargut të tij ka vrullin dhe fuqinë e turmës që e ndiçon një diell i veçante fytyrën e saj, dielli për një ecuri të sigurt në një vend të destinuar për përparim, liri dhe demokraci. Maliqi e drejton trenin e tij mbi shinat e traditës më të mirë poetike shqiptare dhe më gjerë. Në të njëjtën kohë ai e rinovon atë duke u endur në ujërat e poezisë dhe letërsisë mesdhetare. Ndaj vepra e tij po gjen vlerësim jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera të Ballkanit. Maliqi është një njeri me prirje sinjifikative lirike dhe e përpunon realitetin në një nivel të lartë poetik dhe metaforik, në të cilin drama njerëzore dhe realiteti poetike bashkëjetojnë me të njëjtin tension ekzistencial. Ky tension është vala e fshehur e Jonit që ngjitet në gjoksin  e tij dhe poeti e nxjerr nga vetja dhe e bën banderolë. Ai shikon sytë e njerëzve dhe ata kanë një det brenda tyre, një det të trazuar. Poeti ngre sytë dhe u tregon atyre qiellin me zogjtë që krijojnë diagrama të ndryshme fluturuese sikur të thotë: Vështroni sa i bukur është qielli, ejani le të fluturojmë! Dhe nga ana tjetër ai ngre dorën sikur t’u thotë shtegtarëve  qiellore: Ju lutemi mos emigroni aq shpejt, qëndroni dhe pak, të na argëtoni me ligjërimin tuaj, sepse na lodhën përpjekjet e përditshme, konflikti me demonët dhe makthet. Në këtë perandori ylberore poeti guxon të hap flatrat me optimizëm, dhe në ardhtë rënia, le të jetë si ajo e Ikarit të mitologjisë . Guximtari fiton! Endrra kërkon rezerva të mëdha të guximi për t’u materializuar.

Robert Grejvs shpjeguesi mag i mitologjise greke shkruan: “Nëse do të shkruhej ndonjëherë poezia e fundit, bota do të ndalonte së egzistuari”.

A mund të ndalet jeta, a mund të ndalet ëndrra, a mund të ndalet ndryshimi i stinëve, lulëzimi dhe prodhimi i tokës? A mundet të ndalojë poeti së krijuari dhe të braktisë çatinë më të bukur që i ka dhënë krijuesi, planetin Tokë dhe t’ua falë ta shqyjnë një tufë ujqërish? Kurrë! Kokëfortësia e poetëve krijon bukurinë. Regjimet diktatoriale u përpoqën të mbytnin zërin e poetëve. Në ato regjime nuk egzistonte e tashme dhe u përpoqën t’i ballsamosnin shpresën njeriut duke i larguar perspektivën e së ardhmes. Por edhe në mynxyrë bijtë e çmendur të lirisë, poetët nuk u ndalën kurrë së kënduari, edhe kur i flakën në ferrin e zi dhe në birucat e vdekjes.

NJË LIS ME DEGË NA U RRËZUA... (Poezi për babanë) Të lutem, vare në mur fotografinë ti, mor bir!

Ai burrë s’ishte dokushdo, ai burrë s’është njeri i harruar! Është babai yt, është babai im, Në republikën e vogël të familjes Ai është president i përhershëm, është Ylli Ynë Polar, e Jona Dashuri!

Dhe mos e harro fjalët e Uilliamit: “Të vdekurit dhe të fjeturit nuk janë veç piktura”, por më tepër se kaq, shumë më tepër se kaq. Janë hijet e lisit që na flladitin ballin, paçka se i rrëzuar; janë fijet e rigonit që kundërmon në çdo hap, janë lulemendrat dhe lulemullagat e fëminisë sonë, që u rrit në këtë prag.

Është një poezi dramatike për baballarët që i shaluan malet si kuajt, të cilët luftuan si gjigandë dhe e gjithë lufta e tyre u bë pluhur në erë, të gjitha ëndrrat  hi. Është një klithmë në shkretëtirë dhe një premtim i poetit për t’u pagëzuar përmes shtërngatave dhe plagëve dhe për të vazhduar rrugën që shtruan këta heronj të heshtur. Poeti me dhembje zemre skalit në këtë poemë një statujë për atë brez të humbur të baballarëve.

Poetët e dinë se mëritë janë stinë të përzishme, halucinacione vrastare, makthe rraskapitëse, por ato kurrsesi nuk mund të jenë të përhershme, se thelbi i njeriut është mirësia, dashuria dhe paqja. Përderisa ka një mendje që pret kthjellim, përderisa ka një shpirt që si zog regëtin, përderisa ka dy sy

rrëkeza burimdrite, rrëke për të lotuar, përderisa ka shqisën e nuhatjes dhe forcën në duar. Ai erëkëndjen që larg e dallon. Ai të bukurën e sheh, të mirën e dëgjon, e shijon e prek, ndaj ti korb ndjellakeq, bën mirë të heshtësh! (Nata)

Poeti është në kërkim të vazhdueshëm tek vetvetja dhe tek bota. Ai e gjen veten dhe e humbet atë në një dialog hamletian me natën. Dhe shfaqet përsëri,  atje ku e kërkon koha, në të shenjtëruarën e tij poezi që është e vluara e tij e përjetëshme. Besoj se poema sintetike “Nata” është shtylla kurrizore e librit, është një mozaik me gurë bardhë e zi dhe gjithë gamën e ngjyrave, duke skanuar një shoqëri të tërë dhe shpreh në të njëjtën kohë pikëpamjet dhe botën e poetit. Poeti i beson muzës si dashurisë. Kjo është muza më intime e vendlindjes. Kur muza lëndohet, është plagosur vdekshëm dashuria. Shpirti i poetit drithëron “si një zog në duart e tij” dhe njerëzit gjithnjë pengohen në rrugën me gropa që la e kaluara që s’i mbushi dot epoka postkomuniste.

Ndërsa unë mbjell speca djegës në një saksi të madhe speca të kuq, të egër si djall. Speca djegës

për të përvëluar një ditë këtë kohë të poshtër në mitër, në kërthizë!  Nata vjen dhe konturet e pemëve bëhen dinozaurë, krokodilë dhe ujq dhe frika rend nëpër mejhane duke mbajtur nëpër jaka çizmesh  pistoleta dhe thika të gjata. // Bilardot dhe bingot gëlojnë prej vagabondëve, diskot dhe

dritat e kuqe kanë hapur kanatat. Ndërsa njeriu shurdhohet nga zhurmat ulëritëse  të çekiçëve dhe buldozerëve, që hapin varrin tonë prej hekurbetoni, duke vrarë gjelbërimin, zogjtë dhe këngët; të gjallët dhe të rënët. Ndërsa njeriu shurdhohet nga trokitjet në portën memece të ligjit. Shurdhohet

nga memecëria e botës. ka të drejtë Franc Kafka! Troket më kot. Politikanët, prokurorët, policët kanë shkuar të shtrydhin koqet. Më kot e presim ditën, treni i saj ka mbetur në një stacion të largët.

Siç thekson nobelisti Octavio Paz në veprën e tij “Flaka e Dyfishtë”, “poezia na lejon të prekim të paaritshmen dhe të ndiejmë zbaticën e heshtjes që përmbyt një peizazh të rrënuar nga harresa”.

Këtë të paprekshme synon Maliqi dhe në shumicën e veprës e bën pronën e tij. Është heshtja e shpirtit që vlon gati për shpërthim. Poeti është i neveritur nga maskat politike që ndrojnë kllounët e kohës sonë. Për poetin, gjuha dhe shprehja poetike janë shqetësimi kryesor dhe objekti i praktikës së tij në laboratorin shpirtëror. Poeti nuk pranon asnjë angazhim politik që mund të mjegullojë mendimin, perceptimin e tij poetik për të vërtetën dhe botën. Nuk egzistojnë më tabu dhe idhujt e vjetër i përkasin harresës. Busulla e udhëtimit të tij shpirtëror tregon vetëm diellin dhe fluturimin e lirë në perandorinë e zogjve.

Mirë Kostandinët, po ti brezi im, Ku  shkon? Ku shkon brezi im me një këmbë të prerë, me një diell të huaj mbi krye? me klitha neveritëse halucinacionesh? Gurmazi i kohës si një berr i therur. Jetët tona anonime si pemë të zhveshura prej gjethesh në një vjeshtë të parakohshme. Ku shkon shpirti im, me një ëndërr të vjetër, me një palë pantallona të grisura, me një libër të pluhurosur nga koha, nga braktisja?// Ku shkon ti, vit i mardhur, i prerë, i përgjysmuar, qëndron si rakitik mes dy kohësh, mes dy botësh Akullnajës dhe Tokës?

Vargu i Maliqit ka akumuluar mjaft dhimbje njerëzore, rreflekton mirësi, herë të përkëdhel si valëz e kaltër dhe herë të trondit si bubullimë. Herë është i mprehtë dhe të kujton Majakovskin dhe herë i qetë dhe i  këndshëm, me imazhe universale, metafora dhe simbole që na kujtojnë poetë të Mesdheut, Ricos, Lorca etj. Por nuk është asnjëri prej tyre. Ai është Maliqi i Jonit kaltëror dhe i Ballkanit të Jugut, luftëtari i jetës së përditshme, qytetari i shqetësuar i protestës, i cili kundërshton elitizmin, “cinizmin, të keqen, mohimin e së vërtetës”, dhe gjithë arrogancën e kohës. Poezia e tij është mjeti i shkëlqyeshëm që përjetëson ndjenjën lirike, polemikën poetike, idenë, mendimin e përparuar, persona, situata dhe ngjarje që përpunohen në vetëdijen e poetit, ngjiten në piedestalin që pasqyron profilin e një të tashmeje të përjetshme. Poeti përpunon vargun me skrupulozitet dhe përpiqet të krijojë një dialog të vazhdueshëm me lexuesin herë lirik, herë dramatik dhe e tërheq atë në botën e tij. Vëllimi poetik ka një harmoni të brendshme, ndërkohë ndonjë nga poezitë që sjellin ide paralele mund të hiqej. Puna serioze e përkthyesit Kosta Nousia dhe e redaktores Margarita Matasi kanë bërë që poezia e Maliqit të flasë një gjuhë moderne greke. I uroj ngrohtësisht të dy dhe autorit  i uroj përzemërsisht begati krijuese!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora