E merkure, 11.12.2019, 12:00 AM (GMT)

Reportazh

Tahir Bezhani: Gjashtëdhjetë vite nëpër oda me çifteli në dorë

E shtune, 21.09.2019, 10:06 AM


GJASHTËDHJETË VITE NËPËR ODA ME ÇIFTELI NË DORË

Shaban Shishmani, rapsod i ndjesive të thella të melosit popullor shqiptar.

Nga Tahir Bezhani

Mbi gjashtëdhjetë vite jete të kaluara odave shqiptare, anekend trojeve tona,duke krijuar kënaqësinë e dashamirëve të artit muzikor,të folklorit shqiptar, janë një përvojë jete,një pasuri shpirti,e më shumë se kaq, edhe manifestim i  ndjenjës së brendshme të palodhur,të dehur në telat e  çiftelisë e në melosin e ëmbël rekian. Shaban Shishmani është trashëgimtar i melosit të vjetër që e kanë kultivuar të tjerët para tij,si Maxhun Fazlia e Sadri Isufi,dy legjenda shekullore,pastaj vllaznit Botusha, Hajdari e Tahiri, e shumë të tjerë. Nga ato gjenerata,Shabani është trashegimtar i gjeneratave  të vjetra që mban të gjallë frymën  burimore të folklorit autokton  shqiptar  nga Rekë e Keqe.

-Fillimet rapsodike të Shaban Shishmanit.

Shaban Shishmani, lindur e rritur në fshatin Shishman të Rekës Keqe, Komuna e Gjakovë, në vitin 1948, nga një familje bujare e  njohur për urtësi, mirësi, patriotizëm e shumë vlera të tjera që janë trashëguar brezave tonë, pra një familje palcë ashti i shqiptarisë. Me këto karaktere u rrit dhe  u edukua edhe rapsodi Shaban Shishmani,i cili që disa vite jeton në lagjen Brekoc të Gjakovës. Edhe pse në këtë moshë,bukur të shtyrë, shpirti i tij ende nuk  ia  ka kërkuar pushimin e merituar prej rapsodi.

Ky rapsod i mirëfilltë, gëzon autoritet, jo vetëm në Rekë të Keqe të Gjakovës, por në gjithë rrafshin e Dukagjinit,në tëre Kosovën e trojet shqiptare.

Nuk kishte më shumë se njëmbëdhjetë vite kur filloi të merret me këtë “zeje” të shpirtit. As vet nuk e ka menduar që t’i bëjë mbi gjashtëdhjetë vite rrugëtim me gjithë  barrën e artit të bukur, të kapur damarëve të zemrës e mendjes. Por vitet ecin...

Në moshë të re pra, e njohu artistin tjetër të folklorit shqiptar, moshatarin, Zef Gashi nga fshati Korenicë e Gjakovës, me të cilin nuk u ndanë disa vite. Duke e tërhequr vëmendjen e popullit për këngën e bukur si art i vërtetë shpirtëror, shpejt u bënë të njohur në tërë Kosovën. Kështu, atëbotë, Lornec Antoni e Akil Koci,dy muzikologë të respektuar  në rrafshin kombëtar nuk hezituan, bënë inçizimet e para në vitin 1964 në Radio Prishtinën. Ato vite, zëri i këtyre dy të rinjve,Shabanit e Zefit,ishte hit,sinonim i çdo gjëje që njerëzit dëgjonin me kënaqësi të veçantë. Me këto suksese të papara deri atëherë,këta dy të rinj, mbetën pjesë e historisë së folklorit tonë burimor shqiptar. Këngët e dashurisë, për moshën e tyre dhe shumë deshira të tjera,ishin  kërkesë kohe. Këta dy rapsodë ndahen mes veti pas ca vitesh nga se Zefi(tani i ndjerë), drejtohet për shkollë të muzikës, ndërsa Shabani vazhdon me këngën i vetëm disa kohë, odave të Rekës së Keqe.

Trashëgimia folklorike e Shaban Shishmanit nuk është burim familjar, ndonëse veglave u kishin  rënë edhe babai me axhen, por është pasion  e ndjeshmëri përsonale artistike, i cili ndikoi shumë në frymëzimin e gjeneratave  pas tij. Në këtë kuptim, angazhoi në duet vëllain, Sokolin, pastaj me djalin e axhës, Nexhmedinin,i cili(tani), ndodhet ne SHBA.  Edhe ky “duet” vëllazëror nuk zgjati,nga se Nexhmedini kaloi në Radio-Prishtinë,ku bëri karrierë, ndërsa Sokoli në SHKA.”Jahë Salihi” të Nivokazit,ndër shoqëritë e afirmuara të kohës, gjatë viteve 80. Ndërsa, koka e këngës folklorike, kaloi në shoqërinë “Ganimete Terbeshi”, që ishte në kuader të fabrikës së tekstilit “Emin Duraku” ,Gjakovë. Një shoqëri me renome të kohës e cila brenda vetes kishte 12 anëtarë enkas për folklor. Kjo arritje ishte meritë e Agë Botushës së ndjerë, dikur drejtor financiar i fabrikës.

Shaban Shishmani si rapsod, gjatë karierës së tij jetësore i ka rënë fati të këndojë me shumë figura të këngëve folklorike, si me: Zenel Dolin, Ndec Gojanin, Zenel Gacaferin,Tafil Agen (instrumentalist), Sadik Kuçin, i “Grupi i Shaban Shishmanit”,me Muhamet Sejdiun,  Miftar Meten, Besim Avdylin etj. të gjithë nga rrethi i Gjakovës dhe qyteti . Emrat e këtyre burrave kanë lënë gjurmë të pashlyera në folklorin tonë popullor,në jetën kulturore, duke kultivuar vlerat artistike të një trashëgimie etnokulturore me shekuj.

-Autorësia krijuese e rapsodit Shaban Shishmani

Rapsodi, Shaban Shishmani.

Duke qenë një përsonalitet me përvojë i folklorit burimor shqiptar,duke poseduar bagazh e dije në shpirtin melankolik të  vargut artistik, si rrjedhojë, burojnë vargje të autorësisë së autorit-tekste, të cilat me dijen e aftësinë përsonale i komponon dhe interpreton si autodidakt, me sukses të paparë. Duhet vlerësuar lartë- aftësia krijuese e këtij rapsodi,i cili vetëm gjatë viteve 90 e këndej, ka shkruar e komponuar mbi 15o tekste të ndryshme. Pëmbajtja e teksteve, kryesisht është patriotike e viteve 90-ta,ku i këndohet  okupimit klasik serb, dhe figurave të kohës, prijësve që ditën ta drejtojnë kombin në rrugën e fitores. Ndërsa në vitet 98-99 u këndon fuqishëm luftetarëve të lirisë, atyre që ranë në fushëbeteja për lirinë e këtij populli. Kjo familje (e rapsodit),ka dhënë një dëshmor, ish mësuesin Rexhep Binaku, të cilin e vranë barbarët në mënyrë  më të pa njerëzishme... E gjithë kjo punë mbi gjysëm shekullore e rapsodit Shaban Shishmani, nuk duhet të mbetet anash, në harresë, por vlen të jetë e pashme, e ndjeshme në vëmendjen e njerëzve kompetentë të artit tonë folklorik.

Për sukseset e tij të jashtëzakonshme,si prijës i grupit folklorik,ka qenë i ftuar shumë e shumë herë edhe jashtë vendit tonë, dhe përherë i kthyer me mirënjohje e lëvdata të lakmueshme për veten e të tjerët. Ka marrë pjesë (pas lufte) në Gjirokastër(2006) dhe me grupin e tij ka zënë vendin e parë në Festivalin e njohur,pastaj në Krumë të Hasit(2001),poashtu mer vendin e parë dhe shpërblehet me mirënjohje,dhe shumë vende tjera. Gjithsej mban më se 30 mirënjohje të karrierës për sukseset  si rapsod, me grupin e tij të lartëcekur. Një Mirenjohje të veçantë e mban me xhelozi nga kryetari i Gjakovës, Ardian Xhini, marrë para pak kohësh.

-Pozita e këngës folklorike dhe rapsodët  sot.

Duke njohur përvojën e Shaban Shishmanit, prej një rapsodi me përvojë të gjatë, natyrshëm lindi dëshira për ta ditur gjendjen e rapsodit sot dhe vlerat e folklorit në këto vitet e fundit, sipas mendimit të tij. Ishte kënaqësi të merrje një mendim aq të thukët . Pos të tjerash u shpreh:” Folklori nuk mund të humbë nga shpirti jonë. Ne jemi rritë nëpër shekuj me këngën folklorike. Jemi regjë e tymosur nëpër kohë, gëzuar e hidhëruar,trimëruar e luftuar gjithmonë nën ndikimin e këngës. Kemi rezistuar çdo dukuri negative, pra, kënga është vaji i burrit, kanë thënë gjithmonë.

Pas lufta, ceremonitë darsëmore, zjafete e kanagjeçe etj.e kanë zbehur fuqinë rapsodike. Mendoj se shkaktar kryesor është organizimi i ceremonive në të cilat bëhet muzikë tallava,muzikë e huaj përzier me melodinë tonë vetëm sa për të vallëzuar tërë ditën ose gjithë natën. Pra,nuk po kultivohet ajo forca e embriont shpirtëror që ngritë peshë zemrat,por një “kërcim-muzikë”. Këtë gjendje është mirë me e tejkaluar sa më parë. “Nuk e zëvendëson asgje këngën e shpirtit e të zemrës!” tha rapsodi Shaban Shishmani.Në vazhdim të bisedës “vodhëm” edhe dy prononcime  të figurave ndërkombëtare që në fillimet e viteve 2000 të cilët ishin në vendin tonë me detyrë nga OKB-ja.

Duke qenë musafir i ftuar në oden e Haradinajve të Glloxhanit,  zotëri Peterseni dhe gjenerali gjerman i KFORIT, ftohet për këngë folkorike, po ashtu dhe rapsodi Shaban Shishmani me grupin e tij. Pas pushimit, mes këngës e bisedave, zoti Petersen iu drejtohet shumë të rinjve në odë me fjalët:” Ju duhet t’i trashëgoni këto gjëra të bukura,veshjen,këngën.Folklori është pjesë e çdo populli në mënyrën e tij,andaj nuk duhet harruar kurrë. Sa bukur këndon Saban Shismani( në mungesë të theksit SHSH)”

I njëjti rast rapsodit Shaban Shishmani i kishte ngjarë edhe në Kullen e Haro Bajraktarit të Vranocit, ku prezent ishte kongresmeni Engel Eliot, i cili, të rinjve u dha të njëjtën porosi, sikur edhe zotëri Petersen më parë.

Autori i tekstit bashk me rapsodin Shaban Shishmani.

Trashëgimia folklorike si art, gjithmonë ka ushqyer shpirtin e njeriut nëpër kohë,  si frymëzim për liri, humanizëm, drejtësi, dashuri, ideal kombëtar. Bashkë me këngën, populli ynë është rritur duke u edukuar për luftën për liri, deri në mitologjizëm, për sakrificen , për dashurinë, etj. Prandaj, si pjesë e historisë sonë dhe ndjenjë shpirtërore e pandarë, kurrë nuk duhet nënvlersuar cilësitë dhe efektet e saja historike, por patjetër se folklori dhe rapsodi duhet të jenë pjesë e jetës sonë.

Në këtë rast,edhe rapsodi në fjalë, z.Shaban Shishmani, mbetet pjesë e kësaj historie të mirëfilltë e të lavdishme, të ecjes sonë rrathëve të historisë, për afër 60 vite jete e pune.

Gjakovë, Shtator 2019



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT